Vërtetësi
Agron Tufa: Xhavitët që e zhbëjnë Vetingun e Policisë së shtetit
E merkure, 10.06.2020, 10:42 AM
Xhavitët që e zhbëjnë Vetingun e Policisë së shtetit
Nga
Agron Tufa
Siç
dihet neni 38/g i ligjit nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të
punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për
Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, i ndryshuar, i jep
fund marrëdhënies së punës të çdo ish oficeri Sigurimi. Deri më sot, nga ky
proces nuk është larguar asnjë person. Të gjithë në polici po dalin të kulluar.
Vazhdojnë verifikimet e zvarritjet. Ish oficerët vazhdojnë punën në shërbim të
partisë. Disa po kapen pas vërtetimeve të komisionit “Bezhani”. Të tjerë në
variante se janë shkolluar po nuk kanë bërë gjë, etj. Më interesantë janë dy
ish oficerë Sigurimi sivëllezër, Xhavit Shala dhe Gani Zeneli që kërkojnë
vërtetim fakti, sepse ndaj këtyre të dyve komisioni “Bezhani” nuk ka marrë
vendim para 20 e ca vjetësh. Në fakt, sikur të kishte kuptim, ky veprim do të
vlente deri në vitin 2001 kur ka funksionuar ligji i parë i lustracionit dhe jo
pas kaq vitesh.
Së
pari, Shala u emërua më 1.10.1997 si kryetar i SHIK-ut të Elbasanit me autorizim
të kryeministrit dhe nuk i duhej certifikatë.
Së
dyti, me ligjin nr.8280, datë 15.1.1998, ligji nr.8043, datë 30.11.1995
"Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me
mbrojtjen e shtetit demokratik", ndryshoi tërësisht dhe nuk prekte më
oficerët e Sigurimit, por vetëm drejtues të lartë të tij (të cilët
përjashtimisht në raste të rralla i miratonte kryeministri të riktheheshin, siç
edhe ndodhi por u rikthyen të gjithë).
Kërkesa
e datës 7.7.1998 e Ministrisë së Rendit Publik është bërë për 12 oficerë
(shumica me arsim policor) me dyshimin se mos kishin qenë bashkëpunëtorë
Sigurimi. Një shkresë tjetër përsëritet më 11.7.1999 nga Nafiz Bezhani për
SHIK-un, por për këtë arsye. Për Xhavit Shalën kjo nuk kish kuptim, pasi ai kishte
qenë shefi i bashkëpunëtorëve, nuk mund të ishte vetë bashkëpunëtor. Fakti i
qenies oficer Sigurimi është i vërtetuar dhe i njohur, pavarësisht se sot ai
nuk do ta përmendë një gjë të tillë. Edhe në jetëshkrimin zyrtar në Akademinë e
Sigurisë, Xhavit Shala gënjen kur nuk tregon vitet kur ka punuar si punëtor
operativ, të cilat i ka zëvendësuar me fjalët “specialist në fushën e
sigurisë”. Edhe në këto tekste quan “fushë sigurie” një aktivitet kriminal si
ai i Sigurimit të Shtetit. Gjykata nuk ka çfarë fakti të verifikojë këtë rast
sepse provohet lehtë se i përmenduri ka qenë oficer Sigurimit dhe është në
kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës sipas ligjit të vetingut të
Policisë. Neni 388 i Kodit të Procedurës Civile e ka fare qartë se vërtetimi i
faktit kërkohet në kushtet e zhdukjes apo humbjes së aktit. Fakti se ka qenë
oficer Sigurimi nuk ka humbur.
Më 25.6.2019 Xhavit Shala kërkoi nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, t’i heqë “njollën”, pra të pajiset me vendim gjykate se nuk ka qenë oficer Sigurimi, në mënyrë që Xhaviti të vazhdojë që quhet “specialist i fushës së sigurisë”.
Si
palë e tretë në këtë proces, do të marrë pjesë Autoriteti për Informim në
Dosjet e Sigurimit, në të cilin punon me zell gruaja e Xhavitit. Ka zëra që
thonë se në gjyq Autoriteti do të përfaqësohet pikërisht nga kjo, duke e kthyer
seancën gjyqësore një konsultë bashkëshortore. Autoriteti nuk mund të ishte në
asnjë rrethanë palë e dytë apo e tretë sepse nuk përfaqëson ish komisionet
“Mezini” dhe “Bezhani”, si dhe nuk mund ta kushtëzojë vendimmarrjen e vet nga
zhvillimi i këtij gjyqi.