E premte, 26.04.2024, 06:40 PM (GMT+1)

Mendime

Mentor Nazarko: Disa perfundime mbi Kosoven

E diele, 30.11.2008, 02:07 AM


Mentor Nazarko
Disa perfundime mbi Kosoven

 

Nga Mentor Nazarko

 

Ditët e fundit, po vihet re një gjallërim i ndjenjës kombëtare, këndej dhe andej kufirit. Iniciativa të përbashkëta, madje, janë duke u realizuar, dhe në media po zënë gjithnjë e më shumë vend idetë që i bëjnë thirrje kësaj ndjenje, të rigjallëruar në një kontekst të ri, përballë sfidash të reja.

 

Në këtë kuadër, edhe protesta kundër Planit të rikonfigurimit të misionit të OKB-së në Kosovë, të ashtuquajturit Plani i Ban Ki Moon-it, ishte një shprehje e shkëlqyer e kësaj ringjalljeje të ndjenjës kombëtare. Vlera e saj duhet të shtohet në sytë tanë, sa kohë që ajo u thirr dhe u organizua nga shoqëria civile në Kosovë dhe jo nga parti politike. Parë të gjitha bashkë, këto iniciativa praktike apo ide, japin shpresë për lindjen e një vizioni pankombëtar në të gjithë hapësirën ku banojnë shqiptarët. Ky vizion favorizohet nga tregu i lirë, lëvizja e lirë e njerëzve, zhvillimi i individit shqiptar, madje dhe nën trysninë e faktorëve të jashtëm. Produkt i kësaj klime është dhe ideja për të kërkuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në rast të projekteve për ndarjen e Kosovës, apo riaktivizimin e idesë së bashkimit të luginës së Preshevës me Kosovën. Projekti i Ban Ki Moon-it, madje shihet si i tillë, kështu që mbrojtësit e këtyre ideve thonë se duhet të lëvizet në këto drejtime. Gjithçka e zhvilluar brenda kufijve të lirisë së mendimit, veprimit dhe rregullave demokratike është e mirëpritur. Por, ama, ka disa përfundime nga mënyra se si kombi shqiptar, klasa e tij politike u përball me dokumentet e fundit mbi Kosovën dhe duhet të përballet me bashkësinë ndërkombëtare në të ardhmen.

 

Së pari; nuk duhet favorizuar, stimuluar, asnjë lëvizje, sjellje, protestë që mund të prishë marrëdhëniet e shkëlqyera që aktualisht ka kombi shqiptar me bashkësinë ndërkombëtare. Me shumë gjasa, armiqtë tanë e dëshirojnë dhe e stimulojnë një gjë të tillë, qoftë dhe duke inkurajuar iniciativa ekstreme.

 

Së dyti, dhe si vijim i çka thuhet më sipër; dokumentet ndërkombëtarë mbi Kosovën duhet të studiohen me kujdes dhe të mos ngatërrohen me njeri-tjetrin. Shumica e njerëzve që e shihnin djallin Ban Ki Moon si tërësisht të zi, ishin përgjithësisht njerëz që nuk e kishin lexuar planin, apo nuk e kishin kuptuar atë. Diçka normale për një popull apo komb si yni, madje dhe për të ashtuquajturën elitë intelektuale tonën. Për ta kuptuar të ashtuquajturin Plan Ban Ki Moon, apo dhe vendimin e fundit të KS të OKB duhet të jesh pajisur me instrumente juridike, duhet të kuptosh koniunkturën ndërkombëtare. Para se të arrish në protesta kundër dokumenteve ndërkombëtarë, do të duhej të ndikohej në formulimin e tyre në kohën e duhur, duheshin aftësi negociale shumë kohë më parë, dhe pastaj protestat. Protestat dhe aktivizimi megjithëse i vonuar i autoriteteve kosovare, modifikoi sensin e Planit 6-pikësh, i cili vetëm se përmendet në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, që u miratua më 27 nëntor nga Këshilli i Sigurimit. Është tjetër gjë Plani Ban Ki Moon dhe tjetër gjë vendimi i fundit i Këshillit të Sigurimit. Ky nuk është një plan që synon ndarjen e Kosovës. Perëndimi vazhdon të jetë me shqiptarët, në veçanti SHBA dhe disa fuqi të tjera të mëdha.

 

Së treti; plani në vetvete u inkorporua brenda një raporti që nuk duket shtrëngues nga pikëpamja juridike. Këshilli i Sigurimit me një marifet shumë interesant shmangu një rezolutë të re dhe miratoi rikonfigurimin e UNMIK-ut - lexo zëvendësimin e tij me EULEX-in - nëpërmjet një deklaratë presidenciale që miraton raportin e Sekretarit të Përgjithshëm. I ashtuquajturi raport, u bën qejfin serbëve në disa pika, por ama zbeh agresivitetin e 6 pikave të planit të Ban Ki Moon.

 

Së katërti; duhet dhe të kesh realizmin e nevojshëm. Duhet të kuptosh se pavarësimi i Kosovës, një dhuratë e jashtëzakonshme e Perëndimit, shpërblim për sjelljen tonë kombëtare pro perëndimit, është një dhuratë që kërkon dhe kompromise taktike. Mund të humbësh terren në një koniunkturë të caktuar ndërkombëtare që mund ta fitosh në një kohë tjetër.

 

Analiza e raportit përfundimtar të OKB mbi Kosovën

 

Është shumë interesante se si në pikëpamje juridike, ky vendim do të krijojë bazën e legjitimitetit për EULEX-in. Megjithëse shpallet se EULEX-i do të jetë nën Rezolutën 1244, dhe megjithëse Plani Ahtisari nuk përmendet, prapëseprapë EULEX do të funksionojë në bazë të Ahtisarit dhe në të gjithë territorin. Nuk është e vërtetë se plani apo dhe raporti përfundimtar nuk mban parasysh shpalljen e pavarësisë, apo Kushtetutën e Kosovës, ligjet e reja etj. Ai flet për Kushtetutën e Kosovës; flet për unitet doganor të Kosovës, një moment të cilin e pranon dhe vetë Serbia: Serbia pranon që midis së ashtuquajturës provincë jugore të saj dhe vetë Serbisë të ketë dogana! Që të kuptojmë sa të rëndësishme janë këto momente, duhet të mbajmë parasysh se si është situata sot në veri. Në pjesën e veriut nuk ka dogana; prej saj hyjnë mallra serbe kontrabandë të kompanive kosovaro-shqiptare, të cilat përfitojnë prej saj. Plani rivendos doganat kudo nën të njëjtin regjim; tarifa unike në të gjithë territorin, (paragrafi 37) dhe për përdorimin e këtyre të ardhurave për komunat me shumicë serbe, parashikon bisedime të mëtejshme (shiko paragrafin 38). Plani rivendos në veri, policinë, por nën kontrollin e UNMIK-ut, dhe pranon ekzistencën e kanaleve ekzistuese të komandimit, pra të policisë së Kosovës (par.34). Ai rivendos gjykatën e Mitrovicës (vetëm atë ama) nën kuadrin ligjor sipas Rezolutës 1244 dhe është tërhequr nga ideja e gjykatave të veçanta në të gjithë veriun (par.41). Plani i njeh KFOR-it, ruajtjen e kufijve, të jashtëm të Kosovës, çka është thelbësore për mos ndarjen e Kosovës (par.44). Edhe në lidhje me kishën, përjashtimet në favor të saj (TVSH apo tatime të tjera) reflektojnë praktika normale në vende perëndimore. Në përgjithësi shumë prej parashikimeve të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm reflektojnë Planin Ahtisari. Që, megjithëse i dhimbshëm, u pranua.

 

Disa përfundime

 

Nuk kishte diskutim se plani 6-pikësh krijonte dy realitete juridike të ndryshëm në Kosovë, megjithëse me plot zona kontakti me njeri-tjetrin. Realiteti i parë, sundues ku banon shumica shqiptare, i administruar sipas ligjeve, Kushtetutës së Kosovës dhe planit Ahtisari. Realiteti i dytë, ku banon shumica serbe, do të administrohej sipas Rezolutës 1244. Ndërkohë, vendimi përfundimtar i OKB, e ka zbehur këtë ndarje, ndërsa flet për vendosje të EULEX-it në të gjithë territorin, megjithëse formalisht nën Rezolutën 1244, dhe në konsultim me UNMIK dhe faktorët e tjerë të rëndësishëm (par.50 dhe 52). Vendosja e EULEX-it në Kosovë kishte nevojë për një bazë legjitimiteti që i afrohet jo prej një rezolute të re, por pikërisht prej vendimit të ri të Këshillit të Sigurimit. Është ky një truk artificial për të kapërcyer kundërshtinë e serbëve, rusëve dhe me shumë gjasa fryt i klimës së detantës së Perëndimit me Rusinë.

 

Ndërkohë vendimi sjell disa pasoja pozitive, me gjithë ruajtjen e disa paqartësive në nivelet e pushtetit. Është fare e qartë se dhe për një farë kohe, Kosova nuk mund të jetë plotësisht sovrane: ajo do të administrohet dhe prej kosovarëve, dhe ndërkombëtarëve. Edhe prej Kushtetutës dhe prej akteve ndërkombëtare. Diçka tranzitore, normale për shtetet e rinj.

 

1. Ky vendim i përkohshëm, kjo situatë kalimtare krijuar prej tij, është parakusht për një rezolutë përfundimtare me të cilën Kosova do të pranohet përfundimisht në OKB;

 

2. Konsensusi serb për vendimin e fundit, afron Serbinë me BE-në, duke shtuar kështu kushtëzimet e BE-së për Serbinë, në lidhje me Kosovën. Këto janë shumë të nevojshme për imponime të reja evropiane ndaj Serbisë për çështje të tilla me interes të përbashkët, si pasuritë, privatizimet, borxhi, dokumentet, të humburit, lëvizja e automjeteve, etj. Kishte teatër në emocionet e Jeremicit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit- diçka që atij i duhej për konsum të brendshëm në Serbi;

 

3. Në të gjitha rastet, nuk ka asnjë dyshim se Bashkimi Evropian (shumica e vendeve), apo SHBA janë pro ruajtjes së Kosovës si një e tërë. Edhe sikur të mos ishin, ata e dinë se ndarja do të sillte pasoja të pashmangshme në Bosnjë, në Maqedoni dhe do ta rikonfiguronte tërësisht hartën e Ballkanit. Nëse ka plane të tilla, kjo është arsye më shumë pse shqiptarët duhet të mbeten aleatë të perëndimit;

 

4. Plani i Ban Ki Moon mund të mos kishte ekzistuar fare, nëse qeveria e Kosovës do të kishte bërë shumë më shumë se ç‘ka bërë për vendosjen e autoritetit të vet në Veri. Nëse do të kishte blerë shtëpi në pjesën veriore, nëse do të kishte joshur politikanë serbë në Kosovë, nëse do të kishte ftuar komunitetin serb të kthehej nëpërmjet veprimeve agresive, nëse do të kishte bllokuar largimin e shqiptarëve prej andej etj;

 

5. Gjithsesi, sot po jetojmë kohëra të tjera. Shqiptarët janë shumë më të ndërgjegjshëm për qenien e tyre kombëtare, megjithëse fatkeqësisht klasa e tyre politike jo gjithnjë. Sa kohë që ky identitet i ri shqiptar ruan urat me Perëndimin dhe i zhvillon ato, sa kohë që shqiptarët qeverisen prej flukseve perëndimore, plane si ato të Ban Ki Moon-it, vërtet janë të përkohshme. Pasi koha punon për shqiptarët.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora