Mendime
Ibrahim Kabili: Marrëveshja Kosovë-Serbi qe një arritje, por jo historike
E shtune, 12.09.2020, 05:00 PM
Marrëveshja Kosovë-Serbi qe një arritje, por jo historike
Nga
Ibrahim Kabili
Kam
ndjekur me shumë interes dhe vemendje
bisedimet Kosovë-Serbi më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Pritjet nga ky
takim historik qenë të mëdha. Kanë qenë të tilla pasi këto bisedime mbaheshin
në Vashington dhe se drejtoheshin nga stafi më i ngushtë i Presidentit të
SHBA-së. Qe i interesuar dhe vetë presidenti Trump i cili mori pjesë në
nënshkrimin e marrveshjes. Vetë faktori Amerikë, përputhja e interesave
gjeostrategjikë të saj me ineresat e shqiptarëve jepnin garanci, shpresë dhe
optimizëm për një marrveshje historike midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Heqja e pikës 10 nga draft marrveshja, me këmbënguljen e Vuçiçit, qe dhe dështimi më i madh për
Kosovën. Delegacioni i Kosovës duhej t'ja vinte kusht këtë pikë, e cila kishte
të bënte me njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Në rastin e mos
plotësimit, pala Kosovare duhej të largohej nga bisedimet. Përpos kësaj
marrveshja pati dhe shumë probleme të tjera, e rezultatet e saj qenë më së shumti
në favor të Serbisë. Kjo më la një shije të hidhur. Në Vashington Kosova por
dhe shqiptarët, në mendimin tim, e humbën shansin për arritjen e një marrveshje
historike, me njohje reciproke. Natyrisht arsyet janë të shumta dhe rezultati
qe i tillë:
•Delegacioni
i Kosovës nuk kishte ekspertë të mirfilltë të fushave përkatëse dhe nuk qe i
unifikuar.
•Kosovës dhe delegacionit të saj i mungon strategjia,
platforma dhe boshti i shtyllës kurrizore në mbrojtje të vijave të kuqe, që
mbrojnë Kosovën dhe shtetin e saj. Nuk mund të shkohet në një takim historik pa
platformë.
•
Kryeministri Hoti nuk mbajti premtimin e dhënë, se në SHBA shkohet vetëm për
njohje reciproke. Nuk ndodhi kështu, kryeministri nuk e mbajti fjalën. Pas
arritjes së marrveshjes u shpreh: Jemi një hap më afër njohjes recioroke.
•Hoti
pranoj heqjen nga draft marrveshja e pikës 10 i cili kishte të bënte me
"njohjen reciproke", hoqi dorë nga problemi kryesor, me Serbinë. Ku e
ka rastin tjetër më të mirë, ta kërkoj këtë? Ky qe një shans i humbur!
•Hoti
pranoj të heqë dorë nga proçesi i
njohjeve të reja dhe pranimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtar për një vit.
Kush ja dha të drejtën , të heqë dorë nga shtetësia e Kosovës? Serbia heq nga
një gurë në "kala", ngul këmbën fort aty te guri i hequr, dhe tenton
të pushtojë, gjithë kalanë. Ndërkohë që politikanët e Kosovës vazhdojnë e
grinden me njëri, tjetrin...
•Hoti
pranoj "minishengenin ballkanik".
Po
si është e mundur të "shitet" kaq lehtë zoti Hoti? Kjo pikë është e
patolerueshme për Kosovën. Dalja në Adriatik ka qenë ëndërr për Serbinë.
"Minishengeni ballkanik" do ta fuqizoj shumë Serbinë dhe ajo do marrë
rolin e "liderit", në Ballkanin Perëndimor. Natyrshëm lind pyetja:
Çfar ndodhi me atë "shekullin e shqiptarëve" që trumbetohej me të
madhe nga politikanët tanë, para disa vitesh? Kosova, Shqipëria dhe trojet
etnike po zbrazen nga shqiptarët! I dhimbshëm fenomeni!
•Hoti
pranoj që të "bashkë menaxhohet" me Serbinë ujëmbledhësi i Ujmanit. Fitore është kjo? Kjo është shkelje e Kushtetutës. Kjo
është e dënueshme. Siç shihet në bisedimet e mëtejshme në Bruksel, do ketë
pazare të tjera. Thikat që nuk i pamë mirë për Ujmanin në Uashington, mund të
na shfaqen më "mirë" për Trepçën, në Bruksel. Kosova nuk duron më
thika në trupin e saj! Ndërgjegjësohuni "elitë".
•
Sipas mediave drafti kishte dhe emërtimin, Republika e Kosovës, u kundërshtua
nga Vuçiç dhe u hoq fare. Sukses quhet
ky për Kosovën?
•
Hoti në mënyrë të pa shpjegueshme draft marrveshjen e nënshkroi me SHBA-në, jo
me Serbinë. Për rrjedhojë Kosova në këtë marrveshje nuk është njohur si
subjekt. E kujt ëshë fitorja këtu? E Kosovës? Diplomaci është kjo? Për Serbinë
po. Ajo dhe në këtë dokument nuk e njeh si palë Kosovën...
E
megjithatë, marrveshja ekonomike është marrveshje e mirë, dhe si e tillë ajo ka
dhe anët pozitive e do ti japë impulse pozitive zhvillimit ekonomik të rajonit.
Ka dhe pika të tjera që kanë përfitime reciproke të dyja palët. Gjëja më e
prekshme pozitive qe pika ku bënte fjalë mbi vendosjen e marrdhënieve
diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit. Dhe kjo marrveshje u arrit me një kosto
të madhe për Kosovën. Vendosja e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalemin Lindor,
prek interesat jetike të Palestinës, dhe interesat e shteteve arabe. Gjykoj se
pikat e marrveshjes më së shumti i shërbejnë Serbisë dhe më pak Kosovës e
rajonit. Nga marrveshja ekonomike përfiton i gjithë rajoni, dhe Kosova. Kjo e
fundit shkoi për njohje, dhe atje na doli një "hap përpara" drejt
njohjes! Ku është garancia për njohje? Asgjë e shkruar e zeza mbi të bardhë,
për njohje reciproke... Po kjo, dhe vetëm kjo, i duhej Kosovës. E këtë nuk ja
dhanë! Kush më shumë se SHBA, mund ta detyronte "Millosheviçin e ri",
të pranonte pa kushte Kosovën? Kjo nuk ndodhi! Kosova ka dhënë gjithçka, vetëm
e vetëm, që Serbia ta njohë atë, si shtet të pavarur dhe sovran. Unë përsëri,
kam besim te Uashingtoni, dhe Kosova do e fitoj njohjen reciproke prej Serbisë,
me mbështetjen e SHBA-së.
E
keqja më e madhe Kosovës, po i vjen nga politikanët e pa përgjegjshëm të saj,
ndaj:
•
Opozita dhe Kuvendi të kërkoi mocion
mosbesimi ndaj, Qeverisë Hoti.
•
Të krijohet një qeverie të re, nëpërmjet zgjedhjeve sa më të shpejta.
•
Të largoi nga skena politike brezin e
vjetër të politikanëve, dhe bëjë zevendësimin e tyre me politikan të ri që kanë
mbështetjen e popullit.
•
Kuvendi të nxjerr një Rezulutë për bisedimet me Serbinë dhe të mos shkelen
vijat e kuqe që kanë të bëjnë me kufijtë, elementët shtet formues të Kosovës që
përcaktohen qartë me kushtetutën e saj.
•
Kuvendi në Rezolutën e tij, të shtoi dhe një klauzolë, për bisedimet
Kosovë-Serbi ku të shkruhet se: Të gjitha marrveshjet me Serbinë janë të
vlefshme vetëm kur, Ajo, të njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Në të
kundërtën marrveshja është nul. Pse nuk bëhet kjo? Përse u jepet fuqi
individëve, e lihen pas dore, institucionet?
•
Delegacioni i Kosovës të mos bjerë pre e provokimeve të Serbisë por të
negociojë si palë e barabartë.
•
Organizatat e veteranëve të dala nga lufta, Shoqëria civile, Institucionet e
shtetit, Akademia e Shkencave dhe Arteve, rinia universitare dhe populli të
dalin në mbrojtje të shtetësisë së Kosovës.Politikanët e pa përgjegjshëm, i
ndal sovrani.
Deri
tani Kosova nuk është trajtuar si palë e barabartë në bisedimet me Serbinë.
Bisedimet e quajtura " teknike", dhe më pas
"politike", midis Kosovës dhe
Serbisë, të iniciuar nga BE-ja, morën një drejtim të një anshëm, dukshëm në
përkrahje të Serbisë. BE-ja si ndërmjetësuese e "dialogut",
gradualisht, shkallë-shkallë, arriti të barazoi agresorin me viktimën dhe u
pozicionua në anën e Serbisë. Tani çështja e zgjidhjes nuk varet vetëm prej
BE-së por dhe nga partneriteti me SHBA-në. Angazhimi më i fuqishëm i SHBA-së,
për zgjidhjen e mosmarrveshjeve Kosovë-Serbi, është një garanci e madhe për
konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së saj. Kjo marrveshje duhet
të përfundonte me njohje të Kosovës, nga Serbia. Përderisa nuk pati njohje
reciproke mund të themi, se marrveshja për Kosovën nuk qe historike.