Kulturë
Kalosh Çeliku: Zonjën Vdekje do ta marr për Grua
E shtune, 25.07.2015, 01:44 PM
KALOSH ÇELIKU
Zonjën Vdekje
do ta marr për Grua
(Shtegëtime)
Eca nëpër zjarr. Akull. Dhe, Dimër
Rrugë e gjatë, Ende nuk dola në Pranverë.
Edhe pse, Dy netë fjeta me Zonjën Vjeshtë
Dita, përsëri si qen më hodhi në rrugë.
Sot, nuk di me cilën të flej, kaloj Natën
Ditën, kur ma grabitën mes maleve.
E, nuk kam koçi Nusen ta sjellë në Shtëpi
Përkrahu zbres në lëmë me dajre e valle.
Edhe, atë: Nëna e Babai, kur s’ janë në Katund
Krah më krah të ma hapin portën e madhe.
Nëna me dajre. E babai me pushkë.
Vështirë e kam sot, Nusen ta zbres në Lëmë
Xhadia, kur m’i ka ngrirë krushqit maleve…
(Pylli egër)
Xhungël. I forti e hanë të dobtin tek Lumi
Edhe, atë: Pse ia turbullon ujin?!
Punemadhe, që Ujku pi mbi të në breg
E qengji, poshtë rrjedhës Lumit.
Babai e ka fajin. Vitin e kaluar
Ujkut, ia ka turbulluar ujin.
Ligje të Natyrës. Megjithatë, jetojnë bashkë.
Mes vete, ndoshta kanë edhe marrëveshje
Me siguri, jo si tonat (njerëzve) plot pabesi.
Shtëpinë, ende nuk e lëshon asnjëra palë.
Luftë për jetë. Zonjën Vdekje e presin në darkë.
Megjithatë, e kanë vështirë në Pyllin e egër
Ligjet t’i respektojnë. Liri të kemi Nesër…
(Takimi me Zonjën Vdekje)
E takova sot në rrugë Zonjën Vdekje
Dhe, pimë nga një gotë verë.
Më pyeti për librat, e pyeta për këlyshët
A i ndërsehen ndonjëherë pas shpine?!
Qeshi Zonja Vdekje. Dhe, ngriti dolli
për Miken në Lindje,
për mua që i kam varur armët në Rrap
të vras Këlyshin e Buçës!
Që, dy hapa më larg e ka nxjerrë gjuhën
dy pëllëmbë jashtë nga vapa
në prehrin e Nënës Rrospi...
(E pashë Zonjën Vdekje
në Voskopojë)
E ndeza një qiri në kishë. Voskopojë
Meshë bëra me poetë. U luta për Ty.
Matanë flakës e pashë Zonjën Vdekje
Buzëqeshi. Edhe ma bëri me sy.
Ia ktheva përshëndetjen. Buzëqeshjen
Edhe për Të ndeza një qiri.
E ngrita me fund një gotë raki…
(Zonja Vdekje më deshi
më pak se Ti)
Gjumë ende s’ka. Unë jam i çmendur
Ndodhë një ditë Vdekjen do ta marr grua.
Shtëpinë ta mbush me fëmijë. Atdheun
Dhe, të flej i qetë. Nesër të ngrej dolli.
Edhe për Miken. Edhe Cucën Boheme
Vërtetë ju ishit gra të bukura. Asgane.
Vetëm, edhe Vdekja është Grua e bukur…
(Agime verore)
Vapa Shkupin po e shkelë me këmbë
Çarshisë i bie si Isë Boletini me dy kobure.
Dikur në brez. E sot nëpër çajtore.
Pasardhësit e tij “trima”, sot i luten Zotit
Xhamitë i kanë fushëbetaja për Liri.
Nateditë i ngrejnë dhe ulin paleratë
Nëna me të cilat, dikur na bënte fli.
Skënderbeun e kanë mbuluar me beton
Përditë, zhurmë politike - kulturore.
Syri, nuk ta zë në Çershi një Lis të Ri…
(Byku)
E patëm dikur në mes të Lëmës
Nëna me tërplote* e hidhte në erë.
Gruri duhej të jetë i pastër në mulli
Miell për bukë, patjetër të kemi në Shtëpi!
Sot, nuk është Nëna. Nuk kemi tërplote
Bykun ta hedhim, bërllok në Bit – Pazar.
Çarshinë e ka mbuluar bërlloku këmbekokë
Ehu, si nuk i gjind një grua. Burrë?!
Grurin ta pastroj kokërr për kokërr
Bukë të kemi Nesër në maxhe. Shtëpi…
(Përgjigje)
Nuk kemi Nënë. Përmëkeq, edhe Baba
Lejleku, nga qielli na hodhi në Lëmë.
Përndryshe, do ta thenim djepin me lule
Hasmit t’i turremi me sopatë në dorë.
Gomarit, ende i hipim nga bishti
E kurrë nga koka në Livadh.
Prandaj, edhe sot na hudhë mes luleve
Kunguj Stambolli pa rrëfangë.
Taxhi, që sot nuk e hanë as Lopa…
1. Lopatë druri me të cilën është hedhur në erë
(pastruar nga byku) gruri në lëmë.
(Zjarri poetik)
Dru nuk kam në vatër. Edhe, në Lëmë
Lisat e Babait i preu me sëpatë Destan Balli.
Nuk kemi as Dardha Gorrice. Dëllinja.
Tek Përroni Thanës. Edhe, i Xhetit.
Bërllok kemi me qerre. Mrizet e dhenëve
Sot nuk japin tabël si dikur me kusi.
Tek Jasakët e Tikeve. Varreza betoni.
Dhe, nuk e di: A kemi sy?! Veshë
Cungjet e Dardhave Gorrice, që nuk i shohim?!
Vajin e tyre, nuk e dëgjojmë në Pranverë…
(Bythekrye në greminë)
Aq shumë bërllok shqiptar kemi sot
Saqë, nuk e di, a kemi kontejnierë.
Qelben. Kamionë ku të gjejmë me rimorko
Bythekrye, plehërat hudhim në përrua?!
Luleve t’ua hapim derën. Barit në Livadh
Sagjini me dy brinja t’i dalë para armikut.
Bërlloku përditë na e mbulon Shtëpinë
O burra, përvishni mëngët, edhe këmbët
Bythekrye, hudhnje në PërruaThanë!...
(Zonja Vdekje nuk më deshi
në Qafë Thanë)
Edhe një herë erdha nga mesi i të vdekurve
Shkaku: Premtimeve. Borxheve ndaj Atdheut.
Ende nuk e fitova Lirinë. Gruan besnike
Hajmalinë e Baba Shehut në Baba Tomor.
Edhe një herë erdha nga mesi i të vdekurve
Shkaku: Premtimeve. Borxheve ndaj Atdheut.
Zonja Vdekje, në Përrua. Në Qafë Thanë
Përsëdyti më bëri remont ta vazhdoj jetën.
Edhe një herë erdha nga mesi i të vdekurve
Zonja Vdekje, nuk më deshi në Qafë Thanë…
(Zonja vdekje pas porte)
Mjaftë më erdhe, na trokite te porta
Rend e parend me kosë në dorë!
Nuse nuk kemi, as djem për varre
Zonjën Lindje e presim në Dasëm.
Shtatë male larg marrim Nuse
Krushqit i kemi shkri, i prinë Koçisë:
“Hajdeni bini Djemtë e Shalës
Përmes Sarjeve të Pashës!...”
Frikë nuk të kemi pasur Dje
Nuk të kemi as sot.
Mesiguri, edhe Nesër.
Gra e burra kemi vetëm për male
E shumë pak për fusha. Varre.
Nuk është lehtë, babai t’i përcjellë fëmijët
Prandaj, kosën sot fshihe pas porte!...
(Zonjën Vdekje do ta marr
për Grua)
Gjumë ende s’ka. Unë jam i çmendur
Ndodhë një ditë Vdekjen do ta marr për grua.
Shtëpinë ta mbush me fëmijë. Atdheun
Dhe, të flej i qetë. Nesër të ngrej dolli.
Edhe për Miken. Edhe Cucën Boheme
Vërtetë ju ishit gra të bukura. Asgane.
Vetëm, edhe Vdekja është Grua e bukur…