E premte, 24.09.2021, 01:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Tek "Rana e hedhun"

E diele, 31.05.2015, 12:40 PM


Tek "Rana e hedhun"

Tregim

Nga Përparim Hysi

Sot, në një gazetë të përditshme, lexova një faqe për Shëngjinin. Qe më tepër një faqe komerciale apo si një  "guidë turistike" për sezonin e plazhit. E që Shëngjini  ka favorin natyral të disa plazheve, kjo dihet nga të gjithë. Një nga zonat më "virgjine" jo vetëm në Shëngjin, por mbase nuk gaboj  në gjithë Shqipërinë, është kjo: "Rana e hedhun". Tek shkruaj me kaq besim për këtë zonë kaq virgjine, kini parasysh me një "vendali" të asaj ane: të Shëngjinit dhe nënzonave aq të favorshme për pushimet verore.

Një sy i vëmendshëm, tek lexon nëpër rreshta, mund të thotë:- Mor ç'broçkullit ky  që në gjithë shkrimet e tij thotë që jam myzeqar dhe tak, pa pritur e pa kuptuar, thotë jam nga Shëngjini. Po jam nga Shëngjini dhe mos  e merrni si një metaforë dhe aq. Në Myzeqe, nga jam, thonë:- Po pive dyzet sapllake me ujë (me dhallë ca më mirë), në një vend, je vendali. Unë jo dyzet sapllake i kam pirë, por Shëngjinit me gjithë ato  nënzona turistike, i kam nxjerr ujtë e zi. Kam kryer atje shërbimin ushtarak dhe, për tri vjet, u kam rënë kryq e tërthor atyre zonave. Natyrisht, për mua janë krejt si vendet e mia, por, në do ndalem tek " Rana e hedhun", kam arsye që të qëndroj.

*    *   *

Qemë katërmbëdhjetë ushtarë fierakë që, të mobilizuar për të kryer shërbimin e dytyruar ushtarak, me një kamion "Zil" nga ata të ushtrisë, mbrritëm në garnizonin e Shëngjinit natën e 13 dhjetorit 1964. Pa u gdhirë mirë dhe pa u njohur mirë me termat ushtarake dhe disiplinën atje,  nën komandën e një togeri, çamë në kolonë për një, një pyll shegësh të egra dhe gjithfarë shkurresh, në një rrugë dhish.Meqë rruga zgjati paksa, i them një shoku:- Na gjeti si me "Heronjtë e Vigut" ku Kolë Jakova këndon:"Ngjitet Velës varg përpjetë/ Çetë e vogël me pesë vetë/. Ndryshimi qe se ne qemë 14 vetë dhe rruga e dhive, ku shkelnim, nuk kish atë lartësinë e Velës. Sidoqoftë, terreni qe i thyer, dhe, ngaqë nuk e njihnim zonën, na dukej sikur udhëtonim drejt kiametit. Udhëtimi "drejt kiametit" zgjati gati gjysmë ore dhe, po të llogarisësh,"revanin e ri" me hap rreshtor, rruga duhet të ketë qenë goxha e gjatë.

Kur sosëm, sa lamë pyllishten  me shkurre, hasëm në diçka përrallore: një zonë e tërë, në këmbë të pyllishtes , deri buzë detit, qe e gjitha me shtresa të trasha rëre dhe, e gjithë rëra, qe e bardhë. Kjo,- tha togeri,- është "Rana e  hedhun". Ne qemë nga zona bregdetare që kishim parë jo vetëm det me sy, por dhe plazhe,si: Semanin tonë, por dhe Vlorën, dhe Bregun, dhe Divjakën, dhe Durrësin, por një rërë të tiilë, si shajak të bardhë nuk kishim parë. Qe aq e pastër dhe virgjine sa dukej sikur ta bënte me sy. Ky asosacion yni e linte dimrin pas dhe fluturonte për në kohën e verës, se, tek qëndruam aty mbi "Ranën e hedhun", mend na ikën bustinat nga koka. NJë erë e ftohtë a murrlan na i futi të ftohtët në palcë,sa thashë:- Prem Çandi, ai indiani që ka shkruar "Nëna e erërave", duket ka qenë në Shëngjin se,sa erë frynë këtu, zor se gjen vend tjetër në Shqipëri.  Jo vetëm në Shëngjin,  por dhe tek "Rana e hedhun". Kur  secili po shijonte befasitë e natyrës dhe "Ranës së hedhun", togeri dha komandën:

- ZHvishuni! Me  siguri,  mendova, togeri, si djalë e ri që është, e ka për shaka, se si mund të jepet një komandë kaq absurde, për t'u zhveshur, kur "Nëna e erërave" është kthyer në "njerkë". Kur pa që asnjë nga ne nuk po  zbatonte komandën, atëherë, gjëmoi:-Toga, zhvishu! Filluam të zhvisheshim dhe, kur pa që hoqëm vetëm kapotat, shtoi po ashtu si gjëmimë:- Vetëm në mbathje!!!

Çfarë?!!!- sokëlliva unë. - Pse mos është korrik?

-Dil nga rreshti,- urdhëroi dhe ke për të bërë një orë postëkapanoni.

Ashtu si prifti që kërceu nga belaja, u zhveshëm aty mbi "Ranën e hedhun".

- Shokë ushtarë (më mirë do ishte: shokë lakuriq!),- foli togeri,- detyra juaj për sot është kjo:- E shihni atë anijen që ka mbetur në det? Nga këtu ajo është rreth pesëdhjetë metro; thellësia e ujit nuk e rrezikon jetën tuaj. Anija është e ngarkuar me dru për repartin. Ju do ta shkarkoni dhe drutë do t'i stivosni këtu mbi "Ranën e hedhun". Epo urdhëri i komandantit, ligj për vartësit, dhe filluam. Në fillim, kontakti me ujin, na bëri të na dridheshin dhëmbët dhe mishi me mornica, por, pak nga pak, u mpimë dhe sikur ia morëm dorën të ftohtit.Qe puna më e vështirë që mund të bëhej.

Nuk ishte puna se do bëje dy a tri rrugë nga "Rana e hedhun" në det dhe ansjelltas, por anija na u kthye si një gogol që kish hapur gojën dhe, mezi priste të na kollofiste.

Dilje nga deti dhe, tek shkelje mbi "shajakun e trashë" të "Ranës së hedhun", këmbët të nguleshin në  rërë dhe mezi sosje në destinacinon ku stivoseshin drutë. Punën e filluam në ora tetë të mëngjesit dhe, dalngadalë, po shkonte ora 12.00. Ndërkaq, togeri që vëzhgonte punën tonë, na tha:- Unë po largohem dhe do më zëvendësojë komisari i repartit. Komisari përfaqësonte partinë dhe, siç mendoja unë, ky nuk ishte si togeri. Se komisar, or tunjatjeta, dhe "shpirt njeriu", si partia, domosdo. Erdhi dhe kur i pashë mbi supe gradat, qe major. Epo ku ai "qumështori" që na mori në qafë dhe ku, ky"pellazgu" që ishte i moshuar?. Majori hipi mbi një tra buzë pyllishtes dhe vëzhgonte. Unë,ca se nuk e haja punën, ca se, me të vërtetë, ndjeja lodhje,për të shmangur,sado pak ndonjë rrugë, bëja si bëja dhe andej, nga pyllishta. Nga pyllishta, por "shpirti i njeriut" m'i kishte sytë birinxhi dhe, kur po tentoja prapë për nga pyllishta, më thirri:

- Kush jini ju, shoku ushtar?

- Jam ushtar Hysi! (në ushtri raportohet me mbiemra).

-Nga jini?

-Jam nga Fieri.

-Nga Fieri,- përsëriti ai. Si mbiemër që diku e kam dëgjuar.

-Me origjinë jam nga Skrapari,- i erdha në ndihmë "shpirtnjeriut"

- Hë,de,- tha ai. Mirë që ma the,se kam patur një mik nga Skrapari që thoshte:" Nuk kalohet viti me të bërë shurrën!!!". Prandaj, mikvëllai, shtroju punës!

Dhe unë iu "shtrova punës", por puna nuk soste, se  gogoli nuk qe metaforik, por i vërtetë. Gati po perëndonte dielli dhe  na dukej, se, sa e boshatisnim hambarin e anijes, "gogolit" sikur një dorë ia shtonte. Kaq e vërtetë qe kjo që shkruaj,sa, nëse nuk do mobilozohej i gjithë reparti i Shënjginit për të na  ardhur në ndihmë, atje, tek "Rana e hedhun", ne dhe tërë natës, po të vazhdonim, nuk do ta mbaronim dot. Në perëndim të diellit, e sosëm. Pra, nga mëngjesi deri në darkë, pa ngrënë. Tek po  visheshim dhe shpirti na kish ardhur në majë të hundës, unë iu afrova "shpirtnjeriut" dhe i them:-Shoku major!

-Hë, shok ushtar!

-Kam dhe unë një shok nga Skrapari.

- E, po pastaj?

-E di si më thotë? O dervish, o rodokop, drekë e darkë i ha tok!!!

Ndërsa shokët e mi u gajasën me batutën time, majori,ca i kuq prej natyre dhe ca se bodeci im e shpoi ku i  dhëmbte, ma priti:

-Qenke llafazan i  madh! Për këtë, ndryshe nga shokët, hidhe atë trarin e madh mbi kurriz e drejt e tek kuzhina!!!

E bleva belanë me para. E hodha trarin për tek kuzhina, por jo vetëm qe larg, por tani, nga "Rana e hedhun" do ngjitnim një malore,që i afrohej asaj Velës së Kolë Jakovës. Majori, si "shpirtnjeriu" që qe, bëri kujdes që samari të më rrinte  pas kurrizit: nuk lejonte asnjë prej shokëve që t'ma hiqte këtë "samar". Tani i "mbytur" qeshë dhe s'kishte ç'më bënte "shiu", ngarkuar, po gojës kurrë s'i kam vënë mëgojëz, i them majorit:- Shoku komisar, e di seç më ka gjetur?

-Fol,- më tha,- po trarin mos e lësho.

Ngjiteshim ashtu përpjetë dhe, ndërsa shokët më shihnin me keqadhje, fola:

-Një si unë, shoku major po ecte në shkretëtirë. Shkelte mbi  rërë dhe,sa ngrinte një këmbë, i zhytej tjetra mbi dunën e rërës.Si mua me këtë trarin!

-More këtë e ke pak ti, po vazhdo ç'do të thuash.

... u lodh i varfëri njeri dhe zuri t'i lutej Zotit. Perëndi,- zuri të lutej,- aman më gjej një kalë që t'i hipi, se mezi po heq këmbët zvarrë. Nuk kaloi  shumë nga lutja e  fatkeqit, kur mbrrin një kalorës, shaluar mbi pelë. Bri pelës një mëz mezi hiqte këmbët si puna ime me këtë trarin. Kalorësi i thotë fatkeqit:- Hidhe këtë mëzin tim mbi kurriz se nuk mund të ecë. Unë,- i tha fatkeqi,- të hedh mëzin mbi kurriz kur mezi po heq këmbët e mia zvarrë?! Frrap, kamzhiku mbi kurriz dhe, deshi nuk deshi,e hodhi si unë këtë trarin. Eci sa eci dhe iu drejtua prapë Perëndisë:- Perëndi,- i tha,- më ke kuptuar jangllësh. Dua kalë që t'i hipi dhe jo të më hipë!!! Prapë shokët ia dhanë të qeshurit, por majori, sado që nuk e mbajti dot të qeshurit, trarin nuk ma hoqi nga kurrizi.

Kur sosëm tek kuzhina, lëshova  trarin dhe bashkë me shokët, iu lëshuam pjatave që kuzhinieri i kish lënë shtruar që në drekë. Sado që qenë bërë të ftohta akull (në Myzeqe, gjellët e ftohta quhen "buzëgjysheje"), ne mend i lëpimë gishtat,se vinim nga "Rana e hedhun". Atje u thashë shokëve:-Këtu na kanë sjellë për të vdekur! Sa të mirë qenë! Sikur dhe njëri të denonconte, e kisha pak hapsanën. E bukura qe,se mbasi i hëngrëm "drekë e darkë tok" si ai "dervishi" që i trregova "shpirtnjeriut", u futëm tek këndi i kulturës. Kristaq Prifti (e ndjeftë Zoti atje ku prehet), zuri po i binte fizarmanikës dhe ne, të "Ranës së hedhun", filluam dhe vallëzonim. Më rrëmbeu kjo atmosferë dhe, tek kërceja, u them shokëve:"Qëparë,  ju gënjeva. Nuk kemi për të vdekur!!! Po ku mbarohen kujtimet e mia me Shëngjinin dhe zonat për rreth:  me Kunjën e Knellën, me Ishull Shëngjinin dhe, veçanërisht, me "Ranën e hedhun", plazhi më virgjin që më ka zënë syri. Tani atje mund të pushosh për mrekulli, se nuk është më  zonë ushtarake ku nuk shkelte këmbë cicvili. Sidoqoftë, si "vendali" i atyre zonave unë nuk kam se si  mos mbërthehem me emocione, siç më ndodhi dhe sot.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora