E premte, 26.04.2024, 05:02 PM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Tafa: Publikut të gjerë po i kërkohet të rehabilitojë diktaturën

E enjte, 02.10.2008, 06:00 PM


Publikut të gjerë po i kërkohet të rehabilitojë diktaturën

Nga Gëzim Tafa
 
Pas intervistës së gruas së diktatorit Zyra ime ndodhet në pallatet pranë ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”. Dikur kjo stallë quhej Ekspozita Kineze, por ndryshoi emërtimin ditën kur Kina e madhe tradhëtoi idetë e Marksizëm-Leninizmit. Si për ironi të fatit, e për t’i treguar mbarë botës se çfarë ishte në gjendje të bënte me ekonominë e saj të jashtëzakonshme ky vend i vogël, ka mbetur deri në ditët tona kjo ngrehinë, reminishencë e asaj epoke të absurde. Sot kjo rrangallë është kthyer në studio televizive, simbol i medias së lire, të lirisë së fjalës, të emancipimit e qytetarisë. Kjo sallë, u krijon mundësi të shprehen lirshëm gjithkujt; demokratë, komunistë, vasalë, imoralë, drogmenë a gjeni. Por rrugës kur shkoj për në zyrën time më qëllon të këmbehem me femra seksi, me njerëz me shije elegantë, makina luksoze e shoferë të gatshëm për në kompeticionet e Formula Uno-s, fëmijë në bord, karrocierë, ahengxhinj, fshesarë jevgj, punëtorë të nderuar, drogmenë, gazetarë, jehovaistë e gjithfarë soj rracash e intelektesh. Edhe kjo është arritje e demokracisë. Por… rituali im i vajtje-ardhjes për në punë nuk mund të kuptohet pa Yllin. Ylli është ai i çmenduri që lëviz lirshëm dhe ulërin fort nëpër rrugët para dhe pas Ekspozitës, pa lejen e mjekut, pa e prishur terezinë e tij as nga qentë e zgjebosur që i bëjnë shoqëri. Kullot nëpër kazanët e plehrave dhe shan me mllef ç’i përmban libri i familjes njerëzit e njohur të politikës. Ylli ulërin. Lemeris dynjanë me ligjërimet absurde mbi filozofinë, politikën dhe personazhet vip. Recitativi i rëndësishëm i tij ka të bëjë me ndjesinë vetëmohuese ndaj komunizmit, ndaj simboleve të tij. Ylli shëtit në lulishtet e bukura mes pallateve me hap solemn, me fotografinë e Enverit në ballë, me xhaketën që shndrit nga zhuli e kundërmon erë bajge e urine, hijeshuar me yllin e kuq pesëcepësh në majë të jakës së majtë. Mbasi përshkon ushtarakisht gjithë kompleksin modern të banesave, kthehet pranë hyrjes qendrore të Ekspozitës “Shqipëria Sot”, përqendrohet si mbi piedestal dhe “reciton” këngën epike ‘Enver Hoxha tungjatjeta...’ Ndërkohë, nostalgjikë delirantë të ngadhnjyer nga lëvizjet dhe shprehjet patetike të Yllit, një nga një i aviten pranë, heqin kapelet e currufjepsura nga kokat bosh dhe përkulen me respekt para tij! Ai është i revoltuar dhe nuk ështe aspak dakord me qëndrimin që mbahet në këto tetëmbëdhjetë vjet demokraci ndaj figurës së komandantit legjendar Enver Hoxha, ndaj baltës që hidhet mbi veprën dhe portretin së udhëheqësit. Çuditërisht, i të njëjtës linjë ishte edhe rrëfimi i së hënës në mbrëmje, në “Shqip” -in e Rudina Xhungës. Intervista ekskluzive me Vejushën e dikatorit Enver Hoxha, gjysmë apologji, gjysmë mllef e kërkesë shpagimi, përbënin boshtin e logjikës së pafajësisë. E binda veten të qëndroj urtë, ashtu siç bëj me Yllin e Ekspozitës “Shqipëria sot”, për të dëgjuar deri në fund akuzën. Me të vërtetë kohët kanë ndryshuar. Kanë kaluar vite dhe vejusha duhet të ketë mbi nëntëdhjetë vite mbi kurriz, por vazhdon të jetë e freskët mendërisht dhe e bën skanerin e jetesës së saj që nga lindja e vet, bile që nga lindja e burrit të saj diktator (këtë e ka me të dëgjuar) tek komentet për liderët e politikës së sotme, nga analiza mbi gjeopolitikën dhe fatin e superfuqive borgjezo-revizioniste. Asgjë nuk ka ndryshuar në keqformatimin malinj të kësaj figure kyç të historisë shqiptare. Në krye të herës dua të cek se Nexhmije Hoxha ishte e kthjellët. Enveri, burri i saj kishte rrjedhur mendërisht që në moshën gjashtëdhjetëvjeçare. Kjo veti ishte e dukshme edhe në sfondin ilustrues të bisedës që na dhuroi (e)misioni i Xhungës. Sidomos vejusha Hoxha u duk e përkëdhelur dhe bënte ojnat e zonjushës së dashuruar me “engjëllin mbrojtës” të saj, “fisnikun” e rrethuar vetëm nga armiq të shumtë. Edhe pse shoqëria shqiptare po kalon një periudhë të gjatë amullie dhe bjerrjeje dhe se kjo shoqëri e ngatërron harresën me tolerancën, matufepsjen me indiferencën, snobizmin me injorancën ngjarje si kjo nuk mund ti kapërdijë lehtë. Kjo grua e çuditshme fliste prerë mbi pabesitë, krimet, përndjekjet që i kishin shkaktuar bashkëshortit të saj duke apeluar për këtë viktimë. Unë mendoj se nuk është çeshtje tolerance, por marrëzi kolektive kur e dëgjon tek shfajësohet dhe kërkon të drejtat e nëpërkëmbura, bash bashkëhartuesja dhe materializuesja e përndjekjeve dhe gjenocidit të pashembullt pesëdhjetëvjeçar. Problemi rëndohet kur orët kalojnë dhe mbetesh para ekranit, i shokuar sepse kupton se ne, pra shoqëria e sotme, i ka shkaktuar mjerim e vuajtje tetëmbëdhjetëvjeçare edhe vetë diktatores Nexhi. Është e vërtetë se në shoqëritë demokratike bashkekzistenca është kushti parësor i hartimit të projekteve perspektive. Ashtu si edhe toleranca e fryma e mirëkuptimit përcaktojnë edhe shkallën e emancipimit të këtyre shoqërive, por kjo nuk duhet kuptuar si kompleksitet fajit e ku gjithkush që ka kryer krime nuk mund të përgjigjet për to. Nexhmije Hoxha ishte e frikshme dhe imponuese në qartësinë e mesazheve, se vazhdon të mbetet pikë orientimi në histori. Me qëllim, ajo shtrembëroi e përbalti ato ngjarje që lidhen ngushtë me personin dhe familjen. Ligjërata e saj vulgare ishte terr mbi krimin dhe pa ndjesi njerëzore. Edhe mbas kaq vitesh, nuk kërkoi falje mbi gjithçka kishte kryer gjatë sundimit të tmerrshëm. Nuk u “rrëfye”, por i ngarkoi me faj dhe akuzoi emra konkretë e periferikë të diktaturës, veti kjo e komunizmit doktrinar. Jo rastësisht ky emision ishte vendosur pranë një të vërtetë hyjnore, Ditës së Bajramit, ditës së faljes së mëkateve dhe ndërtimit të urave të reja drejt harmonisë e paqes. Si mesazhe ndaj kësaj dite të madhe në “Shqipin” e Xhungës morëm direktivën ricikluese të diktaturës, intervistën hakërryese dhe kërkesën për shpagim, kthimin e meritave, aseteve pasurore dhe ndereve të humbura për çiftin Nexhmije dhe Enver Hoxha. Është e vërtetë se shoqëria shqiptare po kalon traumat e rënda të ndryshimit të sistemeve, por pavarësisht kësaj, kalvari i vuajtjeve dhe plaga e vargonjve të diktaturës së proletariatit ende janë të flashkëta. Kështu, abuzimi me këtë hapsirë kapilare që të jep demokracia nuk mund të përbaltë qindra mijëra vuajtje të jetëve njerëzore. E çka është më e rëndësishme me një qetësi tronditëse në ekranin më të madh shqiptar kërkohet pafajësi, drejtësi për kriminelët e diktatorë paranojakë. Pallavrat e vejushës se diktatorin Hoxha e kanë përndjekur, (madje që në lindje) e kanë persekutuar shokët e tij më të ngushtë, vlejnë si pasuri historike dhe element intrigues vetëm për intervistuesen Xhunga, më të mirën dhe më të shquarën e televizioneve shqiptare. Madje edhe të medias së shkruar. Ato fakte vlejnë edhe për sojin dhe grupin organizator për rehabilitimin dhe vënien në vend të nderit të nëpërkëmbur të komandantit legjendar në prag të njëqindvjetorit të lindjes së tij, si dhe për Yllin e çmendur. Ky aksion ka filluar me zell dhe tashmë lëvizja ka marrë tipare të kristalizuar. Se deri ku mund të arrijë kjo lëvizje le të presim. Personalisht nuk mund të pajtohem me atë se çfarë dëgjova të hënën. Nuk mund të jem i qetë kur gjurmët e krimeve monstruoze të diktaturës që formëzoi familja Hoxha janë të freskëta, kur ende ka nëna që vajtojnë për djemtë e vajzat e vrara e që nuk u gjenden varret, kur ende ka poetë me litar në fyt dhe nuk i kanë shkruar akoma vargjet e fundit për më shumë hapësirë lirie, kur ende toga e pushkatimit i rimbush karabinat për të shkrehur mbi klerikë që predikojnë më shumë prosperitet e demokraci. Vetëm ai sistem i ngritur pesëdhjetë vjet mrekullisht mbi poshtërimin njerëzor dhe krimin nuk mund të kërkojë rikthim. Por përtej minutazhit të atij emisioni të frikshëm, duket ideuar me kujdes nga intervistuesja, vizatohet përmasa e lidhjeve të vjetra, detyrimeve personale dhe dashurive të mundimshme e dështake të ideatorëve marksistë leninistë, të riorganizimit të celulave, të shërbimeve klanore që guxojnë e hedhin baltë mbi viktimat. Nuk është mbushur java nga dita e homazhit të një vjetorit të vdekjes të At Zef Pllumit, njëri nga klerikët e plejadës më të ndritur të historisë kombëtare, i cili barti mbi shpinë i vetëm tre dekada burg. Viktimë e sistemit të qëndisur me kujdes nga bashkëshortët Hoxha. A duhet besuar Nexhmije Hoxha kur deklaroi se populli shqiptar është i pafe dhe se nuk ishte burri i saj që kishte dhënë urdhër për të vënë dorën e dhunshme mbi klerin dhe institucionet fetare, ndërkohë që këmba e rëndë e diktaturës ka shkelur e dhunuar këtë pjesë të vyer të dinjitet tonë historik? Mos vallë duhet “duartrokitur” ai bashkëbisedim i turpshëm me shtrembërime faktesh historike, përbaltje e shpifje vetëm ngaqë bashkëbiseduesja ngashërehej e ngazëllehej e lumtur nga rrëfimi i vejushës? Duhet të jesh i çmendur, shërbëtor i skajshëm ose me qëllime të këqija të pranosh se Enver Hoxha nuk ka bërë asnjë krim. Kësisoj i mbetet viktimave të duartrokasin ligjërimin e turpshëm të Nexhmijes që nuk i dridhej aspak syri dhe zëri. Sepse të pohosh solemnisht se krimineli i vetëm në Shqipërinë e dikaturës pesëdhjetë vjeçare ishte Koçi Xoxe dhe se ishte ky injorant shëmtarak, i shkurtër, që persekutoi edhe Enverin, bile e izoloi, ata që e dëgjojnë duhet të jenë të matufepsur. Sepse të pranosh pa e kundërshtuar e të besosh në deklaratën tronditëse se në Shqipëri ka patur luftë klasash dhe që lufta e klasave nuk ka patur viktima dhe se sot ajo vazhdon të viktimizojë, këtu nuk kemi të bëjmë me të çmendur. Është qëllim politik i mirëorganizuar. Sepse të besosh që ekonomia shqiptare ka lulëzuar në epokën e socializmit dhe se populli shqiptar nuk e ka njohur urinë, persekutimin, burgjet dhe se sjellja e shëmtuar e brutale ndaj monumenteve dhe busteve të diktatorit e lëvizjes së viteve nëntëdhjetë është një pikë ku historia duhet të ndalet duhet guxim i madh. Kam paragjykuar mendimin se historia duhet rishkruar dhe se shumë segmente të saj duhet të përmbysen për arsyen e thjeshtë se ka shtrembërime banale. Por mbas kësaj bisede jam i bindur se historia duhet shkruar. Biles, ndaj të njëjtin mendim edhe me vejushën Hoxha që jep direktiva nga shtëpia e saj nëpërmjet ekranit të këtij televizioni modern, si dikur nga karrigia e Komitetit Qendror, fatkeqësisë sonë pesëdhjetëvjeçare. Por do të ishte fatkeqësi fatale nëse shkruhej përsëri nga të njëjtat persona që rekomandoi shoqja Nexhi. Kjo racë nuk ndryshon lehtë. Është e mirëorganizuar dhe i shërben me vetmohim të pashembullt kauzës si arkivë e së keqes, duke u kthyer kështu në lider i besueshëm i një kategorie të caktuar gazetarësh të angazhuar jo vetëm shpirtërisht. Vejusha Nexhi ishte imponuese e frikshme dhe urdhëruese. Edhe pse me përmasa butaforike dhe groteske, misioni i diktatores dhe i atyre që i shërbejnë me devotshmëri janë fakt që duhet vëzhguar me kujdes. Pavarësisht mendimit se jemi në kapërcyellin e një shoqërie të hapur dhe se paragjykimi nuk është bashkudhëtar serioz i kësaj rruge, ndaj aktorëve të rëndësishëm të politikës diktatoriale duhet të jemi konservativë. Kjo nuk duhet kuptuar kurrsesi si cënim i së drejtës njerëzore, as cënim i personalitetit profesional apo fyerje morale, sepse gjendesh në bangën e të akuzuarve dhe të këput gjykata një gjobë të majme sa mund të drekojnë dhjetra vakte ata që ngrenë padi, por si vëmendje që kjo shoqëri nuk mund të përtypë çdo silazhi të gatuar nga këto guzhina ku vetëm e keqja evidentohet lehtë. Diktatorja ishte e saktë, bindëse në qëllimin që i kishte vënë vetes. Ajo nuk la të kuptohej por tha shkoqur që: Enver Hoxha nuk ka bërë krime. Enver Hoxha ka punuar dhe menduar vetëm për popullin dhe se ka ndërtuar një sistemin ekonomik perfekt dhe një shoqëri pa vese. Enver Hoxha nuk e ka përndjekur Klerin fetar dhe se nuk i ka vrarë asnjë nga shokët dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Enver Hoxha ishte patriot, intelektual dhe se e keqja Shqipërisë i ka ardhur vetëm nga udhëheqësit shëmtarakë, të shkurtër dhe pa shkollë... dhe se... tani që po afron 100 vjetori i lindjes së tij duhet të mbahet një qëndrim më i drejtë dhe më tolerant ndaj kësaj figure. Pra i nderuar lexues rehabilitimi i kësaj figure filloi të hënën. Njëra nga pikat e programit të kësaj lëvizja e realizua me sukses. Ne, naivëve, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të bashkërendojmë punën me grupin nismëtar për këtë aksion politik historik. Nga Gjirokastra vijnë lajme se do të festohet me këngë e valle kjo ditë e shënuar e kombit. Pra duhet të nxitojmë të lyejmë e t’i arnojmë me kujdes bustet dhe t’i vendosim në sheshet e dikurshme. Vetëm kështu mund t’i kthehet dinijiteti i shoqërisë sonë. Por ç’t’i bëj vetes time që nuk jam fare dakord me mendjen e diktatores, as me berihajin e televizionit e nuk mund të shkoj pas tij. As mbas ritmit të lodrës që ka nisë ta kërcejë ajo nuk ecet, se koha e stampimit të negativit të të gjitha figurave të diktataturës dhe e shërbëtorëve të tredhur të saj ka perënduar. Poshtërimi që i është i bërë historisë së gjallë të Shqipërisë, klasës së të persektuarve dhe viktimave të diktaturës nga ky emision nëpërmjet rehabilitimit të Nexhmije Hoxhës, personazhit më të rëndësishëm nën “mbretërimin” e diktatorit nuk mund të kalohet vetëm me kapërdimin e frazës kjo është mrekullia e demokracisë, kjo është liria e fjalës dhe pasqyra e një media të lirë që e fituam në nëntëdhjetën. Diktaturat nuk rehabilitohen me emisione shterpë, pasion dërdëllitës e thirrje për rishikimin e historisë kur ende rrugët e Shqipërisë kanë njolla të ngrohta gjaku shkaktuar nga diktatura e proletariatit e Enver dhe Nexhmije Hoxhës. Me sa duket detyrimet personale janë marrëdhënie varësie. Nesër kur të shkoj për në zyrën time afër Ekspozitës Shqipëria Sot ku janë studiot televizive, Ylli, ai i çmenduri i rrezikshëm do jetë i lumturuar duke kënduar me dyqind petrita / komunistë lule.... dhe unë do ul kokën i turpëruar sepse, ngjitur me ekspozitën një i ish i burgosur politik i dashuruar marrëzisht me demokracinë shet me tezgë pranë trotuarit orendi të ndryshme për të siguruar ushqimin e përditshëm për familjen. Njëri grish klientët e tij me respektin, tolerancën dhe mirësjelljen e fisniktë, ndërsa tjetri, tellall i regjimit të degradur e pervers, hipokrit e kriminal, kundërmon erë të qelbur e i bën kalimtarët të ndryshojnë rrugë. Në të vërtetë duhet ti largohemi të keqes edhe kur ajo servilet nga emisione luksi, sepse komunistët nuk jepen para asnjë “vështirësie” . Kjo është deviza e tyre, e realizuar mediatikisht nga misionarët e vyshkur modernë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Henri Çili: Nexhmija dhe gazetat, prapë me biografitë! Intervistë me zotin Prof. dr. Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë U arrit bashkepunimi vllazror midis komuniteteve shqiptare ne Kanada! Thanas L. Gjika: Po të isha unë Nexhmie Hoxha Krimet e Nexhmije Hoxhës fillojnë nga vrasja e Qemal Stafës e deri te vizitat e Aldo Bares në burg Reagim i këshilltarit te perkohshem të “Komunitetit shqiptaro-katolik të Torontos” z.Gjergj Nikolla Florent Rrahmani: Akuzat pa fakte, si të mos thuash asgjë, më mirë asgjë, se diq të paqëndrueshme dhe të pabazuar Albert Shabanaj: Letër dikur shokut tim ne migrim, tani zyrtar i Prishtinës! Kadare, e Vetmja Vlerë Shqiptare në Tregun Botëror Selim Hasanaj: Të vetdijsohet ndergjegjëja e shqiptarve, të demaskohen njerzit si Sheradin Berisha Joseph J. DioGuardi: Cila është zgjidhja? Mentor Nazarko: Varrezat dhe shkollat. Kisha ne mes Fatos Lubonja: Rasti “Morava” dhe trafiku i drogës Selim Hasanaj: Drejtësia dhe ligji i shtetit te mvetsishëm të Dardanisë duhet t'i mbrojë Kolosët e Kombit Frashër Demaj: Matoshi shkon më larg se historiografia serbe Selim Hasanaj: Aferim familes Mehaj, Kabashi dhe Maksutaj të fshatrave të Istogut Dardan e Dardane Kabashi: Çka vërtetojnë “më së miri”,”faktet” e Qemajl Morinës?! Ilir Dardani: Nektari i shqiptarizmit: Nora, Shota, Tringa, Pajaziti, Rugova Kryetari i shoqates shqiptare ne Toronto sqaron zotin Tedeschini Edmond Tupja: Nga dashuria për shqiponjën

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora