Mendime
Pierre Jourde: Për myslimanët që i kundërshtojnë karikaturat e Muhamedit
E hene, 26.10.2020, 07:53 PM
Për myslimanët, e në veçanti për nxënësit dhe prindërit e nxënësve që i kundërshtojnë karikaturat e Muhamedit
Nga
Pierre Jourde
Të
nderuar bashkëqytetarë myslimanë,
Mos
ta mbulojmë fytyrën: ekziston një problem. Aq të vdekur, aq dhimbje thjesht për
karikatura. Si erdhëm deri në këtë pikë ?
Në
fund të Mesjetës, të gjitha vendet e krishtera dhe myslimane jetonin nën
regjimin e njëjtë të jotolerancës. Një dyshim i thjeshtë për blasfemi ose për
mosdevotshmëri mund t’ju dërgonte tek mbytja në skelë. Njerëzit e besimeve të
tjera nuk i kishin të njëjtat drejta dhe për ta kishte pak tolerancë. Mund të
thuhet madje se shtetet myslimane, Perandoria Otomane në veçanti, kishin pak më
shumë tolerancë për hebrejt dhe të krishterët sesa që shtetet e krishtera
kishin për hebrejt dhe myslimanët.
Dhe
pastaj, në Evropë, ndodhën dy fenomene, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, të
cilat e bënë shoqërinë ku jetojmë ne sot, Francën, dhe më gjerësisht vendet
perëndimore: lindja e ndërgjegjës shkencore dhe filozofia e iluminizmit. Kjo
mori katër shekuj që të arrihej, prej shekullit të XVI-të deri në fillim të
shekullit të XX-të, puna ishte e gjatë, e mundimshme dhe e përgjakshme. Në fund
të kësaj pune erdhi, ndër të tjera, e drejta për blasfemi.
Ndërgjegja
shkencore kërkonte që ta shpjegojë botën në mënyrë racionale, përmes vështrimit
dhe logjikës, pa u mbështetur tek të vërteta fetare. Së pari u desh që t’i
shtyenim autoritetet e krishtera ta pranonin se toka sillet rreth vetes dhe
rreth diellit. Galileo ishte i detyruar nga Kisha që të heq dotë nga zbulimet e
tij. Në shekullin e XIX-të, zbulimet e Darvinit ishin refuzuar në emër të
biblës. Por ndërgjegja shkencore më në fund fitoi. Falë saj, sot dijmë më shumë
mbi universin, njeriun dhe natyrën. Por ajo e ka mundësuar po ashtu hovin
teknologjik: nëse e keni një telefon mobil, televizion, veturë, dritë
elektrike, nëse udhëtoni me aeroplan, me tren, nëse mund të vaksinoheni, ta
bëni një radiografi, kjo ndodh fal zhvillimit të ndërgjegjës shkencore ashtu
siç u zhvillua në Evropë dhe e cila u desh të luftojë me shekuj kundër fesë dhe
të ashtu-quajturave të vërteta të shfaqura.
Ndërgjegja
e iluministëve ishte përball përndjekjeve fetare, fanatizmit fetar,
supersticionit. Volteri luftonte për ta rehabilituar Kalan (Jean Calas), i
dënuar me mbytjen e tmerrshme me rrotë, sepse ai ishte protestant dhe dyshohej
se e kishte mbytur djalin e tij sepse ky i fundit dëshironte të konvertohej në
katolik. Volteri luftoi që të rehabilitohej kalorësi de la Barre. Djali njëzet
vjeçar ishte torturuar e i ishte prerë koka për blasfemi. Ia kishin ngjitur në
trup një ekzemplar të “Fjalorit filozofik” të Volterit dhe e kishin djegur.
Revolucioni
francez, më pas ligjet mbi laicitetin, të cilat u miratuan në fund të shekullit
të XIX-të dhe fillim të XX-tës, shkonin në drejtim të njëjtë: pengimi i fesë
katolike, e cila megjithatë ishte feja e shumicës absolute të francezëve, që ta
impononte të vërtetën e saj, fuqinë e saj, të torturonte dhe të vriste për
mungesë besimi ose për blasfemi, dhe të arrihet që të gjitha fetë të kenë të
drejtat e njëjta, pa imponuar asgjë në hapësirën publike. Sepse ky është
laiciteti.
Por,
katolicizmi nuk e ka braktisur aq lehtë pjesën e saj, edhe pasi e kishte humbur
pushtetin, ende dëshironte të dominonte mbi ndërgjegjen, ta censuronte shprehjen
e lirë, të impononte pikëpamjet e tij të mbrapambetura lidhur me njeriun, e
sidomos në lidhje me gruan. Në 1880, pastaj prapë në 1902, u desh që të dëbohen
nga Franca të gjitha urdhërat fetarë katolikë të cilët refuzonin t’i
nënshtroheshin ligjeve të republikës. Për disa imamë: mijëra murgj e murgesha.
Kjo nuk ndodhi pa rezistencë e pa dhunë.
Kritika,
satira, tallja, blasfemia ishin mënyrat e përdorura për ta çliruar Francën nga
kapja fetare. Përderisa feja ishte fe e shtetit, ata që e bënin këtë e
rrezikonin jetën e vet. Pastaj Kisha përfundoi duke e pranuar që të jetë e
tallur dhe e karikaturuar. Ajo i pranoi ligjet e demokracisë. Tek paraardhësit
e “Charlie Hebdo”, të cilët quheshin për shembull “Pjata me gjalpë” dhe më
vonë, para rreth pesëdhjetë viteve, “Hara-Kiri”, deri tek “Charlie Hebdo” e
ditëve tona, karikaturat dhe blasfemia ishin pafundësisht më të rënda dhe më të
dhunshme sesa karikaturat mjaft të mençura të Muhamedit, dhe ata ishin më të
ashpër me Krishtin sesa me Muhamedin. Imagjinojeni një artist si Felicien Rops
që e paraqiste Krishtin pa rroba, në kryq, me ereksion, me fytyrë të djallit!
Dhe “Hara Kiri”, Shenjtorja e Virgjër e lumtur që ka abortuar! Askush nuk i ka
mbytur autorët e këtyre karikaturave. Përkundrazi, në 2015 një revistë katolike
i botoi karikaturat e Krishtit nga Charlie Hebdo! Për të dëshmuar që ata ishin
në gjendje t’i pranonin ato.
Krishti
satanik i Félicien Rops, ballina e “Hara-Kiri” mbi abortimin nga Shën Maria.
Nëse
sot jeni të lirë ta praktikoni fenë tuaj në Francë, nëse i keni të njëjtat të
drejta sikurse të krishterët, kjo është falë blasfemisë, e cila e ka penguar
një fe që të imponohet mbi ligjin. Myslimanët i kanë borxh për lirnë e tyre
atyre që shkaktuan blasfemi.
Shumë
njerëz e refuzojnë idenë e blasfemisë, jo vetëm myslimanët. Duhet “respektuar”
fetë. Por pikërisht për shkak se nuk i kemi respektuar ato, tash jemi të lirë
nga kapja fetare dhe jetojmë në një vend ku të gjitha fetë pranohen. “Charlie
Hebdo” nuk shkon shumë larg, “Charlie Hebdo” e bën me guxim punën e vet të një
reviste satirike, e cila e sulmon çdokënd, pa dallim feje ose origjine, sepse
në një demokraci ne kemi të drejtë të tallemi me gjithçka dhe me gjithkë. Ta
dini që “Charlie Hebdo”, e cila klasifikohet si e ekstremit të majtë, e ka
sulmuar racizmin, ekstremin e djathtë, kristianizmin, politikanëve të të gjitha
ngjyrave. Dhe islamin, prandaj, baraz me të tjerët. Pse do të duhej ta bënin
një përjashtim veç për islamin?
Në
Francë mund ta kritikojmë me vrer secilin, partitë politike, institucionet,
politikanët, artistët, etj. A duhet bërë një përjashtim për fetë?
Në
Francë mund të tallemi me katolicizmin, judaizmin, budizmin, pa e rrezikuar
jetën. Pse nuk mund të tallemi me islamin pa e rrezikuar jetën? A është islami
një përjashtim?
Islami
mund të kritikohet dhe të tallet, sikurse fetë e tjera, sikurse të gjitha
besimet, sikurse të gjitha opinionet, sepse në një demokraci, një fe është një
opinion, ajo nuk është e shenjtë. Nëse ju nuk e pranoni këtë, atëherë ju nuk e
pranoni demokracinë. Kjo do të thotë se ju dëshironi të jetoni në një shoqëri
pa liri të shprehjes, ku nuk e kritikojmë më asnjë person, në një shoqëri pa
blasfemi, ku feja i dikton njerëzve mënyrën e jetës, kufijtë e sjelljes së tyre
dhe të fjalës së tyre. Kjo ishte Franca e mesjetës. Është Arabia Saudite e
sotme.
Disa
ballina të “Charlie Hebdo”.
(E
para: Në Vatikan, Edhe një palë zgjedhje me mashtrim. Krishti: “Më heqni, dua
të votoj.
E
dyta: Marine Le Pen kundër shtetësisë së dyfishtë. “Raciste” “Ose antisemite”
“Duhet zgjedhur.”
E
treta: I ati. I biri. Shpirti i shenjtë.)
Islami
është i kritikueshëm pikërisht sepse ai ende ka vështirësi ta pranojë lirinë e
shprehjes dhe lirinë e grave. A dini masakra të tilla dhe atentate të shkallës
së tillë, çdokund në botë, në emër të kristianizmit? Islami është i vetmi
religjion në emër të cilit sot mbysim me qindra të pafajshëm anekënd botës. Sa
masakra në Francë, Hyper Cacher, “Charlie Hebdo”, Bataclan, karnevali në Nice,
fëmijët e vegjël hebrejë të mbytur nga Muhamed Merah, profesori i historisë në
Conflans, dhe të tjera? Sa atentate në Shtete të Bashkuara, në Spanjë, në
Angli, në Belgjikë, të gjitha nën britmat “Allahu është i madh”? Dhe
organizatat totalitare islamike, si ISIS, Al Kaida, Tribunalet islamike
somaleze ose Talibanët, të cilët vrasin me gurë, presin koka dhe kryqëzojnë në
emër të Allahut të krishterë, myslimanë shitë, hebrejë, zaiditë, homoseksualë,
gra që kanë bërë tradhti bashkëshortore ose persona që kanë bërë blasfemi? Dhe
në sa vende islamike fetë e tjera janë të përndjekura, gratë të trajtuara si
minorene, të rinj ekzekutohen sepse nuk e kanë respektuar fenë?
Këtyre
vendeve dhe këtyre njerëzve iu ka munguar revolucioni shkencor dhe ndërgjegja e
iluministëve. Atyre iu ka munguar blasfemia!
Kritika
e islamit nuk është “islamofobi”, sëmundje e imagjinuar e krijuar për ta
penguar çdo kritikë, aq më pak racizëm, me të cilin s’ka asgjë të përbashkët. A
është kritika e ekstremit të djathtë ekstremdjathtofobi? A është kritika e
kapitalizmit kapitalizmofobi? A është kritika e katolicizmit katolicizmofobi?
Ta
kritikosh islamin do të thotë ta vendosësh në të njëjtin rrafsh me të gjitha
fetë dhe opinionet e tjera. Do të thotë ta respektosh. Mos ta kritikosh do të
thotë të mendosh se s’është kompatibil me demokracinë, sikur që e kursejmë një
fëmi të vogël i cili nuk mund t’i përballoj të njëjtat gjëra si një i rritur.
Karikaturat
e “Charlie Hebdo”, ato në revistat danze, e sulmojnë islamin pikërisht në
lidhje me dhunën dhe mostolerancën. Reagimet e dhunshme e kanë dëshmuar se
autorët e karikaturave kishin të drejtë që mendonin se ekzistonte një problem.
Ditën që islami e pranon të konfrontohet me problemet e veta në vend të mbrohet
me islamofobi, ditën që ai e pranon të qeshet me vetveten, dhe ta pranon
talljen me një dozë buzëqeshje, ai do ta vërteton se është kompatibël me
demokracinë, i aftë për autokritikë, sikurse ishte katolicizmi. Atë ditë, një
karikaturë e vogël dhe e thjeshtë nuk do të sjell më masakra.
E
dëshiroj me ngulm, nuk e di se nëpërmjet cilit kanal, të dëgjohem prej jush,
sidomos nga ata që shokohen nga karikaturat. Që ata ta kuptojnë më në fund që
ky është ligji demokratik, që me çmimin e kësaj pafytyrësie e cila e ngrit
ndërgjegjën që mund të reflektohet, vendoset në pikëpyetje dhe të avancohet. E
sikur fetë të kishin humor? Sikur Xhamia e Madhe e Parisit të organizonte një
ekspozitë “Charlie Hebdo”? Mund të ëndërrojmë…
(Ky artikull u botua në
L’Obs, revistë në Francë. Pierre Jourde është shkrimtar, profesor universitar
dhe kritik letrar francez.)
https://www.gazetaexpress.com/
https://www.nouvelobs.com/les-chroniques-de-pierre-jourde/20201020.OBS34966/aux-musulmans-et-en-particulier-aux-eleves-et-parents-d-eleves-qui-desapprouvent-les-caricatures-de-mahomet.html?fbclid=IwAR2mK2yC_fTg8Iy_OJy8gz5s4AO7SqIzi-M9z8NbU5tbh2PYqiakiuGTjaI