E premte, 11.10.2024, 12:52 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Besnik Dizdari: Partizani – Torino 1-0 nën frikën për pushtim të Shqipërisë Komuniste

E marte, 23.09.2008, 12:47 PM


Besnik Dizdari
Partizani – Torino 1-0 nën frikën për pushtim të Shqipërisë Komuniste

Nga Besnik Dizdari

40 vjet më parë – një nga fitoret më bujshme të futbollit shqiptar

Shqipëria kishte bërë veprimin e saj të parë të tërheqjes nga Kupat e Evropës, kur më 1967, ajo nuk kishte pranuar të luante me Kampionen e Gjermanisë, Eintracht i Braunschweig-ut, çka sot e kësaj dite mbetet një mister i vërtetë. Ngjarja, të cilën deri më sot nuk e kemi përimtuar asnjëherë, ka të bëjë me Dinamon e Tiranës, kampionen artificiale të vitit 1967, e cila u shpall e tillë pa pikë merite, por vetëm për shkak të përjashtimit të pashembullt prej Kampionatit Kombëtar të 17 Nëntorit e Partizanit disa javë para mbarimit të tij!

E vërteta është se në atë 1967, Shqipëria kishte deklaruar pjesëmarrjen e saj në Kupat e Evropës dhe shorti i dhuron Eintrachtin e dëgjuar gjerman. Dhe mandej sa papritmas aq dhe rrufeshëm vjen “tërheqja”, nëse vërtetë ka qenë plotësisht e këtillë. Askush nuk e ka spjeguar përsenë e kësaj tërheqjeje, por nën zë u tha se qarqe të caktuara “keqdashëse” për Shqipërinë Komuniste në Evropë, po studjonin mundësinë e mospranimit të mëpastajmë të Dinamos, sepse ajo ishte një kampione e papranueshme për kanceleritë evropiane të futbollit, përderisa ishte paracaktuar si e tillë me një vendim të paprecedent tryeze në historinë e futbollit botëror: përjashtim nga Kampionati i kampiones së siguruar 17 Nëntori, për gjoja një rrahje të futbollistëve të saj me ata të rivales Partizani pak javë para mbarimit të Kampionatit!

Kështu, klima e futbollit dukej disi e ndezur, ashtu si dhe ajo politike, teksa pasonte në vitin fatthënë 1968, kur Shqipëria Komuniste nis e ndjen një sulm të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik mbas pushtimit të Çekosllovakisë dhe kur tash edhe zyrtarisht ajo po bënte tërheqjen e saj nga Traktati i Varshavës. Eshtë e çuditëshme se si pikërisht në këte periudhë, gjeopolitika e futbollit shqiptar prodhon ngjarjen ndoshta më të madha të historisë së tij të klubeve të Kupave të Evropës…

Ngjarja i përket 18 shtatorit 1968 me skenën e vendosur në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës: Kupa e Kupave të Evropës. Partizani – Torino e Italisë 1-0! Kjo është fitorja e parë e madhe e futbollit të Shqipërisë në një garë evropiane. Kësisoji, edhe fitorja e parë e Shqipërisë kundër një skuadre perëndimore në ndeshjet e Kupave të Evropës, e për nderin e futbollit tonë, ajo është fitore ndaj një prej skuadrave më të lavdishme të vetë Evropës, siç ishte Torino – legjendar, i shquar në vitet '40, prej katastrofës së Superga-s - deri asokohe 6 herë Kampion i Italisë (1928, 1943, 1946, 1947, 1948, 1949) dhe 3 herë fitues i Kupës Kombëtare (1936, 1943, 1968).

Torino 1968 përbën ndërkaq, ndeshjen parë të Shqipërisë në Kupën e Kupave të Evropës. Torino ishte fituesja e Kupës së Italisë dhe lojtarët e Kombëtares së Italisë, Vieri, Puia, Poletti, Agropi, sidomos kampioni i Evropës, Ferrini si dhe francezi i mirënjohur Nestor Combin i Kombëtares së Francës - përbënin një gjashtëshe të një kalibri që sillte në Kupën e Kupave një Torino të fuqishme, për më tepër përfaqësuese e një vendi si Italia, e cila vetëm 3-4 muaj më parë, saktësisht më 10 qershor 1968, mbas dy fundoreve dramatike 1-1 dhe 2-0 me Jugosllavinë e Dragan Xhaiçit, ishte shpallë Kampione e Evropës.

Klima e futbollit në Shqipëri dukej disi e ndezur në atë fundvere 1968, ashtu si dhe ajo politike, sepse ishim mu në vitin fatthënë 1968, kur Shqipëria Komuniste nis e ndjen një sulm të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik mbas pushtimit të Çekosllovakisë dhe kur tash edhe zyrtarisht ajo bënte tërheqjen e saj nga Traktati i Varshavës. ndonëse nuk dukej se vemendja e Bashkimit Sovjetik qe përqëndruar te e vetizoluara e vogël që quhej Republika Popullore e Shqipërisë.

Papritmas, ndeshja e rrallë e Tiranës merr jetë në një situatë dramatike të vetë Shqipërisë, e cila ishte hedhur tashmà me vrull në krahët e Kinës së Mao Ce Dunit. Vetëm pak ditë më parë Kuvendi Popullor kishte denoncuar pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë dhe zyrtarisht kishte marrë vendimin për daljen nga Traktati i Varshavës, me të cilin e pakta prej 6 vjetësh nuk kishte asnjë marrëdhënie. Mjedisi shqiptar ishte ndërkohë, tejet i politizuar, disi dramatik dhe i frikshëm, sidomos për qeverinë komuniste, tek e cila sulmi i Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë, kishte krijuar një pasiguri të plotë. Edhe gazeta "Sporti popullor" është e mbushur numër për numër me shkëmbime telegramesh me Mao Ce Dunin e Çu En Lain, me takime të zjarrta kinezo-shqiptare, me ditirambe për Kinën Popullore, me krijim brigadash ushtarake studentore. Si dhe me përgatitje për parada ushtarake natën para Hotel Dajtit, duke krijuar një shqetësim të çuditshëm edhe për gjithë trupën torineze që ishte "ankoruar" në të vetmin hotel të pranueshëm të Tiranës, "Dajtin" e arkitekturës musoliniane të ndërtuar nga vetë italianët në fillim të viteve '40.

"Kujtova se nisi lufta, por të nesërmen kam përjetuar një ndeshje të frikëshme, kam shijuar një "libero" të rangut evropian (Spiro Gjika), një kapiten stoik (Lin Shllaku) dhe një organizim të përsosur në mesfushë (Sabah Bizi – Ramazan Ragami)”, siç do të shkruante një gazetar i vjetër italian mbas ndeshjes, duke i dhënë edhe ai jo pak ngjyra "lufte" mjedisit të tronditur shqiptar.

Në orën 15.30 të 18 shtatorit 1968, rreth 30.000 shikues, siç u njoftua se ishin, Partizani nis dhe interpreton mrekullinë e tij, ate që edhe sot mbas katër dekadash gjithnjë e përcaktoj si "perla e futbollit shqiptar". Ngjyrat e kuqe të fanelave të Torinos, e detyrojnë skuadrën me emrin luftarak “Partizani”, që të zbresë në fushë me kostumin e bardhë - në të vërtetë kostumi rezervë i Kombëtares së Shqipërisë, çka vërtetohet edhe nga stema e Republikës e mbajtur jashtë çdo protokolli mbi fanelë! Edhe ky fakt “i rastësishëm” “nacionalkomunist”, të duket se hynte në gjeopolitikën e futbollit shqiptar ’68.

"Futbollistët tanë luajtën me patriotizëm, vendosmëri dhe shpirt luftarak" është titulli i politizuar deri në skaj, sikur të ishte fjala për një luftë, jo për një ndeshje. Askush dhe asgjë nuk mund t'i shpëtonte stilit të situatës "luftarake" shqiptare që përjetonte i gjithë vëndi në pritje të një sulmi të mundshëm sovjetik, çka gjithsesi dukej që ishte një utopi. Shqipërinë e kishin harruar. Do ta kujtonte tejet kjo ndeshje në mënyrën e vet sportive. Dhe jashtë këtij konteksti politik, Partizani i Shqipërisë ka zhvilluar ndeshjen e madhe të vlerave të larta thjesht teknike. E luajtur në sulm të vazhdueshëm, të një shpejtësie të papërmbajtëshme, plot gjuajtje e raste që do të çonin tek goli historik i Pëllumb Shaqirit në minutën e 46-të, fituesja e Kupës së Shqipërisë pikërisht në pjesën e dytë ka treguar pjekurinë taktike të një skuadre evropiane.

Edmondo Fabri, më parë trajner i Kombëtares italiane, pohonte pa mëdyshje:

"Ne erdhëm në Shqipëri plot shpresa se do të ktheheshim në vendin tonë me fitore. Kjo bindje u trondit nga zhvillimi i ndeshjes dhe kur vendasit kaluan në avantazh, e kuptova se jo vetëm që s'mund të fitonim, por as për barazim s'bëhej dot më fjalë.... Më ka pëlqyer e gjithë skuadra. Luajti me ritëm, na imponoi vullnetin e saj dhe diti të fitonte."

Partizani i kërkon dy lojtarë Vllaznisë për ndihmë, Bizin e Ragamin, duke vënë syrin te ylli i saj më i ri, siç ishte 20-vjeçari Sabah Bizi, të cilin mbasi e kërkon vetëm për ndeshjet me Torinon, me prepotencë gjeneralësh, nuk ia kthen më. Partizani përforcohet ndërkaq edhe me Teodor Vason e shkëlqyer të Skenderbeut dhe në fushën e blertë derdhet një 11-sh thuajse i pagabueshëm, në harmoni të plotë, ku gjejmë plot 8 futbollistë kombëtaras: M.Janku, M.Gjika, T.Vaso, R.Ragami, L.Shllaku, Bizi, Pano, Jashari.

Ky ishte 11-shi i trajnerit Refik Resmja, i cili mbasi kishte lënë mbrapa karrierën e tij të bujshme si futbollist, regjistronte në historinë e tij këte kujtim madhështor të futbollit si trajner me këte fitore përtej historisë kundër mbajtëses së Kupës së Italisë – Kampione e freskët e Evropës! Humbja 1-3 (goli shqiptar i Neptun Bajkos) e Partizanit në ndeshjen kthimit në Torino, tash me bashkëtrajner edhe Loro Boriçin, më 2 tetor 1968, ka patur dramaticitetin e saj dhe Partizani e ka lënë "Stadio Comunale" të Torinos me kryet lart…

Nga libri në punim i BESNIK DIZDARIT: “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, Libri 6



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora