E enjte, 01.10.2020, 08:13 AM (GMT+1)

Komente

Çamëri; Bashkitë greke, që ende flasin ... shqip

E shtune, 30.08.2008, 06:46 PM


Athina zyrtare vazhdon të shprehet se çështja çame nuk ekziston, por me një kërkim të thjeshtë në internet, mund të vëresh se ajo është mjaft mirë e dokumentuar. Faqet zyrtare të bashkive greke në rrethet e Thesprotisë dhe Prevezës, e mbarë Qarkut të Epirit. Në pjesën e historisë së tyre, këto bashki e komuna, jo vetëm që pranojnë ekzistencën e çamëve në ato troje, përpara vitit 1944, por në shumë raste pranojnë se çamët ishin shumicë dërrmuese.

Nga Ardit Bido

Mund të duket si imagjinatë, por në Çamëri ende sot, nën sundimin grek, jo vetëm që ka shqiptarë që flasim shqip, por disa bashki kanë shumicë shqiptarësh. Athina zyrtare vazhdon të shprehet se çështja çame nuk ekziston, por me një kërkim të thjeshtë në internet, mund të vëresh se ajo është mjaft mirë e dokumentuar. Faqet zyrtare të bashkive greke në rrethet e Thesprotisë dhe Prevezës, e mbarë Qarkut të Epirit. në pjesën e historisë së tyre, këto bashki e komuna, jo vetëm që pranojnë ekzistencën e çamëve në ato troje, përpara vitit 1944, por në shumë raste pranojnë se çamët ishin shumicë dërrmuese. Edhe pse me ton negativ ndaj shqiptarëve, të cilët i quajnë në shumë raste turko-çam, këto faqe pasqyrojnë në mënyrë të pakundërshtueshme elementin shqiptar që ka ekzistuar në Greqi.

Por jo vetëm çamët përbëjnë pjesë në historinë e këtyre trevave, edhe shqiptarët ortodoks kanë prezencën e tyre në sajtet e bashkive greke. Madje, në shumë raste ata “zhduken” krejt papritur përgjatë historisë. Në raste të tjera, në bashkitë ku sot fshatrat shqipfolëse përbëjnë shumicën e fshatrave të zonës, nuk ekziston asnjë faqe për historinë e zonave e as përkatësia gjuhësore e tyre.

Prania çame

Disa bashki e thonë qartë se kanë qenë të populluara nga popullsi shqiptare, si rasti i bashkisë së Parapotamosit (Varfanj), që është një nga shtatë baskitë e rrethit të Thesprotisë. Historia e kësaj bashkie nis “Parapotamos ishte e banuar nga turko-shqiptar mysliman deri në vitin 1944, të cilët u dëbuan nga rebelët (e për të cilët dihet se bashkëpunuan me pushtuesit). Zona u ripopullua nga refugjatë nga zona të tjera të Epirit dhe Greqisë”.

Por bashki të tjera duket se e kanë të vështirë të thonë përkatësinë e tyre përpara vitit 1944. Bashkia e Igumenicës (Gumenicës), qyteti kryesor në rrethin e Thesprotisë, përmend thjesht ekzistencën e çamëve në këtë zonë, pa thënë se sa ata përbënin. Por në të njëjtën kohë, bie në kontradiktë me vetveten, pasi në seksionin e historisë shkruhet se megjithëse “në bashki u vendosën refugjatë nga Azia e Vogël, që më përpara jetonin në Trakë, popullsia u zvogëlua nga 3566 banorë në vitin 1936, në 3.268 banorë në vitin 1951”. Ndërkohë që në të njëjtin paragraf shkruhet se “dëbimi i tyre (çamëve) pas çlirimit solli ndryshime dhe popullsi të reja nga zonat malore të Thesprotisë, por edhe pjesë të tjera të Greqisë, të cilët rritën numrin e popullsisë së Gumenicës”.

Ndërkohë, bashkia e Sajadhës, e përmend vetëm njëherë ekzistencën e çamëve, duke thënë se pas shkatërrimit të zonës gjatë Luftës së Dytë Botërore “nga viti 1950 me qendër pak shtëpi që ndërtoi shteti, u krijua një fshat i ri në afërsi të detit, në fushën, që kaloi nga duart e çamëve në duart e refugjatëve të tjerë nga Epiri”.

Ndërkohë, në rastin e fshatit Sivota (Murto), “zhdukja” e çamëve ndodh në mënyrë të çuditshme. “Në vitin 1850 në këtë fshat jetonin 40 familje turko-çame” – thotë në paragrafin e dytë, duke vazhduar – “Quhej Murto dhe emri kishte ardhur nga një taksidar që kontrollonte anijet e zonës. Sot, banohet nga grekë që zbritën nga fshatrat malore të Epirit”.

Studimet e Paramithisë: Shqiptarët, shumicë?

Më shumë me çështjen çame merret faqja zyrtare e baskisë së Paramithisë, në të cilën janë botuar një sërë studimesh, që sipas tyre, hedhin dritë mbi “gjenocidin e kryer” nga shqiptarët “nazistë”. Por, në këto studime, duket se dalin në dritë fakte interesante për praninë e shqiptarëve në Çamëri. Në një studim të hollësishëm të një autori grek, i cili del në konkluzionin se çamët s`kanë të drejta për të kërkuar pronat e tyre, ai nxjerr në pah se shqiptarët mysliman në këtë Çamëri ishin 1/3 e popullsisë, ndërkohë që ata ortodoks, sipas të vetmit numërim popullsie të kryer janë po 1/3 e popullsisë, duke lënë grekët në pakicë.

“Në vitin 1923 në Çamëri jetonin 20.139 mysliman që kishin si gjuhë amtare shqipen. Në vitin 1925 qeveria shqiptare deklaroi se numri i tyre ishte 25 mijë. Nga numërimi i popullsisë i vitit 1928, doli se në Epir jetonin 17.008 myslimanë shqipfolës. Në vitin 1938 u deklaruan 17.311 shqiptaro-mysliman në zonë. Ndërkohë që llogaritja e popullsisë të vitit 1940 nuk u përfundua por sipas një burimi ata ishin 16.661. ndërkohë, një tjetër burim, më i besueshëm deklaron se ata ishin 21-22 mijë. Në fund italianët llogaritën se në vitin 1941, në këtë zonë jetonin 26 mijë ortodoksë shqiptar dhe 28 mijë mysliman shqiptar, kundrejt 20 mijë grekëve.” – thotë autori, Jorgos Kristaqis.

Vlen të theksohet se numri total i popullsisë në zonën e Çamërisë në vitin 1923 ishte 61.000, sipas institutit grek të statistikave, 4.000 prej të cilëve ishin refugjatë grekë nga Azia e Vogël, 20.139, shqiptarë mysliman dhe pjesa tjetër shqiptarë dhe grekë ortodoks.

Shqiptarët e Konicës, që u bën turq

Por, në shumë raste bashkitë greke janë konfuze. Një herë i paraqesin myslimanët e zonave të tyre si shqiptarë, pastaj, shqiptarët zhduken në mënyrë të çuditshme dhe në vend të tyre dalin turq mysliman. Rasti më i mirë është ai i baskisë së Konicës, që në fillim thotë se shqiptarët myslimanë ishin shumica në këtë zonë e më pas se turqit u dëbuan dhe në vend të tyre erdhën grekë.

“Në shekujt e 17 dhe të 18, përhapet në zonë, nëpërmjet shqiptarëve të islamizuar, sekti i bektashinjve, që e gjen shumicën myslimane të Konicës të gatshëm për ta përqafuar.” – shkruan në seksionin e historisë, faqja zyrtare e baskisë së Konicës, por kur kalojnë vitet dhe shkojmë në shkëmbimin e popullsisë Greqi-Turqi, qëndrimi historik ndryshon dhe shqiptarët e “zhdukur”, kthehen në turq. “Pas shkëmbimit të popullsive, në vitin 1925, shumica e familjeve myslimane shkuan në Turqi dhe në vendin e tyre u vendosën banorë të Kapadokisë (nga Turqia e sotme)”.

“Zhdukja” e shqiptarëve të Janinës

Një tjetër zhdukje bëhet për shqiptarët e Janinës, të cilët në seksionin e historisë në faqen zyrtare të baskisë së qytetit, zënë një pjesë të rëndësishme të tekstit. Në këtë mënyrë, ata paraqiten për herë të parë, sipas faqes në vitin 1335, kur me ndihmën e pushtimit serb zbresin dhe kolonizojnë zonën. Më pas, ata kthehen në udhëheqës të Epirit, me Gjin Bue Shpatën dhe Gjin Zenebishtin, të cilët në faqe pranohet se janë shqiptarë.

Gjatë gjithë seksionit të historisë nga kjo periudhë e më tutje, fjala shqiptarë zë më shumë vend se fjala grekë, e gjithë kjo deri në vitin 1917. në këtë vit shkruhet “Në fundin e Luftës së Dytë Ballkanike, ushtria greke hynë në Janinë nga lindja, ndërkohë që italianët hyjnë nga perëndimi, në tentativë për t`i dhënë më shumë rëndësi shqiptarëve të zonës”. Më tej, fjala shqiptar, nuk përmendet në këtë seksion, në asnjë çast tjetër.

Shqipfolësit ortodoks, sot, në Çamëri

Por, ajo që është më e habitshme është ekzistenca e shqipfolësve sot në Çamëri, të cilët nuk identifikohen në këto faqe si arvanitas, apo çam, por si grekë. Dy baskitë, që sot kanë shumicë fshatrash shqipfolëse nuk kanë seksion historie. Bëhet fjalë për baskitë e Fanarit (Frarit) dhe Peridikës (Arpicës), të cilat, sipas komitetit grek të Helsinkit kanë shumicë shqipfolësish, që vetëdeklarohen grekë.

Por, bashkia e tretë me shumicë shqipfolësish, ajo e Thesprotikosë (Lelovës) ka një seksion historie, e cila edhe pse nuk ka seksion historie, lë të kuptohet mbi gjuhën që flitet në këtë zonë. Faqja zyrtare rreshton emrat zyrtare të fshatrave dhe emrat me të cilën iu thërrasin vendasit. Kështu, sipas faqes, fshatit Galatas (që në greqisht do të thotë shpërndarësi i qumështit), banorët i thërrasin Bulmet, fshatit Elea, i thërrasin Dara, fshatit Stefani, Ganxha dhe fshatit Thesprotiko, Lelovë. Për më tepër, shkruesit e sajtit na kërkojnë që të vizitojmë pjesë të rëndësishme kulturore tradicionale të zonës, si “Çuka Podgora”, “Vrima e Çaushit”, dhe vargmalin “Ballësi”, të gjitha të shkruara në shqip me alfabet grekë.

Sipas raportit të Komitetit Grek të Helsinkit, sot në zonën e Çamërisë, ekzistojnë tre bashki me shumicë shqipfolëse dhe dy të tjera me pakicë shqipfolëse, të gjithë ortodoksë, që deklarohen grekë. Zona e Çamërisë është e ndarë në dy rrethe (Thesprotia dhe Preveza) dhe në 17 bashki e komuna, prej të cilave 9 nuk kanë faqe zyrtare dhe 6 pranojnë ekzistencën e popullsisë çame në trojet e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora