E premte, 26.04.2024, 02:40 PM (GMT+1)

Faleminderit

Murat Gecaj: Mic Sokoli, në piedestanin e nderit

E enjte, 30.04.2015, 07:56 PM


Në përvjetorin e rënies: Mic Sokoli, në piedestanin e nderit dhe të lavdisë shqiptare

Nga Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

Në përvjetorin e rënies: Mic Sokoli, në piedestanin e nderit dhe të lavidsë shqiptare…

Mic Sokoli nji fjalë po e flet, i thuej nanës: ti, mirëmbetësh! Pa u farue Malësia krejt, këtu nuk hyn krajl as mbret!...

Beteja e përgjakshme dhe legjendare e Slivovës, e fundprillit të vitit 1881, kundër pushtuesve shekullorë osmanë, e ngriti në piedestalin e nderit dhe të lavdisë shqiptare, birin e paharruar të Bujanit të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), Mic Sokol Rama. Po cili ishte ai kryetrim, që e mbylli me gjosin e tij, pa u trembur aspak, grykën e topit armik, i cili villte zjarr mbi luftëtarët tanë të lirisë?

Në të djathtë të rrjedhës së lumit të Valbonës, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), kalimtarëve u bie në sy një shtëpi karakteristike. Ajo është Kulla e njohur e “Heroit të Popullit” Mic Sokoli, trimit të rrallë të atyre anëve, i cili me aktin e tij mbeti i paharruar dhe i skalitur me shkronja ari, në faqet e lavdishme të historisë së brezave.

Kishte lindur në fshatin Bujan, më 1839, në një familje me tradita të shquara atdhetare. Babai i tij, Sokol Rama dhe xhaxhai, Binak Alia, ishin dalluar si udhëheqës popullorë në kryengritjet e pandërprera antiosmane. Edhe Mici, qyshë në moshën 16-vjeçare u rendit përkrah forcave popullore, në luftë kundër pushtuesve serbo-malazëzë. Siç tregojnë dokumentet arkivore, kangët popullore dhe dëshmitarët e asaj kohe, ai mori pjesë në beteja të shumta, duke lënë kudo gjurmët e trimërisë dhe të guximit.

Në vitin 1862, Malësinë e Gjakovës e sulmuan afër 12 batalione osmane, të komanduara nga Mehmet Ali Pasha. Ishin të armatosur deri në dhëmbë e të pajisur me topa malorë. Ndër trimat malësorë, që u përballën me armiqtë pushtues, ishte dhe Mic Sokoli i ri.

Vargjet e këngës popullore dëshmojnë më së miri këtë gjë:

Mic Sokoli n' armë të bardha,

vendin Pashës s' mun' ia fala,

n' ujë e mbyta e armët ia ndala!

Ndërsa, duke përmendur betejat e mëvonshme, rapsodi popullor thotë:

Mic Sokoli n' dy tagana,

-udhë e mbarë,- m'i ka thanë nana;

lufto bir-o për Shqipni,

mos i le turqit me hy!

Përgjigja e kryetrimit ishte e tillë, sa mbeti përbetim i shqiptarëve në roje të tokës amtare:

Mic Sokoli nji fjalë po e flet,

i thuej nanës: ti, mirëmbetësh!

Pa u farue Malësia krejt,

këtu nuk hyn krajl as mbret!

Ndër aktet kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte dhe krijimi i ushtrisë kombëtare. Me këtë rast, nën komandën e Mic Sokolit, në Malësinë e Gjakovës u formua një batalion i posaçëm, që shërbeu si gardë e këtij Kuvendi historik. Kongresi famëkeq i Berlinit vendosi t'i jepeshin Malit të Zi tokat shqiptare të Plavës e Gucisë. Por kjo shënoi protesta të fuqishme mbarëpopullore. Në luftimet e zhvilluara, mbeti i plagosur djaloshi malësor Mic Sokoli, i cili nuk donte të kuptohej nga armiqtë dhe kërkonte ruba (fasho) për t'i lidhur plagët:

Sillni rubat, t'i lidhi varrët,

t' lidhi varrët e ta shtërngoj shtatin,

mos t' ma shohi asqeri gjakun...

Për t'i nënshtruar shqiptarët, Porta e Lartë dërgoi në Kosovë e në malësitë e Veriut mareshallin Ali pashë Maxhari. Po trimat shqiptarë ishin të vendosur që ta bënin "dekën si me le". Me prijësit e shquar në ballë, si Mic Sokoli, Ali Ibra, Haxhi Zeka, Binak Alia etj., ata bënë betimin që:

Tokën e të parëve mos m'e dhanë,

pa u mbushë vorre anë e mbanë!

Malësorët trima vërshuan drejt Gjakovës, ku ishte vendosur komanda e ushtrisë armike dhe iu shkaktuan atyre dëme të mëdha, në njerëz e armatime. Me gjithë masat e ashpra, që po merrnin ndaj shqiptarëve, ata nuk nënshtroheshin. Përsëri Porta e Lartë nisi një gjeneral tjetër gjakatar, Dervish Pashën, në krye të një ushtrie të madhe. Ndërkaq, në Malësine e Gjakovës komandantët trima, si Mic Sokoli, Ali Ibra etj., dhanë kushtrimin e përgjithshëm, me thirrjen: "Në shtatë e në shtatëdhjetë, për mbrojtjen e vatanit!'

Kënga popullore bëhet dëshmitare me vargjet:

Mic Sokoli po bërtet,

Ali Ibrës po m'i thërret:

-Merr' bajraqet e hajde shpejt!

Më tepër se 3 mijë luftatarë malësorë u sulën drejt Slivovës. Kurse konandantët armiqë, siç dëshmon kënga popullore, pyesnin:

Ku i ka çadrat Mic Sokoli,

ku i ka çadrat, ku i ka t' parët?/

M' ka çue mbreti me ja çartë.

Me ja çartë m' ka çue mbreti,

se don me kenë krejt në veti!

Pra, qëllimi i tyre ishte ta dëmtonin sa më shumë Mic Sokolin dhe forcat e tij, pasi këta donin të ishin të lirë e të pavarur. Në këto kushte, në ballë të sulmeve armike, luftëtarët e Malësisë së Gjakovës u vendosën në Grykën e Carralevës, me Mic Sokolin në ballë. Betejë e përgjakshme u zhvillua sidomos më 22 prill 1881. Luftime me armë, përleshje trup me trup. U plagosën rëndë Sulejman Vokshi, Ali Ibra etj. Në këtë kohë, Mic Sokoli printe përpara, përmes një shtegu, në ballë të luftëtarëve. Predhat armike e ndriçonin vendin për rreth. Një top i markës "Krup" villte zjarr papushim, nga një kodër përballë Grykës së Carralevës. U vranë e u plagosën disa shqiptarë. Mori plagë në trup edhe Mic Sokoli, por nuk tërhiqej.

Kënga popullore bëhet dëshmitare e atij akti tragjik, por dhe heroik e i rrallë në histori:

Mic Sokoli ban me dorë:

-Bini, shokë, se s' mujë me folë,

se m' ka ra do gjak në gojë;

se m' ka ra do gjak në bark,

shtatë martine i kam në shtat...

Më tej, kënga jep një dëshmi tjetër nga ajo përleshje, për jetë a vdekje:

Man Avdia bveti (pyeti) fisin:

-A m'i patë Zmajlin e Micin?

- Fyt për fyt-o me Dervishin!...

Si një ortek mali, megjithëse me shtatë plagë në trup, Mic Sokoli iu sul me furi topit armik. Donte ta shuante atë, mos ta lente t'i vriste bashkëluftatarët dhe kështu t'u jepte atyre zemër, për t'i thyer me çdo kusht armiqtë. Me gjoksin e tij vigan e mbylli grykën e atij topi, i cili villte zjarr e hekur. Simbol i heroizimit tonë mbarëpopullor, në luftërat për pavarësi e liri, Mic Sokoli ra, për të mbetur i përjetshëm. I frymëzuar nga akti i tij legjendar, duke dashur të përmbledhë të gjithë atdhetarizmin e brezave, rapsodi popullor thuri vargjet lapidar: "Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola!...".Ai mbeti pwrherw nw piedestalin e nderit dhe tw lavdisw shqiptare.

 

Kulla e Mic Sokolit, në Bujan të Malësisë së Gjakovës(Tropojë), ku përherë valëvitet krenar Flamuri ynë Kombëtar …



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora