“Iliria, atdheu i parë i
shqiptarëve” një libër atdhetar
Nga Albert ZHOLI
“Iliria,
atdheu i parë i shqiptarëve”, është libri i fundit publicistik
(historiko-studiues) i studiuesit tashmë të mirënjohur Harallamb Kota. Ky libër
i dyti i këtij lloji i Harallambit (i treti në serinë e botimeve) që vjen fill
pas botimit të suksesshëm të librit publicistiko-historik “Pendat Shqiptare dhe
shkundja e harresës” përbën një hap para cilësor në mënyrën e stilit të të
shkruarit, analizës, renditjes historike të ngjarjeve dhe pse jo dhe asaj
artistike. Leximi i këtij libri më futi në labirinte historikë, në trajtesa
faktesh dhe ngjarjesh, që në më të shumtën e rasteve i lexoja për herë të parë.
E them me bindje, që nisma për libra të tillë, janë dëshmi e një pune titanike,
e grumbullimeve dhe studimeve të detajuara, pasi çdo autor merr mbi vete
përgjegjësi historike për vetë misionin e librave të këtij karakteri. Në tërë
krijimtarinë e vet, autori ka një karakteristikë të veçantë, atë të trajtimit
të ngjarjeve dhe historisë me karakter patriotik, duke përcjellë dokumente
konkret ku lexuesin e lë të lirë të vozitë në ngjarjet, faktet, historitë dhe
ta nxjerrë vetë konkluzionin. Kurrsesi autori në librat e tij nuk i ka vënë
detyrë vetes imponimin, detyrueshmërinë e gjykimit sipas idesë së tij, por ai
mundohet të jetë bindës në logjikën e të shkruarit, që lexuesi të ndihet komod
dhe i lirë në vlerësim. Në katrahurën e pashembullt të botimeve mizëri në
tregun e librit shqiptar, temat që merr përsipër autori Kota, përbëjnë një përqindje shumë të
vogël, por me një domethënie shumë të madhe. Sot, patriotizmi është zbehur,
është futur thellë në labirinte të padukshme, pasi paraja, etja për poste,
dëshira për një jetë komode me pak vështirësi, e kanë bërë një pjesë të
inteligjencës të mos marrin përgjegjësi, por ti përmbahen vetëm ligjësisë së
përfitimit material, ku pjesa morale fshihet me ndërgjegje në skutat e
mbijetesës së vështirë. Libri “Iliria atdheu i parë i shqiptarëve” që kemi sot
në duar, ndahet në dy kapituj. Kapitulli i parë titullohet
“Ilirët-Arbrit-Albanët” dhe Kapitulli i dytë “Ngjarjet në Berat”. Në kapitullin
e parë autori thekson se sipas burimeve historike dhe arkeologjike, konioni më
i rëndësishëm i Ilirisë, ishte Parthania e cila përfshinte territoret e
ultësirave nga lumi Vjosa deri në lumin Mat dhe territoret malore deri në
liqenet Lynkeste bashkë me Kosturin. Kryeqendra e Parthanisë ishte qyteti
Partha (Berati ). Brenda këtij konioni lulëzoi qyteti mitik Brysaka i ndodhur
rrëzë malit të Vilës dhe grykrjedhës së lumit Erzen, e cila ishte selia e mbretit
Ilir Glaukia. Partha ruajti brenda mbretërisë Ilire vetëqeverisjen e qytetit
duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e jetës ekonomiko-kulturore të zonave
përreth saj. Për më tej autori nënvizon në mënyrë korrekte se në vitin 168 pk,
si rezultat i inkursioneve pushtuese të “Perandorisë Romake”, u shemb mbretëria
300 vjeçare Ilire dhe gjithë Ballkani u pushtua nga romakët. Thrakët dhe Dakët,
popuj pellazg të ngjashëm me ilirët u romanizuan dhe u quajtën romenj. Por në
këtë fakt historik, autori sjell me dokumentacion të saktë se Ilirët nuk u
romanizuan, por ruajtën identitetin, kulturën dhe traditat e trashëguara brez
pas brezi, në vijimësinë e paraardhësve të tyre pellazgë. Ushtritë romake
rrafshuan kështjella dhe vendbanime të panumërta të Ilirisë. Partha i shpëtoi
shkatërrimeve duke ruajtur të gjallë në themelet e kështjellës mitike,
historinë e saj mijëravjeçare dhe gjurmët e vazhdimësisë të ilirëve nga
pellazgët. Ajo që veçohet në këtë dëshmi historike (për mendimin tim) është ajo
që thekson autori në mënyrë shkencore se Roma i ndau vendbanimet e ilirëve në
tre provinca: Epiri i Ri, Maqedonia dhe Iliriku. Në Provincën Ilire “Epir i
Ri”, krahinën e kufizuar nga lumenjtë Erzen dhe Mat, bashkë me prapatokën deri
me liqenet Lynkeste, administrata romake e quajti Albanoi. Në shek.II mk,
gjeografi Aleksandrin Ptolemeu, njofton praninë e një fisi ilir me emrin Arbër
në hapësirën midis Durrësit e Ohrit. Në fakt edhe pas këtij shekulli burimet
vazhdojnë të përdorin termat Ilirë apo Iliri, për të treguar vendin dhe popullsinë
e rajoneve të Ballkanit Perëndimor. Burimet e antikitetit të vonë e mesjetës së
hershme shek.V-VI, ku përfshihet edhe Prokopi i Qezaresë, shënojnë se kufiri
mes Ilirisë dhe Greqisë ndodhej paksa në veri të Selanikut. Ky përcaktim është
bërë edhe pas përmbysjeve etnike të shkaktuara me dyndjet sllave në shek. VI-VII, ku burimet flasin për ilir dhe
Iliri deri në “farë ilire” apo “popull ilir”. Gjithë kapitulli i parë është një
sintezë shkencore, korrekte e paanshme e historisë së paraardhësve tanë, të cilët
nëpër vorbullat e historisë kanë punuar, luftuar dhe mësuar për të mbijetuar
dhe për të mos u asimiluar kurrë. Kjo mbijetesë tregon cilësitë dhe virtytet e
larta morale të popullit tonë, që nëpër historitë e shekujve ka ditur të gjejnë
rrugën e shpëtimit me dinjitet dhe kryelartësi. Në tërë këtë histori
rrëfimtare, autori nuk është treguar i njëanshëm, nuk ka rënë në prehrin e
miklimit, të sentimentalizmit atdhetar, por me kurajë ka thënë të vërtetën, ka
përcjellë fakte historike dhe ngjarje rrëqethëse, që historia i ka vërtetuar
katërcipërisht dhe sot na vijnë edhe njëherë të gjalla nëpërmjet penës lakonike
të Harallambit. Në një moment autori vë në dukje se: “Po ti referohemi Porfyrogjenetit,
thotë Prof. P.Xhufi, ai ndikohet mjaft nga terminologjia administrative e kohës
së tij dhe hapësirat e banuara nga iliro- arbënorët i përcakton jo mbi baza
etnike por mbi baza territoriale. Në këtë kuptim, ai me termin “Durrës”
nënkupton temën bizantine me të njëjtën emër krijuar në shek. IX e cila ka
vazhduar deri në shek XII dhe përfshinte tokat prej Tivari në Himarë. Në
përputhje me emrin e Temës së Durrësit edhe banorët thirreshin durrsakë edhe
strategu quhej “strateg i Durrësit” edhe malet quheshin “malet e Durrësit” etj.
Mjaft historianë të huaj si Straboromani, Eustathi, Pahimeri, Skutarioti, e
Kritobuli, duke filluar nga shek. XI deri në shek. XV, kanë përdorur
vazhdimisht në burimet e tyre termin antik Ilir dhe Iliri krahas termit
mesjetar Arbër dhe Arbëri (latinisht alban dhe albani), duke na bërë me dije
barazvlershmërinë e tyre. Në një dokument të fillimit të shek. XV me autor
S.Lambros thuhet: “Shqiptarët janë farë ilire”. Edhe administrata e Perandorisë
Osmane ndoqi po ashtu qëllimet asimiluese të shqiptarëve, duke i emërtuar ata
sipas përkatësisë fetare: shqiptarët musliman i rregjistronte me identitetin
turq, shqiptarët ortodiksë i rregjistronte me identitetet grek ose vlleh dhe
ata katolik me identitetin latini. Kjo ishte një arësye më shumë që shqiptarët
u organizuan në kuvende dhe u ngritën në kryengritje të vazhdushme deri në
shpalljen e Shqipërisë shtet sovran më 28 nëndor 1912, thekson autori. Në
Kapitullin e dytë “Ngjarjet në Berat”, autori portretizon në mënyrën më të
bukur, më fisnike, më të qytetëruar, më reale qytetin e origjinës, Beratin mijëravjeçar.
Për këtë qytet magjik janë shkruar dhe shkruhen çdo ditë, por, Harallambi dhe
pse nuk ka jetuar asnjë ditë në qytetin e origjinës, ka ditur të zhbirojë në
mënyrë shkencore detaje historike që ndoshta mungojnë për qytetin e shumë
dritareve. Ndoshta nostalgjia e origjinës, ndoshta kuriozitetet, legjendat,
enigmat, librat e pafundmë dhe historitë e shumta për këtë qytet, e kanë bërë
autorin, të jetë tepër i vëmendshëm dhe i kujdesshëm në faktet dhe përshkrimin
e tij, sa me të vërtetë, pasi lexon librin thua me entuziazëm: Po, në këtë libër mësova diçka të re
për Beratin! Një kapitull i shkruar me plot pathos, i detajuar, i lëmuar në
mënyrë skrupuloze, ku autori ka ditur të përcjellë një Berat ndryshe, të
palexuar dhe të pa evidentuar në shumë dëshmi dhe përshkrime historike, apo
fantastiko-shkencore. Në lëmin e këtij kapitulli gjen realitete, gjurmë,
kuriozitete, saktësi, korrektësi, letërsi, përshkrime, histori, filozofi që në
të tërën përcjellin një mozaik kulturoro-historik që përbën një risi. Sipas
autorit, duke studiuar shkrimet historike të publikuara nga shumë botime,
arrijmë të besojmë që emrin Berat, ky qytet e ka marrë në vitin 1204, me
formimin e shtetit të arbërit, pasi në fillim të vitit 1205, në një buletin të
kohës thuhet: “…Despotati Epirit u shtri prej Drinit deri në gjirin e Korintit.
Nën vartësinë e tij hyri përkohësisht edhe shteti i Arbërit pas vdekjes së
Dhimitrit. Pas vrasjes së Mihalit I në Berat, më 1205……” . Pra theksojmë faktin
që më 1205, “Qyteti Kala” quhej me emrin Berat. Duke qënë se shteti i Arbërit u
krijua në vitin 1204, është e besueshme që edhe qyteti kala të jetë quajtur
Berat qysh në vitin 1204 ( faqe 453).Duke studiuar titujt e botuar në F.E.SH,
për periudhën Bizantine, periudhat e principatave të Arbërisë në shek. XII – XV
dhe periudhën e perandorisë osmane nga viti 1450-1912, vërejmë që historianët
shqiptarë kanë nënvizuar dhe kanë nxjerrë në pah emrin Berat, të qytetit kala,
qysh nga viti 1204 e në vazhdim.
Pasi
është përcaktuar viti 1204 kur qyteti kala mori emrin Berat, bëhet pyetja:
Çfarë kuptimi ka fjala Berat. Është pranuar nga historianët shqiptarë që qyteti
kala është quajtur në një periudhë të ekzistencës së tij me emrin Beligrad. Për
më tej autori thekson se: Për ta qartësuar çështjen,lidhur me fjalën shqipe
“Qytet i Bardhë”, i drejtohemi shpjegimit të arkeologut Neritan Ceka. Në librin
e tij “Ilirët”, arkeologu i njohur në faqen 123 na bën me dije sa më poshtë:
“Konioni më i rëndësishëm u bë ai i parthinëve….. Kështu dolën në skenën
politike parthinët, të cilët kishin kryeqendër Parthën, që mund të evidentohet
me Beratin. Fjala Partha mund të shpjegohet me fjalën shqip Bardha dhe ka
mundësi që edhe emri sllav Beligrad-Qyteti Bardhë, mbështetet në toponimin ilir
Partha-Bardha-Berat. Ndërsa në librin “Kalatë Ilire”, në faqen 91 shënohet një
pjesë nga ditari i Çezarit në luftën e tij kundër Pompeut në vitin 48 p.k., ku
ai shkruan se: “Çezari dërgoi një pjesë të ushtrisë për të pushtuar
“kryeqëndrën e parthinëve” …që sipas përshkrimeve kjo ishte Partha dhe se ajo
përputhet plotësisht me Beratin. Emëri Partha shpjegohet me shqipen e sotme dhe
do të thotë Bardha, pra “kështjella e bardhë”. Ky emër vjen sigurisht nga
ngjyra e bardhë e mureve të kështjellës, për shkak të përdorimit të blloqeve
gëlqerore.
Për këtë
arsye edhe bullgarët, kur e pushtuan qytetin në shek IX e përkthyen emrin në
Beligrad. Ky është në vija të përgjithshme libri i ri i autorit Kota. Një libër që i duhet çdo
biblioteke, një libër i shkruar me dashuri, për historinë shqiptare, i cili
është një mesazh për qarqe të caktuara brenda dhe jashtë atdheut duan ta
deformojnë, ta fshehin, ta çojnë në shtretër jashtë atdhetarë. Dhe ky mesazh
është sinjifikativ: Kushdo që do deformojë historinë e kësaj toke të lashtë,
kurrsesi nuk do të mundin, ata do të fitojnë terren në momente të caktuara të
historisë, po asnjëherë nuk do të mund të zhysin në terrin e harresës
historinë, kulturën, traditat e një vendi prehistorik, që ka qenë prijës i
zhvillimeve politiko-kulturore në Ballkan dhe më gjerë. Nga kjo tokë gjithmonë
kanë dalë dhe do të dalin intelektualë trima dhe tepër të zgjuar, që me dijet e
tyre do tua bëjnë(siç ua kanë bërë të qartë) të gjithë pseudohistorianëve dhe
pseudopatriotëve, që askush nuk do të guxojë të të transformojë dhe denigrojë historinë
dhe kulturën e një kombi të lashtë. Ky libërth modest në pamje por i thellë në
gjykim, i dedikohet atdhedashurisë, fjalës më të bukur të zemrës, virtytit më
të lartë shpirtëror, ndjenjës më të spikatur, së cilës i kanë kënduar, poet,
shkrimtarë, shkencëtarë, filozofë, këngëtarë, njerëz të thjeshtë me fjalët e
qëndisura në flamurin e përjetësisë. Ky libër publicistik, aktualisht, është
jetë pjesë e jetës së gjithkujt, pjesë e atij realiteti ku secili përpiqet të
hedh një gur të ndritur në themelet delikate por shumë shprehëse të
atdhedashurisë. Populli i ka thurur lavdet e tij kësaj ndjenje kaq të
madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës.
Dashuria për atdheun është një zë nga brenda vetes që kërkon të flasë, kërkon
të dalë nga errësira, të tregojë me forcën e shpirtit detyrimet që kemi për
fjalën më të bukur, ATDHE!