E premte, 26.04.2024, 06:17 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Motrat e bamirëses: Amaneti që na la Nënë Tereza

E marte, 21.10.2008, 06:37 PM


"Na tha të bëjmë durim, sepse shqiptarët kanë vuajtur shumë"

Në një nga rrugicat e qendrës së qytetit, në fillim të rrugës së Durrësit, gjendet një shtëpi e madhe. Është e thjeshtë, e pastër dhe mbi të gjitha është e mbushur me shumë dhembshuri dhe dashuri. Atje qytetarët më të varfër, të pastrehët, të sëmurët dhe të vetmuarit shkojnë dhe ushqehen falas. Ndërsa ata që janë në gjendje të mjerueshme jetojnë aty, në shtëpinë e motrave të Nënë Terezës. Të gjithë e njohin si shtëpia e motrave, nëse pyet gjatë rrugës, të gjithë e dinë derën e madhe të kësaj shtëpie që pret e përcjell njerëzit me shëndet të dobët, ata që nuk kanë se ku të fusin kokën dhe të vetmuarit. Aty, ata gjejnë një pjatë të ngrohtë, një kujdestar që i trajton sëmundjen dhe një zemër që i dhuron fjalë të ëmbla dhe shumë dashuri, pavarësisht gjendjes së tyre, pamjes apo problemeve. Kur vajtëm në shtëpinë e motrave, gjetëm derën të hapur, rreze drite që dilnin prej saj dhe një qetësi. Motrat ishin në lutje. Në ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, atëherë kur gjithë administrata bën pushim me këtë rast, motrat nuk kanë përgatitur asnjë ceremoni, kanë punuar si çdo ditë tjetër. "Ceremoninë, ku ishim të gjithë të pranishëm për Nënë Terezën e kemi zhvilluar më datën 5, datë kur ajo humbi jetën", thonë motrat. Teksa hapin derën, me durim dhe buzëqeshje presin të dëgjojnë çfarë ke për t‘i thënë. Ato mbajnë të veshur sarin e bardhë me vija blu, ashtu si Nënë Tereza. Ato janë të thjeshta, buzëqeshin, flasin dhe dëgjojnë me qetësi dhe durim.

Njëra prej tyre nis e na tregon rregullat që ka shtëpia e motrave të Nënë Terezës, qëllimi i misionit të tyre në vendin tonë dhe kudo. Motra na rrëfen si e ka njohur nënën e gjithë botës, çfarë u ka mësuar ajo, vizitat në Shqipëri dhe dashuria për shqiptarët.

"Ajo thoshte gjithmonë që shqiptarët janë të vuajtur, duhet të bëni durim. Tani ata kanë etje për çdo gjë, por ju duhet të bëni durim", thotë motra, një grua me sy të kaltër e të shndritshëm. Ajo që në vitin 1991 ndodhet në Shqipëri, vendi ynë ka qenë misioni i saj i parë. "Nënë Tereza vinte për vizitë çdo vit, ajo kujdesej për të sëmurët, për nevojtarët, u lante rrobat, i ushqente dhe u qëndronte pranë. Shtëpia jonë ka rregulla dhe njëri prej tyre është që rrobat nuk lahen në lavatriçe, por me dorë", tregon motra. Ashtu siç bënte dhe Nënë Tereza, ashtu vazhdojnë të bëjnë edhe ato. Ushqejnë, lajnë, pastrojnë, u blejnë ilaçe të moshuarve, i çojnë për të takuar të afërmit, kur ata ndodhen larg, i çojnë për analiza, për operacion, kryejnë të gjitha këto punë duke menduar se ata janë prindërit e tyre, janë motrat, vëllezërit, të afërmit e tyre. Ashtu siç u thoshte dhe Nënë Tereza, pas tyre fshihej Jezusi, kujdesi ndaj personave të vobektë, të verbër, të sëmurë, të papastër ishte e vetmja mënyrë për të takuar Jezusin. "Jeta jonë dhe detyra që kemi është të shërbejmë. Shprehim dashurinë që kemi për Zotin, duke i shërbyer Jezusit ndër më të varfrit", thotë motra e Nënë Terezës. Ajo ka kujtime të hershme me nënën e gjithë botës. Takimet me të kanë qenë të herëpashershme dhe gjatë vizitave të saj në Shqipëri, ato kanë shërbyer për nevojtarët në krahë të Nënë Terezës. Ajo i thoshte gjithmonë: "Duke i shërbyer më të varfërve, atyre që janë në gjendje të mjeruar, takojmë Jezusin. Duke i shërbyer atyre i shërbejmë Jezusit. Njërën nga vargjet e Biblës, që motrat thonë dhe që Nënë Tereza e përsëriste më shpesh, ishte Mateu 25, 40: "Mbreti do t‘u përgjigjet: me të vërtetë po ju them se sa herë keni bërë këtë gjë për njërin nga këta vëllezërit e mi të vegjël, ma keni bërë mua". "Shqiptarët janë të vuajtur, por janë dhe shumë bujar. Të ftojnë në shtëpinë e tyre, pavarësisht besimit të tyre. Në Tiranë janë në gjendje të mirë, por në zona të tjera janë në gjendje të vështirë", thotë motra. Duke iu kthyer Nënë Terezës, ajo na tregon një album të madh me fotografi, të cilat janë kujtime vit pas viti, sa herë ajo ka vizituar Shqipërinë dhe ka qëndruar me motrat e saj në shtëpinë ku sot marrin ndihmë të gjithë ata që kanë probleme ekonomike, shëndetësore dhe vetmie.

Vakte, shërbim dhe kujdes falas, por rregulla të forta për të qëndruar me motrat e Nënë Terezës

Rregullat e shtëpisë së motrave, që jetojnë me të varfrit

Një vakt të ngrohtë dhe një drekë me ushqime të gatuara nga motrat e Nënë Terezës, mund ta kenë të gjithë ata që janë në vështirësi ekonomike. Katër herë në javë në shtëpinë ku qëndrojnë dhjetë motrat e Nënë Terezës, të ardhura në mision për t‘i shërbyer shqiptarëve në nevojë. Ndërsa vetëm 25 apo 30 persona mund të qëndrojnë e të jetojnë në këtë shtëpi. Kushti kryesor për të ngrënë, për të fjetur, apo për të qëndruar në këtë shtëpi, është gjendja e vështirë. Shtëpia ka vend vetëm për ata që janë njerëz të vetmuar, nuk kanë shtëpi, nuk kanë të afërm, prindër, fëmijë, apo për ata që nuk pranohen të mbahen pranë të afërmve apo në spital. Për këta njerëz kujdesen motrat. Nëse janë të moshuar dhe marrin një pension, ato ja administrojnë në mënyrë të tillë që personi në fjalë të arrijë të blejë ilaçe apo të rimbursojë analizat e tij. Në rast se nuk kanë asnjë mundësi, atëherë për këta njerëz kujdeset shtëpia. Motrat u lajnë atyre rrobat me dorë, kujdesen për higjienën personale të atyre që nuk janë në gjendje ta bëjnë vetë, ushqejnë dhe veshin ata që nuk janë në gjendje të kryejnë këto veprime. Motrat gatuajnë, lajnë dhe pastrojnë ambientin, çojnë për takime me mjekun sa herë personat që kanë nevojë, i shoqërojnë ata për vizita sa herë kanë mall dhe dëshirë të takojnë të afërmit që ndodhen larg. Motrat shkojnë dhe mbajnë radhën për t‘i marrë pensionin. Pavarësisht të gjitha punëve të shtëpisë, detyrimeve dhe shërbimeve, motrat shpenzojnë një kohë të mirë në lutje. Ditën e nisin me lutje, me falënderime dhe me qetësi. Është kjo kohë e takimit me Zotin. Kjo është e nevojshme dhe e domosdoshme për motrat. Shtëpia e tyre nuk është një shtëpi shërbimi social, ajo është shtëpi e dashurisë, e lutjeve, është shtëpia e misionareve, shtëpia e motrave të Nënë Terezës.

Në këtë shtëpi, rëndësi të veçantë i kushtohet edhe festimit të ditëlindjeve. Në një kalendar qëndrojnë të shënuara të gjitha datat e lindjes së personave që jetojnë atje dhe në atë ditë festohet dhe urohet ai që ka ditëlindjen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora