E hene, 18.10.2021, 10:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Myzafere Mustafa: Anekdota popullore dhe konteksti

E hene, 25.05.2015, 03:25 PM


ANEKDOTA POPULLORE (MESELJA) DHE  KONTEKSTI I RRËFIMIT

Nga Prof. Dr. Myzafere Mustafa

Anekdota gojore (popullore) – meselja ose rrotulla është rrëfim i  shkurtër i prozës gojore që trajton eksperiencën personale të individit në një kontekst të caktuar historiko shoqëror. Ajo eksperiencë trajtohet shkurtimisht dhe ndërtohet, zakonisht  në një episod, meqë anekdota nuk  synon rrëfimin e shtrirë. Edhe pse në anekdotë rrëfehet  për përvojën  individuale, ideja e qenësore është që eksperienca individuale të shërbejë si përvojë e përgjithësuar, si konkluzion me vlerë etike jetësore. Kuptimi dhe domethënia e anekdotës hetohen  apo  zbulohen nga tërësia e saj. Ideja që del nga ajo e cilëson vlerën si përmbajtje, ndërsa vlera letrare artistike qëndron në zgjedhjen e mjeteve të rrëfimit, në projektimin e kontrasteve në mënyrë të mprehtë. Esenca e rrëfimit përqendrohet në thelbin dramatik të veprimit apo të mendimit të thënë. Për ta kuptuar domethënien e tekstit të anekdotës duhet njohur mentalitetin e mjedisit, rrethanat e kohës kur është krijuar, si dhe rrethanat e kontekstit apo situatës gjatë rrëfimit, ndërsa për ta rrëfyer dhe për ta shijuar  në plotninë e saj, nuk mjafton që në ambientin ku komunikohet të jetë vetëm një rrëfimtar apo njohës i saj, me atë rast duhet të krijohet atmosfera e kuvendimit.

Rrëfimi i anekdotës  kërkon praninë e  krijuesve  dhe  njohësve të  saj, nëpërmjet të cilëve vepron interaksioni komunikues. Në rastet kur trajtohen çështjet e rëndësishme jetësore komunikimi nuk bëhet gjithherë në mënyrë të thjeshtë dhe me bisedë të zakonshme. Biseda zhvillohet  nëpërmjet të folurit të koduar dhe eliptik, që njëkohësisht është të folur i ngritur artistikisht. Kjo formë e komunikimit ndonjëherë është më e hapur, më eksplicite, sidomos në rastet kur qëllimi apo poenta e rrëfimit synon ndikimin e drejtpërdrejtë në marrësit pra në të pranishmit. Mesazhi i anekdotës del nga shembulli i veprimit të  individit të caktuar në një situatë  jetësore,  e cila situatë  atë individ  e kishte vënë para sprovave të vështira. Në rastet kur kuvendimi  orientohet në thumbimin e dukurive negative atëherë rrëfimi zhvillohet përmes të folurit eliptik dhe të shifruar që mos të kuptohet nga të gjithë të pranishmit në odë, bisedat e tilla marrin tonin e  ironisë. Gjatë rrëfimit të anekdotës biseda ndizet varësisht nga orientimi i tematikës që  trajtohet. Zakonisht anekdota tregohet në ambiente të mbyllura, në dhomën e pritjes së burrave, në të ashtuquajturën oda e burrave, dhomë ku burrat e shtëpisë i presin mysafirët.

Në traditën shqiptare në oda ku rrinin burrat këndohej kënga epike dhe lirike, tregoheshin gojëdhëna e legjenda, rriheshin çështje të rëndësishme jetësore, pleqnoheshin shumë çështje familjare, të fshatit dhe më gjerë. Mund të thuhet se oda kishte rolin e një lloji të shkollës jetësore. Me ndryshimin e rrethanave jetësore edhe ndeja në oda të burrave ka ndryshuar gati rrënjësisht, jeta është shumë më dinamike. Në oda kanë hyrë televizori, kompjuteri, prandaj edhe oda e burrave nuk e ka funksionin që e kishte dikur. Tani anëtarët e familjes së bashku në dhomën e pritjes shikojnë televizorin, derisa përpara burrat rrinin ndaras nga gratë. Edhe në rastet kur funksionon oda e burrave si vend ku rrinë vetëm burrat me mysafirët meshkuj, televizioni ndikon që të pranishmit ta orientojnë vëmendjen në përcjelljen e lajmeve apo të emisioneve të ndryshme televizive. Tani, më rrallë, në ndeja të burrave ndodh të këndohen këngë epike apo të rrëfehen legjenda e gojëdhëna të ndryshme. Këngët epike dëgjohen më shumë në dasma, por  edhe ne radio e  televizion, në audio e video kaseta etj. Në oda bisedohet kryesisht për situatën politike. Bisedat e tilla synojnë ndriçimin e problemeve të jetës shoqërore dhe politike.

Ndejat në odën e burrave në kohën e sotme aktuale bëhen sidomos gjatë pritjes së burrave për ngushëllime në rastet e vdekjes së ndonjë individi. Pritjet e mysafirëve për ngushëllime bëhen ndaras për burra dhe ndaras për gra dhe zgjasin prej 3 deri në 7 ditë. Zakonisht, në odë, në mesin e burrave që presin mysafirë, rrinë burra që janë njohës të traditës gojore folklorike. Mysafirët që vijnë për t’i ngushëlluar anëtarët e familjes ndonjëherë bisedën e hapin me anekdota që i njeh ai mjedis, në mënyrë që anëtarëve të familjes dhe të pranishmëve t’ua lehtësojnë dhimbjen për të vdekurin. Anekdotat e tilla synojnë t’ua bëjnë me dije të pranishmëve se ai individ ka merita, edhe pse ka vdekur, ka lënë pasardhësit, të cilët duhet ta ruajnë emrin e të ndjerit dhe ai të mbetet i pavdekshëm, kuptohet nëse ka lëne trashëgimtarë të denjë.

Këtu po e japim një nga shumë anekdotat me tematikë të tillë, e cila ka disa variante. Përmbajtja  e saj në të parë duket anakronike për kohën e sotme, por  si krijim artistik sublimon disa nga vlerat e traditës, që aktualizojnë çështjen e burrërisë  të kryefamiljarit të ndjerë dhe të  pasardhësve:

Binak  Alija shkon me pa për Agën e  Batushës

Aga i Batushës kish pasë jarani t’madhe me Binak Alinë. Diq Aga i Batushës. U çue me shkue me pa Binak Alija me mashkujt e katundit. I muer nja pesë a gjashtë me veti.  Kur hini jau shnoshi kryet t’ birit t’Agës  Batushës edhe mashkujve  tjerë, si asht adeti.

Kur duel përjashta jau qitën kualt e ata hipen n’kual. Ty ecë për rrugë, n’Grykë t’Batushës, e nxuer alltinë  Binak Alija e qiti shtatë herë.

-           Eu, i thanë shokët, - Binak  Alija a mos dole meç?!

-           Pse?

-           Po na jemi ardhë me pa. Ti e bane dasëm e gazmen tuj gjuejtë me allti.

-           Unë e bana gazmen, se nuk kish dekë Aga, po ish gjallë.

Nëpërmjet  të kësaj anekdote  hapet biseda lidhur me burrërinë e të ndjerit por edhe për  pasardhësit e tij, me ç’ rast synohet të sinjifikohet se trimi i mirë lë pas vete pasardhës të denjë.

Në rastet e vdekjeve të rënda kur vdes ndonjë anëtar i ri i familjes mund të dëgjohet  edhe  ndonjë anekdotë e cila me mesazhin e vet sinjalizon se ka gjëra që janë edhe më të rënda  se vdekja. Mesazhi i tillë del nga anekdota:

Ma zi asht me kanë i lidhun për lisi

N’vakt t’mretit, bajraktari i Rugovës ish kanë n’luftë. Dy djemt iu kishin vra. Shkojnë populli me pa. Bajraktari e kish pa ba pritjen n’Rugovë. Kur shkon njani me e pa, ja  shnosh kryet.

-     O Bajraktar?

-           Hoj.

-           A ka ma  zi se  t’ka gjetë?

-           Po bre, ka edhe  ma zi.

-           Qysh ban me kanë ma  zi?

-           Ban me kanë ma  zi. Me kanë unë i lidhun për lisi, i çmendun, e mos me mujtë me i pritë  burrat e dheut qi kanë ardhë me m’pa. Shyqyr mi ka lanë zoti met n’krye. I pres e i përcilli miqtë e dashamirët qi kanë ardhë me m’pa.

Pason pastaj sqarimi i rrëfimtarit se dy miq pastaj ia kishin dhënë atij dy vajza për gra dhe të dyjat ia kishin lindur nga një djalë të cilët i kanë edhe sot trashëgimtarët.

Në rastet kur synohet të tregohet se i ndjeri nuk harrohet lehtë, sidomos babai, i cili kishte qenë edhe kryefamiljar, tregohet edhe ndonjë anekdotë e tillë ose e ngjashme me të ose edhe ndonjë variant tjetër:

E pamja mas  nanë vjete

I des njanit ni herë ni dost i madh. Qashtu i qilloi puna e s’mujti me shkue me e  pa djalin për babë.

Mas tri vjete po thotë me veti: - A me shkue me e pa djalin për babë a jo? ”Po  thotë: “ -S’po shkoj se hala se ka harrue”.

Mas gjashtë vjete prap po menon për dostin qi i kish dekë: -”Me shkue, po shkoj, po nashta hala se ka harrue”. Edhe nuk shkoi.

Kur u banë nanë vjet shkoi me pa. Po i thotë djalit t’dostit:

-Ti shnosh për babë! Erdha me t’kallxue se ki pasë babë t’zotin. Unë hala se kam harrue.

Gjatë bisedës anekdota e tillë nxit rrëfimin e  anekdotës tjetër, dhe biseda merr kahe të ndryshme. Tregohen dhe trajtohen edhe dukuri të ndryshme nga jeta, situata jetësore të individëve që i njeh mjedisi apo një rreth më i gjerë njerëzish.

Individi të  cilit i  atribuohet  anekdota mund të jetë personalitet i dalluar me veprimtarinë e tij, apo pleqnar që ka kontribuar në zgjidhjen e problemeve të ndryshme të njerëzve në rrethana të caktuara. Rreth veprimtarisë dhe jetës së tij thuren anekdota, që pëlqehen nga pjesëtarët e atij mjedisit, meqë veprimet e tilla i përshtaten mentalitetit dhe traditës kulturore prandaj pëlqehen dhe transmetohen edhe ne kohën aktuale.

Duket se  konkretësia ndikon që anekdota të komunikojë me të kaluarën dhe me të tashmen dhe gjithnjë të jetë aktuale. Megjithatë në përmbajtjen e tyre sublimohet përvoja dhe njohuria e gjeneratave e mentalitetit dhe e traditës kulturore.

Ndodhia jetësore projektohet dhe transponohet, në një episod, i cili  kryesisht realizohet nëpërmjet të dy personazheve, ndërsa rrëfimi përfundon në mënyrë të papritur. Artistikja e anekdotës qëndron në dialogun konciz, në mundësinë e konotimeve të shumta të  përmbajtjes e cila korrespondon me situatën apo atmosferën e komunikimit dhe me nivelin  e  marrësve.

Në përmbajtjen e një sërë anekdotash trajtohen cilësitë e larta morale njerëzore, mençuria, gjeturia, por vihen në pah edhe të metat si kontrast i këtyre dukurive dhe mu për këtë,  në to është i pranishëm toni satirik dhe ironia. Qëllimi dhe ideja e anekdotës  është që  nga  shembujt pozitivë të përvojës individuale të krijohen vlera universale me tipare jashtëkohore dhe jashtë hapësinore.

Vlerat që  korrespondojnë me jetën e individit dhe me  aktualitetin ndikojnë që anekdota gojore edhe sot jo vetëm të transmetohet por të krijohet në bazën e shtratit të traditës sonë popullore kulturore, të evoluojë dhe të pasurohet me tema nga aktualiteti.

Në anekdotë hetohet kontributi i individit, i krijuesit të saj më shumë se sa në zhanret e tjera të prozës gojore.

- Materialet:

Anekdota I dhe Anekdota  II, përgatitur nga Anton Çetta,. Anton Berisha dhe Fazli Syla, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1987 (vëllimi i I, 1008 njësi, dhe vëll. i dytë, Prishtinë 1988, 1311 njësi.

Folklor Shqiptar I, Proza popullore, vëllimi i  pestë, Anekdota, përgatitur nga  Jorgo Panajoti, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Folklorit, Tiranë,1972 .vëll. ka  689 njësi.

Anekdota 1 dhe 2 përgatitur nga Salih Zogiani, Prishtinë, 2000. Vëllimet kanë 822 njësi.

BajramBytyqi, Anekdota popullore, Rilindja, Prishtinë, 2000 (Vëllimi ka 105 njësi).

- Literatura:

Berisha Anton, Çetta Anton, Syla Fazli, Mbi anekdotën dhe komunikimin anekdotik, në Anekdota I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1987

Dundes Alen, Texture, Text, and Context, në Interpreting Folklore, Indiana University Press, Bloomington, 1980, f.2o-32.

Brunvand Harold Jan, The STUDY OF AMERICAN FOLKLORE,  NEW YORK, 1978, f 131-136.

Mustafa Myzafere, Mbi strukturën e anekdotës në: Anekdota 2, përgatitur nga Salih Zogiani, Prishtnë, 2000.

Panajoti Jorgo, Anekdota, Hyrje, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Folklorit, Tiranë, 1972.

Slijepčević Pero, Anekdota kao umetničko delo, në Narodna književnost, priredio Vladan Nedić, Nolit, Beograd, 1972, f. 527-535.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora