Kulturë
Puntorie Ziba: Shën Makbethi
E diele, 03.02.2019, 01:00 PM
Puntorie Ziba
SHËN MAKBETHI
(Shën Makbethi ose fatkobi)
Turp imzot
turp Shën Makbeth,
hëngre e pive shenjtërisht
vure gjithë atë gjak e dhjam në shtat
na zure derën shqyt.
Turp imzot
turp Shën Makbeth,
me krerët famëkëqij
e bëre ajrin deng
që të na ngec në grykë.
Turp imzot
turp shën Makbeth,
i bëre gratë të ulërijnë
ua fute sherrin netëve
ia trete sytë ditës.
Turp imzot
turp Shën Makbeth,
përplase kokë më kokë vargmalet
ku flen shpendi ogurbardhë,
as Drinin binjak se le kulluar.
Çka iu deshtë dheut të të lind,
o Shën Makbeth!
U shofsh fatkobi ynë
boll ke jetuar,
ti burracak që regje sytë e kësaj toke
ah, në ankand e flake për pesë pare.
Turp imzot
turp Shën Makbeth ,
e dhjese famën
dhjese kohën
dhjese shkëlqimin e pritjes
dhjese nurin e buzëqeshur n’faqe trualli.
ÇMENDURI PËRTEJ LËKURËS
( njerëzimi çmendet njëherë në jetë)
Në ditën e çmendjes
qenia futet në katër fille mur
kyçet me shtatë palë dryna
flet me vete
flet me baltën
ia luan syrin hënës
çaravesh ajërin
mbush mushkëritë buzë më buzë
përthith hënën në palcë
përdhunon dritën
përmbush detyrën si burrë
përmbush detyrën si grua
ngatërron fillin,
nis e gris me sy lëkurën
dredh brirët si mëz
ha si mëz
dhe nis e shpif
dhe nis e gënjen
dhe nis e vjedh.
Shqet nga lëkura e tij
rras sytë drejt dritës së beftë
fekondon njomështinë
bëhet për faqe t’zezë
flet jerm...
Ai çel sytë
se mos e ndjek kush
se mos e gëlltit qenia,
fyen ndër dhëmbë atë që ia polli kokën
edhe krijuesin e qenies.
Vesh çorape të leshta, xhup pambuku
fton acarin.
Një lot mushke i shket nga syte
kur kruan hundën.
Në zhurmim humbet trurin
rrit thonjtë
mpreh dhëmbët
dhe nis e grish të tjera vdekje,
tjera shtëpi i hedh në erë.
Në gërmadhë prushi fut qeniet
dhe nis e zbehet
nis e turbullohet
ngaqë ndihet i shëruar.
***
Si ta shembi egërsinë,
epërsinë e kokës së pushtetshme
unë mundim madhja.
S’gjej krahë t’i bie strallit për një eshkë
s’gjej vesh për gurgullima.
E ligështuar çel rrugë
çel kanatin
çel dritaren
çel forcën
çel bisedën
se m’u shterën të dy sytë.
Të keqtë vjen zëshëm
futur ngahershëm në eshtra
fytyrë pikturuar me bojë ajëri
me thonjëza skifteri,
zemër pikturuar me bojë ajëri
lëkurë mekur, gojë çatalle.
Mos ndjell zi
se kam bezdi ta mbaj frymën
pa pikë shqise,
ta ngjëroj këtë plogështi
zhytur në muajt e mykur,
të eci me zor
të rri me zor
të ha me zor
të flas me zor
të marr frymë me zor
të qaj me zor,
midis turbullirash
pa i buzëqesh gjalljes.
Ligështuar çel rrugë
çel kanatin
çel dritaren
çel forcën
çel bisedën
se m’u shterën të dy sytë
nuk i shoh dot qentë e ngopur
as gurgulet e zuzarëve.