E premte, 26.04.2024, 11:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Ndërrim 'portash'

E diele, 10.06.2018, 09:10 AM


Ndërrim  "portash"

Tregim

Nga Përparim Hysi

Kur erdhi në kolektivin tonë mësimor,qe gati si një vajzë,e porsadalë nga shtëpia,që kish nevojë për ta mbajtur dikush nga dora. Aq nuk binte në sy,sa dhe,po të mungonte për një kohë të gjatë,nuk do ndihej mungesa e saj. Ashtu si dinte dhe po aq sa dinte, mundohej që mos i bënte bisht punës. Kishte nja dy vjet në kolektivin tonë  të madh dhe fap, ndodhi e papritura. E kishin thirrur të bëhej  komuniste dhe, ngaqë stazhi atëherë qe tremujor, e bëri në një nga brigadat perimore. Pas stazhit u pranua në parti dhe, papritur dhe pa kujtuar,e bën drejtoreshë të shkollës sonë të madhe,me rreth  tridhjetë mësues. Sado që në mes tonë,kish mësues me arsim të lartë, por drejtimin e mori kjo:atë kohë me të mesme. Me të mesme,- paskeshin thënë italianët,- je në  mes të rrugës. E kanë thënë, nuk e kanë thënë italianët, por nuk e dinë që testa e partisë që"diploma  mbi diplomë". Për t'i thënë drejt të tëra: komunistja nuk e hëngri thatë.Jo vetëm e filloi shkollën e lartë pa shkëputje nga puna, por dhe u diplomua si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Gjatë kësaj kohe, qe "stazhionuar" si komuniste,por dhe  si drejtuese dhe, pak nga pak, mbrriti si anëtare e plenumit të partisë në rreth që, me"statusin e kohës", donte të thoshte shumë. Dhe kush e bëri këtë hop? Ajo që kish nevojë ta mbaje nga dora.

Kjo punë e kësaj,- thoshte Ndinoja,- nuk ka se si shpjegohet. E di se si  them ne:- Ai që duhej flakur në kopsht, është në krye të dhomës. Aludimi i Ndinos qe i lexueshëm, por Ndinoja këtë ma thosh me mirëbesim. Tha nuk tha Ndinoja apo dikush tjetër për të as që kishte rëndësi. Kjo, e"plenumit", jo vetëm po i ngjitte shkallët për lart, po erdhi dhe u bë e rëndë aty, në zyrën e saj. Kur vinte, rëndonte mbi këpucët e saj duke i përplasur dhe, në shihte ndonjë nga kolegët aty pari, bënte veç një përshëndetje me kokë,se gojën nuk e hapte. Kushtonte fjala e saj dhe nuk  mund ta shpërdoronte,si dozot, me ne, vartësit e saj.

*      *     *

Telepatik nuk jam dhe nuk kam se si ta di se  ç'hamendësonte atje në zyrën e  saj, por, në të njëjtën kohë, nuk jam larg të vërtetës, se mendonte e vepronte si komuniste më tepër se profesioniste. Kur them kështu, jo se flas me apriori apo jam tendencioz, por flas dhe tregoj me ato që ndodhën dhe ç'hoqa mbi  kurriz. Ndërsa unë si mësues gjuhe e kisha normën 20-orë në javë, ajo si drejtoreshë: e shumta 6 orë në javë. Ngaqë ngarkesa e mësuesit qe e plotë,unë punoja me katër klasa dhe,kush ka punuar si mësues gjuhe,e di mirë seç heq një mësues i tillë. Detyra shtëpie përdita dhe,po t'u shtoshë edhe hartimet e diktimet, barra vërtet bëhej e rëndë. Natyrisht, kurrë nuk i lija jashtëdore as detyrat dhe, domosdo, hartimet e diktimet. I koregjoja  me shumë seriozitet, por me një numër nxënsish që e kalonin gjithmonë qindin,ndodhte që më shpëtonin dhe gabime. Qenë të tilla që nuk zhvlerësonin notën e nxënësit,por, sidooqftë, mirë ish që mos ndodhte kështu.Unë kisha mbi 25-vjet me këtë punë dhe,përgjithësisht, kishte një opinion për punën time: qeshë jo vetëm kryetar i komisionit për shkollën ( qemë katër mësues në këtë shkollë),por edhe për zonën: domethënë për 10 mësues që jepnin gjuhë-letërsi në shkollë.

*    *    *

Drejtoresha e mbaroi shkollën e lartë për gjuhë- letërsi dhe e dinte mirë se ç'lodhje kishe me atë lëndë dhe,ngaqë ndarjen e lëndëve e bënte me tagër,drejtori, vendosi (epo,kur i thonë fjalës: vet ALi, vet KADI) që,"ngaqë vuante nga sytë", për vitin shkollor që, sapo kish filluar, të mos jepte më gjuhë, por lëndën e "Edukatës morale" që, po të merrje hua një term nga fusha e peshëngritjes,kjo,Edukata morale,qe e peshës pupël. Kështu paska vendosur dhe qe bërë fakti i  kryerë. Natyrisht,klasa mbeti mbi mua. Ky vendim qe marrë, kur isha në zbor dhe,kur fillova punën, m'u tha dhe arsyeja:" Drejtoresha vuante nga sytë!". Raport mjekësor nuk kishte,por ajo qe shoqe komuniste e zgjedhur në plenum dhe nuk kishte si të shtirej  e sëmurë.  Edhe sot që po shkruaj, jam i mëdyshur:vuante apo nuk vuante? Kur qe e"drojtur",ishte e sinqertë,po, kur u rrit më dukej se qe"rritur parakohe" dhe "hopi si komuniste" sikur vrau edhe sinqeritetin e dikurshëm. Se u dha me mish e me shpirt pas idealit që, tash, besonte dhe zhbëri edhe sinqeritetin e dikurshëm. Zuri t'i shikonte vartësit me"lupën  e partisë" dhe, sa vërente një"hije" tek akcili, atëherë fillonte sulmin. Qe një sulm aq pasionant, sa ia bjerrte gjykimin. Ky sulm bëhej mu në sy të kolektivit. Në analizën apo në filtrin e saj prej"shoqeje të zgjedhur në plenum", vuri re (epo ku kish kënaqësi më të madhe) që"me ftomë në biografi isha  vetëm unë", mend ka bërtitur "Eureka" si Arkimedi dhe përgatiti  sulmin. Duhet të ma ulte atë kokën që mbaja lart dhe,veç kësaj, të më demaskonte sa më poshtërsisht. Natyrisht, pa mend nuk  qe. E fillonte nga puna (atë, sipas saj, nuk e bëja me cilësi),sado që vetëm për punë nuk qeshë kritikuar ndonjëherë në 25-vjet punë. Nuk qeshë krtikuar se kisha gjetur shesh e kisha bërë përshesh, por tani? Tani harro mushkë palarenë, se ALI PASHANË e prenë.

*     *   *

- Më sill ato fletoret e hartimeve,- më tha. I mora atje në raftin ku i mbaja fletoret e të katër klasave dhe ia vura sipas klasave mbi tavolinë. Qe ditë e bukur vjeshte dhe ajo, pasionante pas mllefit që e kish pushtuar,filloi t'i shikonte një për një. I shikonte dhe, siç vura re kur më"demaskoi", shënonte emrin e nxënësve dhe gabimet që mund të më kishin shpëtuar. Katër orët e mësimit, ajo as që u lodh fare,duke gjetur gabimet që nuk ishin bërë nga unë, po nga ai"me hije në biografi". Mbaroi dhe ora e pestë dhe erdhi lajmi:Mbledhje e këshillit pedagogjik.

U futëm  në mbledhje dhe ajo filloi raportin. Në "vija të trasha": tek filan nxënës iks gabim e vazhdonte e vazhdonte...

E bukura qe se urdhëroi: të rikorigjohen dhe ca më tepër: të"rishikohen" dhe notat,sado që kishin kohë që ishin hedhur në regjistër. Unë e dija mirë që ajo i binte pragut, që të dëgjonte dera dhe, përverëse në mllefin që i vihej re në fytyrën që gati i lëshonte flakë, qetësisht mora fjalën time.

Drejtoreshë,- i thashë,- cilido mësues nuk është imun. Gjatë punës, shpëtojnë dhe gabime,por këto janë të papërfillshme në raport me notën përkatëse. Dhe sa për atë"rikoregjim" as mos e ço në mend. Të tëra ato që thuaj në raport për mua,qëndrojnë dhe nuk nodh veç me mua,po me secilin mësues gjuhe e letërsie. Dhe nga vërejtja juaj për mua, nuk më kalon asnjë hije. Jam i gatshëm të ballafaqohem edhe me specialistë të arsimit në rreth. Por veç kësaj, drejtoreshë, kam dhe një pyetje:- Ju,drejtoreshë, nga të dy sytë vuani apo vetëm nga njëri? Pyetja qe e papritur dhe aq u skuq, sa tha rrëmbyeshëm:- Të lutem shumë, mos më ofendo!

Jo,- ia preva qetë-qetë, kur ndatë lëndët kishit pretenduar se vuanit nga sytë. "Koregjimi" skrupuloz, me laps në dorë i gabimeve që më kanë  shpëtuar mua, tregon që je birinxhi nga sytë. Nëse qysh nesër nuk do marrësh  gjuhë  siç të takon, unë do ankohem deri në komitet të partisë,se ti, sado e zgjedhur në plenum,i bën bisht punës. Qe pak si"shah mbretit" dhe,sikur zbriti me këmbë në tokë.

Po unë nuk thashë që të alarmoheshe kaq, e zbuti mllefin. Jo,drejtoreshë, nesër duhet të rindashë lëndët. Mbledhja mbaroi dhe,qysh të nesërmen, drejtoresha mori gjuhë. Tani"nuk më shpëtonin gabime" se, krahas saj, kisha të drejtë të kontrolloja punën e kolegëve si kryetar komisioni.

*     *    *

Lufta kundër "hijes" sime në biografi vazhdonte dhe arriti kulmin, kur aq nuk më shihte dot me sy, sa mundohej të më përjashtonte në diskutime pedagogjike,se "hija" prishte "fillin e kuq". Sado që kisha bibliotekën e shkollës dhe duhet të drejtoja veprimtarinë letararo-artistike, ajo i vuri "shaptullat punës", sa dhe grupin teatror e drejtonte vet. Kish një muaj dhe jo më vonë se të nesërmen, grupi teatror i shkollës do konkuronte në rreth. Entuziaste se kish bërë goxha punë, do "luanin" para kolektivit mësues- nxënës. Luanin  bukur dhe ia vëreja gazin e punës.Kish punuar seriozisht.Mbaruan dhe duartrokitëm.

Nesër,- komunikoi drejtoresha,- në ora 7 të mëngjesit të jini këtu se do nisemi të organizuar.

Më falni,- mora fjalën unë ( prap ky"hija" do të na shes mend!!!),- nuk do vini. Sapo më ka ardhur shkresa (gënjeva,për mos i prishur ajkën drejtoreshës), në bibliotekë që pjesa është futur në listën e librave të ndaluar se autori është shpallur"armik i partisë"!!! Thuaj se u hap një gropë e madhe dhe hyri e nuk u pa më. Mëkat, që nuk e lashë të  jepte atë shfaqje. Po kurrë nuk e kam njohur hakmarrjen.

*     *    *

Dhe një ditë (sapo kish ardhur demokracia) unë u emërova inspektor në DREJTORINË ARSIMORE. E mbaj mend se kur shkova tek shkolla që ajo jepte mësim, sa më pa, u skuq. Duket u kujtua për"bëmat"  e saj dhe tani, që kishim "ndërruar portat", priste ndëshkimin. Hyra në klasë dhe i thashë:- Ky është testi. Jepua nxenësve dhe mua më sill në zyrë vetëm rezultatet. Ika pa e lënë të"konvulsohej" më shumë dhe, kur erdhi për rezultatet, më tha:- Nuk ia fal vetes!

Kam harruar gjithçka,- i thashë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora