E marte, 30.04.2024, 03:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Ngarendje drejt fitoreve të dukshme

E marte, 24.07.2018, 07:11 PM


NGARENDJE DREJT FITOREVE TË DUKSHME

Nga Dr.sc. Bardhyl Maliqi

Përsiatje

MUJA, FISI APO DINASTIA  E  BUÇPAPAJVE

Fillimisht gazetarin dhe poetin Mujë Buçpapaj e njoh prej të vëllait, Skënderit – një poet i mirëfilltë, brilant, me të cilin kam qënë bashkëstudent fillimisht në qytetin e Shkodrës e më pas në Tiranë. Skënderi erdhi në universitet me opinga dëborërash, një djalosh trupmadh me “Zogun e bjeshkëve” në dorë-një libër poetik intrigues, pra Skënderi erdhi ndër ne si fitues i Konkursit Kombëtar të Letërsisë. Pra të vëllanë e tij, Mujën e njoha pa e takuar, qysh kur unë me të vëllanë isha në universitein “Luigj Gurakuqi” e ai gjimnazist në Tropojë. Njoh Tplanin ku ai lindi, familjen, njerëzit e shquar të fisit të tij, traditat zakonore, karakterin burrëror të malësorëve tropojanë, inteligjencën natyrore, ashkun atdhetar, bujarinë dhe atashimin e tyre të shpejtë dhe miqësor, fjalën e mbajtur, edhe kur vetë kanë qenë jo në situata të favorshme. Dhe jam krenar që i njoh, pasi prej tyre veç fitues kam dalë. Humbës – kurrënjëherë, pasi ata dinë të të ofrojnë veç dashuri njerëzore dhe mbështetje, pra kanë magjinë të të bëjnë fitues.

Nga fisi i shquar i Buçpapjve kam njohur të parin Ukën, me të cilin kemi qenë nxënës në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja, shkollë që mban një emër të nderuar, atë të Heroit të Popullit Asim Zeneli, por që në thelb s’ka asnjë lidhje me këtë emër, pasi Asim Zeneli nuk është as nga Tirana dhe as ndonjë personalitet i shquar i letrave shqipe. Mbase do t’i shkonte më tepër emri i Fan Nolit kësaj shkolle –poet i njementë, përkthyes brilant dhe klerik klasi. Por të mos e degëzojmë shkrimin, se për tjetër rrugë jemi nisur.

Gjatë viteve të shkollimit tim në Shkodër kam pasur shok dhome, Abdyl Buçpapën, një djalë kurajoz dhe interesant, një mik që s’më ka dalë fjale kurrë. Me të gjithë buçpapajt vazhdoj t’i ruaj lidhjet, po me atë dritësim sysh që kemi pasur në rininë e hershme. Kjo edhe mbase se ekstremet puqen. Unë jam nga qyteti i skajshëm jugor i Shqipërisë, nga Konispoli, ndërsa ata në veriun e skajshëm të saj. Në Tropojën e kreshnikëve dhe legjendave të magjishme.

Shpesh e kam pyetur veten pse e dua Mujon, për shkak të personalietetit të tij apo emrit të Skëndrit a për më tepër për shkak të madh të emblemave të fisit. Këto nuk janë pak, por unë kam gjetur edhe mjaft lidhje të tjera të forta, të mijat, të brendshme. Gjatë kohës kur unë isha me studime pasuniversitare, Muja ishte student në Tiranë, studionim të dy në godinën e Fakultetit Histori-Filologji dhe shiheshim shpesh, jetonim të dy në godinat studentore dhe bisedonim gjatë. Unë atëherë i mbrojta studimet me psikologjinë etnike të femrave shqiptare në Eposin e Kreshnikëve, kam skeduar me laps në dorë gjithë korpusin e këtyre këngëve, dija gati përmendësh gjithçka, bile edhe ato ç’ka thonin studiues shqiptarë e të huaj mbi këto këngë. Emri, bëmat heroike dhe psikologjia e kryeheroit, të tyre këtyre këngëve, Mujit, ishin bërë pjesë e imja tashmë. Më kujtohej “Fuqia e Mujit”, kur çobani keqot u mëkua me qumështin e zanave, “Martesa e Mujit”, bejlegjet e tij me Paun Harambash, me Ganiqe Galanin e  Krajleviç Markun, bisedën e sinqertë me treqind kreshnikët-bujtës në kullën e tij në Jutbinë. Debati me ta në lidhje me martesën e të vëllait, Halilit, dhe vargjet ku duken qartë lidhjet e bashkësisë fshatare e për më tepër lidhja fisnore, si lidhje gjaku:

“Tutna, djalin dikush po na rre,

shpesh e shpesh po bje n’Kotorre t’Reja,

rob të gjallë djalin p’e xanë.

Le konakun, Muj, qi po ta fikin,

ma zi fisin, Muji po ta koritin.”

E pra shkaku i parë i ndjesisë sime të fortë dhe pozitivitetit me të cilin e kam parë gjithmonë poetin, duhet të jetë lidhja e fortë e Mujos me fisin e Buçpapajve: me Skënderin, Ukën, Abdylin e të tjerët. Ju thashë se ishte koha kur studioja eposin, dhe isha i fokusuar tek figura e Mujit, mirëpo i vetmi njeri që realisht njihja me këtë emër ishte Mujo Buçpapaj. Muja, ishte ende një djalë i hajdhshëm e s’ma mbushte syrin si hero, se mbase s’e kishte kraharorin tetëmbëdhjetë pëllëmbë, por thosha me vete, me një bindje intuitive, diçka prej emrit të madh të Mujit të Eposit të Kreshnikëve, ky Mujo Buçpapaj do ta ketë doemos. Dhe doli që e kishte vërtet: talentin e fuqishëm dhe shpirtin e bukur poetik nga njera anë dhe dëshirën për të qenë mundës i të tjerëve, pra fitues, paçka se librin e tij e titullon “Fitorja e padukshme”, në të vërtetë fitorja e tij poetike është e dukshme. Dhe këtë nuk e them unë, por dhjetra poetë shqiptarë dhe të huaj që kanë lexuar shterueshëm dhe kanë studiuar poezinë e tij. Nuk do t’iu përmend shumë emra, veç njerit do t’i referohem mbase, ai është Akademiku kroat, Fabjan Lovriç. E para është se kroatët kanë dëshmuar një qasje shpirtërore pozitive ndaj kulturës sonë dhe ndaj nesh,(kujtoni edhe vizitën e presidentes kroate në Shqipër) gjë që e provon edhe prezantimi i poezisë sime në Kroaci vitet e fundit (është fjala për vëllimin poetik Carstvo ptica-perandori e zogjve) dhe e dyta se Profesor Fabjani e ka hulumtuar hollësisht veprën e Mujit ndaj janë edhe të besueshme përfundimet e tij. 

DUALITETI I ANGAZHIMEVE

Një ndër pohimet e akademikut kroat është se Mujo Buçpapaj është poet i angazhuar. Edhe unë Mujon  e kam njohur realisht si të tillë: nga mezi i viteve tetëdhjet i angazhuar me shtypin letrar e veçanërisht me atë studentor, me fillimet e demokracisë i angazhuar me publicistikën e re të shndërrimeve demokratike, me debatin për poezinë dhe për politikën. Them se ky ka qenë një dimension standart i personalitetit të tij krijues. Gazeta “Nacional” që ai drejton quhet “nacional” jo më kot, angazhimi i tij i parë, para se të jetë letrar, publicistik apo politik, është kombëtar. Është ndjenja e fort e shqiptarisë ajo që e orienton botëkuptimin e tij, angazhimin e tij dhe brendinë poetike të librave të tij. Pra janë fitoret e dukshme e të padukshme që flasin përmes penës së tij si poet dhe publicist.

Një dualitet tjetër i angazhimeve të tij shfaqet edhe në marrëdheniet me politikën dhe ndryshimet politike në Shqipëri. Gazeta “Nacional” në okeljon e saj shkruan se është një gazetë javore, letrare, kulturore, politike”.  Pse? Kjo mund të jetë një qasje personale e poetit, një prirje e natyrshme e tij, por unë gjykoj se ka diçka më të thellë dhe më të madhe. Tentativat për ta përjashtuar letërsinë nga angzhimi kulturor dhe politik gjithmonë kanë dështuar. Filozofia e artit për art është një filozofi boshe. Të gjithë e dinë këtë, paçka se  e pranojnë apo jo dhe pavarësiht masës me të cilën e pranojnë. Arti është botëformues, arti e orienton shqisën e vetëdijes njerëzore drejt jetës së shoqërisë, drejt veprimtarive më të qenësishme të saj. Ne shpesh kemi alergji prej politikës për shkak të pafytyrësisë së disa politikanëve, veç nuk mund të themi se fitorja e demokracisë në Shqipëri nuk ishte fitore politike, as nuk mund të themi se shpallja e Kosovës Republikë, nuk ishte një fitore politike. Nuk mund të kemi dy modele sjellore: politika është e mirë kur na pëlqen dhe e keqe kur s’na pëlqen. Politika është nga fushat më të bukura dhe më prodhuese të veprimtarisë njerëzore, paçka se atë na e përdhosin individë dhe grupe të caktuara. Ky është realiteti dhe Muja angazhohet politikisht në dhjetra e qindra shkrime të tij, pasi ai e di mirë këtë. Ka tre - katër tema kryesore në shkrimet e tij: politika në çështjet kombëtare, posaçërisht Kosova dhe Çamëria, shqiptarët e Fyromit (ish republika e Maqedonisë) dhe të Malit të Zi, arbëreshët e Italisë dhe arvanitasit e Greqisë. Kjo temë është një komponente e përhershme e angazhimeve të tij politike, publicistike dhe të debatit publik televiziv. Tema tjetër e madhe është lufta frontale ndaj kalbësirave të ish sistemit diktatorial dhe shëndërrimet me karakter demokratik. Dosjet, ish të përndjekurit, korrupsioni-janë disa nga çështjet e nxehta.

Për shkak të punëve të tij si mësues, gazetar, botues, drejtues i Zyrës Shqiptare të Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit, Mujo Buçpapaj ka fokusuar vështrimin e dhe në çështjet e mëdha kulturologjike në Shqipëri, Kosovë  dhe gjithë trevat tona shqipfolëse. Disa nga çështjet më të mprehta në këtë rrafsh janë problemet e gjuhës kombëtare, të folklorit, të trashëgimisë historike, të autorëve të mëdhenj të anatemuar apo harruar nga regjimi komunist, si: Fishta, Konica, Koliqi, Xhaferri etj. Apo të majave të letërsisë botërore emrat e të cilëve përbënin heretizëm në kohën e diktaturës, si: Kafka, Sartri, Xhojsi, Prusti, Kamy etj. Botimi i shkrimeve të tij autorjale apo nxitja dhe botimimi i shkrimeve të autorëve të tjerë për këtë lloj letërsie është një komonente e përhershme  e  Mujos si publicist dhe poet i angazhuar. Shkrimeve të tij të këtij lëmi i rri bukur koherenca me aktualitetin, përpjekja për ta bërë letërsinë tonë më humane dhe të qytetëruar. 

MUJA S’MUND TË JETË HUMBËS 

Vietet e fundit kemi pirë shpesh kafe me Mujon, kemi folur në telefon apo kemi lexuar shkrimet e njeri-tjetrit, arritjet në botimet dhe vlerësimet brenda dhe jashtë atdheut. Kemi shumë miq të përbashkët, por kryesorja është se kemi shumë afri në perceptimin e realiteteve të prekshme të politikës apo kulturës. Jemi njohur edhe me gratë e fëmijët, këtu në Sarandë apo kur shkoj unë në Tiranë. Dhe sinqerisht jami ndjerë mirë me njeri-tjetrin. Kam pasur unë nevojë për të, pasi ai ka një gazetë dhe një ent botues, ku unë mund të botoj shkrimet e mia apo ka pasur ai nevojë për mua, pasi një gazetari të mirë dhe një poeti të kulturuar i duhen patjetër miq dhe bashkëpunëtorë? Megjithëse këtu ka diçka të vërtetë, në thelb çështja nuk shtrohet kështu. Askush nuk e ka kohën të tepërt që të merret me miqësi pa bukë dhe punë boshe. Ne kemi ç’t’i japim dhe ç’të marrim nga njeri-tjetri. Ky është thelbi i çdo miqësie të mirë. Muja s’mund të jetë humbës, ai e ka fitoren në emër; ai është heroi i parë mitik i shqiptarëve, paçka se i legjendarizuar. Unë quhem Bardhyl, pra jam i bardhë e jo i zi. Rënja e fjalës sime është ai i mbretit të parë ilir, Bardhylit (rreth 449 p.e.s - rreth 356 p.e.s).

Por kur shoh se pas ndryshimeve në kampin politik Muja nga drejtor i ZSHDA-së (Zyrës Shqiptare të të Drejtave të Autorit) u la pa punë, megjithëse ai është një nga njohësit më të mirë të fushës, për të cilën shkruan edhe tani që nuk punon më aty, por shkruan se është një problem që e njeh mirë dhe një punë që i dhimbset. Ju kujtoj p.sh. mjë shkrim të datës 5 prill 2015 dhe mban titullin “Mangësitë ligjore në rregullimin e administrimit kolektiv”.

Ky sistem politik që kemi ndërtuar deri tani, e them me dhimbje se është një kopje e shëmtuar e diktaturës së djeshme. Luftë klasash quhej dje, luftë klasash është edhe sot. Dy herë që PD e ka marrë pushtetin, të dy herët mua personalisht më ka hequr nga puna. Dy herë e ka marrë pushtetin PS, të dy herët e kanë hequr Mujo Buçpapën nga puna. Mirë, mor zoti pushtet, po kush je ti që lë intelektualët e njëmentë pa punë, njerëz me pëvojë, me studime pasuniversitare, publicistë e debatues të ekuilibruar, poetë me reputacion të njohur, të botuar në disa gjuhë e të vlerësuar në rrafsh ballkanik e europian? Pse për këtë luftuam ne? Që ju të mbushni llogoret me militantë, pa pyetur për vlerat njerëzore dhe inteletuale, pa pyetur për mbrodhësinë e punëve, po veç për xhepat tuaj?! Veç dijeni mirë: Mujo Buçpapaj nuk është humbës! Ai i gjen punë vetes dhe shoqëria shqiptare di ta vlerësojë atë. Mujo e ka fitoren në emër. Ai s’mund të jetë humbës. Të humburit jeni ju që nuk ditët të përdornit energjitë e tij krijuese! 

FITORET E DUKSHME DHE TË PADUKSHME

Ne flasim shpesh për shqisën e të parit, të dëgjuarit, të të shijuarit, të nuhatjes, të kinestezisë dhe ekuilibrit, madje edhe për shqisën seksuale, por kurrë për atë të vemendjes. Mbase profesor Hasan Tahsini në librin e tij “Psikologjia” ka qenë nga të vetmit që e ka cikur këtë temë. E pra, kam vendosur të kridhem edhe unë në këto ujra, por jo në kah të psikologut, më tepër në atë të filozofit dhe poetit, pasi libri që kam ndër duar, këtë rast më jep. E humb shqisën e vëmendjes në labirinthe e katakombe nga rend ujvara e mendimit për të qëndruar diku në turbinat e Bistricës, që kam pranë, për ta mbushur vetëdijen me dritë. Të flas për fitoret e dukshme apo për ato të padukshme? Poeti thotë se e lë në duart e fëmijëve zgjedhjen, apo ndoshta në vetminë e fushës nga rend era. Në lagjen e përbaltur ajo shpërndan kundërmimin e misrave të pjekur dhe avujt e diellit të mjegullt shkruhen në përcëllima shkurresh, aty ku përthyejnë gjunjët vajzat, poshtë barit të pemëve të hijes, ku vinte përmes lutjesh, pëshpërimash dhe ofshamash dashuria, vinte si çurgu i gjakut të bukur, vinte si fitorja e padukshme në vreshtë të ujit të falur. Atje isha dhe unë, nën lëkurë të çarë të rrobave të ndryshkura të diellit, duke matur ngjyrën e arave. Eh, kaq pak jetë kishte njeriu për të bërë mirë! Kjo ishte fitorja ime e parë e padukshme, larg syrit të diellit dhe vemendjes së njerëzve. Kështu u kalla unë brenda saj, me ADN-në e çvirgjërimit mashkullor në ereksionin e parë të kërcellit të gjelbër.

Lumi ngjyrë Veriu ish portreti i erës mbi pemë. Mbase njeriu kish ndërtuar pamjen tjetër të jetës midis shiut dhe fushës. Malit matanë diellit ishin shpendët që dilnin prej kënete si ato ëndrra të vështrimit të keq. Ndërsa katundit të majtë nuk kishte më rrugë që të çonin në stinë të plepit fërfëllitës së shtëpisë sime. Në Sheshin Demokracia pushon ëndrra jonë e grisur pre lirisë së zhveshur të gjerave të pasluftës; nga qyteti civil i kryengritjes  së vuajtjes ai tym pemësh të ngrituar për qielli dritaresh të ndezura të erës. Këtu prehet endrra jonë e përmbysur prej lirisë së ndaluar për të hyrë në botë me ato duar vajzash të ngritura si antena në ajrin torturues nga perëndimi i gjerave të thyera. Por ne do të shkojmë në rrënojë të ringremë Lirinë e letrave të shkruara nga fundi i baltës kur mundëm gjigandin në një fitore të dukshme. Veç fitoret e padukshme, ato me vetveten i kemi të vështira, pasi gjigandi u shkul nga sheshi, por rrënjet i ka lëshuar në trutë e disave prej nesh, ndaj me hidhërim shohim si lindin klyshët e së keqes, papritur, aty ku si pret askush. 

AUTORËSIA E “FITOREVE TË PADUKSHME”

Për të zbuluar autorësinë e fitoreve të padukshme le të shohim nga afër disa opinione nga poetë vërtet të njohur rreth poezisë së Mujë Buçpapaj dhe stilit të tij krijues me rastin e botimit të liibrit të tij në SHBA. “Poezia e Mujë Buçpapaj është si vet Ballkani: një tokë e ngjeshur e energjive tragjike.” Një përcaktim mjaft i saktë ky i poetit Frederick Turner, i përkthyer edhe në shqip. Muja është poet jo i thjeshtë, as “poeti i thjeshtësisë së madhe, ku imazhet pasionante janë pothuajse surreale në thellësinë e tyre”, pak kontradiktore kjo dhe do te thosha e qortueshme si përcaktore, por pajtohem plotësisht me konstatimin se përmes poezisë së Mujës ne i bëjmë thirrje botës së bukur të natyrës.  Por ndjeshmëria poetike e vëllezërve Buçpapaj, sipas meje jo vetëm e Mujës, por së pari e Skënderit, është ajo e evropianit të ndërlikuar e një prej më të lashtëve evropianë. Por jo vetëm për shkak të njohjes së hollë ironike dhe brutaliteteve të jetës që mund vetëm të burojë nga përvoja e luftës. Jo zoti Turner, janë tjerë ata që e sollën luftën në trojet e shqiptarëve! (Përjashto pashallarë të veçantë, që janë sjellë si pushtues me popullin e tyre.) Natyrisht pajtohem me Gjekë Marinaj, por jo plotësisht, kur pohon -“Mujë Buçpapaj është poet i nivelit botëror!” Më duket më tepër emocionale e patriotike kjo, se sa racionale dhe e argumentuar. Kjo më ka ndodhur edhe mua në Zagreb, ku më cilësuan kroatët gjigand të poezisë shqipe, në fakt më bënë të ndihesha keq. Njeriu nuk duhet të matet as me hijet e agzholit as me ato të muzgut.  Poezitë e Mujos kanë një zgjuarsi fine, një mençuri jo e zakonshme kjo, në të cilën tonet elegjiake, tragjike dhe pse jo edhe ironike nuk rrjedhin nga intelekti, por nga një urtësi e thjeshtë dhe origjinale e zemrës. Ato lidhin shëmbëlltyrën ekstravagante dhe zgjuarsinë e qartë e mahnitëse për të zbuluar dhe nxjerrë në pah, sa tmerret, aq edhe anët joshëse dhe të këndshme të identitetit të veçantë shqiptar.” Libri “Fitorja e padukshme” na çon në mbretërinë e arsyeve të një vendi të thellë dhe kaotik në kënaqësitë dhe dhimbjet tona. Ato përbëhen nga lirika të gjalla të jetëve në prag të një bote të re. Mujë Buçpapaj sjell për lexuesit pamje të shpejta të pashlyeshme në kujtesë nga lufta e Evropës Lindore, siç është shpresa për paqe në atdheun e tij. Sikurse T.S.Eliot, ai trazon kujtimet dhe dëshirën, duke ballafaquar të porsalindurit e fshehur në pyje dhe të qarat e fëmijëve me reminishenca të dashurisë, pemës së mollës dhe shiut. Në libër përshkruhet portreti i bukur dhe i fshehtë i një kombi dhe vendi të coptuar nga lufta, dhe nga plagët e saj. Shpirti human është ai që i bashkon të gjitha poezitë e tij me mallin për atdheun e dikurshëm dhe popullin e humbur si dhe trishtimin e madh se ai ka mbetur vetëm një kujtim.
NGARENDJE DREJT FITOREVE TË DUKSHME

Pse fitoret e dukshme ravijëzohen si të padukshme? Kjo mbetet një nga brengat e mëdha të demokracisë. Pse e bukura në art nuk shpallet me klithmat e fëmijës që lind, as me vajin e vashës që vdes në moshë të nusërisë, por kalon në heshtje? Kjo mbetet një nga brengat e mëdha krijuese. Nuk është e lehtë të bësh portretin e erës, as në Qytetin Studenti, në korpuset universitare dhe as në sheshin Demokracia. Erës nuk mund t’i bësh statujë, por mund të përftohet si në ëndërr statuja e saj, ashtu si statuja e dallgës e skalitur ne mermer në shëtitoren e qytetit tim jugor, Sarandës. Jeta mbetet një ëndërr, ashtu si në Prekasin 1999, mbetën ëndërr jetët e dhjetra fëmijëve të shtypur nga  këpucët me thumba dhe zinxhirët e tankeve. Fëshfëritjet nuk kanë lindur  në pyll as përshpëtitjet në psalme. Ato janë dukuri njerëzore, ashtu si paradoksalisht gomonet e detit. Ato, gomonet,  e bënë botën me të vogël, por hallet më të mëdha. Nëse dje s’kishim bukë, tani s’kemi fëmijë. Ata na i përpiu deti i emigrimit. Janë 1000 tragjedi të kanalit të Otrantos të marra së bashku. Tani edhe fantazitë e bukura janë ndotur. Brengat nuk janë vetëm në letrat e nënës apo në zinë e katundit, është analogjia pa skaj dhe zhgënjmi total nga pritshmëritë dhe ëndërrimet. Pas luftës sonë të gjatë gjithçka e mbuloi muzgu.

Së pari ishte zjarri, zjarri që largoi frikën nga nata. Ndërsa ne mbanim në duar shportrat e egra tek vraponim për të shitur fiq në stacionet e trenave të jugut, ndodhte që në vagona nuk gjenim njerëz, por heshtje, heshtje të kobshme. Kjo është një nga shakatë e hidhura të tranzicionit, ndërsa nga dritaret e shqyera shohim të na vizatohen ndër sy imazhet e fushës. Inside mbushen portat e botës, ashtu si bibliotekat prej kokave tona. Ashtu si outside mbushen kokat tona prej lumit të fjalëve të shkruara nga bibliotekat tona.

Mujos ndoshta i bën kontrast marsi, këtu në qytetin e palmave, nuk ishte gabim i besimit që zgjodhi dikur si ish brigadier i fushave të Tplanit, pra se populli kryengritës i pranverës së alpeve të demonstronte zjarrminë e brendshme në sheshet e qyteteve tona. Nuk i erdhi fundi Tplanit të Mujos nga xixat e patkonjve në ditëdasma nusesh e dhëndurësh, por se nuk çelën dy degë molle kur në fshat parakaloi drita.

Tani hasim vështrimin e zymtë të pemëve, mërinë e tyre të pagojë, mëkatet tona i dimë, të tjarat na vijnë prej zotit, prej gjërave të lexuara gabim prej astrologëve. Ata ndërtojnë kulprat e shiut, ndaj shiu s’është shi, por motive të pagoja në gojën e bareshave të arave të fëmijërisë. Ne nuk duam të endemi në terr, ne i duam ata sy. Ndaj bëjmë një sy gjumë në muzgjet e veriut, eifelin e gjumit sendërtojmë me imagjinatë, me të mirët gjithnjë shkojmë skemave të rrugës, midis dashurisë dhe fjalës. ligjërojmë lutje në prill, për ta përmbyllur vetveten në një kohë tjetër, në një tjetër orar. E përmbyllim kështu këshillin e madh të Paqes së Menduar, jo në Luvër, por në Kuvendin e Arbërit duke u përbetur jo për jetën në parajsë, por për netët plot yje mbi Kosovë.

Njeriu nuk varet nga koha, koha varet nga njeriu dhe të besosh se ky është vetëm fillimi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora