Mendime
Enver Bytyçi: Plaku i Detit Edi Rama!
E shtune, 29.08.2020, 01:57 PM
Plaku i Detit Edi Rama!
Nga
Enver Bytyçi
Sipas
gazetës greke, “Protothema“, duke u nisur nga përplasja me Turqinë për shelfin
kontinental të ishullit Kastelorizo, Mitsotakis u shpreh: “Ne po e rrisim
Greqinë! Do të sigurojnë 12 milje edhe në detin Jon sipas të gjitha konventave
ndërkombëtare. Asgjë s’na pengon neve që të arrijmë këtë“. Ndërkaq parlamenti
grek ratifikoi marrëveshjet tregtare me Italinë dhe Egjiptin, të cilat janë
firmosur javët e fundit. Mesa duket Mitstakis donte t’u thoshte deputetëve
grekë se “Atë që nuk na e lëshin Turqia, do ta kompensojmë në detin Jon në
kufirin me Shqipërinë”!
Kësisoj
Mitsotakis kërkon një fije kashte ku të kapet, me qëllim që t’i shpëtojë
presionit turk në detin Egje. Por si ndjehet kryeministri i Shqipërisë mbas
kësaj deklarate të kryeministrit grek? Çfarë fsheh ai në stilin e një lideri
autoritar dhe çfarë ka premtuar ose firmosur mbas shpinës së opinionit publik
dhe institucioneve të tjera shtetërore të vendit?! Sot ai shpalli, siç e thonë
mediat, qëndrimin e tij për këtë çeshtje.
Në fakt ato që shkruante ai nuk kishin të bënin
me marrëveshjen shqiptaro-greke për kufirin detar. Gjithçka ishte skenar për të
sulmuar si “nacionalistë” kundër atyre që po flasin rreth kësaj teme. Rama foli
për të drejtën e Greqisë që ta zgjerojë kufirin e saj detar në 12 milje dhe
ndërkohë tha se kjo kërkesë është depozituar nga qeveria shqiptare në vitin
1990. Por nuk tha asnjë fjalë se pse ai ngriti një komision qeveritar për
bisedime me palën greke, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për kufirin
detar midis dy vendeve tona.
Ndërkohë
deklarata e Mitsotakis thotë shumë në këtë drejtim. Vendosmëria dhe bindja e
tij është se kufiri detar grek do të shtrihet 12 milje në detin Jon dhe
njëkohësisht na bën me dije se Shqipëria nuk do të ketë as dy milje det në jug
të vendit. Ndërkaq Edi Rama flet, por nuk sqaron, nuk jep përgjigje për thelbin
e debatit, thjesht hedh akuza kundër opozitës dhe kritikëve të tij, sikur të
ishin këta që bisedojnë me Athinën e jo vetë kryeministri shqiptar,
njëkohësisht edhe minister i Punëve të Jashtme!
Kryeministri
ynë u shpreh se “Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur
autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se
Greqia do gllabërojë ujrat territoriale shqiptare”. Mjafton kjo fjali për të
kuptuar falsitetin dhe mashtrimin e zotit Rama. Atëherë lind pyetja, nëse
Greqia nuk gllabëron ujrat territoriale shqiptare, cilat ujra të ndonjë shteti
tjetër gllabëron ajo, të Italisë? Sepse vetëm Shqipëria dhe Italia ndajnë detin
Jon me Greqinë. Duhet të jesh idiot të besosh se Greqia do të zgjerohet në
hapësirën detare në drejtim të Italisë, me të cilën tashmë e ka mbyll
marrëveshjen e Detit. Atëherë duhet thënë se Mtsotakis i referohet Shqipërisë.
Ndaj dhe vjen në Tiranë ministri i Jashtëm grek.
Nga
e gjitha kjo dalim te deduksioni se Edi Rama, sa here fsheh diçka në dëm të
interesave kombëtare, përdor kundërakuzat ndaj kritikëve të tij. Sulmi ndaj
kritikëve nuk i shërben thjesht për mbrojtje, por edhe për fshehjen e shumë të
vërtetave të dhimbshme në dëm të kombit shqiptar. Sipas kryeministrit sulmet
kundër marrëveshjes me Greqinë, janë nxitur për shkak të luftës për pushtet.
Dhe shton se “Padituria nuk është argument”. E si gjithnjë, në artikulimin e
tij, Edi Rama sfumon me përmbylljen e statusit të tij në formën patetike, kur
shkruan se “Unë dhe Partia Socialiste… kurrën e kurrës nuk e përdorim pushtetin
në dëm të interesit kombëtar! ”,
Rasti
i debatit për ndarjen e Kosovës dëshmon se Edi Rama punoi për projektin serb në
fjalë, jo duke u deklaruar publikisht kundër ndarjes së Kosovës, por duke
sulmuar ashpër me fyerje e sharje të kritikëve, të cilët kundërshtuan e
kundërshtojnë përpjekjet e Hashim Thaçit dhe të Vuçiç për këtë qëllim. E njëjta
metodë dhe i njëjti stil shihet edhe në rastin e kundërshtive të tij për marrëveshjen
detare me Greqinë. Për të mos folur për faktin se shpopullimi i Shqipërisë
permes varfërimit dhe dhunës shtetërore të Edi Ramës, është një akt
anti-kombëtar i papërsëritshëm edhe në kushtet e pushtimeve të huaja.
Ka
kritikë, të cilët flasin për një marrëveshje tashmë të përfunduar. Këtë
përshtypje ta jep gjithashtu deklarata e kryeministrit të Greqisë. Ka të tjerë,
të cilët thonë se projekti i 12 miljeve det për Greqinë është i gatshëm për
firmë. Të gjitha këto hamendje, nëse do ishin të tilla, vetëm sa i vërtetoi
kryeministri i vendit në statusin e sotëm.
Dhe
në këtë rast, si në çdo fushë tjetër, na del një Edi Ramë me disa fytyra. Rama
opozitar, i cili denoncoi marrëveshjen e qeverisë së demokratëve për vënien e
kufirit detar në largësinë e 6 miljeve. Ndërsa sot një Ramë tjetër në pushtet,
i cili nuk e ka problem që t’i jape vendit fqinj edhe gjashtë milje të tjera,
pra gjithsej 12 milje det. Në këtë rast ai ngjan si Plaku i Detit, jo si
politikani shqiptar, që me kushtetutë e ka për detyrë të mbrojë territorin
tokësor, detar dhe ajror të Shqipërisë!