E marte, 19.03.2024, 11:38 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Gjirokastra e princeshës Argjiro a Gjinokastra e Gjin Bua Shpatës?

E hene, 02.09.2019, 06:16 PM


Gjirokastra e princeshës Argjiro a Gjinokastra e Gjin Bua Shpatës?

Nga Gani Mehmetaj

Derisa kaptoja para gati tridhjetë vjetësh me makinën time rrafshnaltën e zhveshur nga Follorina në Janinë, pyesja vetën: nga e marrin ujin disa vendbanime me shtëpi guri në kurrizin e lartë të shkëmbit? Emrat e vendbanimeve me dolën nga mendja. Ishte udhëtimi im i parë nëpër një rrugë të vështirë për vozitje, që pak kush nga të huajt e kaptonte. Nga qyteti i Ali Pashës pastaj kalova në Gjirokastër, ndërsa vetiu nisa të këndoja këngën "Mora rrugën për Janinë", megjithëse unë vija nga Janina.

Të njëjtën pyetje për ujin ia shtrova arkeologut për Artanën. Nga e merrnin ujin kështjellarët e Artanës, një qytet i artë i Dardanisë, që nuk është më (u shua nga luftërat e fundit të mesjetës (1689). Nga uji i shiut e puset e thella nëntokësore, me tha ai. Për Gjirokastrën e mësova shumë vjet para se ta vizitoja, duke i lexuar "Kronikë në gur"e "Qyteti i Jugut".

Këto vendbanime në tri shtete të ndryshme, por që i takonin një etnie me cytin në krahasime nga visoret mbresëlënëse, nga konfiguracioni i ngjashëm dhe nga veçimi. Sa herë marr kthesën e Gjirokastrës prapë i kujtojë ngjashmëritë e vetminë e tyre maje shkëmbi.

Me të shkelur nëpër trotuaret qytetit të vjetër të Gjirokastrës, më së pari të dalin para sysh dy emra: Ismail Kadare, që e përjetësoi "qytetin më të pjerrët në botë", në përmasa planetare, dhe Enver Hoxha, që la vragë jo vetëm në vendlindje, pasi u bë diktator, por la vragë në gjithë Shqipërinë, ndërsa e lemerisi botën. Ndërkaq, personazhi i tretë, Ali Pashë Tepelena, të fanitet kur të jesh ngjitur në krye të qytetit, në kështjellën e vjetër, muret e së cilës i rindërtoi e i forcoi në ethe. Priste luftë e bënte mësymje. Pashai i Janinës la nam edhe me burgun famëkeq që e shfrytëzuan pastaj edhe sundimtarët e mëvonshëm.

Mençuraku (dijetari) Eqrem Çabej rri disi anash, sikur është dhe nuk është gjirokastrit (u lind në Eskishehir, në cepin e Anadollit, nëpër të cilin kalova dy herë kur shkoja për Siri) por me qytetin e lidhnin kujtimet e shkollimi fillestar.

Shkrimtari i madh e ka shtëpinë e rinovuar të frymëzimit djaloshar e të frymëzimeve të mëvonshme. E rinovuar dhe e gatshme për vizitorë është edhe shtëpia e diktatorit Hoxha.

Gjirokastra, njëri nga qytetet antike e mesjetare më interesante të hapësirës shqiptare, ka një histori sa të pasur, aq edhe të trishtë. Arkeologët thonë se është qytet i parahistorisë, mediavelistët shkruajnë se pati jetë dinamike edhe në mesjetë, kronistët e mëvonshëm kanë regjistruar se Ali Pashë Tepelena u përpoq ta rindërtonte, sidomos i rindërtoi ato pjesë të qytetit që i duheshin për luftë e për mbrojtje. Edhe për kohën e tij ka rrëfime e kronika të ndryshme që të rrëqethin. Qyteti u bë qendër e zhvillimeve dramatike të kohës.

Por është e pashmangshme kur të përmendet Gjirokastra, që të mos vihet në pah Gjin Bua Shpata, princ arbëror që shkëlqeu si meteor, duke e shtrirë ndikimin e tij në Artë, Janinë e përtej, që mundi mbretin mizor serb- "shqiptarovrasësin", sikurse e quajtën kronistët e kohës të parin e serbëve në mesjetë. Gjini i fuqishëm u bë sundimtar i këtij qyteti, ndërsa e bëri vasal gjirokastritin Gjin Zenebishin. Një teori e lidh emrin e qytetit me fisin e Argjirëve, që jetonte në atë zonë. Të tjerët emrin e qytetit në trajtën gege Gjinokastër e lidhin me emrin e dy Gjinëve: Gjin Bua Shpatës e Gjin Zenebishit. Sado që është vështirë të dëshmohet se emrin qyteti e mori nga të dy Gjinët, apo nga princesha Argjiro, megjithëse princesha mund ta ketë marrë emrin nga fisi i Argjirëve, kjo e nxit imagjinatën, e shpalos të kaluarën, ia shton sharmin qytetit dhe e bën më atraktiv me historinë interesante.

Gjin Zenebishi e Gjin Bua Shpata do të duhej të rrinin me mburojë, në hyrje të qytetit, çdo qytet tjetër në botë do t'ua bënte një nder të tillë,  ndërsa princesha Argjiro rri pezull si orë mbrojtëse a rojë sipër qytetit, sepse u flijua si shumë femra të tjera të fisme shqiptare për qytetin e tyre.

Sipas legjendës, gjatë rrethimit përfundimtar të qytetit nga turqit, princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit, u hodh nga muret e kështjellës bashkë me djalin e vet për të mos rënë e gjallë në duart e armikut. Që këtu rrodhi edhe emri “Kështjella e Argjiros”, thonë kronistët e qytetit. Legjenda për princeshën Argjiro që u hodh në greminë për të mos rënë në duart e turqve është sa e trishtë, aq edhe sublime për sakrificën e heroizmin. Prapë edhe kjo legjendë e frymëzoi të parin e gjirokastritëve, që të shkruajë për princeshën Argjiro. Pastaj shkroi për “Qytetin e Jugut”, “Kronikën në gurë”, Hankonatët,  “Darkën e gabuar” etj.

Gjirokastra e ndërtuar mbi një kodër që e mbizotëron tërë hapësirën, në mes të rrugëve të karvanëve e rrugës së vjetër antike nga kalonin ushtritë, me kështjellën që bart në vete fshehtësi në themele e nëpër labirinte, me legjendën për fundin tragjik të princeshës Argjiro, që u flijua për nder e për krenarinë e shtresës që i takonte, qyteti "më i pjerrët në botë", është ndër joshjet që nuk duhet anashkaluar.

Fotografitë: Valmir  Mehmetaj



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora