Mendime
Ndue Dedaj: Shteti nuk ka hyrë në galeritë e minierave
E premte, 30.10.2020, 03:51 PM
SHTETI NUK KA HYRË NË GALERITË E MINIERAVE
Nga
Ndue Dedaj
Nëse
ka një copë territor ku shteti është inekzistent, është nëntoka shqiptare,
minierat që nuk i nënshtrohen asnjë lloji kontrolli shtetëror. Të vetmet raste
kur shteti rend turravrap për te galeritë e kromit, bakrit etj. është dërgimi i
ekipeve te avari-shpëtimit nga Tirana për të nxjerrë trupat e pajetë të
minatorëve të mbetur në thellësi të nëntokës, që duhet thënë se sakrifikojnë jo
pak. Keni parë ndonjë ministër a pushtetar tjetër të vejë ndonjëherë në miniera
për t’u takuar me minatorët, për t’i dëgjuar ata për hallet e tyre? Një herë e
një kohë ministri i Industrisë dhe Minierave shkonte kaluar maleve, galeri më
galeri e sondë më sondë, jo se ua hiqte punëtorëve mundimin sizifian të vagonës
dhe martelit, por, gjithsesi, e bënte një fotografi me ta. Kryministri,
ministrat, deputetët venë rregullisht në kohë fushatash elektorale “në ara,
fabrika, kantiere” mes punëtorëve dhe sipërmarrësve, bëjnë sikur i dëgjojnë,
por më shumë mbajnë fjalime të gjata e të thata para tyre. Kurse minierat janë
një “tabu”, atje nuk shkohet! Por, ndoshta, “shkojnë” minierat tek pushtetarët,
lart në qeveri!?...
Nuk
thonë kot, kur nuk shkon Muhameti te mali, shkon mali te Muhameti.
Mundet
që bash për këtë, zyrtarët e shtetit nuk shihen në miniera, pasi i mbarojnë
“punët” nga zyra, pa qenë nevoja që me këpucët e tyre “lustrafin” të përziejnë
baltovinën e minierave. Merret me mend, që nuk është fjala për një fotografi të
qeveritarëve të sotëm më minatorët si dikur. Jo, shteti hyn në minierë siç i ka
hije në një shoqërie moderne, me anë të ligjit, displinës së punës dhe
administrimit, kontratave të rregullta minerare dhe me punëtorët, transparencës
me publikun dhe mediat etj. A e dinte shteti ynë se në malet e Selishtës në
Dibër, disa orë larg nga Bulqiza, atje ku mund të shkohet vetëm me “Ifa” ishte
një galeri qorre, që iu mori jetën tre minatorëve, Ismail Hoxhës (inxhinier),
Fatos Çeskut dhe Rexhep Rushitit? A kishte shkuar më parë shteti në ato
zgafella të nëndheshme, të frikshme, për të parë nëse ajo galeria e vdekjes së
trefishtë dhe të tjerat aty pranë i kishin kushtet teknike që të viheshin në
punë? Dihet që minierat rrezikojnë nga shembjet e dheut, mungesa e armaturës,
gazrat helmues, ujërat nëntokësore etj. Po, shteti e kishte mbyllur minierën
për mungesë kushtesh në 2015-n dhe e kishte liçensuar pak muaj më parë, pa u
kryer atje asnjë investim, siç raportojnë gazetarët e rajonit.
Gjithkund
mbi tokë, teknologjia ka ecur përpara, kurse në minierat tona të vogla
periferike, që më së shumti punojnë “në të zezë”, minerali shfrytëzohet si në
shoqërinë primitive… me karrocë dore. Shfrytëzimi është me probleme dhe në
minierat e mëdha si Bulqiza, me teknologji më të përparuar, ku gjithashtu ka
pasur vdekje të njëpasnjëshme. Përfaqësuesit e qeverisë dhe në rastin e fundit
u mjaftuan me shprehjen e keqardhjes për tragjedinë e rëndë që kishte ndodhur
në Selishtë dhe ngushëllimin e familjarëve të viktimave të nëntokës. Mund të
ishte dhënë alarmi si kurrë më parë. Mund të ishte ulur flamuri në gjysmë
shtizë. Kuvendi, i mbledhur për rrezimin e dekretit të Presidentit për kodin
zgjedhor, nuk i mbajti tre minuta zi për tre minatorët dhe, për më tepër, nuk
lajmëroi se do të ngrinte ndonjë grup hetimor parlamentar për të parë në vend
se çfarë ndodh në minierat e Republikës, apo, më e pakta, se do të ndërmerrte
ndonjë nismë ligjore për kushtet e punës dhe sigurinë e jetës së punëtorëve në
miniera.
Ndërkohë
shteti ka kohë që mungon dhe në rafineritë e naftës, ku janë ngujuar prej më se
dy javësh gratë e naftëtare të Uzinës së Ballshit, pasi nuk u janë paguar 13
paga që ato thonë se i kanë fituar me gjyq. Kryeministri iu shkruan atyre se
qeveria është aleati i tyre dhe se do ta flasë me to sapo të kenë mbyllur
grevën urisë. Pse mbrapa, dhe jo tani? A thua se ato janë tubuar atje për të
krijuar ndonjë parti të re opozitare, që mazhorancës së majtë do t’i kushtonte
humbjen në zgjedhjet e ardhshme? A mund të quhet presion ndaj qeverisë beteja e
15 grave për bukën e gojës? Betimi i qeverisë, kur merr mandatin, është si në
martesë, që me punëtorët (në rastin konkret) do t’i gjenden njëri-tjetrit “në
të mirë e në të keq”. Fundja, ata njerëz të thjeshtë dhe mund të zemërohen me
qeverisjen ndonjëherë, ndërsa shtetit nuk i lejohet “inati” ndaj tyre. Është me
sa dimë rasti i parë në historinë e pluralizmit shqiptar që gratë të kenë hyrë
në grevë urie.
Vërtet
Rruga e Arbërit dhe Bypass-i i Fierit do ta shkurtojnë largësinë e Tiranës me
Dibrën e Myzeqenë, por kjo nuk është asgjë para largësisë që shteti ka krijuar
me nënshtetasit e vet, në kapitalizmin grabitës allashqiptar të pronave
publike, sidomos ata që punojnë në sektorët më të vështirë si minierat dhe
puset e naftës, ku dhe aferat korruptive besohet të jenë më të mëdha.