E enjte, 18.08.2022, 02:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Valentina Dafa: Pasaporta e pasjetës e Fehmi Korçës

E marte, 21.06.2016, 08:31 PM


Poezia - Pasaporta e pasjetës e Fehmi Korçës

Nga Valentina Dafa

Koha dyvjeçare e ngjizjes së vëllimit poetik “ Përtej poleve të jetës” dhe përfshirja në veprimtaritë kulturore (Gjermani- Shqipëri- Kosovë) na bëri të kuptojmë, se Fehmi Korça filloi të mendojë, se krijimtaria artistike ishte leva e Arkimedit për të mbushur shpirtin me një tjetër frymë, duke u ushqyer me art. Ai diti që me fjalën të përcjellë përvojën e qenies në trajektoren ekzistenciale që përshkon shtegtimin në kohë dhe në hapësirë,  ai diti t`i shpërthejë matricat e brendisë shpirtërore që përplaseshin për sfidë.

Në fizionominë e krijimtarisë së tij, s`kemi të bëjmë me një rrjedhë të ekuilibruar në prurje, por me vrulle klithmash që ndërtonin dhe përsosnin unin e tij në art, unin lirik, që tashmë po dukej qartë, duke u larguar gjithmonë e më shumë krijimtarisë formale dhe përsiatjeve. Në vëllimin e parë “ Nuk jam larg” dukeshin rrënjët e brishta të krijimtarisë, një krijim i kërkuar që s`kishte të bënte me dhunti, po me mendim të kultivuar sipas rrethanave jetësore, pra, thjesht poezi e rrethanave.

Ndërsa në këtë vëllim i ndeshim më të përzgjedhura ekstraktet jetësore, ndeshim motive reale, të cilat trajtojnë aspekte të ndryshme sociale, historike...të shprehura shumë thjesht, ndaj dhe rryma lirike e F. Korçës bëhet tërheqëse e gjithëpërfshirëse. Ndeshim një poezi pothuaj të arrirë, poezi me bosht rreth së cilës ndërthuren këndshëm gjithë elementet e  krijimit poetik.

Rrafshet ku shtrihen vargëzimet e këtij vëllimi janë:

1-Uni integrues i ndërthurur, integrim social dhe integrim në krijimtari

2-Perceptimi i mërgimtarit për marrëdhëniet historike të kombit, dedikime - vlerësimi i ikonave që përndritën me veprën e tyre faqet e historisë, ku ndihet thekshëm respekti dhe përulësia ndaj tyre,  raportet e autorit me shoqërinë, vendlindjen, vetveten etje.

3-Nyja familjare – sofra në të cilën shtjellon frymën – shpirtin rrjedh ndër rebuse në të tre ciklet e vëllimit, por shtjellohet ndryshe në ciklin e tretë “ Fytyra jote – portreti im”

Me tragjizmin dhe dramatizmin e jetës që jetoi dhe historisë së përgjakur të kombit, poezia e F. Korçës përmblidhet rreth dy cikleve të titulluara “ Ecja ime” dhe “ Kënga e shkrepave”, në të cilat ndihet rebelizmi i të riut, vuajtja, dhimbja, malli, ëndrra largpamëse dhe çfarë është  më e ndjeshme krenaria e genit të tij, e kombësisë shqiptare, e ikonave - simbol i kujtesës për të rrëfyer në çdo sofër  legjendat që firmosën.

Poezia “Ecja ime” që i jep titullin ciklit të parë, është kuptimplote, shtreson në pak rreshta filozofinë e ecjes së individit në përfshirjen shpirtërore, ku bota zvogëlohet sa një frazë...

“Eci

Fishkëllej,
hapat janë dirigjimi im

Bota
është vetëm një frazë…”

Tek kjo poezi ka një skalitje plot finesë, një përzgjedhje të leksikut që të ngërthen në emocion me peshën e fjalës për të përmbushur misionin poetik në aq pak rreshta, por ndërkohë edhe misionin e qenies njerëzore.

Apeli që vjen prej thirrjeve - klithma dhe premtimeve në vargjet e F.Korçës hiperbolizohet, duke kaluar nga njëra poezi në tjetrën, duke ngritur të shenjtëruar kultin e atdheut, tiparet interesante të Kosovës, vendlindjes rreth së cilës cilido shpreson të dëgjojë fillimin e një epoke paqësore, e epokës së ëndrrës, epokës së njeriut plot dije dhe urti që kërkon të përcjellë vlerat universale të jetës.

Është apeli i mallit – bërthama e oazit, ku autori është tejet produktiv, pa njohur parametra, duke na e sjellë të plotë ngarkesën kuptimore të fjalës në raport me peshën emotive.

Mjaft ardhja e një stileme dhe gjithçka i kthehet në materie, madje dhe gurët, dhe lulet, dhe zogjtë... ai i quante shtëpi të vetën, çdo rrugicë, çdo portë, çdo sofër, çdo pemë..., ku takonte njerëz bujarë dhe të mençëm që ditën të shkruajnë historinë dhe të rindërtojnë jetën me motivin e ardhmërisë.

“ lulet janë vyshkur atje larg

Në pafajësinë e tyre”

“Murlani i jetës”

“Përtej poleve...

Mbeta zog i dhimbjeve”

Zog i dhimbjeve”

“Do kapërcej çdo prag

e t`i puth shtigjet me petale të bardha

ku jeta i fshehu për të ruajtur ëndrrën”

“Nëse”
Në të tria poezitë e shkëputura, rendita një përshkallëzim mendimi, ku ndihen notat  e mallit përkëdhelëse, përherë nën tinguj trishtimi, por me një forcë mbizotëruese të kapërcimit për prekjen e ëndrrës, për kthimin në atdhe, për të mos mbetur

“ përtej poleve/ zog i dhimbjeve”.

Cikli “ Kënga e shkrepave” me tematikë përgjithësisht historike,  vjen përmes dedikimeve për figurat e shquara që i dhanë emër kombit me zërin e tyre, në luftë e në art.

Ai shkruan:

”... kërkoj qetësinë e shpirtit,
nën fletë manushaqesh,

nën epitafe.

“Atje”

ose

“Jemi historia jonë pa urrejtje,…” ; “Ishim dhe jemi zakoni i maleve, / aty  ku krahë merr besa…”. Përzgjedhja sintagmatike, raporti që vendoset midis historisë, etnokulturës – zakon i maleve,  personifikimi i brezit me përemrin në shumës, shpreh më së miri vlerësimin, krenarinë si dhe premtimin postulat përmes vargjeve  për vazhdimësinë.

Lirikat familjare janë në brendi të krijimtarisë së autorit. Nëse në vëllimin e parë “ Nuk jam larg”  poezia – himn e tij do të mbetej “ Në ikjen pa kthim” dedikuar babait të tij, tek ky vëllim  vjen nëna - ikona për përcjelljen e mirësisë, paqes, nipi si trashëgimtarë, si dhe e dashura e shpirtit si himn i jetës deri në amshim.

Dua ta shohë botën me sytë e nënës

Dua jetës t`i jap kuptim me ndjesinë e saj

“Nënës”

Dashuria është e bekuar

kështu do të jetë deri në amshim

Ngase...

Fytyra jote është potreti im.

“ Potreti yt”

Cikli : “Fytyra jote - portreti im” ka bukuri, sensualitet, në fokus është dashuria dhe bashkëshoqërimi me të, në çdo hap të jetës. Autori diti t`i ngrejë monument, himn imazhit të femrës, qoftë vetëm me këtë varg sublim, si simbol i përkryer i forcës

shpirtërore, i forcës morale, i krenarisë së familjes. Përherë dashuria është një shlyerje, është zemra e dritës për jetën, është fryma – shpirti deri në amshim.

Ky vëllim është kaleidoskop ndjenjësor në prizmat e të cilit përthyhen ëndrra dhe trishtime, krenari dhe dhimbje, brenga dhe malle, të gjitha të shprehura nëpërmjet figurave stilistikore që

diku – diku sporadike, po me gjetje interesante që të mbeten në mendje.

Atëherë, kur  shpirti i baltës dhe shpirti i qenies merr trajtën unike, kupton rëndësinë e të shkuarës që vjen me kujtesën. Lidhur me këtë, kujtoj një thënie të mençur të R. Emerson: "Shënoni diçka aty për aty: një shënim vlen sa një barrë kujtimesh"

Pikërisht, këtë e bëri poeti Fehmi Korça me vargjet e tij të përditshme, të cilat sot i kemi të përmbledhura në vëllimin

“ Përtej poleve të jetës” që do të mbetet epitafi i zemrës së tij, epitaf për zemrën e tij, për ikjen pa kthim, duke na lënë poezinë si pasaportë të pasjetës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora