E premte, 26.04.2024, 11:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Thurja e modelit

E diele, 03.02.2019, 01:00 PM


Vlerësim letrar

THURJA E MODELIT

Avdush Canaj: “Planeti i buzëqeshjes”, Faik Konica, Prishtinë, 2018

Nga Mehmetali Rexhepi

Avdush Canaj në letrat e bardha të shkrimit shqip, prej tredhjetëvjetarësh e kultivoi të bukurën e fjalës poetike. Pararendësin e parë të kultivimit të së bukurës e kishte njeriun e shtëpisë, vëllanë, poetin martir Alush Canaj. Avdushi  shtegtoi  shtigjeve të vëllait me mallin e tij të përjetshëm, me dhimbjen për gjithçka që e lëndon të mirën, të drejtën, dhuntinë, lirinë, trajtat gazmore të jetës, idealet njerëzore; dëshirat e përjetësinë e botës së virgjër fëmijërore, imagjinatën e tyre të pafajshme. Të shumtën imagjinata e fëmijëve është e pakapshme, e pakonceptueshme, por tejet interesante për t`i konceptuar sendet, dukuritë, shfaqjet e tyre në shpirtin dhe perceptimet e fëmijës, të botës së tyre engjëllore. Kjo botë e pafajësisë mbanë baraspeshën e të mirës kundruall të keqes.

Avdush  Canaj mësyu pa u ndalur shtigjeve, ku besonte se do ta gjente botën e vet poetike. Ai ngulmoi në mësymjen e tij, duke kërkuar shprehjen më të ndjerë, më të hollë, më përmbajtjesore, depërtuese në psiken e fëmijës.

Kush e ka ndjekur me kujdes vazhdimësinë e artikulimit poetik të sferës së krijimtarisë për fëmijë të këtij poeti, ka vënë re parimin e tij krijues: ngutjen e ngadalshme. Nga secili vëllim i radhës, në vjershërimin për fëmijë e të rinj, por edhe në prozën tregimtare po për këtë nivel, te pena e Avdush Canajt shohim ngritje cilësore dhe pjekuri poetike.

Veprimtaria poetike

Avdush Canaj botoi këto vëllime poetike:

“Gjeneral pa epoleta”, Rilindja, Prishtinë, 1993;

“Lepurushi i çokolatave”, tregime, Flaka, Shkup, 1994;

“Gonxhja nga Jupiteri”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 2000;

(Shpallet libri më i mirë i vitit);

“Zogu në derë”, poezi, Rilindja, Prishtinë, 2003;

“A fle peshku me pizhame”, poezi, Rozafa, Prishtinë, 2008;

( I jepet çmimi letrar “Ymer Elshani”);

“ Mollë me syze”, poezi, Rozafa, Prishtinë, 2010;

“ Dallëndyshet e gjumit”, tregime-roman, Zef Serembe, Prishtinë, 2011;

“ Fluturat me sandale”, poezi, Rozafa, Prishtinë, 2013;

“ Ylli pikturon ëndrrën”, poezi, Rozafa, Prishtinë, 2015;

“ Porta e këngës”, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2017;

“ Planeti i buzëqeshjes”, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2018.

Vargu për vargun

Çka na sjell libri me poezi i Avdush Canajt “Planeti i buzëqeshjes”?

Vjershat e këtij vëllimi renditen në ciklet: “ Violina e shpirtit”, “ Më puth edhe pak”, “N`qepallë të një reje”,“Pemë që ecin”,“Katet e haresë”,“Mund të ndodhë”,“Fletorja e dallëndyshes” dhe “Këmisha e këngës”.

Këta shtatë cikle të lartshënuar dhe cikli i tetë, nëse mund të quhet cikël me vetëm një poezi, “Këmisha e këngës”, përmbyllin librin “Planeti i buzëqeshjes” të autorit Avdush Canaj, i botuar gjatë vitit 2018, me njëqind e njëmbëdhjetë faqe tekst dhe me ilustrime bardh-zi, kryesisht në tituj të cikleve të librit.

Ciklet titullohen sipas titullit të ndonjërës prej vjershave, por bëjnë përjashtim dy prej cikleve, i treti dhe i pesti.

Vëllimit poetik “ Planeti i buzëqeshjes” i prinë poezia “Në amfiteatrin e yjeve ka orë letrare”, një titullim paksa prozaik, që përshkohet me tinguj të ngjyrimit të dhimbshëm, duke pasur personazh konkret, poetin martir Alush Canaj. Një hyrje e këtillë në poezitë e këtij libri, nuk mund të merret ndryshe, pos si grishje artistike, që lexuesve të rinj t`iu mbillet dashuria  e respekti dhe ndjeshmëria për prejardhjen e lirisë... Me nota të lehta përshkohen dhimbja e sakrifica, të cilat nuk i rëndojnë kokat, as i ngarkojnë supet e njoma të çunave e çupave me akte të trishtueshme të tragjikes sonë... Mirëpo, bukurshkrimi nis pikërisht aty, prej dhimbjes.

Një hyrje e tillë në këtë libër simpatik, gjithsesi ka edhe përmbylljen, ngase tërë aktet e kërkimit nëpër shtigje të jetës, në ëndrrat dhe zhgjëndrrën e saj, në bëmat dhe përjetimet e tyre, poeti është përkujdesur, që duke vjelë “Fjalëza me gërshetëza”, cicërimë trumcakësh, pamje të lira buzëqeshjesh, metafora, simbole... Kësisoj mëton që vargut, përkatësisht tërësisë së vjershës, duke e shtrirë më tej përshkallëzimin e zmadhimit, t`ia vesh këmishën e vet më të bukur poetike. Çfarë do të jetë ajo këmishë? Me siguri e admiruar prej figurash mbresëlënëse.

Në këtë frymë të ngrohtë, e përshkuar me jone freskie, çelin sythat e pemëve, të lisave, shtrihet e blerta, hapë krahët ndjeshmëria poetike për ta përqafuar harenë e natyrës dhe të shpirtit të poetit. Frymëzimi priret me shikimet e tija kah liqeni. Meqë “shikimi kah liqeni” i duket shenj konceptuese e një përmase të vogël, poeti i jep krah figurës fluturuese të zgjerimit të përmasës... Ndaj, lexuesve të dashur  ua shpalon zemrën e tij “sa një det.”

Grishja e poetit, për çunat e çupat, që të hyjnë brenda portave të hapura të zemrës, është një thirrje e çiltër, që ata t`i shijojnë përjetimet dhe të identifikohen me të bukurën e jetës. Premtimi i grishjes së poetit është i drejtpërdrejtë:

“ Do të gostiten si ka hije,

me musht poezie! ( Një zëmër ju pret), f. 9

Po të rilexohen me vëmendje të përqendruar vargjet e këtij vëllimi, shohim pikëpjekjen e poetit për t`iu drejtuar vargut, për ta forcuar vargun, që vargu të jetë urë e lidhjes së dialogut me subjektin poetik e lexuesin. Jo rrallë, Avdush Canaj vargun e koncepton në funksion të figurës dhe idesë. Një shërbim i tillë i vargut mund të jetë prodhimtar refleksesh, sikurse në strofën e cituar:

“Në një varg

çeli zambaku

në një tjetër

manushaqja!”( Në një varg), f. 14

Mirëpo, përdorimi i dendur ndonjë herë mund të merret si rol teorik i vargut, si përjashtues i figurës. Duket qartazi, poeti nëpërmjet shndërrimit të vargut në figurë, do t`i jap rolin më të lartë misionit të vjershërimit. A mund të jetë çdo herë ashtu? Gjithsesi, këtë premisë teorike poeti e ka parasysh.

Në këtë kontekst, le ta mbështesim diskursin vlerësues  me shkëputje ilustruese:

“Shiu, i miri,

m`i lagu vjershat

pahiri!

E dini

ç`ndodhi pas pak?

Vjershat

çelën zambak” (Magji poetike), f. 15

Më tej vargu si urë lidhjesh me natyrën, me stinën më të bukur, i jep asaj zërin shpirtëzues, sepse:

“pranvera shkruan vargje

në fustane lulesh” (Pranvera shkruan vargje), f.19

Pothuaj se në tërë librin “Planeti i buzëqeshjes”, vargu, metafora, ritmi, rima, poezia janë në funksion të dukurive, qoftë për t`i spikatur motivet e sferës imagjinatave, të kontrasteve të dritës, shkëlqimit të haresë nga brendësia e gëzimit dhe atmosferës gazmore:

“Aria e gjyshit-

poezi e kaçureltë

veshur me fustan

melodie!” (Fustan melodie), f. 49

Ky përbërës ose kjo komponentë poetike, përdorimi i vargut si figurë për kapje motivesh përmes konceptit të tij teorik, autorit i jep hapësirë e mundësi, që ta forcojë konceptin e varg-thurjes dhe t`ia shtojë preferencat artistike  vargut:

“Buzëqeshja

e gërshetave

ëmbëlsojnë rimat nëpër vargje” ose:

“E pikasa atë zambak të vjershës

kur u skuq pak” (Mes dy mollësh), f. 85

Në këtë pikëshikim më shfaqet një mendim i dyfishtë: mos ky lloj diskursi i sferës teorike mund t`i bëhet barrë delikatesës figurative? Megjithatë, poeti Avdush Canaj ka përvojën e duhur të bukur-shkrimit dhe di çka t`i kërkojë, çka t`ia merr e çka t`i lë frymëzimit të vet. Ai di t`i stis simbolet, metaforat, fjalëzat, epitetet, krahasimet poetike dhe njerizimin e sendeve e të dukurive, me botën e perceptimeve të befasishme të fëmijëve. Si? Duke sjellë e pleks fragmente të shpirtit, mozaikë ndjenjash, kontraste pamjesh deri në nuanca. Po ashtu, ai di t`i pajtojë pamjet me imagjinatën, të afërmen me të largëtën, pa përjashtuar trajtat më të ndjeshme të meditimit.

Një diskurs i këtillë artistik ku vargu, figura, ritmi, ndonjëherë rima, pastaj ideja ndërtojnë tërësi poetike: vjershën, ciklin dhe e përshkojnë madje tërësinë e librit. Koncepti varg shndërrohet në  strumbullar të këtij vëllimi poetik.

Evoluimi i shprehjes poetike

Në librin”Planeti i buzëqeshjes” i Avdush Canajt, duke e lexuar dhe rilexuar, kënaqësinë e shtytjes së rileximit ta jep teksti i tij poetik, i konsoliduar varg pas vargu, strofë pas strofe, vjershë pas vjershe. Shumëçka të duket më ndryshe... E shkruar më ndryshe... Si dhe pse më lejohet të pohoj kështu?

Meqë jam lexues i vëllimeve të deritashme poetike të këtij poeti, në këtë libër vërej një artikulim më të lehtë, më të sigurt, më të qartë, të çliruar nga dogma e rimës me çdo kusht, me frymëmarrje të pastër, me ndjeshmëri më të hollë dhe me një ligjërim emocional e ideor më të saktë. Nga sa e si u pohua, u konstatua se Avdush Canaj arrin të bëjë evoluimin e shprehjes artistike. Andaj, në këtë tekst poetik të jepet ndjesia e depërtimit në pamjet që shfaq, të zgjon mbresën e fjetur, të josh pas ngjyrave të hareshme, pas melodive e valsit veror të shpirtit... Me një fjalë, të fton në botën e magjikes, të pritjes së kënaqësisë për ditën e nesërme:

“E di dallëndyshja ime,

e di,

ku e lë çelësin dita

kur bie të fle?” (Dallëndyshja ime), f. 20

Duke lexuar poezinë e Dritëro Agollit, efekti i parë që të bën për vete është natyrshmëria e të shprehurit dhe qartësia e komunikimit figurativ. Të duket i lehtë ai ndërtim teksti artistik, por po provove të bësh diçka të ngjashme, lajthitesh se ia ke dalë të jesh i tillë. Çfarë ishte ai? I thellë në thjeshtësinë e atillë të ndërtimit të sintaksës poetike.

Në këtë vëllim poezish Avdush Canaj ka diçka të tillë, sepse shprehja e tij figurative ka përvetësuar një tipar të ndjeshëm, tiparin e finokërisë poetike. Pa këtë tipar poezia e tij asnjëherë nuk do të çlirohej nga inflacioni i përshkrimeve, duke ia zënë frymën reflekseve, që me pak vijëzime t`i bëhet e qartë brendësia e portretit dhe çka zien së brendshmi ai portret. Poeti u kujdes që imazhet ose pamjet poetike të bëhen të kapshme, të prekshme për kureshtjen e zgjuar, pa e mjegulluar pikënisjen e pikë-kthimin në psiken e njomë të fëmijës. Fëmija është i etur për zbërthime të situatave, të panjohurave që i sjell jeta e mjedisit që e rrethon.

Parimi i qartësisë të artit në përgjithësi është i hershëm. Pikërisht këtë parim e gjakuan klasikët e letërsisë botërore, njëri nga të tillët ishte shkrimtari frëng i shekullit të nëntëmbëdhjetë Anri Bejl-Stendal.

Një model tipik të tillë të qartësisë e hasim në të gjitha poezitë e vëllimit që kemi në dorë:

“Buzëqeshja

lule-çelur

e zemrës!”(Buzëqeshja), f. 24

Tre vargësi i këtillë katër rrokësh, e pohon një realitet aq domethënës dhe po aq të shëndetshëm për bukurinë e qeshjes. Me këtë mënyrë shprehjeje arrihet efekti i dyfishtë: jetësor dhe estetik.

Përgjatë gjithë vëllimit të këtij libri hasim shtjellime interesante, për mënyrën se si i shtron e si iu jep zgjidhje akëcilës ide, akëcilës porosi autori. Nëpërmes komunikimit poetik të shpirtëzimit të natyrës, qiellit, diellit, reve, ylberit, zogjve, lejlekut, shiut, luleve, poeti ia zgjeron përmasat “qiellit të fantazisë”. Burimet e fantazisë kanë një nismë objektive dhe subjektive, së cilës i duhen krahët e imagjinatës për të fluturuar “në prehër të yllit”, “Në ballkon të ylberit” për të shkruar vargje “për faqet e Anilës”. I gjithë ky fluturim ndodh qiellit të fantazisë së poetit.

“Planeti i buzëqeshjes” karakterizohet edhe me dendësi të sferës së mendimit. Djalërisë dhe vashërisë mosha ua ngroh dhe vlon gjakun... Ai gjak doemos duhet ta ketë diku një burim freskie për ta shuar etjen, pastaj dhe një stacion për pushimin e ndjenjave:

“Faqet janë

stacion i buzëve”

Trajta të tilla të mendimit, të semantikës artistike, pa e rënduar konceptin lirik të poezisë, shndërrohen në shtresime tekstore, kur figurat pos vetvetes bartin edhe peshën e mendimit.

Le t`i referohemi evoluimit të shprehjes artistike te poeti Avdush Canaj.

Kapja me lehtësi dhe shtruarja, po ashtu me shkathtësinë e lehtësisë për shtjellim të temave, të motiveve, të situatave jetësore të dhimbshme e të gëzuara, bëhet në hap me ritmet e shpejtuara, të gjallërimit përmes shpejtësisë, të minutave dhe orës së caktuar, të një dinamike që nuk lë kohë për prapakthim, për zvarritje sepse të digjet bileta në xhep.

Ngarendja e shpejtuar dhe zënia e ritmeve të një dinamike të pamëshirshme të jetës, nuk është pa pasoja njerëzore. Një anë të dhimbshme të kësaj dinamike e nënvizojnë tre vargjet në vijim:

“Do të dal në treg nesër

pak kohë t`ia blej babit

për lojën time “

Te ky vjershërim, shohim e ndjejmë qasje tjetër  kundruall dukurive të  natyrës dhe rritës së kërshërisë së fëmijës për gjithçka që frymon jeta, loja, dëshirat, njeriu dhe universi. Natyra me burimet e pashtershme e të kanosur  për shterje, intrigon ekzistencën e njeriut, botën e florës e të faunës. Gjithçka e natyrës pasqyrohet pa ngarkesa të përshkrimit... Mirëpo, asaj i shkëputen vetëm xhevahiret e reflektimit, ndonjë yll, ndonjë rreze, ndonjë vetull ylberi, ndonjë sherbet shiu, për të dalë tek qëllimi. Reflektimet poetike të vargut, të vjershës merren dhe jepen shpejt, shkurt, të zhveshur nga fjalamania, jo pa veshje elegante sipas klimës e motit:

“Bie shi

pikë-pikë.

S`është shi,

s`e sheh?!

Është muzikë! (Rima vere), f. 58

Në poezinë prej tetë vargjesh është mbresëlënës hapja e idesë për motivimin e dashurisë së nënës, që është aq madhe sa vetëm anijet mund ta shpijnë në bregun e pritjes së fëmijëve:

“Liqene zambakësh

sytë e fëmijëve

ku zbarkojnë anijet

me dashuritë e nënave.” (Sytë e fëmijëve), f.60

Po sipas këtij stili, nuk dyshohet për shkarje heterogjene të stilit në tërësinë e librit, poeti spikatë domosdonë e cilësisë së karakterit dhe fisnikërimin e tij, deri në shkallën më sipërore të zotërimit të njeriut:

“Do t`ia shkul flokët urrejtjes,

pa mëshirë ta hudhë

larg në det,

e ta thërras dashurinë me filikaq

të shtrijë gjithkah

mbretërinë e vet!” (Do t`ia shkul flokët urrejtjes), f.71

Përballja e kontrasteve, ka shpërfaqë një shije të denjë të poetit, për figurën e trajtës së zgjeruar të krahasimit që zbërthehet te poezia “Nurembergu”:

“Nurembergu i paskajë

veshur me blerim

Gjilani picirruk me plis

sa ëndrra e syrit tim”

Balada e re

Në motivet jetësore të dhimbjes hasim depërtime finoke të stilit, i cili i shmanget klisheve tematike dhe përsëritjes. Dhimbjen dhe kujtesën i mbush me ndjeshmëri në mënyrën e vet, me figurat e shpirtëzimit e të njerizimit:

“Tek rrënjët e tyre janë eshtrat

e të vrarëve nga barbarët.

E kam parë aty një natë

hënën e përlotur” (Pyllthi i dhimbjes), f.76

Poezia “Si në baladat e moçme” zbërthen një trini, qoftë si fat jetësor e njerëzor, qoftë si fat kombëtar. Këtu spikatet një realitet i hidhur, gjithsesi i dhimbshëm, një vullnet i papërfillur, por i pathyeshëm në qëndresën dhe stoicizmin e tij. Mosnjohja e lumturisë, mohimi i përhershëm i asaj dhuntie njerëzore për paraardhësit e subjektit lirik dhe, ardhja goditëse e atij gjakimi!... Vrasja e kontrastit të lirisë!... Është një baladë e re në vazhdën e baladave tona të historisë. Këtë baladë të re e shpërfaqi realiteti tragjik i Kosovës, por poeti ynë e përjetësoi me veshje figurative; përmes krahasimit dhe përbërësish të ndjeshëm ideorë e emocionalë.

Kjo poezi është e motivuar bindshëm. Ngado që ta shikosh, të ngjan në një vepër të bukur arkitekturale. Vërtet të ngashënjen dhe të emocionon  me artin e saj që ngërthen... Është e ndjeshme, kur personazhit lirik të poezisë, i shfaqet rrethana e ëndërruar me shekuj dhe, pikërisht gëzimi i saj e gëlltit:

“Atë verë, kur ia behu në derë”

ylli i vet ndriti,

Në krahët e saj prej vere

e la shpirti”

Vijimi i këtij diskursi na shpie te rrumbullakimi i vlerësimit, të cilin e përmbushin edhe përbërës tjerë tematikë e ideorë, gjithnjë nëpërmjet stilit të prirë për zbërthime të holla refleksive:

“Babin e kam pa punë,

nënën fshesare.

Do t`i fal një puthje si dielli,

dhe zemrën time krejt!

Krejt!”

Çka shohim e çfarë ndjejmë në këto pesë vargje? Shohim e ndjejmë ngadhënjimin e dashurisë fëmijërore  mbi skamjen!

Përmbyllje

Shkrimi i këtillë artistik, veçmas poezia e Avdush Canajt për fëmijë e të rinj, të zgjon kërshërinë për daljen e çdo libri të ri, sikurse vëllimi aktual i tij. Pse? Ai ka konsoliduar një model të lakmuar të shkrimit të mirëfilltë poetik. Qasjen e tij inventive motivit të stinës, më bindshëm se diskursi ynë vlerësues e dëfton poezia:

RROBAT E VERDHEME

I shkoi erës te veshi

zëri i çdo peme:

S`na rrinë mirë, s`na rrinë,

rrobat e verdheme!

S`jam fajtor, ta dini,

vjeshta kështu deshi.

Dhe si n`shaka, pahiri,

era krejt i zhveshi!

Gjilan, shkurt 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora