E premte, 26.04.2024, 06:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Uji...

E premte, 18.07.2008, 07:48 PM


Suzana Kuqi
Suzana Kuqi

Uji...
 
Duhet patjetër të marr një prift të më bekojë shtepinë, nuk kam nga t'ja mbaj. Si nuk më shkoi vetë mendja më parë por duhej të ma thosh komshija.Po po komshija që banon një kat më poshtë. E gjitha filloi kur bleva enëlarësen ose si i thonë kësaj lavastoviljen. Mirë që e bleva me një mijë sherre. Burri nuk dëgjonte nga ai vesh, dy gra në shtëpi e nuk keni turp e kërkoni enëlarëse...Pesë vjet që doja ta blija e ai nuk ma blinte. Pastaj një pasdite të bukur që mamaja me vëllain tim qëlluan për vizitë tek unë ,burri papritmas më pyeti se çfarë doja si dhuratë për ditëlindje. Kujtoi se mos ndoshta ndonjë zinxhir floriri , një unazë apo ndonjë send tjetër siç kërkojne gratë...
           - Enëlarëse ! - brita unë pa u menduar dy herë.
           - Ke pesë vjet që më çave veshët me atë enëlarëse, - pa u menduar dy herë ma ktheu dhe ai.Më mirë të mos kishte folur se me siguri do të jetë penduar pastaj sepse unë ...
           - Nuk ke faj ti! Sepse kur martoheni ju , nuk merrni thjesht një grua. Aty tek gruaja keni rrobalarësen, pjatalarësen, kuzhinieren, kamarieren , atë... atë që hekuros rrobat, atë që korrigjon detyrat e shkollës së fëmijëve,berberin , atë që ju bën pazarin , atë...
E vazhdova sa nuk dija më ç'të thoja tjetër. Për çudi nuk më ktheu përgjigje as ai por as mamaja dhe as vëllai im nuk nxorrën zë. Kushedi se ç'shtrigë do t'u jem dukur. Pushova menjëherë siç kisha nisur dhe me mendje e mbylla këtë muhabet. Nuk do të kërkoja më të më blinin enëlarëse, sepse po të vazhdoja kështu veç sherr do të kisha në shtëpi. E nuk u zu më në gojë deri ditën para ditëlindjes sime. Burri sa erdhi në shtëpi më thotë :
           - Ec e shkojmë të zgjedhësh një enëlarëse.
U bëra gati në dy sekonda. Kur arritëm në dyqan donte dhe dhjetë
minuta të mbyllej. Nga ta filloja , rreshti i enëlarëseve të
ekspozuara ishte shumë i gjatë.
          - Ti shiko dhe zgjidh një, vij e marr unë nesër,- më qetësoi im shoq. Nesër !? Nesër, thashë me vete, kushedi se me ç'mendje do të gdhihet ky e pastaj lamtumirë enëlarëse.Shkova drejt e tek ai burri që shërbente në atë repart.
          - Të lutem , më sugjero një enëlarëse të mirë ekonomike, e dua ta marr sot.
 
Pra si përfundim e mora. Ja ndjeva lezetin. Jo vetëm unë, pasi e bleva unë morën shembull të gjithë kushërinjtë e mij e vrapuan për t'a blerë. Nuk kaloi një muaj... do të thoni se u prish ? Jo, jo , herën e parë nuk ishte faji i enëlarëses.Biles as herën e dytë dhe po te mendoj nuk e di se si kjo gjë u lidh me enëlaresen, me siguri ma nguliti në tru burrri i dashur. Më merr në telefon pronarja e shtëpisë e më thotë se komshinjve poshtë ju është mbushur shtëpia me ujë, u rridhte nga tavani. Zbrita poshtë e ç'të shihja, kishin vendosur legena mbi bufe për të pritur ujin, dukej sikur po binte shi.Nga del uji xhanëm, unë kuzhinën time e kisha të thatë. Me prunë një hidraulik. Duhet të jetë çarë tubi i ujit që është brenda në dysheme. O burra, lëvizëm lavamanin duke e bërë copë e thyen pllakat. Një tub uji me një brimë që me sy nuk shihej spruconte ujë si i tërbuar. Erdhi një komision i tërë për ta parë e fotografuar.E ndërruan tubin. Rashë rehat për ca kohë e komshia poshtë priste t'i thahej tavani për ta lyer. Të vinte keq ta shikoja tavanin e kuzhinës së saj. Sapo thahej një çikë gëlqerja fillonte e binte peta peta.Nuk ishte tharë akoma mirë kur filloi t'i binte shi sërish nga tavani. Këtë rradhë ishte një tub tjetër, ai i kaldajës sime që ishte çarë. Edhe një herë, pronari i shtëpisë sime dhe pronari i shtëpisë së komshijes, nëpunësi i agjensisë, administratori i pallatit, hidrauliku, punëtori i ndërmarrjes së gazit. E rregulluan e ramë rehat ne e komshija priste t'i thahej tavani. Kaluan dy muaj.Prapë shi poshtë në kuzhinën e komshijes. Tubi i gomës i enëlarëses sime që kalonte pas sobës ishte djegur e uji ecte për qejf të vet tashmë e dinte rrugën.
               - Deshe enëlarëse, ja ku e ke ! Mallëkim është në shtëpi!- ulëriu im shoq.
 Bobo, këtë herë faji ishte i imi. Ruhesha kur dilja nëpër shkallë se mos bija ndesh me komshijen. Më vinte turp.Nejse kaloi edhe kjo rradhë. E hëngra turpin me bukë e bëra si bëra vendosa përsëri raporte të mira me komshijen.Enëlarësen nuk e përdora më edhe pse tubin e ndërroi burri im. Kaluan tre muaj të tjerë.Dy ditë komshija më pat thënë se kish thirrur bojaxhiun për t'i lyer e meremetuar tavanin. Ndoshta ka ardhur koha ta vë në punë enëlarësen , mendova. Por nuk qe e thënë. Ndoshta vetëm ky mendim, vetëm duke e menduar e thirra tersllëkun. U nisa për në punë në ora dy pasdite. Përpara se të dilja kontrollova gjithë cepat e kuzhinës se mos kishte ndonjë pikë ujë, zakon ky që më është rrënjosur thellë nga ankthet dhe mankthet që kam kaluar. Në punë si në punë. Ca me të qeshura e ca me të nxehura me pleq e kuptoni vetë. Burri kish ardhur të më merrte në mbarim të turnit.Shihej që një orë larg se nuk i kish punët mirë.                

- C'ka ndodhur ? - e pyes gjithë ankth.
                 - Ta them pastaj, ndiz përpara një cigare me mua.
                - Mor po lëre cigaren , çfarë të ka ndodhur ?
                - Uji ...
Më kaluan mornica nëpër trup e ndjeva se u ftoha krejt në gjithë këtë vapë të madhe.
                 - Uji !?
                 - Ishte çarë tubi i ujit të lavamanit.
                  - Si ishte çarë !?
                  - Këtë nuk e di.Më telefonuan në punë. Shkova me
vrap në shtëpi e gjeta kuzhinën, korridorin dhe dhomën e djalit plot me ujë.
                   - S'ka gajle për shtëpinë tonë, po ata poshtë ?
                   - Kishin mbledhur legenat e pallatit e po e prisnin...
Bobo si e kisha hallin. Një gjë ishte e sigurtë, hakun e bojaxhiut do të ma rrasin ta paguaj unë, por nuk e kam aty. Do të fillojnë telefonatat e vizitat e pronares së shtëpisë sime e pronarit të shtëpisë së komshies, hidrauliku , nëpunësi i agjensisë, administratori..të gjitha nga e para. E ndava mendjen, le të bjerë sa të dojë telefoni , unë nuk e kap. Nesër në mëngjes do të shkoj tek mamaja e mund të rri nja një javë atje e ta stakoj trurin nga kjo gjurulldi , le të merret burri i dashur me ta. Bile desha të ikja që sonte por burri m'u lut që të paktën sonte të vija në shtepi , nesër në mëngjes më premtoi të më çonte tek mamaja ime. Bëra si bëra dhe hyra në shkallët e pallatit. Dreqi e mori , thashë me vete, sikur nuk ka lezet t'i ngjis shkallët pa i kërkuar ndjesë komshijes për atë që ndodhi , edhe pse nuk ishte faji im.Me zemër të dridhur shtypa butonin e ziles. Komshija u dha në derë buzagaz.Më ftoi brenda e më tregoi tavanin , e këtë herë nuk ishte tavani vetëm, edhe muret ishin lagur të gjitha e në to ishin konturuar pamje fantastike si harta të lashta. Mbi tryezë kish vënë mikroonden që kullonte uje akoma.                 

- Më vjen keq ! - i them komshijes .
                  - Edhe mua - u përgjigj ajo , por në fakt nuk më
dukej edhe aq keq. Seç kish një nënqeshje të ëmbël që më bëri çudi.
S'duhet të jetë në rregull nga trutë, them me vete.
                 - Kur dola nga shtëpia nuk kishte ujë - i them unë.
                 - E di, se atë kohë isha në shtëpi e po haja drekë. Por më telefonoi ime bijë në dyqan e më tha se im shoq ishte nxehur e ishte bërë për hekura.Thashë se këtij dreqi nuk i kish kaluar akoma inati , ka një javë që bëjmë sherr e nuk pushon... M'u kujtua se vërtet kisha dëgjuar një zë burri që ulërinte kohët e fundit por të them të drejtën nuk e kisha gjetur dot se nga ç'kat vinte. Në këtë kohë vjen burri i saj i cili i afrohet e fillon t'i fërkojë shpatullat. E gjeta, misteri i asaj nënqeshjeje, kish bërë paqe me burrin e shkak për këtë ishte ...uji.Ishin ndodhur të dy para një rreziku të përbashkët.                

- Burri im thotë që ky është mallëkim - ja bëj unë që nuk dija ç'ti thoja tjetër.
                 - Eshtë sy i keq - ja pret burri i saj.
                 - Mos je gjë shenjë e ujorit ?- më pyeti komshija.
                 - Jo, më keq akoma, jam peshore- ja kthej unë.
                 - Duhet të marrësh një prift të të bekojë shtëpinë !
- e mbylli komshija.
Ika duke ngjitur shkallët e menduar. Kur arrita para derës sime e kisha vendosur. Nuk do të shkoj tek mamaja ime nesër, do të shkoj tek katedralja që kam pranë shtëpisë e do të kërkoj të më dërgojnë një prift të më bekojnë shtëpinë.Shpresoj të zërë vend e tubat e shtëpisë sime të mos plasin më. Ama sa për telefonat...le të bien sa të duan, unë nuk i kap me dorë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora