E diele, 10.11.2024, 05:55 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Fluskat e para të borës së sivjetme

E marte, 20.11.2018, 07:33 PM


Fluskat e para të borës së sivjetme

Nga Blerim Rrecaj

Pse, a po bjen borë a, është pyetja që pranojmë prej ndokujt që merr vesh nga ndokush, a nga ajo që sheh n'facebook. Dhe mendja të shkon edhe te ata që kanë deaktivizuar llogaritë e tyre në këtë rrjet(ë) ose rrjete tjera sociale, dhe kjo ka arsyet e veta, mbase për t'u ndier më qetë, më rehat. Sidoqoftë mund të afrohemi te dritarja, të lëvizim perdet, a të dalim në ballkon pas paralajmërimit që morëm dhe të vështrojmë çka po ngjet jashtë. E pasi shikimin e përqëndrojmë te reflektimi i dritave që ngjajnë si arra kokosi n'maje t'shtyllave trupdrejta t'ngulitura mes rrugës, shohim fjolla t'imta sa pikat e shiut të cilat era që fryen u jep drejtime pjerrtësie, e që vazhdojnë të hidhen nga lartësitë e largëta të këtij qielli që tash për tash po tregohet mjaft kursimtar. Mbas një cope kohe hapen portat e depove qiellore dhe edhe era është qetësuar e ne kundrojmë duke rënë këtë shumicë grimcash, petalesh t'bardha, t'freskëta. Spektakli i rënies së tyre vazhdon pa munguar dhe ndonjë mendim a pyetje naive, se ç'flatra shpendësh shkunden, a ç'beteja jastëkësh bëhen atje, përtej. Pak a shumë këto janë ca ndjesi të së parës borë për sivjet. Borës së mesnëntorit. E drita e ditës zbardh një shtresë lagështie të lehtë, si çarçaf të lagur e të tejdukshëm. Dikur pasdite fillon shiu. E më pas edhe bora krahpërkrah e dorëpërdore e shoqëron. Mbase për të kujtuar pamje nga "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" të Kadaresë. E këto reshje të përziera të duket se përziejnë aktualitetin dhe kujtimet të cilat të sjellin te një fluskë e rregullt bore rënë në cepin e xhamit të veturës në lëvizje. A te një fluskë tjetër e rënë mbi gjethin e një trëndafili, e ndonjë fluskë e kacavarur për kërcelli fare pranë një gjembi të tij. Kthehemi te rrjedha e vijueshmëria e jetës. Halle të ndryshe, si do ta kalojmë këtë, si do ta përballojmë atë, si të lirohemi nga kjo, si të shpëtojmë nga ajo...Tre të moshuar duke folur e shijuar çaste të përbashkëta bisedash e kujtimesh në një kafene parku. Jo larg tyre dy të rinj rrinë e bisedojmë. A ke dëgjuar për barcaletën që është duke qarkulluar pyet njëri, dhe tregon se kur e pyetën njërin me kë je tashti,ai u përgjigj: me dy samsunga e një ajfon. Pra rri me njerëz që mendët i kanë, a edhe vetë janë shndrruar në telefona. E dikush shëtit lugjeve të Gërmisë e dikush lexon "Lugjet e verdha" të Rexhep Hoxhës". Dikush mund të hedh hapa plazhit t'braktisur t'vjeshtës, ky ose ndokush pas leximit të librit "Shpella e piratëve" të Petro Markos do ta shohë dhe filmin e realizuar me frymëzim nga libri. E diku dëgjohet kënga: "Hangrën dhitë Zylo Kamberin". E diku... e diku... E dikush more babush ka hipur në kumbull me vjel rrush. Ca lule guximtare mbrenda e jashtë saksive rrëqethen pak nën qiellin e hapur. Njëfarë butësie që mbërthen ftohtësinë i bë strehët të pikin pik, pik, pik, pik... Gjurmët e borës kësaj radhe janë të pakta, të rralla, të mbetura në ndonjë qoshk a mbi ndonjë veturë, por ca fëmijë përulen a kacavirren që me brumin që marrin të gatuajnë toptha për t'ia lënë ndokujt një shenjë vule të lagur në xhaketë...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora