E marte, 07.07.2020, 10:13 AM (GMT+1)

Sporti » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: Kombëtarja është, mungon historia…

E diele, 19.10.2008, 10:28 AM


Besnik DizdariKombëtarja është, mungon historia…

Nga Besnik Dizdari

Kurr nuk kam besuar se Shqipëria mund të fitojë në Budapest. Nuk e them tash që Shqipëria humbi 0-2. Ua kam thënë të gjithëve me të cilët kemi biseduar këto dit. Dhe këte e kam thënë ngaqë për çudi mbrenda meje gjithmonë ka një peshë të rëndë historia.

E cila shpesh të çarmatos me “tregimet” e saj përkujtuese krejt të pamshirshme.

Më 3 shtator 1980, në rikthimin e saj për te kualifikimet evropiano-botërore, mbas një vetizolimi të papamë shtatëvjeçar mospjesëmarrjeje prej regjimit të egër të Enver Hoxhës, Shqipëria ka rifilluar pjesëmarrjen e saj që nuk është ndërprerë më, sot e kësaj dite, me një fitore 2-0 ndaj Finlandës. Qe ekzaltuar gjithë Byroja Politike e PPSH. Dhe ndodhi që për shkak alfabeti, Shqipëria të kryesonte grupin e saj me pikë të barabarta me Bullgarinë. Ishte një kryesim që zgjati 1 muaj e 16 ditë, deri më 19 tetor 1980, kur Bullgaria fitoi 2-1 me Shqipërinë në Sofje, një ndeshje tejet e ngjashme me këte 2-0 të 11 tetorit 2008 me Hungarinë.

Thuajse 25 vjet më vonë, më 4 shtator 2004, Shqipëria e Hans Peter Briegel, fiton bujshëm në Tiranë 2-1 me Greqinë – Kampione e freskët e Evropës e vetëm para dy muajve, dhe për katër ditë kryeson grupin e saj eliminator për Kupën e Botës 2006, saktësisht deri më 8 shtator 2004 kur shkatërrohet 0-2 në Tbilis prej Gjeorgjisë modeste.

Këto ishin dy rastet e vetme kur Shqipëria kishte kryesuar një grup të kualifikimeve evropiano-botërore. Për të ardhur te rasti i tretë, ky i vjeshtës 2008, mbas 0-0 me Suedinë dhe 3-0 me Maltën, kryesim që zgjati plot 30 ditë, deri te e shtuna që shkoi, kur lindi 0-2 shkatërrues i Hungarisë, në Stadiumin e Budapestit. Në atë stadium, dikur “Nepstadion”, që sot mban emrin e atij i cili në 12-0 të 24 gushtit 1950, i kishte shënuar Shqipërisë jo pak, por plot 4 gola: Ferenc Pushkash! Dhe Shqipëria e cila zbret nga vendi i parë në grup, në një prej renditjeve më të zakonshme të saj: e pesta!

Kjo është historia, e përsëritur deri në përsosmëri. Të paktën për Shqipërinë. Në të vërtetë asgjë e jashtëzakonshme. Shqipëria gjithmonë ndodhet nën trysninë e historisë. Shqipëria ndodhet nën trysninë e historisë në politikë e ekonomi, në kulturë e sport, në traditë dhe “risi” qoftë. Shqipëria në të vërtetë është në luftë me vetë historinë. Një luftë çuditërisht ende e pafituar prej saj thuajse në të gjitha fushat e jetës. Me gjithë përmbysjen historike të asaj çka ndodhi mbas vitit 1991, kur Shqipëria fitoi lirinë e saj të vërtetë.

XXX

Ndoshta, në një farë mase, në sport, e sidomos në futboll, është diçka më ndryshe.

