E premte, 26.04.2024, 12:17 PM (GMT+1)

Mendime

Fehmi Ajvazi: Primitivizmi pansllav përkundet në ëndrrën për ta shndërruar Kosovën në Irakun e Evropës

E diele, 20.07.2008, 02:31 PM


Primitivizmi pansllav përkundet në ëndrrën për ta shndërruar Kosovën në Irakun e Evropës

Nga Fehmi Ajvazi
    
Ka shumë arsye që qytetarët e Kosovës, saktësisht shqiptarët të jenë të pakënaqur me qëndrimet e Rusisë lidhur me procesin e lirisë dhe të shtetësisë së saj. Nga prizmi historik, që prej prishjes së marrëdhënieve Moskë-Tiranë në vitet ‘60 të shekullit të kaluar, fare hapur Rusia ka ndjekur një politikë antishqiptare dhe kjo politikë e ka pasur në fokus të sfidimit, edhe Kosovën. Shqipëria zyrtare e asokohshme, e kishte ndjekur me fshesë të hekurt Moskën nga territori shqiptar. Shqipëria pastaj, e kishte braktisur demonstrativisht edhe Paktin Ushtarak të Varshavës (paktin e kampit socialist), të cilit i printe Moska. Tradicionalisht, asnjëherë më nuk janë zhvilluar marrëdhënie të qëndrueshme në raportet Tiranë-Moskë. Paralelishte me ndjekjen e politikave zyrtare ekspansioniste, qasja e Moskës ka qenë gjithnjë agresive - sfiduese kundër proceseve të mirëqenies, të zhvillimit, të emancipimit politik dhe ekonomik, të pavarësimit dhe integrimit të shqiptarëve në Ballkan. Ky koncept, evoluoi krejt hapur që kur Gërbaçov erdhi në Beograd më 1988, dhe i dha përkrahje nacionalizmit serb, në krye me Milosheviqin. Sinjali, direkt nënkuptonte që Moska ndër shumë probleme ndërkombëtare të kohës, nuk do ta përkrahte pozitivisht as zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Çka fshihet pas deklaratës së z. Medvedev?/Këtë politikë, tradicionalisht e ndjekën strukturat dhe mekanizmat qeveritarë rus, pa pardon. Politikanë dhe gjeneralë rus, janë shquar për deklaratat e tyre të ashpëra kundër shqiptarëve dhe Kosovës, në veqanti. Presidentët rusë dhe ministria e punëve të jashtme ruse, kanë thelluar në këto dy dekada dosjen e të qenurit kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës me gjithfarë deklaratash, madje edhe duke ndërmarrë masa të caktuara. Moska zyrtare, ishte në vijimësi kundër zgjidhjes së drejt të çështjes së Kosovës, në përputhje me Kartën e OKB-së. Këndvështrimi politik zyrtar rus ndaj kësaj çështjeje, është shprehur kudo: në Rambuje, në G-8, në Grupin e Kontaktit për Kosovën, në Këshillin e Sigurimit etj. Presidnetët rus dhe ministrat e punëve të jashtme që nga Jevgeni Primakovi, kanë ndjekur linjën e qëndrimeve të ashpra ndaj proceseve në Kosovë, duke kërcënuar madje edhe ushtarakisht si në rastin e 11 qershorit 1999. Busulla e një politike të hapur anti-Kosovë, ishte presidenti Vladimir Putin, me zëdhënësin Lavrov. Të njejtën linjë, është duke e ndjekur edhe pasardhësi i tij, z. Medvedev që e ka filluar mandatin pikërisht me deklaratat e tij kontradiktore, të ashpra dhe tërthorazi kërcënuese, m’u kundër Kosovës. Të martën më 15 korrik, z. Medvedev deklaroi se “Kosova është për BE-në, ashtu siç është Iraku për SHBA-të”. Kjo deklaratë, apriori duhet të jetë shqetësuese, stigmatizuese, në linjë të politikave të deritashme antishqiptare dhe anti-Kosovë, duhet të jetë një deklaratë me mesazh provokues dhe domethënëse për realitetin aktual, dhe të ardhmen e Kosovës.
Kronologjikisht, shumë qëndrime dhe deklarata të krerëve në Moskë kanë pasur kuptimin propagandues, kuptimin e një retorike agresive politike dhe kërcënuese, pa ndonjë ndikim të veçantë etj. Mirëpo, aty-këtu drejtpërdrejt dhe sidomos tërthorazi, këto deklarata edhe janë përdorë në terren, janë përdorë atje ku Moska ka arritur (ashtu si ka mundur) të shfaqë ndikimin e vet, të influencojë, të pengojë zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Nëse askund, Moska ka arritur që në cilësinë e anëtarit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të bllokoj njohjen direkte të Kosovës nga OKB. Në anën tjetër, Moska zyrtare gjithmonë i ka dhënë përkrahje morale, politike dhe ushtarake Beogradit zyrtar - mëkëmbësit rus në Ballkan, piemontit të problemeve dhe të politikave agresive – pushtuese në Ballkan. Tërthorazi, Moska ka qenë aktive që të jetë influencuese edhe te vendet që kanë pasur dhe kanë disponim anti-Kosovë dhe që në parim, kanë qenë edhe kundër zgjidhjes së drejtë dhe parimore të çështjes së Kosovës.
Ndërkaq, si duhet kuptuar deklarata e Medvedevit? Çfarë reperkusionesh mund të ketë në thelb, kjo deklaratë…? Esenca e tërsishme e kësaj deklarate, nga këndvështrimi analitik duhet kuptuar në disa dimensione. E para, që ajo bëhet për të shqetësuar dhe frikësuar vendet e UE-së që domethënë: evropianët të mos e përkrahin Kosovën. E dyta, që Kosova nuk do të jetë stabile dhe se është, por edhe mund të kthehet në një “Irak” për Unionin Evropian. E treta, që duke qenë “si Iraku për SHBA”-të, Kosova edhe mund të shndërrohet në diçka të këtillë. E katërta, nëse edhe është kështu sipas z. Medevedev, po sipas tij nuk përjashtohet mundësia që “Kosova të kthehet në një Irak” ngase, e këtillë aktualisht nuk është Kosova. E pesta, paralelizmi që tërheq z. Medvedev, provokon pyetjen për të: si ka mundësi që Kosova të kthehet në një “Irak evropian”, përderisa këtu ka forca të caktuara të NATO-s, polici ndërkombëtare etj. E gjashta, a mund të kthehet në një “Irak” Kosova vetëm me forcën dhe rezistencën serbe të Beogradit…? E shtata, a mos është duke përgatitur boshti Beograd-Moskë terrenin që, nesër vërtetë të kemi “një Irak në Evropë” pikërisht në Kosovë ?
Brukseli, Uashingtoni dhe Prishtina urgjentisht të kërkojnë shpjegime nga z. Medvedev/Deklarata e z. Medvedev, duhet marrë me shqetësim. Këtë deklaratë nuk e ka bërë një shitës i sheqerkave në rrugë, por një president dhe atë presidenti i njërit nga vendet më të mëdh të botës. Deklarata vjen kaq provokuese dhe kaq turbulluese pas hyrjes zyrtare të Shqipërisë në NATO, dhe në vigjilje të vizitës së presidentit (z. Fatmir Sejdiu) dhe të kryeministrit (z. Hashim Thaçi) në Uashington. Prandaj, është naive të mos merret me seriozitet kjo deklartë dhe, të tërhiqen prej saj të gjitha konsekuencat e mundshme. Brukseli, Uashingtoni dhe Prishtina, përshirë edhe kryeqytetet e vendeve të Ballkanit (Kosova është në Ballkan dhe, jo në Hënë), duhet të reagojnë urgjentisht dhe të kërkojnë shpjegime të veçanta nga z. Medvedev për deklaratën e bërë, të kërkojnë elabrorim publik të kësaj deklarate m’u nga vetë z. Medvedev. Thelbi i kësaj deklarate, është atak në raportet aktuale në Evropë, është atak në raportet aktuale në Ballkan. Deklarata, është atak poashtu edhe për nivelin e marrëdhënieve dhe të raporteve ndërkombëtare në relacionet Bruksel-Moskë. Gjithashtu, deklarata është e rrezikshme për raportet e ardhshëm të relacioneve Prishtinë-Beograd sepse, provokon dhe shtynë serbët e Kosovës dhe Beogradin që në shenjë rezistence kundër Kosovës, të akceptojnë ose edhe të emitojnë qoftë tërthorazi, “gjendjen e Irakut” në Kosovë.
Dhe krejt në fund, nëse presidenti Medvedev ka synuar që të provokojë ose të tallet me Brukselin dhe Uashingtonin në këtë mënyrë, realiteti në teren na shtynë të jemi koshient dhe të kuptojmë se Moska zytare jo rastësisht, ka qenë në pozicione anti-Kosovë tash e sa vite. Prandaj thënë shkurt, edhe nëse daklarata e z. Medvedev mund të merret si “trysni verbale e Moskës kundër Kosovës”, deklarata në fakt parathotë dëshirën ruse që Evropa, me të vërtetë ta ketë “Irakun e saj”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora