E hene, 19.08.2019, 11:15 AM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Fadil Hasa

E diele, 28.08.2005, 10:29 PM


Flet aktori i njohur i humorit, Fadil Hasa: Largimi nga estrada dhe planet

“Tani që fitoi Berisha, sërish në skenë”

Blerina Goce

Çfarë tha para tetë vitesh

Fadil Hasa

“Nuk do të kthehem në skenë pa ardhur më parë në pushtet Partia Demokratike dhe Sali Berisha”. Kështu tha para se të largohej nga skena tetë vjet më parë, aktori durrsak Fadil Hasa. I bindur se e majta, atëherë në pushtet nuk tregonte interesin e duhur për humorin dhe estradën Fadil Hasa mori këtë vendim, i cili në fakt nuk qe një zgjedhje e dëshirueshme për të. I bindur dhe me shpresë se forca e djathtë që do të marrë pushtetin do të kujdeset më shumë për artin, Hasa thotë se akoma estrada po vuan krizën e para 10 viteve. “Më vjen keq që gjatë dy vjetëve s’ka dalë ndonjë njeri me premierë në Shqipëri. Më pëlqen deri diku “Portokallia”, por përsëri duhet më shumë. Jeta artistike në drejtim të humorit ka rënie. Dora e shtetit nuk ndihet dhe rrogat për aktorët e estradës janë të ulëta. Asnjë reformë nuk është bërë. Mund të ishte menduar më mirë, që artistët të mos ishin në dorë të shtetit me 140 mijë lekë në muaj. Artistët merren me punë të tjera”, thotë Hasa, duke shpjeguar edhe gjendjen e vështirë të aktorëve sot. “Situata është shumë e ndërlikuar, duhet ndërhyrje kirurgjikale sa më e shpejtë. Duhet bërë një reformë e thellë, plane në letër të shkruara mirë”, thotë Hasa, duke shtuar se gjatë këtyre viteve me dashje apo pa dashje në drejtim të artit e të humorit nuk është bërë absolutisht asgjë dhe shpresa e madhe është që çdo gjë të riparohet sa më parë.

Para tetë vjetëve ai deklaroi se nuk do të ngjitet më në skenë, nëse nuk merr pushtetin Sali Berisha. Ishte viti 1997 dhe aktori Fadil Hasa ndihej më i zhgënjyer se kurrë nga qeveria e asaj kohe dhe mundësitë që ofronte skena dhe estrada. “E majta në pushtet e shkatërroi, s’diti ta pajtojë artin me seriozitetin e duhur”, thotë aktori në një intervistë për “Tirana Observer”, duke shtuar se “estradat janë lënë në mëshirë të bashkive, të cilat nuk e dinë se përveç rrugëve duhet edhe arti”. Por tani mendon t’i rikthehet mikeshës së vjetër, me shpresën se gjërat do të ndryshojnë dhe qeveria e re do ta ketë humorin më në qendër të vëmendjes. “Shpresoj se ky shtet i ri që do shpallet të ketë më shumë konsideratë, të tregojë më shumë kujdes për artistët”, thotë ai, ndërkohë që tregon me çfarë është marrë gjatë gjithë këtyre viteve dhe planet e së ardhmes.
Me çfarë po merret Fadil Hasa tani?
Asnjë gjë tjetër. Pres të montohen dy filma, ku kam marrë pjesë, njëri në Itali, tjetri në Francë. Një film ka të bëjë me marrëdhëniet shqiptaro-kineze me skenar të Besnik Mustafajt dhe regji të Besnik Bishës. Është një kinokomedi që në qendër ka Mao Ce Dunin. Unë kam rolin e arixhiut, i cili mendoj se është një rol i suksesshëm. Operatori është italian, Mino Çileste.
Filmi tjetër është me regji të Artan Minarollit dhe ka në qendër komunitetet fetare shqiptare. Filmi është xhiruar në Berat dhe po montohet në Francë. Në film interpretojnë edhe aktorë të tjerë si: Ndriçim Xhepa, Robert Ndrenika, Agim Qirjaqi etj. Filmi trajton temën e marrëdhënieve midis komuniteteve fetare. Unë kam rolin e një myslimani të ndershëm, që është kryesor nëpër situatat e filmit. Një mysliman i ndershëm me bindje paksa të theksuara fetare, anëtar i Komunitetit Mysliman. Filmi do të shfaqet në tetor në kinematë e Shqipërisë. Duke pritur të përfundojnë filmat në këto kohë, po bëj pushimet deri në fund të shtatorit, kur pres të rifilloj punën.
Ju keni thënë se nuk dilni në skenë pa ardhur në pushtet Sali Berisha. Tani që mori pushtetin do t’i riktheheni skenës?
Nuk është puna se do të vijë në pushtet PD-ja apo ndonjë forcë tjetër. Edhe të dua të dal në skenë, nuk besoj se kam për të dalë në këto kushte që është katandisur sot estrada. Që në vitin 1997 nuk kam shkelur në skenën e estradës. Por edhe ajo pjesë e estradës që nuk bëri premtimin se nuk do të dilte në skenë, ka vënë vetëm dy premiera në tetë vjet. Shpresoj se shteti i ri që do shpallet të ketë më shumë konsideratë, të tregojë më shumë kujdes për artistët.
Me çfarë jeni marrë gjatë këtyre viteve që nuk keni qenë në skenë?
Me asgjë tjetër, përveç se me artin, humorin. Edhe nëse do të dua të bëj gjë tjetër nuk mund të bëj, përveç se art. Në çdo profesion tjetër edhe po të marr iniciativën jam i dështuar.
Keni menduar të interpretoni ndonjëherë jashtë fushës së humorit?
Në dy filmat e fundit ka situata dramatike të mirëqena, që s’kanë lidhje me humorin. Sigurisht, do ta pranoja me kënaqësi një rol të mirëfilltë dramatik. Kështu do të provoja edhe veten, por nuk më është ofruar një rol i tillë. Edhe regjisorët ne aktorëve të humorit na ofrojnë vetëm role brenda kësaj natyre.
Cilët janë ata role që keni më për zemër?
Nuk veçohen rolet. Por role të veçanta janë ato që japin sadisfaksion, ata role që kanë mbetur në popull. Në jetën time kanë qenë personazhe të ndryshëm, emra të ndryshëm: Saferi, Halimi etj., që publiku i mban mend dhe mi servir në rrugë.
Ç’lidhje ka për Hasën humori me detin?
Deti ka shumë humor. Duke qenë se je i veçuar, pasi në marinë nuk ishim më shumë se 20 veta, secili nxjerr më në pah veçantitë e tij. Shokët konstatonin tek unë që isha tip shumë gazmor, që përpiqesha të gjeja ndonjë të metë te tjetri, ta vija në humor.
Cili është ai person që të ka përkrahur më shumë në fillimet e tua si artist?
Më tepër nga të gjithë më ka përkrahur dhe ndihmuar regjisori Gjergj Vlashi. Më ka dhënë drejtimin dhe rrugën që duhej të ndiqja, kurse më vonë më ka besuar role kryesore në shfaqjet që drejtonte.
Cilët janë ata kolegë me të cilët ke bashkëpunuar më tepër dhe nga të cilët ruan kujtime të bukura?
Kryesisht ruaj kujtime me grupin e kolegëve të Estradës së Durrësit, por edhe me Skënder Sallakun, Paulin Preka, Zyliha Miloti etj.

Tirana-Observer



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT