E shtune, 27.04.2024, 01:41 AM (GMT+1)

Mendime

Berat Buzhala: Arsyetimet grumbulluq te Veton Surroit

E shtune, 30.08.2008, 02:59 PM


Berat Buzhala
Arsyetimet grumbulluq te Veton Surroit
 
Nga Berat Buzhala
berat.buzhala@gazetaexpress.com

Nuk kuptoj pse disa shtete që nuk na kanë njohur pavarësinë i kemi më miq se disa të tjera që nuk na kanë njohur. Pra, pse disa mosnjohje janë më vëllazërore se disa të tjera? Ose, pse disa shtete i arsyetojmë e disa të tjera jo?

Nuk di në se në të drejtën ndërkombëtare publike ekziston ndonjë stad i shteteve që e kanë ndërmend të të njohin. Ose shteteve që kanë dëshirë të të njohin, por kurrë nuk e bëjnë këtë gjë. Mua barabarësisht e hidhur më duket edhe mosnjohja e Indisë, edhe ajo e Arabisë Saudite, e edhe ajo e Brazilit. Qeveria e Kosovës për mungesë lobimi mund të fajësohet me të njëjtën masë si për Amerikë Latine, si për Azi ashtu edhe për Afrikë. Pajtohem se luftë nuk duhet t’u shpallim shteteve që nuk po na njohin, por nuk pajtohem që gjithë energjinë e lobimit ta shtjerrim në një kontinent, ose në një grupshtetesh të caktuara, sa do që indikacionet janë të qarta se nuk po funksionon diçka. Në rastin e vendeve arabe, profesorët e nderuar arabë e thanë se vendeve të tyre palla nuk u ha në se kultura jonë religjioze puqet diku me kulturën e tyre. Interesat shtetërore, thanë ata, janë përpara religjionit. Në se qenka kështu dhe në se aduti ynë i vetëm i një lidhjeje me këto shtete ka qenë religjioni, atëherë a ka mundësi që politika jonë e mëtutjeshme ndaj këtyre vendeve të jetë më selektive. Përpara se të merremi me një kontinent, a një gadishull, institucionet e vendit do të bënin mirë që ta bënin një hartë të tyre, ku do të gjendeshin vetëm vendet që do të thyheshin më lehtë. Vende këto që nuk kanë probleme me grupe separatiste. Tash ne do të mund ta çonim Ministrin Skënder Hyseni në Gjeorgji të qëndrojë deri në fund të mandatit të tij, ama lajm pozitiv prej atij vendi nuk do të mund të na sjellë, edhe përkundër faktit se ky vend është ndër më proamerikanët në botë. Ambient të tillë të papërshtatshëm do të hasim edhe në të gjitha vendet aziatike që kufizohen me Rusinë. E gjithashtu do të ishte vështirë e imagjinueshme që t’ua thyenim zemrën as popujve arabë, që jetojnë në territorin afrikan. Maroko, Sudani, Algjeria në se do ta njihnin pavarësinë e Kosovës do të ballafaqoheshin po të njëjtën ditë me kërkesa të brendshme, të të njëjtës natyrë. Pas shteteve me probleme të brendshme, nga harta jonë e lobimit do të duhej të fshiheshin për një kohë të caktuar të gjitha ato vende, që tash për tash nuk kanë disponim properëndimor. Kjo listë shtetesh nuk është aspak e vogël. Irani, Venezuela, Nikaragua, Korea Veriore, Burma dhe vende të tjera të ngjashme, do të mund të futeshin në ketë shportë.

Marrë parasysh shumësinë e specifikave dhe interesave mbi të cilat funksionojnë shtetet, është naive të pretendohet për njohje “en block”. Pra, është naive të mendohet se Liga Arabe ose Konferenca Islamike janë terrenet më të përshtatshme për ta zgjeruar përnjëherësh listën e shteteve që na kanë njohur. Ky abstenim i këtyre shteteve nuk duhet ta dëshpërojë askënd, që rastësisht ose qëllimshëm i takon të njëjtit religjion me ta. Me këto vende mund të na lidhin 100 fije, por që të gjitha bashkë mund të jenë të pamjaftueshme. Në paraqitjen e tij në Konferencën “Kosova dhe Bota Arabe”, Veton Surroi tha se me vendet arabe përputhemi në katër pika. E vërtetë, por për disa prej këtyre vendeve, të gjitha këto lidhje tonat, janë shumë simbolike dhe historike, krahasuar me lidhjet konkrete dhe aktuale që ato mund t’i kenë me disa vende të tjera. Çfarëdo lidhje jona me Sirinë është e zbehtë krahasuar me lidhjet që ky vend ka me Rusinë. Arsyetimi i Surroit, pos tjerash, ishte i bërë grumbulluq. Ai thoshte se tradicionalisht jemi bukur shumë të lidhur me vendet arabe, e në anën tjetër akuzonte institucionet se përse kanë pritur që këto vende do të na njohin me automatizëm. Në se lidhjet i paskemi kaq të ngjeshura, pse të mos prisnim? Turqia, për shembull, i realizoi pritjet tona. Pritjet për njohje kanë dalë të sakta shumicën e herëve. Po besoj se Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi me të drejtë kanë pritur në mbështetjen e pa kusht të vendeve arabe, sepse kanë konsideruar se me ta kemi më shumë afërsi, se sa për shembull kemi me Kolumbinë ose Belizen.

Kur pritjet janë të mëdha, edhe zhgënjimi është i madh. Prandaj, për shkak të këtyre komplikimeve, që asnjë lidhje me religjionin nuk e kanë, qytetarët e Kosovës nuk duhet as të dëshpërohen e as të entuziazmohen me përkatësinë e tyre religjioze. Për pavarësinë e Kosovës nuk flitet as në Kuran e as në Bibël. Në se qenka kështu, atëherë mos të përzihen interesat shtetërore me përcaktimin fetar. Nuk e besoj që religjioni këtu është ruajtur as për hatër të Eritresë, Mauritanisë, Sudanit, Sirisë, ose kujtdo tjetër. Këto dy gjëra duhet të pastrohen. Ne kemi të drejtë të zhgënjehemi në vendet islame që nuk po na njohin, por kjo nuk ka nevojë ta afektojë në asnjë formë as Bashkësinë Islame, e askënd tjetër që i takon këtij religjioni. Por, në anën tjetër, kjo nuk na jep as të drejtë që të bëhemi mburojë amnistuese për ketë pjesë të kontinentit.

U befasova shumë, edhe me njeriun e parë të Bashkësisë Islame, z. Naim Tërnava, ku në një takim me profesorët arabë, u tregonte atyre se këtu paska pasur luftë dhe se Kosova ka qenë e okupuar nga Serbia. Pse ku paska qenë bota arabe në 20 vjetet e fundit? A nuk kanë lexuar gazetë, e as parë televizion gjatë kësaj periudhe kohore? Apo, mos rastësisht gjatë kësaj periudhe kohore ajo botë ka flirtuar me armikun tonë më të madh? Me lejoni t’ua kujtoj letrat e dashurisë që Kryetari/Mbreti i Libisë Moamer Gadafi ia dërgonte kasapit serb, Slobodan Milosevic, dhe letrat qortuese që ia dërgonte liderit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Të parin e inkurajonte për të vazhduar trysninë për të bindur separatistët, me kusht edhe të përdorimit të dhunës, ndërsa të dytit i thoshte ule kokën dhe respektoje shtetin tënd - Serbinë. Gadafi edhe më tutje është pjesë e Konferencës Islamike dhe Ligës Arabe. I njëjti person, me po aq pasion demonstron dashurinë e tij ndaj vendeve sllave – me theks të veçantë Serbisë. Diçka ngjashëm i shkruante Milosevicit edhe tashmë i ndjeri Sadam Hyseni. Sigurisht në kanale tjera letra në adresë të Beogradit kanë nisur edhe Siria, Sudani, e kushedi se kush tjetër.
Pra, problemi është te ballafaqimi për herë të parë me të vërtetën. E ajo është se ne kemi qenë të lajthitur për kohë të gjatë sa i përket vëllazërisë me vendet arabe. Kjo vëllazëri ka qenë vetëm një konstrukt mendor, në kokën tonë. Kemi dashur të besojmë se kur të vije momenti i duhur këta diktatorë do të na zgjasin dorën e mëshirës, e cila nuk ekziston. Sa i përket dashurisë religjioze që vendet islame kanë për njëra tjetrën, dhe solidaritetin që ato e tregojnë për njëra-tjetrën, po e përmend vetëm Çeçeninë. Forcat ruse gjatë viteve ’90, e besa edhe sot e kësaj dite, i kanë vrarë rreth 20 për qind të popullatës dhe i kanë përzënë edhe nja 20 për qind të tjerë, askush prej botës islame, nuk i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë fuqi. Madje, gjatë kësaj kohe vetëm sa i kanë forcuar raportet. A nuk ka ndodhur ngjashëm edhe gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. A nuk i vranë forcat serbe mbi 100 mijë myslimanë. Kush prej botës islame i shkëputi raportet me Serbinë? Askush.

Që të jemi të sinqertë deri në pikën e fundit, të vetmet grupacione që janë kujdesur për mirëqenien e vëllazërisë islame, janë grupet që aktualisht konsiderohen si terroriste. Edhe në Bosnjë edhe në Çeçeni, kanë qenë forcat e xhihadit, që më aq sa kanë mundur dhe me aq sa kanë ditur, kanë provuar pa sukses t’u vijnë në ndihmë vëllezërve fetarë që po masakroheshin prej të “pafeve”. Këto forca terroriste, sot përndiqen fuqishëm prej shumicës së vendeve që participojnë në Konferencën Islamike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora