E diele, 22.09.2019, 03:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Kalaveshë çastesh me diell...

E enjte, 01.11.2018, 08:44 PM


Blerim Rrecaj

Kalaveshë çastesh me diell...

Çaste pasditeje me diell. Nën hije të një hardhie gjethe shumë e me kalaveshë rrushi. Në oborrin e një ish shtëpi tashmë të shndrruar në kafene e cila mban emrin e një mjeti ndriçues. Në këtë ditë të fundme tetori në të ka shumë njerëz. Mjaft fëmijë të shoqëruar nga prindërit. Vocërrakëve nuk u mjafton ky kënd i ngushtë lodrash në qoshk dhe disa nga ta po luajnë fshehtas duke u përpjekur të humbin sysh pas karrikave e tavolinave e edhe diku pas ndonjë kthine banaku. Një nga fëmijët seç tregon një fletë të bardhë vizatimi ku ka paraqitur me laps e pa ngjyra një mace dhe një zog. Punim i bukur e i hijshëm e me mjaft imagjinatë. E nga ndonjë i rritur dëgjon një këshillë se vizatimin mund ta pasuroj edhe me diell, me ndonjë pemë, ndonjë lule, ndonjë... Fëmiju buzëqesh ëmbël e paksa në mënyrë misterioze dhe vështirë të kuptohet se a po e merr këtë vërejtje parasysh. Një fëmijë tjetër merr një qeskë letre sheqeri dhe e shqyen atë në një qosh. Do që të hedh sheqer në gotën me lëng dredhëze që e ka përpara e do ta hedh në filxhanin me makiato të njeriut të tij të afërm. Siç duket do t'i ëmbëlsojë edhe më gjërat. Pasi disi bindet se në gotë e në filxhan s'ka nevojë të hedhet më tepër sheqer, kokrrizat kristalore të bardha e ëmbëlcake i hedh mbi gjethet pranë tij. Mbase sa për të na kujtuar se së shpejti sërish mund të shohim gjethe që bryma do i bë të duken ato sikur ndokush t'u hidhte kokos. Sytë e fëmijëve na ftojnë edhe ne që të drejtohemi nga kalaveshët me kokrra rrushi me ngjyrën e një të kaltërte të errët e aty këtu dhe ndonjë kokërre si të kuqërremtë bakri që ta kujton ndonjë tabak bakri ilustruar me kalavesh rrushi që e mban mend që nga fëmijëria. Nuk mungojnë as pyetjet a hahet e a vilet ky rrush. Dikush ngritet nga karriga e nduk një kokërr ia jep fëmijës kurreshtarë, e fëmiju e merr, e vërtit gishtave, e ndrydh e e shtrydh e e hedh përtokë. Në njërën nga tavolinat, një e moshuar, me shami në kokë e vetme qëndron, vështron e mendon duke parë përreth e paksa duke zgjatur shikimin kah vogëlushët, mbase dhe kujton çaste nga fëmijërija e saj, e duket se ka harruar ta fillojë ta pijë kafenë e shishen me ujë. Fëmijë rom disa vetëm e disa të shoqëruar nga nënat e tyre kërkojnë para nga tavolina në tavolinë e zgjasin duart aty ku marrin përgjigje pozitive. Dikush thotë se veç sa i thashë dikujt, e ndokush tërheq ndonjë vërejtje se ka që po i kerkojnë para për të disatën herë. Sidoqoftë këto çaste e minuta që së shpejti pritet të bëhen orë, vazhdojnë të jenë të mbështjellura me rreze vjeshtake dielli. Një gjethe mjaft e madhe e drurit të arrës bie e ulet në një karrigë. E sheh gjethja gjethen e bie. Një tjetër gjethe bie mbi tavolinë, mbulon cucllën e një bebushi. E rreth e përqark diell, lypsarë, fëmijë, të rritur, rrush, gjethe. Dikush kërkon një gotë tjetër me ujë nga kamarierët, e dikush dhe ndonjë qeskë tjetër me sheqer...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT