Kulturë
Kozma Dushi: Skena ka emocione dhe zhgënjime
E diele, 03.08.2008, 12:54 PM
Kozma Dushi: Tranzicioni ndërroi llogoret, “luftëtarët” i nxorën në hije, ata të hijeve të luftës dolën në tribuna.
Kozma Dushi
Skena ka emocione dhe zhgënjime
Nga Albert Zholi
Një tip i qetë, babaxhan, si vetë fjala që ai e përdor shumë babuç. Në bisedë flet ngadalë dhe fjalët i shqipton me dialektin beratas me plot gojën. Edhe kur bisedon, duket sikur mendjen e ka tek kënga, mbasi edhe mes shokësh pjesën dërrmuese të bisedës për atë e zhvillon. Vendlindjen, Beratin e gurtë, e ka si planet jetësor që i zgjon kujtime dhe i jep forcë dhe siguri në rrugën e bukur të këngës. Ndoshta përbën një rekord në skenën e festivaleve të RTSH, por që fati asnjëherë nuk i ka buzëqeshur për të marrë një çmim të parë edhe pse këngëtt e tij kanë marrë duartrokitje të zjarrta. Psenë ende s’po e kupton. Eshtë kundër albumeve, pasi ato i quan humbje kohe, apo dëshira të atyre që duan ta gjenjë rrugën e pahapur të këngës, që të tërheqin vëmëndjen, atë të cilën ai e ka arritur që në të ri të tij. I pëlqen deti dhe natyra e qetë, pasi ashtu është dhe vetë në jetë, një
det i qetë, në pragmbrëmjet pranverore.
Si është lidhur me skenën Kozma Dushi dhe sa ka ndikuar vendlindja në këtë udhë?
Jam nga qyteti i bukur i Beratit. Qytetit të gurtë, të dritareve të shumta, të dashuruar marrëzisht me këngën. Qytet i njohur që në lashtësi, si vend i qytetëruar, ku bota e sotme i kthen sytë me kureshtje, respekt, habi. Pra, ky qytet më fali zërin. Jam aktivizuar me shtëpinë e pionierit që ishte në ato vite. Kam punuar në estradën profesioniste të Beratit. Kam mbaruar shkollën e mesme për zotekni- veterineri. Pastaj fitova të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve. Jeta ime në qytetin e Beratit është mbushur me aktivitete dhe mbresa të pashlyeshme. Eshtë një qytet me tradita, ku në çdo kohë mëson diçka të re. Për këtë qytet janë thurrur dhe thuren legjenda dhe nga zemra e tij kanë dalë intelektualë potencialë. Vetëm të ngrihesh në mëngjes dhe të shohësh madhështinë e kalasë, merr me vete, besim, forcë, dëshirë për të jetuar, emocion që të relakson.
Ju lidhin kaq shumë gjëra me Beratin. Si jeni ndjerë ditën kur po largoheshit dhe keni konkuruar në Insitutin e Arteve?
Emocionet janë të padiskutueshme. Ishin emocione të dyfishta. Emocioni i largimit dhe ai i konkurimit. Edhe pse kisha dalë në skenë para se të konkuroja, sërishmi provimi ngelet provim. Para komisionit të gjithë kanë emocione, aq më tepër kur bëhet fjalë për anën profesionale dhe je përballë pedagogëve me përvojë. Kur më thanë se më doli e drejta e studimit dhe fitova konkursin ndjeva një lehtësim në shpirt.
Në ç’vit mbaruat Institutin e Arteve dhe ku shkuat më vonë?
Unë mbarova Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1984. Pra atë vit mora dipllomën. U punësova në Ansamblin e Shtetit në vitin 1985, ku këndoja dhe më parë. Në atë kohë, në Ansambël ishin këngëtarë shumë të njohur dhe që ende dhe sot janë potentë si Irma Libohova, Ema Qazimi, Luan Zhegu e të tjerë dhe aktorë si Vasillaq Vangjeli. Pra mes këngëtarëve dhe artistëve të tillë potentë kishe se çfarë të mirrje dhe çfarë eksperiencash të shkëmbeje.
Kur keni marrë pjesë për herë të parë në festivalet e RTSH?
Në festivalin e 15 në Radio Televizion. Këtu zë fill rrugëtimi im në skenën më të bukur, atë të festivaleve më prestigjioze por dhe më ankthndjellëse. Ishte momneti më i veçantë në jetën skenike. Aty vuloset e ardhmja e çdo këngëtari. Në skena të tilla prestigjioze duhet të jesh dinjitoz. Dështimi në raste të tilla ti heq shanset për të ardhmen. Eshtë shumë e vështirë të ngjitesh sërishmi aty ku ke humbur radhën e parë. Fati dhe zëri ishin me mua. Zëri atë ditë nuk më tradhëtoi. Ai doli i plotë me gjithë madhështinë e tij. Gjoksi sa po s’më dilte nga vendi. Ishte moment që e kujtoj gjithmonë me nostalgji. Isha shumë i ri.
Përse ankthndjellëse?
Eshtë një e vërtetë. Synimi i çdo këngëtari është të marrë çmim. Tendenca gjithmonë është për çmim të parë. Kjo është dëshira dhe ambicja e çdo këngëtari që e bën këngën pjesë të jetës. Kur jepen çmimet, pret, pret. Jepen çmimet e treta, të dyta dhe ja të parat. Nuk shpërblehesh. Stepesh, pezmatohesh i thërret vetes në kujtesë për të sjellë gabimet, pasaktësitë. Por mendon edhe për jurinë. Elementë....
Duke udhëtuar gjatë në skenën e festivalevele, a ke marrë ndonjë çmim të parë?
Çmim të parë nuk kam marrë. Në vitin 1979, mora çmim me një këngë të kompozuar nga Avni Mula dhe me tekst të Alfons Zuriqit nga Elbasani. Për mua kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse unë e kam shpirtin tek kënga. Rëndësi ka pasur se në këtë skenë kam njohur këngëtarë të tjerë të mëdhenj që më përkrahën dhe diskutonim lirshëm për këngën. Njohje të tilla të bëjnë të sigurt. Unë kam shumë respekt për këngëtarët e mëdhenj që kam arritur të njohë në këtë skenë si Alida Hisku, Vaçe Zela, Tonin Tërshana. Kam kënduar me ta dhe jam ndjerë mirë që kënga jonë ka dhënë gëzim në çdo familje.
Gjatë gjithë karierës suaj në skenë, cilat ditë do të veçonit?
Ditë të bukura unë kam shumë, por kam edhe të këqija, sepse nuk më kanë vlerësuar asnjëherë ashtu siç duhet. Ka pas këngëtarë që kanë ikur pa gjurmë dhe kanë marrë çmim të parë.
Zakonisht me kë bashkpunon Kozmai?
Në kohën e demokracisë më shumë bashkëpunime kam pasur me Luan Zhegun, Arben Dukën, dhe me Jorgo Papingjin. Në vitet e sistemit komunist kam bashkëpunuar me kompozitor të ndryshëm si me Aleksandër Peçin, Tish Dahinë, Alfons Ballicin, Agim Prodanin dhe shumë të tjerë. Pra, kështu janë formuar lidhjet. Vijnë vetiu. Këngëtari, kompozitori, autori i tekstit gjejnë njeri tjetrin në mënyrë të natyrshme. Pra janë disa këngë që nuk mund ti veçoj.
Shihet se muzika e lehtë shqiptare sot është e deformuar, dalin këngëtarë të rinj të cilët për tu njohur sa më shpejt e deformojnë këtë muzikë, kush është mendimi juaj për këtë?
Kanë dalë shumë këngëtarë të rinj që e kanë deformuar muzikën e lehtë shqiptare dhe për 17 vjet këngëtarët e vjetër po rrinë në hije. Tranzicioni ndërroi llogoret. “Luftëtarët” i nxorën në hije, ata të hijeve të luftës dolën në tribuna. Eshtë shumë e çuditshme në këtë tranzicion. Shihen gjëra të pakonceptueshme.
Sa herë keni dalë jashtë shtetit duke kënduar dhe kur keni dalë për herë të parë?
Tashmë nuk mund t’i numëroj. Kam dalë për herë të parë në Greqi në vitin 1979, me Ansamblin “Butrinti” të Sarandës.Atje kam kënduar në qytete të ndryshme dhe jemi pritur shumë mirë sidomos nga arvanitasit. Ata pëlqenin këngën tonë të mirëfilltë shqiptare. Këngën autoktone. Tek këto këngë shihnin të veçantën. Këndonin bashkë me ne. Ne pak dinim për Greqinë dhe arvanitasit atëherë. Por pashë se, ato pak ditë që ndenjëm, kishim shumë gjëra të përbashkëta. Ishte një eksperiencë e veçantë.
Po këngëtarë të traditës kë do të veçonit ?
Ka edhe tek ne këngëtarë shumë të mirë që e ruajnë tabanin e muzikës shqiptare si Artiola Toska, Bujar Qamili.
A ke ndonjë peng për skenën?
Jo nuk kam asnjë peng. Unë në skenë kam kënduar me pasion dhe me shpirt dhe sa të kem zërin unë do të këndoj.
A je marrë ndonjëherë me politikë?
Mos e fol babuç.Nuk jam marrë dhe nuk e kam shumë qejf. Ndërrohen qeveritë mos vallë unë duhet të ndërroj zërin. Zëri im është politika më e mirë për shqiptarët. Këngëtari po u pozicionua politikisht patjetër do të ketë rrjedhje në fansa. Sadopak, por do të ketë. Arti është mbi politikën. Por kjo nuk do të thotë që artisti nuk e ndjek politikën. Nuk merr pjesë indirekt në të. Edhe vota është një mënyrë e të bërit politikë, ku ne ndërgjegjësohemi të japim votën aty ku shohim se artisti respektohet, vlerësohet. Por ka dhe artistë që janë marrë me politikë. Ajo është zgjedhja e tyre dhe nuk paragjykohen. Ndoshta mendojnëse fjala e tyre është më e dëgjuar në popull apo dhe tek vetë politikanët. Jeta është e mbushur me surpriza. Ka pasur dhe artistë që kanë qenë politikanë të mirë. Sigurisht, sepse artisti ka shpirt të madh.
Ç’është familja për Kozma Dushin?
Familja është kryesore për mua, pa familjen nuk bëhet asgjë.
Kush janë këngëtarët më të preferuar për ju jashtë dhe brenda Shqipërisë?
Jashtë është Albano, brenda ka shumë. Mua më pëlqen muzika e qetë dhe ëmbël dhe jo shumë ritmike. Më pëlqen muzika “Bluz” ku është shumë e qetë dhe nuk ka shumë zhurmë.
Ku ke dëshirë ti kalosh pushimet në mal apo në det?
Më pëlqen më shumë bregdeti. Më pëlqejnë vendet e bukura dhe të qeta pa shumë njerëz.
E ke menduar veten emigrant?
Jo. Këngëtari në një farë mënyre është emigrant. Ai lëviz kudo ku ka shqiptarë. Lëviz ai që kërkohet. Pra parë në këtë këndvështrim nuk kam mneduar të largohem dhe pse emigracioni është një eksperiencë. Shumë këngëtarë kanë ikur në emigracion, secili sipas zgjedhjes, por edhe aty ku janë aty shkojnë në vedne të ndryshme dhe japin koncerte, sikundër vijnë dhe në Shqipëri. Pra në të gjitha kënvështrimet një pjesë e këngëtarëve janë emigrantë. Ata janë si zogjtë shtegëtarë që lëvizin sipas stinëve nga një zonë në tjetrën, nga një shtet në tjetrin, për të gëzuar bashkatdhetarët në ditë të veçanta. Unë jam ftuar në shumë koncerte jashtë shtetit.
A po bën album Kozmai?
Kozma Dushi është kundër albumeve. Këngët e mia janë popullore tashmë dhe nuk kam kohë të tepërt për albume. Albumet duan impenjim, shumë kohë, shumë shpenzime. Unë punoj ritmikisht për këngë të reja. Kur ato i sjell koha, kërkesat. Albumet në përgjithësi bëhen nga këngëtarë që duan të fitojnë emër, duan të rrisin repertorin në mënyrë të përshpejtuar, duan të prezantohen sa më shpejtë…Unë i kam kaluar këto barriera, bile në moshë të re. Albume për mua janë këngët e mia që dëgjohen gjithandej dhe pse nuk janë të sistemuara në albume.
Ju këtë fillim viti patët një akasident…
Kaloi. Kaloi. Pa shumë rëndësi tani. Por kur e mendoj është jo aq sa për të mos i kushtuar vëmendje. Përkundrazi. Sidomos për kënëgatrin shëndeti është në plan të parë. Ai është i lidhur me skenën. Tashmë kam marrë një mësim të madh të kem kujdes nga shkallët.
Kaq i dashuruar jeni me pëllumbat ?
Po. Saqë ngjarja për të cilët flasim, për ata më ka ndodhur. Pëllumbat më relaksojnë. Më japin gëzim. Guitja e tyre më ngjan si një zë i veçantë i një vegle muzikore. Eh more babuç. Desh më prishën shumë plane. U dhashë pëllumbave grurë dhe misër dhe bëra të zbrisja. U rrëzova. Por Zoti është i madh.
Sa vite do të jeni ende në skenën e festivaleve tnë RTV ?
Kur kujtoj vitet nuk më besohet. Më duket sikur kam ecur gjithç jetën në skenë. Janë plot 34 festivale në RTVSH që është ëndërr për çdo pjesmarrës. Ndoshta është unike, sepse nuk i ka realizuar asnjë këngëtar. Ndoshta një rekord. Emocionet janë pa fund, ashtu si dhe zhgënjimet. Nuk e di sa do të vazhdoj në skenën e festivale në RTSH, por 35 do të jenë. Janë vetë kompozitorët që më ftojnë.