E shtune, 27.04.2024, 12:35 AM (GMT+1)

Mendime

Dukagjin Hata: Kostumi që i rri ngushtë Kanunit

E diele, 18.09.2016, 01:13 PM


Kostumi që i rri ngushtë Kanunit dhe traditës

Nga Dukagjin HATA

Arkitipi i keqbërjes dhe krimit, si pasojë e devijimeve dhe çrregullimeve të personalitetit, kushtëzohet nga shumë faktorë, qofshin socialë, kulturorë, ekonomikë, gjenetikë e të tjerë, qofshin të lindura në rrethana të kushtëzuara në faza të caktuara të jetës së njeriut. Por hakmarrja dhe gjakmarrja, si produkt kolektiv i një shoqërie, e kushtëzuar nga Kanuni dhe e ligjeruar në mbijetesën e maleve tona, ka të bëjë me mungesën e gjatë të shtetit në shoqërinë shqiptare. Kjo mungesë është ezauruar me anë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kanunit të Skënderbeut, Kanunit të Dibrës, Kanunit të Papa Zhulit (në disa treva të jugut të vendit) si dhe disa lloj ligjësish të mishëruara në besëlidhje, karare e itifaqe, që kanë rregulluar bashkëjetesën e njerëzve në komunitet.

Në kohën e funksionimit të shtetit, qoftë dhe një funksionim i mangut e me një problematikë të mprehtë si ky i yni, Kanuni duhet të kishte vetëm vlera muzeale. Mbijetesa e Kanunit në Shqipëri, edhe në kushtet e funksionimit të shtetit dhe institucioneve, ka të bëjë me qasjen e grupeve kriminale ndaj traditës, për të   gjetur tek disa elementë të saj, strehë për vrasjet, trafiqet dhe keqbërjen e tyre.

Nevoja e bandave dhe grupeve kriminale për t’u mbështetur tek Kanuni ka qenë një nevojë e ngutshme, por ky nuk ka qenë një kanun real, por një kanun i modifikuar, sipas nevojës së tyre për të mbijetuar në terrenin e vështirë shqiptar.

Periudha tranzitive në Shqipëri, përveç zgjimit të energjive dhe resurseve të fjetura, të ndrydhura apo të keqpërdorura dikur të individit shqiptar, riaktivizoi të gjitha negativitetet e traditës, që iu kanë shërbyer dhe iu shërbejnë grupimeve të caktuara sociale dhe klaneve të aferave të ndryshme, për të mbijetuar në errësirën e botës së krimit dhe të devijimeve të tjera të arketipit social. Starti i lirisë në Shqipëri u projektua dhe funksionoi si start i më të "fortëve", jashtë të gjitha skemave, formulimeve dhe rregullave institucionale, kodeve morale dhe atyre shpirtërore, që kanë në themel demokracinë e brendshme të individit dhe të shoqërisë, të vetëdijshëm për atë se çfarë kërkojnë të bëjnë në një stad të caktuar të mbijetesës së tyre. Një nga kodet më të keqpërdorura të kësaj tradite, siç e thamë, është Kanuni, simbolika konstitucionale e të cilit, e vlefshme në kohën kur mungonte shteti, po shndërrohet në një mjet ndëshkimi në luftën e egër të bandave të armatosura dhe elementëve të vetëpenalizuar në zeje kriminale, edhe tani, në kushtet e funksionimit të shtetit dhe të luftës së tij për të bllokuar botën e krimit. Në zonat ku kanuni ka vepruar si një rregullator i brendshëm i jetës së fisit, veçanërisht në Veri të vendit dhe në disa zona rurale të tjera, po shfaqet dukuria e shndërrimit të tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të shoqërisë shqiptare. Por jo vetëm në këto zona. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret të "së drejtës", e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra, duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit. Kështu, me anë të një kanuni të ri, lahen hesapet dhe qërohen llogaritë midis grupeve e bandave rivale, midis familjeve e fiseve mafioze, për interesa jashtëkanunore, që lidhen me aspekte të errëta të botës së trafiqeve, drogës, vrasjeve seriale, etj. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshtatur kështu kostumin kanunor të traditës, këtë relike që ka vetëm vlera muzeale, - dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, - sipas qepjes së re të mafies.

Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion " larje hesapesh". Bie fjala, në rrethin e Tropojës, janë me qindra të vrarët në emër të këtij kanuni të ri, absurd, ku mpleksen të gjitha fijet e krimit të rëndomtë dhe atij të organizuar, me të gjitha prapavijat e hapura dhe të fshehta të segmenteve dhe klaneve mafioze, që menaxhojnë me "duar të pastra" këtë "rreth fatal". Po kështu, në këtë "rreth fatal" të kësaj psikoze të re kanunore, janë shenjuar qindra viktima në Fushë Krujë, Mat, Vlorë, Fier, Berat, etj duke na kujtuar çdo ditë, se jetojmë në një vend ku jeta e njeriut vlen pak, shumë pak, aq sa ç´vlen një fjalë e lëshuar qesim ose një biletë e prerë për në parajsën e bardhë të drogës e të skemave të tjera mafioze.

Sot shumë krime që lidhen me luftën e trafikantëve të drogës dhe femrave i faturohen Kanunit, por për ç’Kanun bëhet fjalë kur në themel të këtij Kanuni aplikohet ligji i moscënimit të askujt për çfarëdo shkak apo arsye?! Bandat vrasin për llogari të tyre, cënojnë jetën e njerëzve, të fëmijëve dhe femrave, vrasin dhe përçudnojnë kufomën (të gjitha këto në kundërshtim flagrant me Kanunin) dhe e gjithë kjo jo se nuk kuptohet prejt tyre se është një devijim i skajshëm ndaj Kryedokumentit historik të së drejtës, por ashtu iu intereson t’i paraqesin motivimet e tyre kriminale, nën projeksionin e një tradite të cënuar e të marrë peng në mënyrën më cinike të mundshme.

Sot kur oferta e dyerve të Brukselit për Shqipërinë është më afër se kurrë, duket paradoksale dhe anakronike që fëmijë e gra në disa treva të veriut shqiptarë qëndrojnë të ngujuar nga frika e gjaksve, që fëmijët e familjeve në gjak nuk shkojnë në shkollë nga frika e hakmarrjes dhe gjakmarrjes, që familjarët në gjak nuk mund të punojnë tokat e tyre, duke rrezikuar familjet të vdesin nga uria, në kundërshtim me frymën e çdo mendësie kanunore në Shqipëri. Ky  ngërç i gjatë kriminal, ky oktopod gjigand, po mban peng rendin, stabilitetin social dhe pritshmëritë e shqiptarëve drejt BE-së. Rivaliteti mes bandave e grupeve krimnale për trafiqe droge, femrash etj, po kthehet në një përditshmëri të sëmurë shqiptare, e shoqëruar me përplasje, vrasje, inidicie dhe pasoja të rënda të veprimit të botës së krimit mbi shoqërinë shqiptare, duke ia faturuar të gjitha këto «mëkate» Kanunit.

Cinizimi dhe pafytyrësia e këtyre keqbërësve arrin deri atje sa të përfshijë në këtë soj «larje hesapesh», me anë të Kanunit, dhe individë që bëjnë punën e shtetit, qofshin në sektorët e antikrimit, qofshin në zyrat e shtetit ku iu jepet drejtim punëve të kësaj shoqërie.

Para disa kohësh, u dorëhoq nga policia efektivi i komisariatit të Rrëshenit Aranit Dedaj, i kërcënuar nga një trafikant me dy emra, ish funksionar i lartë i pushtetit vendor në  Mirditë. I akuzuar për mbjellje në sipërfaqe të mëdha dhe trafikim të lëndëve narkotike, ky person arriti ta kërcënonte punonjësin e policisë A. Dedaj brenda në ndërtesën e komisariatit si dhe në gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë, duke e quajtur atë fajtor për arrestimin e tij. Lënia nga Gjykata e Apelit në «gjendje të lirë» e këtij kultivuesi dhe trafikanti, i dha mundësinë këtij të fundit që të përndjekë ish oficerin e përkushtuar A. D, të cilin e akuzon me anë të «Kanunit» se i paska borxh!

Baronët e krimit, hakmarrjes dhe gjakmarrjes kanë kthyer vendin e shqiponjave në një tokë të rivalitetit të botës së keqbërjes, hashashit dhe krimit, duke e zhvendosur oferën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kalendat greke.  Bota e krimit ordiner dhe atij të organizuar lyp që t’i vesh Kanunit dhe traditës një kostum moderniteti, por ky kostum iu rri atyre aq ngushtë, sa çdo përpjekje e tyre në këtë drejtim duket absurde dhe groteske.

Si pasojë e gjithë kësaj, hakmarrja dhe gjakmarrja në disa treva shqiptare ndodhin me një përpikmëri logaritmike, si vdekje të paralajmëruara nga bota e krimit dhe të pandëshkuara nga institucionet e shtetit dhe të së drejtës.

Shoqëria shqiptare, tejet e lodhur nga kjo histori, veçabnërisht familjet e përndjekura nga hijet e frikës së ndëshkimit dhe hakmarrjes, familjet në gjak dhe të ngujuara nga frika e krimit, apelon që më në fund të bllokohet nga shteti ky dimension antishoqëror me pasoja të rënda sociale, ekonomike e humane, të ndërpritet ky makth keqbërje e krimi pa alibi, që po e çon Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet kjo aferë vdekjeje që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë rendin dhe stabilitetin qytetar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora