E diele, 29.03.2020, 04:46 PM (GMT+1)

Komente

Gjekë Gjonaj: Sfidat e kryetarit të ri të Komunës së Tuzit

E enjte, 28.03.2019, 09:38 PM


Sfidat e kryetarit të ri të Komunës së Tuzit

Qeverisje në shërbim  të qytetarëve , e jo  të pushtetarëve

Nga Gjekë Gjonaj

Tuzi -komuna më e re në Mal të Zi,  nga e shtuna  e kaluar,   fitoi edhe kryetarin e ri  Nikë Gjeloshaj, kandidat i dalë nga bashkimi i tri partive shqiptare. Emërimi i tij nga 21 këshilltarë , 16 nga radhët e Forumit Shqiptar, 4 nga radhët e Partisë Boshnjake dhe 1 nga radhët e  Demokratëve , erdhi pas fitores historike  së përbashkët të Alternativës Shqiptare, Lidhjes  Demokratike të Shqiptarëve dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve,  me moton  “ Malësia na bashkon”. Gjeloshaj  tanimë zyrtarisht është kryetari i parë shqiptar në Komunën e mëvetësishme të Tuzit, që ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe  për faktin se në qoftë se komunën e drejtojnë qytetarë që nuk flasin shqip, atëherë ajo nuk është komunë shqiptare.

Ardhja e tij në krye të kësaj komunë është sfidë jo vetëm për kryetarin Gjeloshaj ,  por edhe  për të gjithë  bashkëpunëtorët e tij, që do të ushtrojnë pushtetin  e ardhshëm katërvjeçar. Edhe pritshmëritë e qytetarëve  të Malësisë janë të mëdha, ndonëse  shumica e tyre e kanë humbur shpresën, apo më mirë të themi janë skeptik që Tuzi për një kohë të shkurtër  mund të ndryshojë  pamjen  e sotme mjaft të zymtë, për mos thënë  gjendjen  mjaft dëshpëruese ( shqetësuese).

Njohësit e mirë të rrjedhave të këtushme politike dhe ekonomike janë të një mendjeje se Tuzi duhet transformuar krejtësisht. Dhe kjo është e mundshme. E kryetari i ri duhet ta pranojë këtë sfidë. Sepse nëse dëshiron të jetë i suksesshëm  (për çka nuk dyshoj), duhet të ndryshojë mënyrën e qeverisjes së Tuzit. Modeli i tij i ri duhet të jetë progresi, e jo pushteti. Kjo sfidë e fuqishme dhe delikate ( e vështirë) për të gjithë shqiptarët mbështetet te vizioni për një të ardhme ku jeta të ketë vulën  e dinjitetit personal dhe profesional, e krahasueshme me vlerat e jetës në  komuna e shtete që e kanë konsoliduar dhe janë duke e zhvilluar këtë standard. Në këtë kuptim Tuzi ka nevojë për një qeverisje e cila  fokusin e vetëm e ka në hapësirën e përbashkët  të jetesës  të të gjithë qytetarëve të tij.

Qeverisja vendore  ka të bëjë vetëm me probleme lokale,  e cila në fokus ka vetëm problemet dhe  nevojat ( hallet) e qytetarëve,  që ata i shohin dhe i prekin çdo ditë,  dhe këtu qëndron përparësia. E jo , siç jemi mësuar shpesh  të dëgjojmë kryetarë komunash  të cilët merren me çështje “ madhore”, me   kryeministra të vendeve të rajonit,  me çështje  globale  e çështje të partisë nga vjen.

Bazuar në përvojën e komunave tjera në Mal të Zi Tuzi ka nevojë për një qeverisje pa pazare e ndasi politike, dhe për një kulturë të re qeverisjeje. Tuzi ka nevojë për një kryetar që merret me probleme konkrete të qytetarëve të saj, me rritjen e mirëqenies së qytetarëve.   Kjo komunë, e cila për herë të parë në  sistemin shumëpartiak në Mal të Zi   do të udhëhiqet ( drejtohet) nga shqiptarët  ka specifikat dhe problemet e veta. Ajo gjithashtu është njëra prej komunave në Mal të Zi ku banojnë qytetarët me nevoja e kërkesa të tyre.

Parimi i programit qeverisës te kryetarit Gjeloshaj  do të duhej të jetë ndryshimi i Tuzit dhe dhënia e identitetit, meqë Tuzi aktualisht nuk ka asgjë me të cilën mund të identifikohet. Misioni dhe  vizioni i tij do të duhej të jetë  që Tuzin ta shohë me infrastrukturë të zhvilluar, bujqësi intensive, mjedis të pastër dhe pasuri natyrore të menaxhuara mirë, turizëm të zhvilluar dhe tërheqës, me vende të reja të  punës, dhe me ekonomi të qëndrueshme.

Mënyra se si është  konceptuar Tuzi deri më sot,  vetëm të arnohet,  respektivisht të kryhen shërbime elementare, mendojmë se  ka kaluar ajo kohë. Domethënë, organizimi i deritashëm  i qeverisjes vendore ka treguar  se nuk ka ecje progresive të dëshirueshme dhe të pritshme nga secili banorë i kësaj komunë. Andaj kryetari i ri i Komunës së Tuzit   do të duhej të tregohej i matur, me durim dhe me përkushtim , por mbi të gjitha me përgjegjësi morale dhe politike në  ushtrimin e detyrës në pajtueshmëri të plotë me  kompetencat e veta ligjore. Dhe gjithë angazhimi dhe puna e tij  të bëhet  në mënyrë transparente,  të kontrolluar dhe  në bazë të rregullave   në pajtim me Ligjin mbi vetëqeverisjen lokale. Bashkëpunimi në nivel vendor e qendror  do të duhej të jetë baza e qeverisjes së kryetarit të ri, qasja e tij dhe  themeli i konceptit të tij qeverisës për komunën, në mënyrë që të përfitojë qytetari e jo pushtetari.

Pritshmëria e qytetarëve të Malësisë , përfshirë këtu  edhe diasporën e saj,  është që kryetari i ri Nikë Gjeloshaj  të bëjë  krejt çka është e mundur që shumica e tyre  të jenë të kënaqur,  t’u ndihmojë  maksimalisht , që asgjë të mos jetë e fshehur dhe çdo vendim të jetë publik dhe sipas ligjit. Qytetarëve të kësaj komunë u mbetet  të shpresojnë  në premtimet e kryetarit të ri   se  përparësia e politikës së  tij   është përparimi ekonomik dhe se për këtë ai ka bashkuar rreth vetes njerëz të shkolluar dhe të ditur. Në vend të përfundimit po e parafrazoj presidentin  e 14-të të  Shteteve të Bashkuara të Amerikës  Abraham Lincoln i cili   ka thënë  se në qoftë se kam pas sukses në karrierën time politike është rezultat i asaj që  jam munduar ta mbajë fjalën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT