Mendime
Florim Zeqa: Unë president, ti kryeministër!
E diele, 23.08.2020, 02:53 PM
Unë president, ti
kryeministër!
Shkruan:
Florim Zeqa
Që
nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 2001 e këndej, çështja e zgjedhjes
së presidentit është bërë pengesë serioze e lidhjes së koalicioneve qeverisëse
dhe shkaktar i prishjes së tyre. Të gjithë liderët partiak pa dallim, ngritjen
në piedestalin politik e fillojnë me kandidaturat për postin e kryeministrit
dhe e dëshirojnë ta përfundojnë me atë të presidentit.
Zgjedhja e presidentit
nga populli, kërkesë prej dy dekadash
I
vetmi lider partiak në hierarkinë e shtetit që është ngritur si president dhe e
ka mbaruar karrierën në të njëjtin post është presidenti historik Ibrahim
Rugova.
Duke
i parë vështirësitë dhe prapaskenat e zgjedhjes së presidentit, Ibrahim Rugova
ishte ndër të parët që kishte kërkuar zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt
nga populli, e jo të mbetet objekt i pazareve politike.
Edhe
përkundër kërkesave të vazhdueshme të shoqërisë civile, qytetarëve dhe medieve
të pavarura për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, vazhdon të mungojë vullneti i partive
politike për marrjen e iniciativës për amandamentimin e ligjit për zgjedhjen e
presidentit nga populli.
Pazaret zinxhirore per
postin e presidentit
Pazaret
më të theksuara politike për zgjedhjen e presidentit janë shfaqur pas shkuarjes
në amshim të presidentit historik Ibrahim Rugova, respektivisht pas rrëzimit të
presidentit Fatmir Sejdiu përmes kushtetueses, derisa është detyruar të
ndërhyjë edhe bashkësia ndërkombëtare përmes "Zarfit" famoz, i cili
Kosovës i solli presidenten Atifete Jahjaga nga radhët e Policisë së Kosovës (7
prill 2011-7 prill 2016).
Mirëpo
edhe kjo ndërhyrje amerikane nuk i ndërpreu pazaret politike për presidentin.
Pas
zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, në marrëveshjen politike për
bashkëqeverisje mes PDK-së dhe LDK-së u fut në pazar edhe posti i presidentit,
me ç'rast LDK-ja e fitoi për herë të parë postin e kryeministrit në këmbim të
postit të presidentit për Hashim Thaçin, i cili e pasoj zonjen Atifete Jahjaga
me 7 prill 2016.
Edhe
pse kanë mbetur edhe nëntë muaj deri në fund të mandatit kushtetues të
presidentit Thaçi, janë ndezur motorët për pasuesin e ri.
Njëri
nga partnerët e koalicionit aktual qeverisës tashmë e ka bërë publike kërkesën
për zgjedhjen e liderit të saj për president të shtetit, kërkesë kjo legjitime
e AAK-së dhe dëshirë personale e Haradinajt.
Mbase
kjo kërkesë e parakohshme e AAK-së do të bëhet "mollë sherri" për
prishjen e koalicionit qeverisës, për arsye se lideri aktual i LDK-së, Isa
Mustafa e ka akoma dëshirë jetësore marrjen e postit të presidentit të vendit.
E
quajta të parakohshme edhe për faktin se, as presidenti aktual ende nuk e ka
thënë fjalën e fundit për rikandidim apo jo pas intervistimit nga Gjykatën
Speciale në Hagë!
Dëshirat legjitime pa
legjitimitet qytetarë
"Unë
kryeministër", "Unë president", është logjikë e kushtëzimit nga
e cila nuk lirohen lehtë shqiptarët e uritur për pushtet!
Vetëm
forca e ligjit mund t'i ndaloj epshet e sëmuara për pushtet të liderëve
partiak.
Prandaj,
me urgjencë dhe sa më parë kjo Legjislaturë e Kuvendit duhet të inicojë
ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht ndryshimin e ligjit për zgjedhjen e
presidentit drejtëpërdrejt nga populli, i cili do të pamundësonte futjen në
pazar të postit të presidentit gjatë marrëveshjeve të ardhshme për koalicion të
ri mes subjekteve politike.
Ligji
për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, do të bënte që muaji
Maj i vitit të ardhshëm ta gjejë Kosovën me një president të ri të votuar nga
populli, e jo të kontrabanduar sikurse deri më tani.
Kosova
duhet të bëhet në kuptimin e plotë të fjalës shtet ligjor dhe demokratik, në të
kundërtën rrezikon të shndërrohet në anarki totale, ku të fortët e politikës
vendosin se kush do të jetë kryeministër dhe president i këtij vendi, duke i
përdorur zgjedhjet vetëm si dekor dhe mashtrim për elektoratin.
Demokracia
përveq lirisë së shprehjes nënkupton barazinë e qytetarëve para ligjit, të
drejtën e zgjedhjes dhe për të qenë i zgjedhur.
Vetëm
në këtë mënyrë mund të shfaqen dëshirat e secilit dhe të kërkohet besimi nga
qytetarët e vendit. Dëshirat janë legjitime, por pa legjitimitet qytetarë
mbetën dëshira për ata që kandidojnë dhe iluzione për ata që nuk e meritojnë
postin e presidentit.
Ndryshe,
nuk mund të jetë ligjore dhe as demokratike të kërkesa ultimative "Unë
president" ose ndryshe nuk bën!"
Në
momentin që të krijohen kushtet për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga
populli, ka të drejtë secili qytetar i vendit të paraqesë kandidaturën për
president, por jo edhe të thotë "Unë president" pa e marrë besimin e
popullit.
Marrëveshja
e fundit politike që na e solli presidentin aktual ishte "Unë president,
ti kryeministër", dhe me gjasë e njëjta formulë do të zgjasë derisa të
zgjidhet presidenti drejtëpërdrejtë nga populli i Kosovës e jo nga votat e
deputetëve në Kuvend!
Alternativa e re
politike, shpresa e fundit për ndryshim
Nga
ato që ceka më sipër dhe zhvillimet e ditëve të fundit, janë dëshmi e
mjaftueshme për nevojën imediate të ngjizjes së një alternative të re politike,
të pandikuar nga partitë aktuale.
Lindja
e një alternative të re politike do të ringjallë shpresat e qytetarëve për jetë
në këto troje. Vazhdimi i "status quos" me të njejtat parti dhe lider
që thyen shpresat për jetë në këtë vend, do t'i
bëjë qytetarët akoma më të pa interesuar për të dalë në zgjedhje dhe për
të qëndruar në atdheun e tyre.
Nuk
është koha për akuza dhe kundër akuza, as për sharje e fyerje, as per heshtje
dhe stagnim, por për meditim, reflektim, vetëdijësim dhe ndërgjegjësim
qytetarë, është koha per besim në zot dhe atdhe, për dashuri dhe respekt ndaj
njëri-tjetrit, për unifikimin e forcave progresive për çlirimin e shpirtërave
të robëruar nga mashtruesit e intrigantët, demagoget dhe diktatorët e veshur
nën petkun e demokracisë.
Elektorati
kosovarë i shpërndarë në subjektet eksistuese janë qytetarë të ndershën të
këtij vendi, janë vëllëzërit e motrat tona gjithandej Kosovës dhe në Diasporë .
Ky
elektorat i shpërndarë në subjektet ekzistuese nuk duhet të përdoret edhe më
tutje për llogari të partive të dështuara politike dhe për interesa meskine të
liderëve partiak dhe grupeve tjera të interesit.
Të
mos bëhemi mbështetës dhe as simpatizant të partive të dështuara politike. Do
të jetë e pafalshme për ne, nëse i mbështesim në garën për pushtet këto parti
dhe këta liderë matrapaz që kontrabanduan vullnetin tonë për 2 dekada rresht,
nga njëra parti tek tjetra.
Fundi
i politikanëve të korruptuar dhe politikanëve mashtrues me kauza të rrëjshme,
për aq sa varet nga vetëdija qytetare, varet edhe nga organizimi i elitës
intelektuale dhe mobilizimi i mërgatës tonë.