Siç kam shkruar në “Libri i Kombëtares”, kur më 1947 ka ikur trajneri jugosllav Ljubisa Brocic, në ndeshjen e parë të Kombëtares pa te, administrata e shtetit shqiptar thirri Adem Karapicin. Ka qenë 25 maj 1947. Ndeshja e parë e Kampionatit të ri Ballkanik. Dhe mbrenda në Tiranë Shqipëri - Rumani 0-4. Tronditja e humbjes, në Shqipëri qe përjetuar tejet dhe Karapici, i cili flaket tej për herë të parë. Eshtë një kulm i miqësisë shqiptare– jugosllave, paçka se vetëm mbas pak muajve do të mbërrinte kthesa e bujëshme. Thirret përsëri Brocic, i cili nuk e ka të lehtë të rimëkëmbë një skuadër disi të prishur: 2-0 në Bullgari dhe 3-0 me Hungarinë e cila tri ditë më parë kishte shkatërruar Bullgarinë e Boshkovit e Spasovit përmes një 9-0 qiellor, dhe ku Deak - ndër më të mëdhenjtë e Hungarisë - kishte shënuar 4 gola! Po lindte Hungaria legjendare.

25 ditë më vonë ishte lënë ndeshja Shqipëria – Jugosllavianë Tiranë. Ndërsa trajneri Brocic po mendonte për këte duel të ri, papritmas ai thirret në Beograd, me sa duket pikërisht për të mos qenë ai trajneri i Shqipërisë. I frikësohen krerët sllavë një përsëritje të historisë së 1946-tës? Mundet. Dhe në Tiranë, Shqipëri - Jugosllavi 2-4, pa Brocicin doemos. Eshtë 14 shtator 1947. Për jerarkët e Tiranës nuk ka rrugë tjetër: thirret përsëri Adem Karapici. Mirëpo, mbrenda 30 minutave Jugosllavia bën çfarë i don zemra dhe pjesa e parë është 4-1 për te. Duket si një katastrofë. Në të 65' Parapani e bën 4-2 dhe ja ku mbrrin 11-metërshi i Loro Boriçit të cilin ylli i madh e humbet, duke e kaluar topin e nisur nga pika e bardhë vetëm disa cemtimetra larg shtyllës pingule.

Do të kishte qenë 4-3 e më pas kushedi se çfarë. Adem Karapici megjithate, e ka lënë fushën përmes duartrokitjeve. Kishte qenë duke sfiduar Jugosllavinë e Bobekut, Çajkovskit, Mitiçit. E nëse pak javë më vonë në fitoret e miqësoreve shqiptare 4-2 ndaj Partizanit të Beogradit, 2-1 Crvena Zvezdës dhe 3-2 Levskit të Sofjes ka shumë mendim të Adem Karapicit, tashmâ këto miqësore të bujëshme, paralajmëronin diçka të rrallë, që kishte të bënte mu me peshën e e rëndë të historisë.

Ky është çasti tjetër magjik shqiptarohungarez. Në Tiranë vjen Budapesti i cili fiton 2-1 kundër Përfaqësueses së Tiranës ndeshjen e parë, por në të dytën djemtë e Adem Karapicit janë të papërmbajtshëm. Fitorja e këtij seleksioni kombëtar shqiptar nën emrin Përfaqësuesja e Tiranës është përtej çdo parashikimi: 3-1 Përfaqësueses së Budapestit. Karapici kësaj rradhe ka të gjithë protagonistët e Ballkaniadës: Poselli, Dibra, Spahiu, Llambi, Fagu, Fakja, Parapani, Kavaja, Boriçi, Biçaku, Mirashi. Eshtë vërtet e çuditëshme se si ia arrin t'i kombinojë kësisoji, me një saktësi të habitëshme të gjitha këta 11 heronj të 46-tës dhe të mposhtë Toth, Deak (66 gola në një kampionat hungarez - rekord botëror), Horvat me shokë - një 11-sh i shkëlqyer ky, i përbërë nga yje të Dozha-s, MTK-së, Ferencvarosh-it, Vashash-it, 9 prej të cilëve e kishin veshur fanelën e Kombëtares së Hungarisë.

Vjen kështu 2 maji 1948, Bukureshti, një kampionat i çuditshëm për nga emri që do të quhej Kampionati Ballkanik dhe i Evropës Qendrore. Luanin Rumania dhe Shqipëria, ndeshje prej së cilës do të lindte fitorja e parë jashtë fushe e Shqipërisë, e cila si e vetme ka rezistuar një gjymë shekulli. Kështu mbrrihet te goli - simbol i pesë dekadave të futbollit shqiptar - shënuar në të 65' prej Pal Mirashit. Gazeta "Libertea" thuajse thërret kur titullon: "Shqipëria - një shtet i vogël me një sport madhështor."

E tepërt! Por duhet të kthehesh te 60 vjet më parë për të kuptuar rëndësinë e këtyre ndeshjeve, sepse ende nuk kishte lindur Kampionati Evropian dhe kur ende nuk kishte rifilluar as Kampionati Botëror. Pa kaluar 20 ditë, në Tiranë i vjen rradha e Hungarisë. Të paktën nga jashtë, kjo duhej të ishte Ndeshja e Shekullit. Sapo lishte lindur fenomeni - Hungari me Pushkash, Hideguti, Grosic, Bozhik, Toth. Megjithate them se ajo nuk mund të jetë një "Ndeshje e Shekullit" për derisa po atë ditë një Hungari tjetër merrte pjesë njëkohësisht edhe në ate që quhej Kupa e Evropës, një turne që përfshinte edhe skuadrat e vëndeve josocialiste të Evropës Qendrore. Më 23 maj kjo Hungari e cila sapo kishte nisur të çudiste Evropën, nuk kishte kohë për të humbur. Ajo do të luante dy ndeshje brënda një dite: në Budapest me Çekosllovakinë për Kupën e Evropës të cilën e fiton 2-1 dhe në Tiranë me Shqipërinë për Kampionatin Ballkanik e të Evropës Qendrore të cilën e barazon 0-0. Në të parën luajnë Pushkashi e Suza, Toth dhe Deak. Në Tiranë luajnë të mëdhenj të tjerë: Zakariash e Kubala, Silagji dhe Illovski. Të dy skuadrat i organizon trajneri Gallowich Tibor, ndonëse në Tiranë drejton specialisti i shquar hungarez Kiraj, i cili guxon e jep një deklaratë të bujëshme kur thotë se "mbrenda tri vjetëve Shqipëria do të jetë një prej konkuruesve më të mirë në botë."

Kjo sigurisht nuk ka ndodhur kurrnjiherë.

Pa kaluar as 35 ditë, më 27 qershor 1948 Adem Karapici udhëton me djemtë e tij për në Beograd ku e pret një Jugosllavi e cila tashmå dëshëronte t'i lante të gjithë hesapet me këte Shqipëri e cila fitoret e arritura, asnjëherë nuk ia kishte lejuar të pastra e të padiskutueshme. Jugosllavia 1948 ishte finaliste e Lojërave Olimpike kur humbet në Londër finalen me Suedinë dhe dihet që atëherë në Olimpiada vinin formacionet e para të shteteve. Shqiptarët duhej të përballonin jo pak por plot 7 titullarë të këtij 11-shi: Brozoviç, Jovanoviç, Çajkovski, Atanackoviç, Mitiç, Bobek, Vukas. Dhe 0-0 para 40.000 shikuesve në stadiumit "Avala". të Beogradit!

Papritmas Shqipëria ishte bërë mëtuesi kryesor i Kampionatit Ballkanik dhe të Evropës Qendrore dhe mu në këte çast historik mbërrin edhe shkatërrimi i vetë skuadrës kombëtare të mrekullueshme shqiptare, të cilën Karapici e kishte ndërtuar duke pohuar punën e një paraardhësi dhe duke çelur vetë një rrugë të re. Një rrugë që nuk mund ta vazhdonte më tej. Inforbyroja bën punën e vet dhe Kampi Socialist ndahet në stalinistë e jostalinistë, përjashtohet Jugosllavia dhe një Kampionat Ballkanik dhe i Evropës Qendrore që ndalet në vend duke e lënë Shqipërinë në vendin e dytë me vetëm 1 pikë më pak nga Humgaria - tashmâ ndër më të fortat e botës. Mbas Shqipërisë janë Rumania, Jugosllavia, Polonia, Bullgaria, Çekosllovakia.

Në thelb kjo ka qenë ndarja me thikë e historisë, që qysh atë ditë dhe deri në fillim të viteve ’80 ka qenë gjithmonë e coptuar, fragmentare, e ndaluar, e rifilluar keqas, prap e ndaluar dhe e izoluar sidomos në vitet ’50 dhe ato ’70 madje, që kanë penguar më fort se asgjë, që Kombëtarja e Shqipërisë së vogël të mos mbajë mbi supe një histori mirëfilli vazhdimësie.

Asnjëherë Shqipëria nuk ia arrriti më që të kishte një Kombëtare asisoji mëtuese, aq të fortë e të një futbolli harmonioz si të mësuar përmendësh, që luante me kujtesë, siç thotë një studjues, si ajo e vitit 1948. Adem Karapici është mbuluar me një heshtje shembullore tash 60 vjet. Kam përshtypjen se në këtë rikthim Hungari-Shqipëri të mbas gati 60 vjetëve, emri i tij prap qe më i zbehtë se i askuj tjetër…

XXX

Të shtunën që shkoi, në ndeshjen e parë Hungaria – Shqipëria të mbas 58 vjetëve, historia rëndoi më fort se kurrë nën një kod të papamë që shfaqej kësisoji: “17-0”. Kod sekreti “i hapjes” të të cilit lind prej “misterit” të 3-0, të 0-0, të 12-0 dhe të 2-0 të së shtunës!

Kjo është pesha e pamshirshme e historisë.

E zgjatur më tej mu me histori, gjithçka që u përmend këto dit në Shqipëri, u sundua prej 12-0-s së Hungaria - Shqipëria e vitit 1950, dhe askush nuk u kujtua se qe 60 vjetori i dy ndeshjeve të mëparshme historike të futbollit shqiptar: Tirana - Budapesti 3-1 dhe Shqipëria – Hungaria 0-0. Viti 1948. Ose jubileu i 6 dekadave. Ndonëse historiani e di mirë se 12-0 i vitit 1950, nuk ka qenë mirëfilli një rezultat thjesht i fushës, por më parë se i saj ka qenë rezultat i ndalimit, i shkatërrimit të kësaj skuadre të mrekullueshme qysh pa u nisur nga Tirana, qysh pa u turbulluar ujërat e Dardaneleve prej Bahri Kavajës e Bule Vathit…

Në ndeshjen e kësaj Hungarie “të vogël” të vitit 2008, Shqipëria ndoshta harroi mu atë, peshën e historisë. Harroi se kjo Hungari ”e vogël”e vitit 2008, është bija e Hungarisë së madhe, që përkujtohej përmes emrit mitik që prapseprap vezullon anë e kënd të vjetrit “Nepstadion” sot “Ferenc Pushkak”. Me sa duket në kahe të ndryshme punën e vet e ka bërë mu ajo, pesha rëndë e historisë. Për Hungarinë, krenaria mbetet ende në mbivetdije përsa kohë ajo përmban fanelën e një historie legjendare. Ndërsa për Shqipërinë, disi krenare për shkak të kryesimit jetshkurtër prej vetëm 30 ditësh të grupit, gjithçka ishte një iluzion, Thuajse menjëherë mbas golit të pësuar në të 48’ prej Sandor Torghelle-s të Augsburgut të Gjermanisë. Kjo është pesha e historisë që papritmas ushtron trysninë e saj që çoi mandej në 2-0 falë golit gati fëminor, madje vetgolit të Beqajt, portjeri i shquar shqiptar i cili kishte plot 310 minuta lojë pa pësuar me Kombëtaren e ashtuquajturave “të shqiponjave”, krahët e së cilës kësaj here nuk u hapën asesi.

U duk e mirë pjesa e parë. Në të vërtetë, ajo ishte thjesht një 45 minutësh rezistence. E kujtoni se sa herë hungarezët vinin në gjysmëfushën e shqiptare gjendeshin para gati 10 njerëzve thuajse të pakalueshëm. Të dukej si një “catenaccio” të cilën e patën fundosur holandezët në vitet ’70, dhe kundërsulmi i rrallë i miqve, solli vetëm traun e Skelës, më tepër një hark edhe ky. U mashtruam, sepse e menduam pjesën e dytë të një guximi tejet, të profesionistëve shqiptarë, 9 prej të cilëve, ashtu si dhe hungarezët, luanin në Evropë. Ajo ishte një Shqipëri që nuk guxoi. E shpërfilli historinë në 45 minutat e dyta e cila me fuqinë e hipnozës së saj u trondit përfundimisht mbasi u bë 0-1 prej një Hungarie, e cila ngado që ta marrësh, edhe sot, kur dihet se jo vetëm që nuk është Hungatria e madhe e mesit të Shekullit XX, por thjesht Hungaria – e 60-ta e botës, praëseprap në tanësi futbollin e ka e pakta një shkallë më lart se Shqipëria.

Tash në Shqipëri mund të fillojnë të merren me trajnerin holandez, duke i përmendë rrogën që merr, duke i thënë se në fund të fundit, me Maltën ka fituar, duke e kritikuar se nuk ia arriti ta zotërojë 11-shin e tij në pjesën e dytë, se ndrrimet nuk qenë bindëse, se Lorik Canën nuk e ishte vënë në rolin e vërtetë të një lideri, se qe gabim që skuadra qëndroi ditë para ndeshjes në Budapest, në vend që të stërvitej në Shqipëri, e tjerë e tjerë.

Do të harrojnë atë më të rëndësishmen: historinë, e cila na thotë se në 45 vjet që Shqipëria merr pjesë në Kupën e Botës, në 77 ndeshje të saj ka fituar vetëm 11 herë. ndërsa jashtë ka fituar vetëm 1 herë, me Kazakistanin 1-0 nën drejtimin e trajnerit Hans Peter Briegel (prap Briegel!) si dhe 1 fitore ndaj Irlandës së Veriut në asnjanësen e Zurihut më 1997. Janë shumë pak, vetëm 11 fitore në 10 edicione pjesëmarrjeje të saj në Kupën e Botës, prej të cilave natyrisht shkëlqejnë dy: Shqipëria – Belgjika 2-0 më 1984 dhe Shqipëria – Greqia 2-1 më 2004. Nëntë fitoret e tjera, me ndonjë përjashtim, kanë në vetvete një përmbajtje krejt modeste.

Shqipëria kishte harruar se po mbërrinte në Hungari me një histori tejet të varfër për Kupën e Botës. Me plot 151 gola të pësuar dhe me plot 57 humbje. Nuk i vihet faj përderisa kësaj rradhe ajo shkoi si kryesuese 30 ditëshe e Grupit 1 të Africa 2010. Dhe me dëshirën e saj të fortë për të shkruar një faqe të re historie, duke u çliruar kësisoji prej peshës së rëndë të vetë historisë. Nuk ia arriti. E vetëdijshme për këte ajo do të udhëtojë për në Portugali, kësaj rradhe duke e ndjerë më fort se asnjëherë mu atë, peshën e rëndë të historisë. Duhet pritur mesnata e nesërme për të kuptuar diçka më tepër për këte Shqipëri 2008, e cila në 11-shin e saj kishte jo pak, por plot 5 futbollistë të moshës 31-33 vjeç! Edhe ky “kod” është pjesë e asaj, rëndesës historike, ndonëse pa asnjë “mister” mbrenda tij.

Nuk jam ndjellakeq megjithate. Kombëtarja është, i mungon “vetëm “ historia…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora