E enjte, 28.05.2020, 12:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Bekim Muhaxheri: ‘’Vogëlsirat’’ që më nuk i shohim

E shtune, 23.05.2020, 11:18 AM


“VOGËLSIRAT” QË MË NUK I SHOHIM

Nga Bekim Muhaxheri

Ka kohë që kemi harruar të ndjejmë botën rreth nesh, më nuk edëgjojmë gurgullimën e ujit, e as përkëdheljen që era i bën barit,as rigat e shiut a fluskat e borës që trokasin në xhama, e na duket se i dimë të gjitha, se e dimë se ku shkojmë, e çfarë bëjmë...

Blerim Rrecaj, në librin e tij me tri pjesë, na kthen mbrapa nëkohën kur ndjenim jetën, e nuk ishim të burgosur brenda ekraneve të telefonave tanë që po bëhen më të mençur se ne.

Ai merret me “vogëlsira”, me pupla shpezësh që bien nga qielli, me “reshje” petalesh të luleve e me erë blirësh, duke na bërë me dije se gjërat që mund t’i konsiderojmë të vogla janë shumë të çmueshme, ashtu si diamantet.

Në libër, si në jetë kur dita ndërrohet me natën, përshkrimet e çasteve të jetës në lëvizje alternohen me dhimbjet e dëshpërimet tona politike dhe me ecjen tonë prej kërmilli a breshke drejt jetës që dëshirojmë.

Libri i ngjan një lumi të kohës sonë, një lumi figurativ Kosove nëpër të cilin rrjedhin të gjitha ato që i hedhim në të- ngarkesat tona, ankthet, pritjet, ëndrrat, çastet e bukura, rrjedhja e pandalshme e kohës..., sepse siç tha një i ditur “në këtë botë jemi vetëm një grumbull vitesh”.

Në këtë lumë nganjëherë reflektohen rreze dielli e buzëqeshje, por edhe vetëtima. Edhe struktura e librit është ndërtuar figurshëm si dy brigje me skica dhe një urë prej vargjeve, ndërsa nën të e mes brigjeve rrjedh jeta.

Në librin e tij Blerimi flet shumë për blerimin, për të gjelbërtën e livadheve dhe gjetheve të drunjve, një ngjyrë që po e shohim gjithnjë e më pak nga mbjellja e pafund e betonit. Një shumëkatëshe atij ia zë rrugën për ta parë majën e Lypetenit, ndërsa armatura e kësaj ndërteseje në ngritje e sipër duket sikur i ngulet në zemër malit.

Blerimi në libër dhe jashtë saj është mik i trumcakëve dhe pëllumbave, i fëmijëve që gjatë verës edhe lahen në fontanën e kryeqytetit. Atë e pikëllon pa masë ngushtimi i hapësirave të lojës nga “dinosaurët” prej hekur-betoni, ngufatja nga ajri i ndotur, nga makinat, nga zhurmat...

Ai e kërkon një vend të qetë, një vend ku zogjtë nuk vdesin e jeta lulëzon. Ai nuk shkruan veç për vete, por për tërë ata që po e jetojnë këtë kohë, për tërë ata që nuk kanë zë, ose nuk dinë si ta shprehin dashurinë a zemërimin.

Ai shkruan edhe për brezat që do të vijnë, për të ardhshmit që mund të dëshpërohen me arritjet tona, që mund të na pyesin pse nuk bëmë më shumë për ta dhe për veten?!, për të na e kujtuar vjershën e Esat Mekulit për breznitë që poeti shpreson të mos e gjykojnë.

Ai, si Martin Luter King dikur, e ka një ëndërr. Një ëndërr që dëshiron ta shohë në realitet, në jetën e përditshme. Në këtë ëndërr politikanët papritur vendosin t’u japin fund të gjitha të këqijave që i karakterizojnë, duke u marrë vesh që ta zhvillojnë vendin, që ta çojnë përpara atë. Në këtë ëndërr shihet se sa lehtë mund të bëhet përparimi, se sa kollajshëm mund të braktisen veset, e të ndërtohet shteti. Fatkeqësisht një gjë e tillë mbetet ende vetëm një ëndërr. Një ëndërr e parë me sy hapur, por shkrimi për këtë ëndërr ka fuqinë të të çelë sytë, të të nxisë të mendosh.

Përpara se ta lexoni trilogjinë e Blerim Rrecajt nën titullin përmbledhës “Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh”, pyeteni veten se kur për herë të fundit keni ndjerë për shembull erën e blirëve në pranverën e Prishtinës teksa kryeni punët e përditshme, kur keni vështruar qetësisht e pa fjalë shiun e prajshëm që bie, ose kur i keni marrë erë një luleje.

Mund të thoni se nuk e keni luksin e ngadalësimit të hapave të jetës në këtë kohë dinamike, se keni punë më të rëndësishme për të kryer, se gjithçka ka ndryshuar, por nga libri do ta kuptoni se asgjë nuk është më e madhe se ecja e vetëdijshme nëpër çastet e kësaj bote.

Në këtë ditar ditësh që duket se i ngjajnë njëra-tjetrës, do ta shihni gjithashtu se sa të ngarkuar jemi, se sa jemi mbushur me mllef e se sa vlojmë përbrenda nga vendnumërimi me të cilin përballemi.

Duke shkruar edhe për problemet me të cilat përballet vendi dhe njerëzit e tij, shkrimtari Rrecaj nuk dëshiron të shfryhet e të na mbushë me pakënaqësi e dëshpërim, por ai do që ta ndajë të keqen bashkë me ne, që ajo të zvogëlohet.

Ai nganjëherë flet edhe nga zemra e plasur, sepse dëshiron që të ndryshojë, e të ndryshojmë për të mirë.

Prandaj, librin lexojeni ngadalë, e në pauzat mes leximeve shoqërojeni me shëtitje nëpër ambientet tona natyrore, ose me vështrim të jetës së përditshme pa ndikuar në rrjedhën e saj. Vetëm kështu do të rizbuloni një botë që po zhduket. Një botë për të cilën do të na marrë malli...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora