E premte, 26.04.2024, 04:43 AM (GMT+1)

Mendime

Mentor Nazarko: Shkaqet justifikojne, por efektet jane shume

E enjte, 24.07.2008, 05:30 PM


Mentor Nazarko
Shkaqet justifikojne, por efektet jane shume

Nga Mentor Nazarko

Vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës ka provokuar shumë reagime në Kosovë dhe Tiranë. Komentet në Tiranë me të drejtë janë fokusuar në atë se cilat mund të ishin në qendër, mësimet apo efektet e një veprimi të tillë drastik ndërmarrë në periferi. Komentet publike rreth këtij veprimi kanë qenë pozitive. Aq shumë, sa dikush tha se kjo ishte një lëvizje brilante e vendimmarrësve kosovarë: akt force, kuraje, revolucionar, që u paraprin zhvillimeve, madje krahasuar dhe me Shqipërinë.

Shumë prej këtyre konsideratave janë të vërteta. Vendimi në fjalë është ndërmarrë nga ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ndoshta një nga ministrat më të mirë të qeverisë "Thaçi" në kredencialet e veta para fillimit të punës dhe me hapat e para të ndërmarrë deri më tani. I shkolluar shkëlqyeshëm, megjithëse ndoshta më mirë do të ishte në rolin e ministrit të Jashtëm, ministri i Arsimit, Hoxhaj, reflekton në mënyrën sesi flet dhe vepron me vetëpërmbajtje e shumë arsyeshmëri në raport me një qasje euforike të gjeneralizuar të politikanëve të tjerë kosovarë, të vendosur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, për shkak të veçantësisë së situatës që po kalon Kosova. Hoxhaj, përkundrazi, tregoi që në fillim të mandatit se kishte ide të qarta për të reformuar sistemin arsimor problematik: ndërmori veprime energjike në të gjithë hallkat, në një sektor që kërkon shumë para, që prek një numër të madh njerëzish dhe themelor për të ardhmen e Kosovës - në arsimin tetëvjeçar, në atë të mesëm dhe të lartë. Në arsimin e lartë, zgjidhja ishte radikale dhe vërtet për t‘u ndjekur edhe nga Shqipëria: jo gjykatës vendor, por ndërkombëtar. Hoxhaj thirri për të vlerësuar sistemin universitar të harlisur kosovar, një institucion britanik të njohur për rreptësi dhe parametra të lartë etikë. Përgjatë veprës së vlerësimit të këtij Këshilli, ministri Hoxhaj u vu në sulme të ashpra nga shtypi i Kosovës, si favorizues i këtij apo atij universiteti etj., etj. Hoxhaj nuk foli, por vendimi i fundit foli më shumë se çdo lloj fjale apo heshtjeje.

Si rezultat i kontrollit duket - themi duket, pasi askush nuk ka parë raportin e plotë të Këshillit Britanik të Akreditimit - se asnjëri prej institucioneve arsimore universitare kosovare nuk e kalon klasën. Si pasojë, qeveria e Kosovës, me propozim të ministrit të Arsimit, vendosi që derisa të plotësojnë kushtet, asnjë bartës i arsimit universitar kosovar nuk mund të marrë studentë të rinj dhe se të gjithë duhet të rilicencohen. Por, ndërkohë, që tani në mjediset kosovare flitet se është preferuar të përjashtohet Universiteti Amerikan i Kosovës, megjithëse edhe ai nuk i plotësonte kushtet. Ky universitet vërtet ka lidhje të privilegjuara me qeverinë e Kosovës: me një bord që përfshin figurën legjendare të Uilliam Uokerit, ambasadorit që i zbuloi botës masakrën e Reçakut, ai trajton çdo vit një numër studentësh që marrin bursa pikërisht nga qeveria e Kosovës. As që mund të imagjinohej se qeveria e Kosovës do të përfshinte në vendimin e mësipërm dhe këtë universitet, pikërisht pak ditë para vizitës në SHBA, pa folur për arsye të tjera. Kështu duket se pikërisht prej vendimit të mësipërm, që përjashton të gjithë universitetet e tjera jopublike, përfiton pikërisht ky universitet. Madje, këtë vit ai mund ta ketë të vështirë të përballojë kërkesat e shumta për regjistrim nga maturantët e rinj. Edhe universiteti publik gjithashtu u përjashtua hëpërhë: madje vendimi i fundit u parapri nga një polemikë në shtyp e ministrit Hoxhaj me rektorin Hasani të Universitetit të Prishtinës, lidhur me çështjen e kuotave të pranimit.

Vendimi në fjalë, me një goditje të vetme, ka shënjuar iluzionin që shisnin shumë prej bartësve privatë universitare (ndërsa ka disa universitete që vërtet janë elitarë), por dhe u ka dhënë përgjigje të gjithë veprave tutoriale të politikanëve të caktuar, që kanë marrë përsipër të mbrojnë këtë apo atë universitet. Kuadri i ndërmjetësimeve, presioneve në një shoqëri klanike si ajo kosovarja, është lehtësisht i imagjinueshëm. Pikërisht për të shmangur akuzat për preferencializëm, qeveria vendosi të përziejë të gjitha universitetet në një etiketë të përbashkët. Por cilat janë pasojat e një etiketimi të tillë, që sigurisht vendimmarrësit kosovarë i kanë marrë parasysh, por duke peshuar si më të rëndësishëm faktorë të tjerë, që i çuan kah bllokimi aktual?

Efektet anësore

Së pari, si efekt anësor në një Kosovë të dalë nga mësimdhënia në bodrume, të përfolur për tituj akademikë të shitur, apo të grabitur pas luftës, janë futur në një thes universitete që vetëm emrin kanë të tillë, të ngritur nga biznesmenë të improvizuar me universitete që angazhohen seriozisht të ofrojnë mësimdhënie të klasit të parë, me profesorë të huaj etj. Ai përfaqëson një marketing negativ për të gjithë universitetet pa dallim, kapacitetet akademike të tyre, projektet e tyre etj., etj. Ndoshta prej kësaj goditje ato mund të kenë dhe efekte të pariparueshme. Universitetet janë vepra individuale dhe nuk mund të njollosen prej të tjerëve. Edhe sikur një i vetëm të jetë i mirë, ai nuk mund të njolloset prej 99 të tjerëve.

Së dyti, lëvizja në fjalë e përjashtoi universitetin publik nga vlerësimi, duke lënë shijen e një veprimi jo të frymëzuar nga një qasje liberale, por etatiste. Shteti vendos të ndërhyjë më së pari në një marrëdhënie midis privatësh, megjithëse në një sektor me rëndësi publike dhe jo në një universitet publik, që mund të ketë probleme serioze në mësimdhënieje etj. Paratë e shtetit meritojnë kontroll gjithashtu.

Së treti, me gjithë përjashtimin e universitetit publik nga ky vlerësim ndërkombëtar, universitet që bashkë me AUK këtë vit i bie të thithë të gjithë kërkesën për studime universitare, prapëseprapë me mbylljen e universiteteve për një vit, mbyllet një valvul shkarkimi e presionitççççç për arsimim të një numri të madh të rinjsh që vijnë nga shkollat e mesme. Një pjesë e vogël e numrit prej rreth 25 mijë apo 30 mijë të rinjsh, që dalin çdo vit në moshë për punë e që nuk kanë ku të punojnë, zgjidhnin universitetin si vend ku të angazhonin mendjen, paratë dhe kohën e tyre, ndërsa sistemi prodhues apo ekonomik në përgjithësi ofron mundësi të kufizuara. A mund të mbyllet kaq lehtësisht një valvul e tillë? Dihet se mbi 50% e bizneseve të Shqipërisë janë informale, por të mbyllësh të gjitha, do të thotë të mbytësh ekonominë shqiptare. Krahasimi nuk është më i miri, por diçka mund të kuptosh prej tij: valvula mund të mbyllet gradualisht.

Së katërti, nëpërmjet një veprimi të tillë radikal dhe publik, që godet sistemin përgjithësisht të sëmurë universitar në Kosovë, duket sikur prioritet i parë, pra më i rëndësishëm mes të gjitha hallkave arsimore është sistemi universitar. Ndërkohë, problemet më të mëdha vijnë prej arsimit të mesëm, apo më poshtë: në fazën e parë të konkursit kosovar të maturës, sipas modelit "Pollo", kalueshmëria ishte diçka tek 40%. Pra, reflektohet nivel i ulët mësimdhënieje, që zë fill nga arsimi tetëvjeçar. Sigurisht ky nivel i ulët mësimdhënieje vjen prej cilësisë së ulët të mësuesve, formuar prej universiteteve që nga koha e bodrumeve të lavdishëm deri më sot.

Për të gjitha këto arsye, vendimi i mësipërm, një akt kurajoz, i marrë në fillim të mandatit të një qeverie me mandat historik, mund të modifikohet pjesërisht. Që të mos krijojë efekte të padëshirueshme dhe jo thjesht antipragmatike. Është e kuptueshme vështirësia e ministrit dhe e qeverisë për të zgjedhur apo ndëshkuar këtë apo atë universitet; është plotësisht i justifikueshëm një veprim i tillë drastik, që shmangte dhe akuzat e padrejta për favorizim, të rëna në kurriz të tij, por shtrëngimi i fortë në qafën e një sistemi të ri mund ta mbysë atë dhe të krijojë probleme sociale, që pastaj duhen zgjidhur gjithashtu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora