E marte, 23.07.2019, 08:13 AM (GMT+1)

Komente

Gjekë Gjonaj: Intervistë me kryetarin e Shoqatës “ Malësia e Madhe” në Michigen , Ruzhdi Gjokaj

E hene, 08.04.2019, 07:00 PM


Intervistë me kryetarin e Shoqatës “ Malësia e Madhe” në Michigen , Ruzhdi Gjokaj

Punojmë për të mirën e vendlindjes

Intervistoi: Gjekë Gjonaj

Koha javore:     I nderuar z. Gjokaj, sinqerisht  i gëzohem  takimit me  Ju  këtu  në  Tuz, ku erdhët  nga  Detroiti  para  zgjedhjeve lokale në  Tuz. Cili është qëllimi   i kësaj vizitë vendlindjes  Tuaj të dashur, të cilën  nuk e harroni  kurrë dhe përherë e mbani në zemër?
Së pari faleminderit për përkushtimin tuaj dhe kohën që më keni kushtuar  mua si kryetar i Shoqatës “ Malësia e Madhe” në Michigen.Përfitoj nga rasti     përshëndes të gjithë lexuesit  tuaj kudo që gjinden të ndarë nëpër botë dhe  në vendlindje.  Një përshëndetje të veçantë për të gjithë ata votues që kësaj herë  votuan  per vendlindjen e vet,  për  komunën  e pavarur të Tuzit   e cila gjatë katër vitet e ardhshme do të drejtohet  me sa di unë për herë të parë nga përfaqësuesit e subjekteve politike nacionale shqiptare dhe do të ketë administratë shqiptare. 
Te kthehem në pyetjen tuaj konkrete .Në Maslësi kam ardhur më 26 shkurt dhe menjëherë kam filluar punën me qëllim  që të ndihmoj sa më shumë jo vetëm unë por të gjitë ata që kanë ardhur nga diaspora  me shpenzime vetanake të sensibilizojmë qytetarët e Malësisë që të votojnë në numër sa më të madh partitë politike shqiptare. Bashkë me  mërgimtarët e tjerë nga Malësia morëm pjesë aktive në promovime partiake anë e mbanë Malësisë    duke shlyer kështu  një borxh të madh  që kemi ndaj vendlindjes.  Dhe na gëzon fakti se i gjithë mundi dhe përpjekjet tona të përbashkëta u kurorëzuan me fitore, gjë e cila na ka  kënaqur dhe lumturuar shumë.

Koha javore: Në zgjedhjet e para   në Komunën e Pavarur të Tuzit  Forumi Shqiptar “ Malësia na Bashkon” fitoi shumicën e mandateve. Si e komentoni këtë fitore e cila nga shqiptarët u vlerësua si historike?

Vërtetë fitore  historike dhe mburremi për këtë.Sepse   i kemi treguar botës shqiptare se si punohet për të mirën e vendlindjes. Se   si bashkohet rreth një qëlllimi madhor e të përbashkët  nje grup i vogël i popullit që e quajmë veten Malësorë,   që në thelb   jemi një dhe  gjithçka kemi të përbashkët, duke u nisur nga gjaku, gjuha,  kultura, territori dhe gjithshka tjetër që  e krakterizon një vllazëri ( popull).  Jeta jonë është e përbashkët  pavarësisht se  ne mund të besojmë shpirtërisht  çfarëdo ndiejmë e dëshirojmë . Në këtë pikëpamje ne asnjëherë nuk duhet të dyshojmë.

Është  bërë punë shumë  e mirë me bashkimin e partive shqiptare të cilat  pothuajse kanë  të njëjtën platformë  politike për krejt  Malësinë  dhe unë nuk e shoh të arsyshme pse ato të  mos  bashkohen dhe të veprojnë  së bashku.  Dua të  veçoj rininë tonë të shkëlqyeshme,  nga të gjitha trevat e  Malësisë ,   e cila  personalisht   më ka motivuar  të bëj edhe më shumë,  madje  shumë herë  edhe ka ndikuar emocionalisht në mua. Ndjehem krenar që kemi një rini kaq të edukuar, kaq  të emancipuar, kaq të arsimuar dhe kaq adhurues të vendlindjes së tyre. Kjo kënaqësi nuk mund të  shprehet me fjalë. Ajo vetëm mund të përjetohet. Po ashtu shpreh respektin dhe mirënjohjen time edhe për Forumin Shqiptar “ Malësia na Bashkon “, i cili gjithësesi  meriton çdo lëvdatë edhe në nivel kombëtar për punën e bërë. Nga udhëheqësit dhe i gjithë ekipi i këtij forumi mund të nxjerin mësim  edhe të tjerët tjerët se si duhet vendlindja dhe vendi ku jetojmë. Slogani im ishte “Vetëm së bashku fitojmë”. Dhe vërtetë kështu  ndodhi. Fitoi  e gjithë Malësia.

Koha javore: Vazhdimisht mërgimtarët  nga Malësia, Ju personalisht  dhe shoqata që e drejtoni me sukses,  e kanë mbështetur themelimin e Komunës së Pavarur të Tuzit. Dhe, kjo ëndërr  e malësorëve  tashmë  është  realitet. A mendoni se  në të ardhmen   kjo komunë do të kryejë  më mirë funksionin  e vet  në shërbim të mirëqenies së qytetarëve të saj?
Po.  Fatmirësisht ëndërra jonë tashmë u bë realitet. Për këtë gjithë kohën kemi punuar intensivisht ne në diasporë me të gjitha mjetet  demokratike ,  duke kontaktuar senatorë dhe kongresmenë të shteteve ku jetojmë, por edhe me protesta para Shtëpisë së Bardhë dhe Ambasadës së Malit te Zi në Uashington. Domethënë   kemi shprehur moskënaqësine tonë se me të vërtetë statusi i mëparshëm i Komunës së Tuzit  në kuadër të kryeqytetit  ka zgjatur shumë,  pa nevojë. Sepse , sipas mendimit tonë,  si e tillë  nuk do të mund të ishte  në funksion të plotë    nevojave    qytetarëve të saj.  Personalisht mendoj se ky ishte një gabim shumë i madh i atyre    që e  mbajten peng  Malësinë  gjithë këto  vite. Këtë e dëshmon moszhvillimi i Malësisë gjatë viteve, ku nuk është punuar asgjë përveç se, para fushatave zgjedhore,  janë mbushur gropa me asfalt, duke promovuar kështu veteveten partitë në pushtet. Dhe këtë  kësaj herë e kuptuan mirë  qytetarët e Malësisë, të cilët i ndëshkuan ata me votën e tyre.

Ne mërgimtarët  pushtetin e ri do ta  përcjellim  nga larg , por nuk do të përzihemi në punën e tij , sepse e vlerësojmë se nuk  do të ishte mirë.  Dëhirojmë me gjithë zemër që  ky pushtet gjatëë katër viteve të ardhshme të tregojë aftësi, në të gjitha fushat e vetëqeverisjes lokale. Urojmë dhe shpresojmë   të jenë të suksesshëm në shërbim të të gjithë qytetarëve të Malësisë. Por edhe të kenë kujdes nga opozita, e cila nuk flenë.

Koha javore: Pa investime nuk ka zhvillim ekonomik. Nga kontaktet që keni me komunitetin  tonë në SHBA, çfarë interesimi kanë ata për të mbështetur projektet  që do t’i kandidojë pushteti i ri i Komunës së Tuzit, ose për investime vetanake në funksion të zhvillimit të Malësisë?
Për këtë ende nuk kemi marrë asnjë hap konkret. Por  do të ishte më se e mirëseardhur që të gjejmë disa afaristë apo kompani që do të investonin në Malësi.Mirëpo, duke ditur se     Komunën e Tuzit momentalisht  nuk egziston ndonjë  zonë industriale apo   turistike,  duhet filluar nga  fillimi. E çdo fillim është i vështirë. Por me punë e përkushtim besoj se të gjithë së bashku do t’ia dalim. Ne kemi besim në kryesinë e re të Komunës së Tuzit se do të dijë të drejtojë  me sukses këtë komunë. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë drejtim , pasi diapsora jonë ka potencial  në shumë fusha të jetës, dhe këtë gjë  e kemi dëshmuar në Shtete të Bashkuara të Amerikës.

Koha javore:  Si mërgimtar i cili vazhdimisht e viziton Malësinë çfarë ndryshimesh pozitive  infrastrukturore  ka përjetuar kjo  trevë e  lavdishme shqiptare në periudhën e tranzicionit?

Shumë pytetje e vështirë për t’u përgjigjur.  Sepse si do të pçërgjigjem dikuish do të preket. Çdo gjë që është ndërtuar në Malësi deri më tani është ndërtuar  edhe me kontributin e dispaorës. Pa  djersën tonë asgjë nuk është punuar në Malësi. Kush i ndërtoi rrugët, asfaltin?  Ne  të gjithë së bashku, e jo komunat e shteti vetëm. Pse ti japim dikujt tjetër kredi për këtë përveç se prenë shiritin e kuq, hëngrën e pinë  dhe u kthyen  duke na thënë : “Falemiderit në pritje,  na thirrni përsëri”. Kur është fjala për elektifikimin ai është bërë për interesin e kompanisë elektrike. Pse t’i falënderojmë ne ata   për atë që  ne u dhamë partatë tona  dhe ata tani marrin paratë nga investimet tona. Domethënë  edhe kështu  na kanë shfrytzuar. Vallë, a mos duhet falënderuar për ndërtimin e Qendrës Kulturore, e cila është ndërtuar  me djersën e diasporës. Thënë shkurt, puna e deritashme e institucioneve komunale dhe shtetërore sa i përket investimeve në Malësi nuk meriton notë kaluese. Ndoshta jam pak i ashpër në vlerësimet e mia, por i këtillë jam unë, konkret, i sinqert dhe transparent.

Koha javore: Në aspektin e zhvillimeve negative, në aspektin e ruajtjes së  trashëgimisë  dhe identitetit  të banorëve të Malësisë  a ju vret syrin  ndonjë dukuri   shqetësuese?

Syri më vretë shumëçka në Malësi. Për t’i thënë të gjitha do më duhej një gazetë e tërë, apo një gjysmë libri.  Jam shumë i brengosur dhe i shqetësuar për faktin  se Malësia nuk ka asnjë muzeum , përveç disa muzeumeve të vogla individuale, të cilat  janë lënë në mëshirën e fatit dhe në përkujdesjen e pronarëve  të harruar nga institucionet vendore e qëndrore.  Për mua kjo është dukuri negative me pasoja të mëdha, sepse jo më kot thuhet   nëse dëshiron  të shkatërroshë një popull shkatërroja kulturën dhe historinë, e pastaj të tjerat shkatërrohen vetë.

Koha javore:Malësia e përcjellë në kujtesën ( memorien) e paraardhësve tanë është krahinë tradicionale e vlerave të gjithanshme , por sidomos e atyre shpirtërore dhe shoqërore, si harmonia dhe shkueshmëria  e madhe me fqinjët dhe të afërmit. Me ndryshimin e sistemeve  sa ka ruajtur  Malësia nga tiparet  e saj tradicionale, si mikpritjen, bujarin, besën, dashurinë ndaj punës  dhe respektin  e ndërsjellët?
Neve si popull jemi shumë bujarë. Bujarinë e kemi trashëguar nga të parët tonë. Për tiparet tona tradicionale  ka shkruar poeti ynë i madh At Gjergj Fishta e shumë shkrimtarë të njohur shqiptarë dhe kronistë të huaj. Vec kësaj ne malësorët jemi   shumë pranë njëri tjetrit. Kemi shumë kumbari e vëllamëri me njëri tjetrin. Këto tipare, sikurse edhe tradita jonë e lashtë dhe e lavdishme   për fat të mirë vazhdojnë të ruhen dhe të kultivohen  në vendlinjdje dhe në diapsorë. Kjo gjë është  shumë pozitive për brezat që vinë, për të ardhmen e tyre.

Koha javore: Po nga tradita kulturore dhe artistike , sipas mendimit tuaj, çfarë kanë ruajtur, çfarë kanë deformuar apo kanë humbur malësorët?

Me largimin e popullatës së Malesisë ( pothujase gati 3/4 janë  në mëgrim  dhe një pjesë  e tyre kurrmë  nuk do të  kthehen në vendlindje) zvogëlohet   mundësia e ruajtjes së  traditës. Kjo na dëmton të gjithëve si komb.  
Këtu në Malësi egzistojnë shoqëritë kulturore - artistike që mundohen me fanatizëm të ruajnë atë që trashëguam. Vërej se suksesi nuk mungon.  Veçoj me këtë rast Festivalin   Marëkombëtar Foklorik  në Vitojë , i cili meriton çdo lëvdatë dhe ka një jehonë shumë të madhe.
Nga ana tjetër ka edhe dukuri negative. Si për shembull  disa këngëtarë të cilët  me këngët e veta orientale apo forma të tjera të këndimit   po e bastardojnë gjuhën shqipe për fat të keq.

Koha javore: Të flasim pak edhe për  Shoqatën ” Malësia e Madhe” në  Detroit, anëtar dhe kontribuues i të cilit jeni qysh nga themelimi, kurse tani jeni edhe kryetar i saj. Na tregoni për kontributet kryesore të shoqatës për vendlindjen ?

Së pari jam shumë  krenar që përfaqësoj  shoqatën  më të fuqishme në diasporë, gjë të cilën e kemi  kemi dëshmuar tash 17 vite.  Malësorët kanë punuar dhe punojnë ditë e natë. Ne  jemi të angazhauar në të gjitha sferat e jetës. Kemi ndihmuar   shumë individë të sëmurë., studentë , politikanë. E duan   me gjithë zemër e shpirt vendlindjen. Nuk kursehemi ta ndihmojmë atë në çdo aspekt e moment të nevojshëm. Bëjmë aq sa mundemi. Të gjithë jemi vullnetarë. Punojmë pa kurrfarë kompensimi. Donacionet që ne i fitojmë shkojnë të plota. Domethënë  secili dollar që bashkojmë e japim  dhuratë  aty ku është nevoja e Malsorëve dhe Malësisë. Çdo donacion yni është transparent. Secili njeri  ( donator) ka të drejtë të dijë se ku shkojnë donacionet e tyre. Asgjë nuk e bëjmë fshehurazi. E gjithë puna jonë është  e hapur.Kështu na pëlqen të veprojmë.

Për 17 vjet shoqata jonë ka grumbulluar afro 1.3 milionë dollarë dhe të gjitha   janë  dhënë    Malësi , në Shqipëri dhe në Kosovë… Unë nuk  di ndonjë  shoqatë tjetër me popullatë kaq të vogël  e me zemër kaq të madhe se sa  shoqatën tonë. Dua të theksoj se kjo shoqatë ka pritur politikanë të shquar, duke u nisur nga presidentët shqiptarë të Kosovës , dhe politikanë të Malësisë. Kemi mbajtur simpoziume me karakter kombëtar dhe kidemi organizuar disa   aktivitete  tjera të rëndësishme. Pra, mundohemi të jemi aktiv, të bëjmë sa më pak gabime, ndonëse kush punon patjetër edhe gabon.

Koha javore: Çfarë veprimtarish parashikoni se do të konsistojë veprimtaria e shoqatës për këtë vit?

Në të ardhmen  mendojmë të  vazhdojmë punën e filluar para gati dy dekadash. Të  kontaktojmë sa më shumë  individë që të na ndihmojnë  dhe së bashku të  ndihmojmë të tjerët.

Ma merr mendja se edhe Kryesia e Komunës së Tuzit do ta njoh  vlerën tonë intelektuale, sikurse edhe    pushtetarët në  Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Nëse ata  nuk kanë dëgjuar më parë për ne  jam i sigurt se  zëri ynë është dëgjuar kësaj herë si asnjëherë më parë  në të gjitha vendet ku ka shqiptar se   Malësia ka një diasporë dhe një shoqatë që ka bërë kaq   shumë për vendlindjen e vet.

Dua me këtë rast t’i siguroj të gjithë shqiptarët në Malin e Zi se ne jemi të gatshën t’u ndihmojmë të gjithëve ashtu siç u ndihmuam bashkëvendasve tanë në Malësi. Kontributi ynë kurrë nuk do të mungojë për të mirën e shqiptarëve në trojet e veta etnike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT