E enjte, 31.10.2024, 11:50 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Ludmila Alexeeva - një zë i fuqishëm në mbrojtje të drejtave të njeriut, ka ndërruar jetë

E merkure, 12.12.2018, 06:47 PM


LUDMILA ALEXEEVA: NJË ZË I FUQISHËM NË MBROJTJE TË DREJTAVE TË NJERIUT, KA NDËRRUAR JETË

Nga Frank Shkreli

”Ku fillojnë më në fund të drejtat universale të njeriut?  Në vende të vogëla, afër shtëpisë ku jetojmë – aq afër dhe aq të vogëla janë ato hapësira, sa që nuk mund të shihen në asnjë hartë të botës.  Prandaj, nëqoftse këto të drejta nuk kanë ndonjë vlerë aty ku jetojmë dhe veprojmë, atëherë ato nuk kanë asnjë vlerë, askund tjetër.  Pa veprim të përbashkët të qytetarëve për t’i zbatuar ato në hapësirën dhe në vendin ku banojmë e punojmë, është e kotë të kërkojmë zbatimin e tyre në një botë më të gjërë”, ka thënë Eleanor Roosevelt, promovuesja kryesore e asaj që tani njihet si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.

Më 8 Dhjetor, dy ditë para Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në Moskë ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, Ludmilla Milkhailovna Alexeeva, gruaja më e njohur e lëvizjes së të drejtave të njeriut në Rusi, promovuese e këtyre të drejtave jo vetëm në vendin ku jetonte dhe vepronte, por anë e mbanë botës, për më shumë se 50-vjetë.   Në vitin 1968, ajo është përjashtuar nga Partia Komuniste sovjetike dhe është pushuar nga puna, në një shtëpi botimi, si përfundim i veprimtarisë së saj në mbështetje të zbatimit të drejtave të njeriut.  Në këtë ndërkohë, ajo bashkpunonte me buletinin klandestin të lajmeve, “Kronika e Ngjarjeve Aktuale”, një botim ky që i dedikohej shkeljeve të të drejtave të njeriut anë e mbanë ish-Bashkimit Sovjetik.

Ludmila Alexeeva, historiane, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ish-disidente në Bashkimin Sovjetik, ishte gjithashtu edhe antarja themeluese e Grupit të Helsinki në Moskë më 1976.   Një vit më vonë ajo u detyrua nga autoritetet komuniste të largohej nga Bashkimi Sovjetik për në Shtetet e Bashkuara ku vazhdoi veprimtarinë e saj, në fushën e të drejtave të njeriut.  Gjatë viteve 1960-ta, Ludmila bënte pjesë në lëvizjen disidente sovjetike dhe luftonte për lirimin e disidentëve të burgosur nga regjimi komunist sovjetik.  Autoritetet komuniste nuk mund të toleronin punën e saj dhe të bashkpuntorëve të saj disidentë rusë në mbështetje të të drejtave të njeriut, kështuqë shumë prej tyre u arrestuan ose u detyruan me forcë të emigronin.  Në vitin 1977, Alexeeva detyrohet nga qeveria sovjetike që të emogronte në Shtetet e Bashkuara, ku ajo vazhdoi të promovonte të drejtat e njeriut, ndërsa punonte për shërbimin rus të Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë.  Pas shembjes së komunizmit, ajo është këthyer në atdhe ku ka shërbyer si kryetare e Grupit të Helsinkit, dega e Moskës, ç’prej vitit 1996 dhe konsiderohej si kritike e fortë dhe e pa frikë e politikës së Kremlinit.

Unë e kujtoj me respekt Ludmila Alexeevën, të cilën e kam njohur, falë punës së saj si kontribuese me komentet e saja, për disa vjetë pranë shërbimit rus të Zërit të Amerikës, kur shërbeja si Zëvendës- Drejtor në Drejtorinë e VOA-s për ish-Bashkimin Sovjetik, në fillim të 1990-ave.  Ishte një grua me një trup të brishtë por e vendosur në pikëpamjet e saja anti-komuniste dhe mbrojtëse e flakët e të të drejtave të njeriut, jo vetëm për bashkatdhetarët e saj në Rusi dhe në vendet e tjera të okupuara nga ish-perandoria komuniste sovjetike, përfshirë popujt e Evropës Lindore, por edhe anë e mbanë botës.  Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, anëtare e të cilës ishte, në njoftimin e saj për vdekjen e të ndjerës Ludmila Alexeeva, e cilësoi atë si, “Një figurë të dalluar dhe shembullore për aktivistët e të drejtave të njeriut kudo dhe përgjithmonë: si një zë moral i qartë në mbështetje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.”

Human Rights Watch e njihte mirë punën e saj, pasi ishte anëtare aktive e kësaj organizate.  Ludmila Alexeeva i kushtoi gjithë energjinë dhe zemrën, shumë kauzave dhe çështjeve që kishin të bënin me të drejtat e njeriut, duke filluar nga persekutimi i pa drejtë i njerëzve të thjeshtë gjatë regjimit komunist e deri tek masakrat ruse të civilëve në luftën e Çeçenisë, përfshirë sulmet kundër shoqërisë civile nën pushtetin e Vladimir Putinit.  Për ata që e njihnin mirë, ajo fliste thjeshtë, por me një mesazh të fuqishëm, ishte gjithmonë fisnike dhe e dhimbshme, por edhe e ashpër ndaj kundërshtarëve, po të ishte nevoja.  Ajo refuzoi të sakrifikonte dinjitetin e saj para pushtetit komunist sovjetik dhe më vonë Alexeeva nuk lejoi gjithashtu as politikën aktuale autokratike të Kremlinit që t’i diktonte asaj kushtet e punës ose të veprimtarisë së saj, si aktiviste në mbështetje të të drejtave të njeriut, thuhet ndër të tjera, në njoftimin e Human Rights Watch për vdekjen e disidentes dhe mbrojtëses së të drejtave të njeriut, Ludmila Alexeeva.

Në një intervistë me Human Rights Watch disa vite më parë,   Alexeeva, e ka cilësuar punën e saj si një, “Trysni  ndaj qeverisë për të zgjidhur problemet aktuale të njerëzve.  Nëqoftse për këtë detyrohem të paguaj një çmim të lartë, atëherë unë do të paguaj një çmim të tillë.  Kjo është më e rëndësishme se sa të strukem dhe nga frika të zbatoj urdhërat e autoriteteve.”

Aktive deri në ditët e fundit të jetës së saj, Ludmila Alexeeva qëndroi kritike ndaj ritmit të zhvillimit të demokracisë në Rusi, këto vitet e fundit.  Në një intervistë dhënë radios gjermane Deutsche Welle, ajo shprehet se vitet e fundit në Rusi ka patur një, “Këthim prapa sepse vendi im, pothuaj nuk ka njohur kurrë në historinë e tij periudha lirie, megjithse periudha nga viti 1987 e deri nga mesi i viteve 2000, deri diku, mund të konsiderohet si e tillë.  Bashkimi Sovjetik u shpërbë nga brenda, ne nuk luftuam që të çliroheshim nga komunizmi. Tani jemi të detyruar që të fillojmë ato përpjekje të mundimshme drejtë sigurimit të lirisë së vërtetë, megjithse nuk pres që të shikoj Rusinë si një shtet demokratik.  Por do të ndodhë, sepse ne jemi komb evropian, gjeografikisht, historikisht, fetarisht dhe për nga kultura”, ka thënë Alexeeva për radion gjermane.

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) shprehu keqardhjen për vdekjen e Ludmila Alexeeva, duke e cilësuar atë si “Një prej mbrojtësve më të mëdhej të të drejtave të njeriut në botë.” Në deklaratën e DASH theksohet se, “Deri në ditët e fundit, ajo ishte një forcë në mbështetje të dinjitetit njerëzor, duke frymëzuar breza të tërë qytetarësh aktivistë në atdheun e saj.  Vdekja e saj është një humbje e madhe për të gjithë ata që punojnë për kauzën e lirisë në Rusi dhe anë e mbanë botës, në një kohë kur të drejtave të njeriut dhe burrave e grave -- të cilët me vendosmëri i mbrojnë ato të drejta -- po u bëhet trysni, jo vetëm në Rusi, por dhe në shumë vende të tjera.  Puna dhe veprimtaria e gjatë e Ludmila Alexeeva-s, në mbështetje të të drejtave të njeriut, janë kontribute të përhershme për një botë më të lirë dhe më në paqë”, përfundon deklarata e DASH, me rastin e vdekjes së disidentes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Rusi dhe anë e mbanë botës.

Ludmila Alexeeva u varros më 11 Dhjetor në Moskë, një ditë pasi bota shënoi Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora