E diele, 10.11.2024, 07:43 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Vuajtjet përcjellin përvojë

E marte, 06.03.2018, 07:12 PM


Kadri Tarelli shkruan:

VUAJTJET PËRCJELLIN PËRVOJË

Esse: “Ne ishim pesë shokë”. libri me autor Bashkim Saliasi

Të them se i kam zili njerëzit, që kanë kujtesë të fortë, që mbajnë shënime apo ditar, nuk më shkon kjo fjalë. E para, sepse nuk më ndihmojnë dhe s’ më hyjnë në punë, madje edhe sikur të dua të futem në sinorët e këtyre “pronave”, nuk i bëj dot të miat. Ato janë thesare, që nuk tjetërsohen. Kështu që, po them se i admiroj për dhuntinë dhe kujdesin, për t’i pasur si model dhe për të mësuar prej tyre.

Kjo ndjesi e çuditshme më trazoi dhe më kënaqi njëherazi, kur nisa dhe bitisa leximin e librit “Ne ishim pesë shokë”, të shkruar aq bukur dhe me shumë vërtetësi, nga mësuesi dhe shkrimtari Bashkim Saliasi.

Kam lexuar tregime dhe plot libra të tjerë me temën e mërgimit, apo të kurbrtit, siç i thoshim qëmoti. Mund të përmend “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit, e lexuan në adoleshencë, ku trajtohej kurbeti i viteve 1900, si plagë e hapur e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, “Drithërimat e yjeve”, të Viron Konës, “Në gjurmë të ëndrrave” të shkrimtarit durrsak Vladimir Muça, ku flitet për emigrimin biblik të pas viteve 1990, jo më si plagë, por hemorragji e kombit, që s’po ndalet ende në vrapin e viteve.

Në çdo libër, secili autor ka individualitetin e tij në të vëzhguar dhe të shkruar, atë çka shikon dhe ndjen, për atë që le pas në vend të vet dhe për atë që gjen në një vend të huaj. Dhembja dhe vuajtja fizike, mendore e shpirtërore i shoqëron gjatë gjithë kohës. Askush nuk mund të mburret, se gjeti “Eldoradon” dhe qetësinë e ëndërruar. Cilido që përpiqet të thotë ndryshe, gënjen, edhe kur ka siguruar një pjatë gjellë dhe ca lecka më shumë.

Kam vënë re, se të gjithë autorët, (ata që kam lexuar unë), të cilët kanë marrë mundimin të shkruajnë, i kanë përjetuar vetë ngjarjet dhe ndodhitë, të bukura apo të shëmtuara, të qeta apo tronditëse, deri në tragjedi dhe humbje jete. Tek çdo libër, dallohet vetëm vendi (gjeografia), personazhet, koha, stili letrar dhe mesazhet që përcillen. Megjithatë ata duhen përshëndetur, sepse e gjitha kjo, përbën një përvojë jete dhe pasuri letrare, artistike, historike, më tej edhe shpirtërore, si dëshmi e përpjekjeve për mbijetesë, apo për të ndërtuar një jetë më të mirë.

Në librin, “Ne ishim pesë shokë”, të Bashkim Saliasit, ngjarjet nisin si një aventurë e padëshiruar, por e shtyrë nga nevojat ekonomike të një mësuesi, që kërkon të plotësojë më mirë nevojat e familjes dhe të fëmijëve. Krahasimi është i thjeshtë: paga mujore e një mësuesi me arsim të lartë, tek ne ishte e barabartë me pagën e një dite pune në shtetin fqinj, madje për punë të rëndomta fizike, sepse nuk bëhet fjalë për punë intelektuali. Meqë, si bashkëkohës e kam përjetuar këtë periudhë të vështirë dhe të turbullt, kam përshtypjen, se te ne u krijua një frymë e përgjithshme, që përfshiu mbarë shqiptarët, sidomos të rinjtë. Gjithçka, me idenë se, duke emigruar do të shpëtonin nga varfëria. Vetë populli  me zgjuarsinë e tij thotë: “Fukarallëk, maskarallëk”.

Tema është e hershme sa vetë jeta dhe e gjerë për gjithë kombet. Në këtë zallamahi trishtimi, dhembja dyfishohet: prindërit që mbetën, si kërcunj të zhuritur nga malli dhe kurbetllinjtë të shtrydhur nga halli. Ndaj, “Si zogj të trembur u shpërndamë, nga toka, ajri e deti”, shprehet poeti Vaso Papaj, në një poezi kushtuar emigracionit (1). Kësaj rrjete nuk i shpëtoi edhe heroi ynë, që bën përpjekje të mundimshme për të hyrë në shtetin fqinj, në Greqi. Peripecitë janë të paimagjinueshme për shumë nga ne, që nuk e nisëm këtë udhë, por që, me dridhje shtati, i përjetojnë ende mërgimtarët tanë: Lodhje, frikë, etje, uri, pasiguri, tmerr kur bije në dorë të policisë, ushtrisë, ca më keq të bandave të grabitësve. “Të shkuara, të pa harruara”, - thotë i vuajturi popull, - prandaj bëhen librat, si arkë e hapur kujtese, për brezat.

Rrëfimin e mërgimtarit, (në Greqi u quajt me emrin Miço), lexuesi, me lehtësi do ta ndajë në dy pjesë. E gjitha është një maratonë vuajtjesh dhe përplasjes me të panjohurat, duke filluar me udhëtimi, që kishte pranë rrezikun e humbjes së jetës, për të mos folur për mundimin fizik dhe mendor. Më pas përballja me një tjetër botë, me të tjera rregulla e të tjera huqe, të panjohura nga e gjithë shoqëria jonë, që ka qenë e mbyllur në kufirin me tela me gjemba dhe kloni i famshëm me rrymë elektrike. Pas kaq vitesh, këto dukuri mund t’i quajmë marrëzi të kohës, por të tilla ishin. Çdo kush mund pyesë pa kërkuar përgjigje: A mund të fshihet historia?

Sot edhe pas kaq kohësh, po të shtrohesh në bisedë me mërgimtarët, do të thonë, se ikja ishte një aventurë, ku askush nuk e dinte si do të përfundonte fati i tyre. Të gjithë ikën kuturu, si të ndjekur nga turku, këtu e 600-vjet më parë, pa ditur se ku shkelnin, kush i priste dhe me se do të merreshin. Ndodh, sepse veç të tjerave, u mungonte gjuha, përvoja, më pas edhe mospasja e një profesioni, që i duhej afendikoit, apo pronarit grek, italian, e ku di unë kujt tjetër. Në fund edhe ata nën buzë pyesin, vetveten dhe ne: - Cila do të ishte zgjidhja, madje zgjidhja më e mirë? - Dhe presin duke na parë në sy, se cila do të jetë fjala jonë. – Ka kush t’i japë përgjigje?

Ngjarjet ndjekin njëra tjetrën, në formën e një ditari, që përbën brumin, të cilin, vite më vonë, do ta gatuaj mjeshtërisht Bashkimi ynë. Si duket autori, si njeri i kënduar, i ka parasysh fjalët e thëna në lashtësi, nga i dituri Lukiani: “Të shkruash një libër, duhet të kesh lëndë, përndryshe do të rendësh pas fjalëve të kota, do të jesh i pabesueshëm, do të bëhesh i palexueshëm”.

Vetë Bashkimi, autori i këtij libri, që në fillim na kumton: “Shënime të një emigranti, në vitet 1991-1994”. Është një formë e gjetur bukur, që e lehtëson atë, të shprehë atë çka përjeton në çast, por njëkohësisht e ndihmon lexuesin, që në çdo faqe, të gjejë një ndodhi të re, me të papritura, me vendime e zhgënjime që na tronditin, me personazhe të rinj, të mirë dhe të liq, konservatorë dhe liberalë deri në neveritje, etj.

Çuditërisht të dy kategoritë, i miri dhe i ligu, jetojnë në çdo popull e në çdo vend. Askush nuk mund të mburret, apo të pretendojë, se të tjerët kombe janë më të mirë, apo më të këqij, sepse e mira dhe e liga janë bashkudhëtare, madje edhe si koncepte filozofikë, në unitetin dhe luftën e të kundërtave. Këtu rrëfimet e Bashkimit, sikur e thërrasin të shumënjohurin Çehov, që diku thotë: “Shkrimtarët më të mirë, e tregojnë jetën ashtu siç është, por meqë çdo rresht i tyre përshkohet nga synimet që ata ndjekin, kur i lexon, gjen nën rreshta jetën si duhet të jetë dhe kjo ta rrëmben shpirtin”.

Merita e autorit të këtij libri të bukur e me vlera, është stili i të shkruarit, të shprehurit rrjedhshëm, shkurt, qartë dhe pa zbukurime të panevojshme. Kështu që, materiali përthithet shpejt, pa sforcim, madje edhe këndshëm. Dukuri kjo, që të bën ta nisësh dhe ta bitisësh deri në faqen e fundit, pa të shkuar mendja, se mund ta lesh përgjysmë, apo ta braktisësh dhe ta hedhësh në një qoshe. Megjithatë edhe kaq nuk mjafton, pasi lexuesi, në brendësi do të ndeshet edhe me plot rrëfenja të bukura dhe fjalë të urta, të gjetura nga thesari popullor dhe të vendosura enkas për të përforcuar çastin, idenë, mendimin, dëshirën dhe marrjen e vendimit, që është një pikë jete dhe vdekje, në mbijetesën e kurbetqarit. E gjitha kjo është një pasuri e shtuar, e ardhur nga përvoja shekullore, me vlera njohëse, por më së shumti praktike dhe edukative. Popujt kurdoherë kanë nxjerrë mësime, si nga sukseset, ca më shumë nga dështimet.

Lexuesi, qoftë edhe jo shumë i vëmendshëm, do të verë re disa tipare të përbashkëta që kanë popujt, sidomos fqinjët, si mikpritja, bujaria, nderimi për punën dhe njeriun e punës. Vetë heroi ynë, në një çast meditimi thotë: Këtu kuptuam dhe mësuam ç’është puna. Ai shprehet herë pas here, se në shenjë nderimi i thërrisnin “Dhaskale” (mësues), pasi e njohën, ç’zanat e ç’shkollë kish. Nuk ka nevojë të pyesim pse. Çuditërisht, vetë popujt, pa tubime dhe vendime, heshtur, kanë ujdisur sistemin e matjes për vlerësimin e çdo njeriu. Ata e kanë gjetur masën, që është puna dhe nderi, pa qenë nevoja të trokasin në Luvër të Parisit e të marrin etalonin e metrit, apo të peshës, për të vlerësuar cilin do prej nesh.

I huaji, madje edhe yti, nuk ta hap derën e shtëpisë, nuk të ul në tavolinë, nuk e afron pranë, një njeri dembel, hilanjoz dhe me vese. A e pyesim veten kur ndeshim njerëz të tillë të padobishëm, apo edhe të dëmshëm, si veprojmë? Pyetje, që s’kanë nevojë për shpjegim. Ky nderim dhe vlerësim për njerëzit që duam të mbajmë afër, lind kur ata kanë karakter të fortë, që nuk tundohet nga kënaqësitë dhe përfitimet e rastit, nuk tërhiqet nga besa për fjalën e dhënë, nuk e ndyn ndershmërinë, as në punë dhe as në marrëdhëniet me familjarët, komunitetin dhe paranë. Secili, lehtë mund të bëjë krahasimin me personazhe të tjerë, që përmenden jo rastësisht, ku njëkohësisht, nuk mungojnë edhe provokimet e shumta, për të provuar e besuar.

Unë, si cilido lexues, i vlerësoj këto gjetje, mbase më të bukurat, për një mësues të thekur dhe me kulturë të gjerë, ku në qendër të librit është mesazhi mësimor për jetën. Pikërisht atë mangësi, që nuk na e jep dot shkolla dhe klasa: Nderi, fjala dhe guximi për t’u përballur me jetën dhe për të dalë fitues.

Dikush mund të pyesë: Meqënse  libri ka formë ditari, ku është dialogu dhe personazhi negativ, më tej, ku është konflikti, që përbën shtyllën kurrizore të një libri, etj, etj. Besoj se cilido do të më kuptojë, kur t’u them se, përgjigjen e gjeni brenda nëpër faqet e tij, ku personazhet lëvizin, duken dhe zhduken sipas rastit, ndërsa konflikti aq i pritur, është i pranishëm që në nisje. Konflikt me rrethanat e kohës, me varfërinë të ulur këmbëkryq dhe me vetveten, për të marrë vendime. Shtyhemi më tej, konflikt me hajdutët, kriminelët, rojet dhe policinë e vendit ku shkon. Konflikt me mashtruesit, dallkaukët, shokët e paqëndrueshëm, të pabesët, mburracakët. Konflikt me të panjohurën dhe natyrën që nuk të përfill, me pasigurinë dhe të papriturat, me vendin fqinj dhe njerëzit aty. Lexuesi, në çdo faqe, do të ndjejë, dialogun me vetveten, me familjen që mungon, me bashkëvuajtësit, me njerëzit e zakonshëm dhe pronarët punëdhënës, etj.

Në këto pak radhë që po shkruaj, dua të theksoj se: nuk është reklamë të vesh në dukje gjërat e mira dhe të dobishme, që përbëjnë pasuri për këtë libër, por që bukurmirë, mund të përdoret nga mësuesit dhe prindërit, për t’ua rekomanduar nxënësve dhe fëmijëve. Pikërisht ky brez i ri, ka nevojë, më shumë se kushdo tjetër, të njihet me të vërtetat, që të afron jeta, të cilat duhen përballuar, jo duke u qarë, apo duke u lutur, por duke punuar, mësuar, vepruar, vrapuar e luftuar, duke mbajtur gjithmonë kokën lart.

Urime autorit, shkrimtarit dhe mësuesit të nderuar Bashkim Saliasi, për vepra të tjera po kaq të vyera e të dobishme për brezat.

Kadri Tarelli

Durrës më: 25, të shkurtit. 2018.

Shënim:

Vaso Papaj. Poezia “Si zogj”. Facebook. Datë. 22. 02. 2018. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora