E premte, 26.04.2024, 03:28 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Mekuli: Mediat dhe Politika

E diele, 30.11.2008, 11:00 AM


Gëzim Mekuli
Mediat dhe Politika

 

Retorika, publiku dhe Jul Cezari

 

Nga Gëzim Mekuli*

 

Ju kujtohet tragjedia e Jul Cesari-t të Shekspirit? Brutus dhe Antonius mbajnë fjalimet e tyre të mëdha para qytetarëve romak. Ndikimi dhe bindja tek publiku romak është shumë i madh. Dramaturgu i pavdekshëm Shekspir dramatizon se si që të dy folësit, përmes fjalimeve të tyre, e arrijnë qëllimin që të kenë publikun romak për vete. Folësi i parë është Brutusi; Vrasësi i Cesarit. Brutusi, ndër tjerash, në fjalimin e tij, para qytetarëve romak, argumenton, se vrasja është e nevojshme dhe e domosdoshme për arsye politike. Sipas tij, kështu, do të mund të pengohet Cesari ambicioz që të vetëshpallet mbret. Brutusi veçon dhe përdallon në mes dashurisë për Cesarin dhe dashurisë për Romen. Dhe, Brutusi fton (përmes figurës retorike, antimetabolës) qytetarët romak që të veprojnë mu si edhe Brutusi. Ky shtron edhe pyetje retorike: "Do të dëshironit të kemi një Cesar të gjallë dhe të gjithë të vdesim si skllevër, se sa t?! ? kemi një Cesar të vdekur dhe të gjithë të jetojmë si njerëz të lirë? Publiku romak lejon plotësisht të ndikohet dhe të manipulohet nga fjalimi i Brutusit. Ky publik tjetërsohet dhe padjallëzisht e verbërisht i falë besimin Brutusit. Më pas fjalën e merr Antonius, përkrahësi i Jul Cesarit. Antonius e di se publiku është kundër tij. Andaj edhe për asnje çast nuk e merr në gojë Cesarin, mikun, të dashurin dhe të shtrenjëtin e tij të jetës. Ky nuk flet keq as edhe për Brutusin. Në vend të kësaj Antonius lavdëron Brutusin dhe përkrahë këtë në akuzat e tij kundër Cesarit. "Kam ardhur ta varros Cesarin, e jo ta lavdëroj atë... Ai ishte miku im, besnik dhe i arsyeshëm me mua: Por Brutusi thotë ai ishte ambicioz; Dhe Brutusi është një njeri i ndershëm".

 

Këto dy fjalime janë kryevepra retorike. Por thelbi dhe qëllimi i këtij artikulli nuk është Shekspiri. Është tjetra: Në këto fjalime shohim se folësit kanë një shumëndikim tek publiku. Pas fjalimeve të këtyre folësve publiku sillet edhe si një lloj marionete. Kemi këtu një publik i cili vullnetarisht i lejon vetes që të bie nën ndikim "të argumenteve" të ndryshme të përzgjedhura nga folësit. Kështu publiku edhe shndërrohet në një "qengj" të butë. Ndikimi në publik është shembull i një peshë të madhe edhe për aktualitetin tonë politik. Sepse në Kosovë kemi një diskurs retorik i cili hapur kërkon të ndikoj në publikun e tij. Publiku në Kosovë është një publik i njomë dhe, duke pasur në konsideratë rrethanat politike, ekonomike e sociale, mund të them se ky publik është edhe i "papjekur".

 

Edhe për retorikasin e madh Perelman dhe Olbrechts-Tyteca, publiku nuk është konkret dhe i materializuar, por është vetëm një konstruksion i ndërtuar nga fjalimet e folësit apo/dhe folëses. Në këtë kontekst e në këtë vështrim do të veçoja fjalimet retorike të disa politikanëve në lidhje me zgjidhjen e statusit të Kosovës, e që janë duke u shpeshlansuar nga mediat. E them këtë sepse është vetëdalluese dhe fuqindikuese diskursi retorik dhe fjalia e shpeshthënë: "Decentralizimi në baza etnike në Kosovë, bëhet për hir të pavarësisë së Kosovës. Sepse më mirë një Kosovë të decentralizuar e me pavarësi, se sa një Kosovë të padecentralizuar e nën Serbi". Është kjo një fjali që na kujton mashtrimin dhe tradhëtinë që Brutusi i bëri Jul Cesarit. Edhe në këtë diskurs retorik të politikanëve hasim në figurën retorike antimetabolën. Kjo figurë retorike përmes krahasimit krijon tensione dhe njëkohësisht një! fotografi "të qartë" në mes të "mirës" dhe të "keqes". Ky krahasim retorik bëhet me vetëdije e qëllim që efekti për të bindur publikun shqiptar të Kosovës të jetë sa më i madh, dhe natyrisht bindja të jetë sa më e shpejtë, e sa më jetëgjatë. Perelman dhe Olbrechts-Tyteca shprehen se secili folës dhe/apo folëse mendon në mënyrë të vetëdijshme apo edhe të pavetëdijshme në personat e tij. Sepse këta persona përbëjnë edhe vet publikun e tij. Fjalia e përdorur me pompe: "Decentralizim për hir të pavarësisë", dhe "Më mire pavarësi të kushtëzuar se sa mbetje nën Serbi", ka si qëllim që të krijojë një publik që do të ishte edhe bartës i atyre politikave që janë të interesuara të bëjnë një zgjidhje që këta e mendojnë si "ideale" dhe të "mirë", si për Shqiptarët e po ashtu edhe për Serbët. Ka kjo fjali për qëllim ndikimin e një publiku të ! veçantë dhe të paracaktuar?

 

Perelman dhe Olbrechts-Tyteca dallojnë dy lloj publikësh; atë universal dhe atë të veçantë. Publiku universal përbëhet nga njerëz të ndërgjegjshëm dhe kompetent, përderisa publiku i veçantë përbëhet nga njerëz të të gjitha shtresave: si të atyre të ndërgjegjshëm e po ashtu edhe të atyre të pandërgjegjshëm; si nga njerëzit kompetent dhe atyre jo kompetent.

 

Në këtë rast fjalimet e politikanëve shqiptarë dhe të huaj, në Kosovë, mund të thuhet se u drejtohen një publiku të veçantë. E them këtë sepse qëllimi i tyre është që të bindin dhe t’u mbushin mendjen edhe personave me kompetenca, si dhe të atyre që nuk i kanë këto; të papërgjegjshmëve dhe të përgjegjshmëve. Publiku i tyre kualitativ duhet të jetë i lakueshëm dhe lehtëbindur, e, kjo më së miri realizohet përmes njerëzvepërçues; përmes "njerëzve me kompetenca e përgjegjësi". Pra fjalia retorike si "Decentralizim për hir të pavarësisë së Kosovës" i drejtohet një grupi të caktuar të njerëzve; në këtë rast fjalia retorike ju drejtohet publikut shqiptar të Kosovës. Kjo fjali retorike kërkon që të bindë dhe të ushtroj ndikim, pikë së pari tek shqiptarët me shkollim të lartë, e pastaj përmes tyre të arrijë dhe bindjen dhe ndikimin e shtresës tjetër të publikut shqiptar të Kosovës.

Se a do të arrihet një zgjedhje faqëbardhë e statusit të Kosovës vetëm përmes diskursit e bindjes retorike, e duke përjashtuar faktet tjera arkeologjike, historike, kulturore, demografike e antropologjike të këtij populli, mbetet të shihet.

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora