Kulturë
Drita Lushi: Të duash një grua
E merkure, 07.03.2018, 07:24 PM
DRITA LUSHI
Kushtuar, sime bije, sime mëje, sime gjysheje, vetes dhe gjithë grave, që gjejne veten në këto poezi
Të Duash Një Grua
-Cikël poetik-
RIGJETJE
Ndonjëherë veten humb,
E tretem në ?do yll, që bie…
Dhe prapë ATË rigjej
në sytë e sime bije
GJYSHES
Gjyshja ime
në kokë mbante një shami të bardhë;
nen to,
flokët e thinjur dhe vitet e saj.
Gjyshja ime fliste rrallë,
por fjalët ia desha,
si rrudhat në ballë.
Ia desha vitet dhe më shumë:
nëpër ta shkruar e kaluara e saj
dhe prejardhja ime e thjeshtë.
Gjyshja ime
nën rroba të zeza
fshihte një zemër të bardhë.
Kur engjëjt e morën,
në dekadën e nëntë,
asgjë nuk mori me vete:
Na i la
fjalën,
zemrën
dhe shaminë e bardhë.
NËNA IME
Kurrë s’e ngrite zërin,
nëna ime,
e kurrë s’të dëgjova të flisje,
as at’herë kur mund të bërtisje.
Kurrë s’dite të qortoje
e as u ankove, e urta ime,
edhe at’herë
kur jeta për ty qé dhimbje.
Të pakta fjalët
e zemrën të madhe,
përherë punëtore,
Ti,e paepuara ime.
Vitet shpejt ikin, vrapojnë,
po mua më dukesh si atëherë
kur, unë, studente,
e ti edhe shpirtin doje
me vete të më jepje.
Kokën nga dritarja,
prisje
kthimin tim,
e ankthi mëmësor të përfshinte.
At’herë unë e ndieja,
që zemra jote paqë
gjente,
veç kur më shihte.
Kushedi ç’dhimbje të patreguara
të fshehin sytë tek na sheh
te rritur, burrëruar,
kushedi ç’gëzim e brenga
psherëtin shpirti yt me vete,
fjalëpaka ime!
Jeta e vitet s’t’i kursyen
thinjat në kokë
e rrudhat në ball,
po fjalët po ato mbajte,
e forta ime.
Silutë e brishtë mëmësore,
me halle e vite mbi supe,
trishtimit kurre s’iu dhe,
ikonë shembullore
ti,
gjithmonë për ne.
Tek të shoh, ashtu të qetë,
e zhytur në mendimet e tua
të fshehta
e ndiej që dashuria jote,
veç rritet e rritet
ashtu në heshtje, në heshtje ….
TË DUASH NJË GRUA
S’është lehtë të duash një grua,
T’i falësh fjalë sysh dhe puthjesh;
Ledha hëne, kometash e diej
t’i ulësh në duar.
Duhet të dish të duash një grua!
Të marrësh një oaz mes shkretëtire,
Nje oaz që kaltëron (veç për ty)
tokë dashurie.
Duhet guxim të duash një grua!
Të gjesh rrugë e shtigje (të pashkelura)
që të pushtosh
të artat brigje.
Duhet të dish të mbash një grua
pasi zemrën të ka vënë në duar,
Më shumë se atë - dashurinë e saj.
Duhet të dish, të dish pra
NË KUVENDIM ME NËNËN.
Mirdita botë!
E nisa edhe sot kuvendimin me ty.
Me ty, e pak njerëz që më duan,
Ose bëjnë sikur, (s’edi!)
Nënokja ime p.sh, më do fort,
(e ndiej) kur me sy e fjalë më ledhaton.
Tani, që prej vitesh,
jam vete nënë,
filluar kam t’i puth duart imcake
e, shpesh e më shpesh, puthje i jap edhe në ballë,
pesëmbëdhjetë vjet, që jeton pa (të shtrenjtin!) tim’ atë.
Mos m’u zemëro që të thërras, nënoke!
Të ndiej më afër kështu,
të ndiej çdo rrudhë
në faqe e ballë.
Si kurorë t’i shoh të gjitha thinjat,
ah, ja dhe ndonjë flok të zi, në të rrallë!
Eh, e mira nënoke!
Edhe kur ankohesh,
fajin pleqërisë ia hedh,
Paçka se akoma s’ke bërë shtatëdhjetë.
Po e di çfarë?
Të mos flasim pë rreumatizmën,
që të gërryen kyçet,apo pleqërinë,
Po për gjëra të gëzuara
Pershembull, për time bijë.
“Mjaltë e mjaltës” –thuhet, ëëëëë…?
Po atë duket kështu ty?
Tash’ që s’ke vetëm një,
Por (nip e mbesë),
u bënë … dy!
Edi,e di nënoke!
Po ja, që bëj dhe ndonjë pyetje pa vënd,
Kur ata (nip e mbesë) të thërrasin ”nëna”,
qesh e lumturohesh,
e di,kështu ta ka ënda;
Eh, nëna ime!
Ja kështu rridhka jeta.
Mbaj mend,
kur shkoje tek nëna jote e mplakur dikur,
e kthehesh e që andej, aq e trishtuar!
Ndoshta dhe nesër,
ime bijë do të kuvendojë me mua shtruar,
të më sjellë një gotë ujë,
a të më falë një ylber me fjalë!
Qenka qerthull kjo jetë nënoke!
Hajt pra:
“pa dale të të puth dhe një
herë në ballë”,
eee, ditë të mbarë!
…
“Muuaah” –Jetë të mbarë.
IME BIJË
Po rritet ime bije,
(e vogla ime e gjith’hershme!)
Përkundet, ëndrrave
Detit. Diellit
Të fshehtave dhe të rejave,
të qenies së saj vajzërore…
Më jep mua,
gëzimin dhe shqetsimin.
Më bën, të ndihem Ajo,
me jep arsyen të jetoj për Të
UDHËS PËR TEK NËNA
Sa here shkoj tek ime më,
Sytë,
Zëri,
Fytyra
Më mahrrin çehre fëmije...!!
Në ikje,
K'rrusem
marr dhimbje..!