E enjte, 05.12.2019, 05:44 PM (GMT)

Komente

Maki Canolli: Bacë, për kë luftove

E premte, 20.03.2015, 07:30 PM


BAC, PËR KË LUFTOVE?

Nga Makfire Maqedonci Canolli

Sot nuk po shkruaj vargje e as këngë, por do të shkruaj për diçka që në shpirt po më dhemb. Jo, sot nuk po më vlon në shpirtë as vargu e as kënga sepse thellë jam e lënduar nga shumë padrejtësi qe po ndodhin atje në tokën tonë, në tokën e përgjakur me shekuj!

Dhe jamë më se e bindur se këtë dhimbje nuk po e ndiej vetëm unë por qindra e mijëra shqiptarë qofshin ata në trojet tona qofshin nëpër dhenat e huaja nëpër Europë, Skandinavi apo këndej oqeanit në Amerikën e largët!

Është një dhimbje që gradualisht po na vret të gjithëve në shpirtë dhe fatkeqësisht po na shkakton plagë. Papunësia dhe varfëria ekstreme qe i ka kapluar vatrat shqiptare ku për fat të keq në mesin e atyre skamnorëve kemi edhe ish të burgosur politik dhe ish luftëtarë të Lirisë është një tradhëti jo vetëm e Idealit kombëtarë Ideal qe i bashkoi ata trima rreth çështjes kombëtare me shpresën dhe dëshirën se një ditë do të gëzojmë të gjithë ditë më të mira dhe Liri të plotë. Por për fat të keq pas gjithë atyre vuajtjeve, përsekutimeve, burgosjeve, mallteretimeve, vrasjeve e masakrave sot Lirinë e plotë po e gëzojnë pameritorët ata qe fare pak apo edhe hiq aspak nuk kontribuan për Lirinë e Kosovës!

Bac sot nuk po flas vetëm me zërin tim personal, sot po të flas me zërin e qindra e mijëra motrave, nënave dhe grave kosovare qe me lotë i kanë larë mijëra herë rrobat e motrave dhe vëllezërve të burgosur për t'ua larguar njollat e gjakut që rridhte nga torturat sebosllave dhe dhuna qe ushtrohej mbi trupat e tyre nëpër burgjet e Serbisë, në emrin e motrave, nënave dhe grave që me mijëra herë i kanë shiquar rrobat e përgjakura të bijave dhe bijve të tyre të masakruar e të vrarë, të bijave dhe bijëve qe ia falën gjymtyrët Atdheut e të mijëra tjerëve të zhdukur qe edhe pas 16 vitesh nuk gjinden eshtrat e tyre, po të flas edhe në emrin e mijëra motrave, nënave e grave kosovare qe i dhunuan kriminelët e Serbisë, pa i harruar as motrat, nënat dhe gratë e atyre qe na vinin në arkivole sa nga armata e atëhershme ca të tjerë nga mërgimi qe na i vriste UDB-ja serbosllave, e shumë të tjerë i ndiqte e përpiqej t'i vriste. Dhe në emrin tim, në emrin e të gjitha ktyre motrave, nënave dhe grave kosovare sot po të pyes Ty Bac dhe po i pyes edhe qindra dëshmorë e mijëra bashkëluftëtarë t'u për kë luftuat Bac?

Bac të jeshë i bindur shumë pak gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë qe u vratë të gjithë Ju e që për fat të keq nuk ishit të pakët! E ai ndryshimi është se lufta me armë e me armikun serb përfundoi pjesërisht , por tani populli ynë po përballet me luftën e papunësisë e të varfërisë apo thjeshtë me luftën për ekzistencë dhe më e keqja shumica po luftojnë me vdekjen sepse sëmundjet e ndryshme bashkë me kancerin po lulëzojnë me të madhe dhe po vdesin çdo ditë fëmijët, rinia e të moshuarit e disa përpiqen të gjejnë shërim edhe në shtetet e tjera sepse shteti jonë sapo lindi e kapluan sëmundjet vdekjeprurëse korrupsioni dhe vjedhja të cilat jo vetëm e kanë lodhur por e kanë gjunjëzuar dhe vështirë se do të shërohet ndonjë herë!

Bac, në Kosovë nuk po lulëzon Liria! Jo, jo atje po lulëzojnë sëmundjet dhe varfëria dhe padyshim aty ku ka varfëri sëmundjet lulëzojnë me të madhe.

Liria po lulëzon për disa por jo për të gjithë! Liri kanë hajdutët për të vjedhur, për të ndërtuar shtëpi e vila luksoze vendë e pa vendë, për të blerë makina luksoze vend e pa vendë, për t'u punësuar kur duan e ku duan, për të shpenzuar sa të duan dhe kur duan, për të pasur paga marramendëse e shumë e shumë llukse tjera të cilat nuk i shijon e as nuk ka të drejtë t'i shijoj apo t'i gëzoj as fshatari, as qytetari, as punëtori, as bujku, as mësuesi, as profesori, as aktori, as krijuesi,as ish i burgosuri, as ish luftëtari i Lirisë, as fëmijët e dëshmorëve dhe sa e sa të tjerë!

Bac në Kosovë Liria sa është e përkufizuar aq është edhe e përgjysmuar sepse ashtu siq nuk kanë Liri të plotë dhe të barabartë vetë qytetarët në tokën e Kosovës Liri nuk kanë as shqiponjat të fluturojnë mbi qiellin e Mitrovicës e cila tani e 16 vite është e ndarë apo thënë më mirë pjesa veriore i është okupuar nga serbët dhe Serbia! Dhe Ty o Bac të thanë "Bac u kry"!!!

Po Bac "u kry"! U kry po jo ashtu si dëshirove Ti dhe mijëra tjerë qe u vranë me shpresën dhe dëshirën qe vërtet të çlirohet Kosova dhe të lulëzoj Liria për mbarë popullin tonë!

Lufta u kry Bac për ata qe mezi prisnin t'i zinin kolltuqet e të uleshin në karriket e pushtetit, por jo për trimat e Lirisë të cilë nuk i dorëzuan armët por i ndoqën shkiet e shkinave edhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë bashkë me sllavo maqedonasit në Iliridë!

Bac Ty të thanë:

Zoti të shpërbleftë me Parajsë bashkë me familjarët t'u dhe ne e krym punën tonë Kosovës ja ndërruam Flamurin! Në vend të shqiponjës ja vumë disa yje e ngjurën kuq e zi ja bëmë "mavi-mavi" dhe bisedimet i filluam prap me shkie se ashtu po na kërkojnë ndërkombëtarët të cilët jo vetëm qe na e sollën një Pavarsi prej paketës së Ahtisarit si dhe presidenten na e sollën në një zarf të bardh por edhe na kanë ndihmuar bukur shumë edhe ta rjepim Kosovën duke e vjedhur se Ti e di Bac qe Kosova është një thesar qe e ka mbajt prore ish Jugosllavinë dhe e ka ndërtuar me pasurinë e saj bishtëmbisht. Dhe si e tillë tani jo qe po na pasuron neve politikanëve por po i pasuron edhe ndërkombëtarët, bile bile edhe Turqit!

Dhe për fat të keq po Bac në Kosovë po pasurohet edhe dreqi me të birin por vetëm populli jo! Popullin po e pasuron robëria, papunësia, varfëria sëmundjet qe as emrat nuk jau dinë aq shumë qe janë duke u shfaqur. Gjatë luftës na përzuri nga Kosova të gjithëve Serbia, dhe u bëmë pikë e pesë, disa në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e disa u shpërndamë gjithë andej nëpër botë. Por pjesa dërmuese qe ishin në trojet tona mezi prisnin të ktheheshin në Kosovën e djegur shkrum e hi dhe të minuar por i mbante shpresa se do të punojnë të gjithë, do ta ndërtojmë e do të lulëzon Kosova bashkë me Lirinë! Bile edhe ne mërgimtarët mezi prisnim t'i bëjmë pak para e të kthehemi si zogjët shtegtarë e t'i ndërtojmë foletë tona përgjithmonë në tokën tonë.

Por jo Bac! Fatkeqësisht jo qe ne nuk kemi ku të kthehemi por akoma edhe sot në këtë dimër me acar pas 16 viteve Liri nga Serbia po ikin rinia e populli nga vatrat e tyre kah sytë këmbët. Edhe sikur të jetë sërish Kosova e minuar njerëzit nuk po pyesin për rreziqe. Ashtu siq u kthyen me nxitim pas lufte në tokën e djegur ashtu sot po ikin nga varfëria qe po ua sjellë për fat të keq kësaj here qeveria shqiptare jo Serbia!

Familjet e dëshmorëve jo se nuk i gëzojnë ato qe i meritojnë por fëmijët dhe nipat tyre po vdesin për një pikë ilaq qe nuk gjindet kund në Kosovë!

Dhe pas gjithë këtyre marifeteve o Bac popullit po i propozohet të protestojnë e të kërkojnë shamia me i mbyll sytë mos me shiquar se çka po ndodhë me fatin e tij e t'i mbulojë edhe veshët të mos dëgjoj, e në vend të shkollave po ndërtohen xhamia qe të ketë populli ku të kërkoj ndihmë sepse nuk i ka mbetur derë tjetër vetëm te Zoti sepse më nuk po ju ndihmon as Europa e as Amerika, por popullit në ato xhamia i duhet edhe të kërkoj falje për gabimet qe po i bënë vetë duke ua dhënë votën e besimit gënjeshtarëve e hajdutëve tash e 16 vite.

Bile tani edhe Turqia po bënë be e rrëfe se do ta mbjelli kulturën turke në Kosovë sepse sipas saj "arnautët densëza" e kan humbur kulturën shqiptare e ajo duhet me i pru në dinë e iman!

Po Bac kultura jonë po zbehet disa këngëtare po ua kalojnë edhe prostitutave me veshjet e tyre e disa femra ngjajnë me femrat turko arabe! Bile edhe disa çuna po shkojnë pas mësimeve të disa hoxhallarëve qe e kan sjellur kulturën arabe në Kosovë dhe nuk vishen më si jan veshur më parë po me do pantollona gjysmak e me mjekrra qe vështirë e ke t'i dallosh se janë shqiptarë. Pjesa dërmuese e popullit po rrinë në heshtje e po bëjnë sehirë e disa i ka lodhur varfëria e sëmundja, por ka edhe nga ata qe janë të zënë me bizniset e tyre. Disa prej luftëtarëve janë burgosur e kriminelat e Serbise u shetitin para hundëve të lirë. E pjesa tjetër atdhetare qe janë akoma në gjurmët tua dhe të shokëve të tyre po përpiqen të punojnë akoma për ta quar në vendë amanetin tëndë dhe të gjithë dëshmorëve por mijëra pengesa e probleme po u dalin prpara nga djalli qe ka hyr në trupat e atyre qe nuk duan të dëgjojnë më për asgjë rreth çështjes kombëtare sepse u tha me kohë: "Bac u kry!!!

Dhe Ti e dinë Bac "burrat" një herë flasin!

Kështu Bac, a u kry për së mbari apo për së mbrapshti për ta pak ka rëndësi kryesorja u kry!

Dhe vërtet Bac edhe neve aq shumë na i kanë ngatërruar gjërat sa qe jo qe s'po e dimë çka u kry po nuk po e dimë kur don me u kry kjo poshtërsi e ky pazar qe po bëhet në kurriz të popullit?!

Popullin e kanë rrokur përpara mijëra halle e politikanët i pat rrok njëfar ngërqi po si duket i lëshoj pak para vitit të ri se bukur shumë i mbajti e a do t'i rrokë sërish ai far ngërqi nuk di po si po duket moti është rrezik qe sërish t'i rrokë e nëse i kap për së dyti mos vet se nuk ka me i lëshuar me vite.

Bac kemi mbetur si pula në mjegull k'ta po thonë "Bac u kry" e kush s'po e merr vesh çka u kry se hajnija nuk po kryjke kurrë o Bac! Populli ka mbetur në udhëkryq, nuk na ka mbetur rrugë tjetër vetëm të gjithë po lutemi e po themi qu o Bac e kryje e tregoju si duhet me u kry se kurrë më shumë UDB-ja nuk ka pasur bashkëpunëtorë, ose vrana edhe neve ma mirë sa nuk na ka vra të gjithëve kanceri qe jo vetëm popullin atje po e vret çdo ditë e më shumë bashkë me Kosovën por edhe ne mërgimtarëve po don me na vra! Populli e dinë fort mirë qe Ti luftove për Lirinë e popullit e jo të hajnave e ata po sillen sikur Ti ke luftuar për Lirinë e tyre! Pra, Bac, për kë luftove???



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT