E premte, 26.04.2024, 01:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjirokastra latine

E shtune, 02.08.2008, 02:04 PM


Nga Blerim Kore 

Qendra historike e Gjirokastrës së UNESCO-s dhe Pazari karakteristik vazhdojnë të fshehin një sërë surprizash në lidhje me vlerat historike dhe arkitektonike që mbartin. Në Konferencën Ndërkombëtare për Zonën Historike të Gjirokastrës të zhvilluar pak ditë më parë në qytetin e gurtë- studiuesit kanë hedhur dritë në lidhje me elementë të rinj arkitektonik të disa prej ndërtesave masive të kësaj zone. Bëhet fjalë për disa ndërtime masive në zonën historike dhe Pazarin karakteristik në vitet ’20-’40 të shekullit të kaluar, të cilat në konceptin arkitektonik të tyre janë bazuar në stilin italian të ndërtimeve. Pra sipas studiuesve elementët tradicional të arkitekturës gjirokastrite në këtë zonë janë gërshetuar edhe me elementë të rinj, të cilat kanë arritur të përshtaten mjaft mirë në kuadrin e zonës historike. Krahas vlerave arkitektonike këto ndërtime mbartin edhe vlera historike të veçanta, madje në njërin prej hoteleve të ndërtuara në këto vite në Pazarin e Gjirokastrës ka qëndruar edhe ish mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III, motrat e mbretit Zog, etj
Këta elementë historike dhe arkitektonikë kanë qenë në qendër të studimit “Stili italian i ndërtimeve në Qendrën Historike të Gjirokastrës gjatë viteve ’20 – ’40 të shekullit të kaluar”, hartuar nga pedagogu i Universitetit të Gjirokastrës, Teodor Bilushi dhe Raimond Kola, drejtor i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze të Gjirokastrës, i cili u prezantua së fundi në Konferencën Ndërkombëtare për Zonën Historike të Gjirokastrës zhvilluar në qytetin e gurtë.
“Ndërtimet për Qendrën Historike të Gjirokastrës gjate viteve ‘20-‘40 të shekullit të kaluar deri në çlirimin e vendit janë shoqëruar me pak të dhëna dhe me interesime modeste të studiuesve , pasi dihej se gjatë regjimin komunist si për vlerat e krijuara gjatë mbretërimit të Monarkisë së Zogut edhe më vonë ishte e pamundur të flitej”, thotë Rajmond Kola, njeri prej bashkautorëve të këtij studimi.
Vitet ‘20-‘40 njohin në Gjirokastër fillimin e një lulëzimi të tregëtisë veçanërisht me Greqinë dhe Italinë fqinje. Mjafton të kujtojmë që Porti i Sarandës kthehet në këto vite në Portin e dytë më të rëndësishëm në Shqipëri me volume të mëdha të shkëmbimeve tregtare me Italinë. Këtë port do ta frekuentonin tregtarët e shumtë gjirokastritë që lëviznin në itenerarin Sarandë-Brindizi-Bari. Pa lenë pa përmendur këtu ndërtimin e aeroportit të qytetit dhe funksionimi i linjave të brendshme dhe atyre çarter me Italinë.
“Pikërisht ky zhvillim sjell jo vetëm përmirësimin e gjendjes ekonomikë të mjaft prej familjeve gjirokastrite dhe lindjen e marrëdhënieve të reja ekonomike, por edhe hapësira të reja lidhjesh dhe shkëmbimesh me përtej- detin”, thotë Teodor Bilushi, bashkautori i studimit në fjalë. Duke shfrytëzuar pozicionin e Gjirokastrës në një kryqëzim rrugësh të rëndësishme, me një traditë të trashëguar, gjirokastritët do të arrinin të krijonin me të shpejtë një shtresë të re të kamurish në qytet që do të përcaktonte edhe nevojën për investime përfshi fushën e ndërtimit dhe shërbimeve. Ishte koha kur marrëdhëniet e reja ekonomike që po krijoheshin po linin pas ato feudale të krijuara gjatë sundimit otoman dhe po orientoheshin me të shpejtë nga perëndimi. Së bashku me marrëdhëniet e reja ekonomike edhe korentet kulturore nisën të pasuroheshin dhe ti sillnin Gjirokastrës një frymë të re emancipimi të mendimit. Disa objekte që u ndërtuan gjatë kësaj periudhe në qytet u përkasin kryesisht këtyre tregtarëve dhe kësaj shtrese që po krijohej . “Madje shumë pronarë të këtyre banesave ose vilave janë persona që kishin aktivitet tregtie me Italinë”, thonë autorët e studimit. Ndër këto ndërtime, përgjatë gati njëzet viteve, spikasin banesa dhe vila , por edhe hotele në zonën e Pazarit karakteristik, si dhe komplekse tregtare. Por nuk munguan edhe ndërtesat bankare, objektet shkollore apo objektet administrative disa prej të cilave janë ne funksion edhe sot.
Karakteristike për këto banesa, të ndërtuara gjatë kësaj periudhe, janë elementët e arkitekturës italiane të atyre viteve të cilat u harmonizuan mjaft mirë me konceptin ndërtimor të banesave të gurta. “Në pamjen e jashtme spikasin : ballkonet , verandat grilat veneciane në dritare, kangjellat me hekur të punuar në ballkone,veranda dhe oborre, dyert e hekurta etj. Nga ana strukturore vihet re përdorimi i kolonave dhe trarëve prej betoni si dhe soletat.. Në ambientet e brendshme kemi përdorimin e pllakave , mermerit në shkalle dhe pllakave dekorative. Të gjithë këto elementë mungojnë në banesën karakteristike gjirokastrite të ndërtuar më parë. Në ndërtimet e kësaj periudhe vëmë re gjithashtu përdorimin e teknologjive të reja të ndërtimit, të cilat sjellin tipe të reja arkitekturore në Gjirokastër”, theksohet në studimin “Stili italian i ndërtimeve në Qendrën Historike të Gjirokastrës gjatë viteve ’20 – ’40 të shekullit të kaluar”
Ndërkohë zhvillimet e vrullshme të këmbimeve tregtare do të sillnin në Gjirokastër edhe nevojën për investime në qendra tregëtare apo njësi tregëtare. Një nga më të spikaturit dhe që sot është lënë në një gjendje të mjerueshme është Kompleksi Tregëtar i “ Zigait” në Pazar, pronë e z.Aristidh Zigai. Ky objekt i datuar në 1937 për nga ndërtimi i tij , nga ana arkitekturore dhe funksionale prezanton element krejtësisht të rinj për qytetin. Këtu ndeshim përdorimin e betonit në kolona, trarë dhe soleta si dhe hekuri dekorativ në kangjellat dhe shkallët e shumta që ka objekti. “Nuk është e lehtë të dallosh një modernitet ndërtimor që ndonëse nuk u ngjason ndërtimeve të periudhës otomane, sot përfaqëson një vlerë që duhet të përtërihet dhe të marrë vlerë funksionale”, rekomandohet në studim.
Këtij zhvillimi ekonomik të atyre viteve në Gjirokastër nuk kishin si ti mungonin edhe bankat. Për herë të parë, Gjirokastra njeh aktivitetin bankar në vitet ’30 me ndërtimin dhe vënien në funksion të dy Bankave : “Banca Nazionale d’Albania “ dhe “Banco di Napoli” . “Të dy këto objekte që ndodhen në zonën historike kane element të panjohur më parë në ndërtimet e qytetit për vetë funksionin që kanë pasur këtu kemi përdorim të betonit, hekurit dhe mure masive guri me llaç. Te “Banco di Napoli” kemi prezencën e ballkoneve me kangjella dekorative, nuk mungojnë në këto objekte hekurat në dritare në formë kangjellash , grilat e rënda dhe tarabate si element sigurie”, pohohet në studim
Edhe liceu i Gjirokastrës (sot gjimnazi “Asim Zeneli”) përfaqëson objektin kryesor arsimor në Qendrën Historike i ndërtuar sipas teknikave arkitekturore dhe strukturore me të avancuara të kohës. Objekti përfundon se ndërtuari në vitin 1941 në formën qe e kemi edhe sot. Godina e re u ngrit mbi objektin e ish Liceut francez te vitit 1928 i shkatërruar nga lufta.
Në anën e pasme të Liceut (gjimnazit) ndodhen disa objekte në formë kapanonesh, ku një prej tyre aktualisht përdoret si palestër. Në këto ambjente ka funksionuar Shkolla teknike italiane, filiali i Institutit “Montani”. Sistemi i ndërtimit të këtyre ambienteve është sipas teknikave te reja për atë kohë (vitet ’30-’40) të panjohura më parë në qytetin e gurtë.
Sipas studimit në fjalë edhe objektet e ish Prefekturës dhe Bashkisë të atyre viteve, ish godina e Kishës Katolike etj ishin konceptuar në bazë të stilit italian por u gërshetuan mjaft mirë dhe në harmoni me arkitekturën karakteristike të zonës historike.
“Periudha në fjalë përbën një nga shtresëzimet më të rëndësishme të muzeut arkitektonik që përfaqëson qendra historike e Gjirokastrës Ashtu si elementët e tjerë të kësaj stratigrafie periudha para otomane, otomane, periudha e viteve ‘20-‘40 dhe ajo gjatë viteve të regjimit komunist , të gjitha së bashku duke u studiuar dhe evidentuar sjellin refektime mbi të tashmen dhe të ardhemne qendrës historike të Gjirokastrës”, pohojnë autorët e studimit.
Për ta e rëndësishme është ndërhyrja restauruese në disa prej këtyre objekteve e cila do ti shndëronte ato në elementë të preferuar për guidat turistike të vizitorëve vendas dhe të huaj që mbërrijnë në Gjirokastrën e UNESCO-s.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora