E premte, 26.04.2024, 07:32 AM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Në çastin e nisjes

E premte, 11.07.2008, 09:23 PM


Engjëll Koliqi
Në çastin e nisjes

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Nuk kishte më kohë të shihen të gjitha gjërat, se jemi apo nuk jemi përgatitur me të gjitha. Gjithçka duhej lënë besimit, sepse mosnisja në kohën e caktuar do të mund të na sillte shumë probleme e telashe. Dhe, ajo që është më kryesorja, edhe po të mungonte ndoj gjë, nuk do të na pengonte më shumë se të na shpenzojë para, sepse në këtë botë interesesh mjafton të kesh para dhe asgjë nuk të mungon. Bile më kujtohet shumë mirë, o lulja që i jep jetë pranverës sime - ti vetë më the që të mos mërzitem, sepse vetë Zoti ka bekuar dashurinë tonë, që me vargun e mrekullive do e ndërrojë botën. Dhe, pikërisht në çastin e nisjes, për të na e sjellë bekimin dhe fuqinë e mrekullisë, erdhën çeta engjëjsh – me galdim e me valle hyjnore. Ata na i sollën edhe kurorat mbretërore, që vezullonin mrekullueshëm.

Mbasi ti u dëshirove mirëseradhjen, bisedën me Kryeengjëllin e hapa unë, duke i kërkuar shumë shpjegime e udhëzime, për ta përmbushur misionin tonë të ndërrimit të botës me dashuri, mision ky në të cilin bashkë po nisemi. Njëpasnjë, engjëjve tanë ua parashtruam njëmijë pyetje dhe nga  ata, bashkë, i muarëm mbi njëmijenjë përgjigje, udhëzime e shpjegime, që duhet pasur parasysh dhe duhet zbatuar gjatë misionit tonë të shenjtë. E para dhe më e rëndësishmja porosi e Kryeengjëllit, në çastin e nisjes sonë në këtë mision ishte, që kurrë të mos ndalojmë as të mos habitemi udhëkryqeve t'intereseve. Kur ne i premtuam se do të jemi shumë të kujdesshëm në mbajtjen e përpiktë të kësaj porosie, Ai na mori në përqafim dhe publikisht na mbushi me Frymën  e Shpirtit të Shenjt, që gjithmonë të na mbaj plot me fuqi mrekullie. Kështu, tashmë ishim të sigurtë në garancinë e sukseseve të misionit tonë. Jo vetëm ne, por të gjithë janë bindur në këtë garanci, sepse në mos në ne – kanë besim të plotë në Kryeengjëllin, që para syve të të gjithëve na mbushi me frymën e Shpirtit të Shenjt. Tashmë të gjithë e shohin në ne fuqinë e mrekullisë dhe gjithnjë e më shumë i besojnë misionit tonë, madje edhe duke na u bashkuar në plot veprimtari, që duke i shërbyer pa interes e pa sherr njerëzimit, gjithnjë e më sigurtë po ecim në udhën e pakthyeshme të ndërrimit të botës me dashuri.

Mbasi e muarëm bekimin nga Kryeengjëlli, megjithë garancitë për misionin tonë, para se të nisemi, vendosëm që të betohemi publikisht – në praninë e të gjithë njerëzve. Betimi ynë historik, në çastin e nisjes, ishte më sa vijon: "Ne të zgjedhurit e Zotit, për fillimin e misionit të shenjtë të ndërrimit të botës me dashuri, para jush betohemi se do të nisemi tash, me të gjithë njerëzit vullnetmirë që duan të na bashkohen dhe se nuk do të ndalemi, derisa ta përmbushim plotësisht misionin tonë. Betohemi se do të jemi në shërbim të njerëzimit mbarë dhe se intereset tona personale do i shkrijmë në interesin e përgjithshëm, që do ta përmbushim bashkë. Betohemi se nuk do të njohim kurrëfarë pengesash n'udhëtimin tonë të ndërrimit të botës me dashuri, dhe se nuk do të dorëzohemi assesi para kurrëfarë interesesh. Betohemi se nuk do të lëshojmë pe as para kërcënimeve, pa marrë parasysh sa janë të rrezikshme dhe sa mund të na kushtojnë. Betohemi se do të jemi bashkë dhe të pathyeshëm në misionin tonë të dashurisë, megjithë njerëzit vullnetmirë që na bashkohen dhe bashkëveprojnë me ne. Betohemi se sukseset tona në misionin e ndërrimit të botës me dashuri, do të jenë edhe suksese tuajat – suksese të njerëzimit mbarë".

Në çastin historik, të nisjes sonë në misionin e shenjtë të  ndërrimit të botës me dashuri, kemi vërejtur haptas edhe dyshime, madje edhe tendenca e tentime për të na penguar. Mirëpo, të bindur në suksesin e plotë të misionit tonë, sidomos mbasi që Kryeengjëlli na mbushi me frymën e Shpirtit të Shenjt dhe na dhuroi bekimin e Zotit, nuk kemi rënë në grackën e atyre provokimeve dhe nuk jemi dorëzuar para atyre që janë munduar ta asgjësojnë misionin tonë. Gjithnjë ua kemi tërhequr vërejtjen me maturi, duke u thënë të mendojnë mirë dhe të tërhiqen nga tendencat destruktive, sepse sukseset e misionit tonë janë të garantuara dhe se dëshirojmë që t'i festojmë bashkë këto suksese e të shijojmë bashkërisht rezultatet dhe frytet e tyre. Gjithnjë u kemi thënë dhe u themi, që edhe ata duam të jenë pjesë e botës së dashurisë dhe pjesëtarë të barabartë në të gjitha aktet e dashurisë, që burimin e kanë në misionin tonë të shenjtë.

Ajo që më së shumti i vlen misionit tonë të ndërrimit të botës me dashuri, është Besëlidhja Jonë, mu në çastin e nisjes. Gjatë përshëndetjes me njerëzit pjesëmarrës në solemnitetin e nisjes së të bukurit mision, të cilët kanë qenë të shumtë, secilës dhe secilit ua kemi dhënë besën se nuk njohim kurrë urrejtje. Ua kemi dhënë besën se do i falim të gjithë ata që na kanë penguar dhe që na pengojnë në misionin tonë. Ua kemi dhënë besën se të gjithë ata që duan të na bashkohen në misionin tonë, do t'i kenë gjithmonë shtigje e dyer të hapura dhe do të jenë të mirëpritur dhe të mirëtrajtuar përgjithmonë. Ua kemi dhënë besën se do të jemi në shërbim të të gjithëve, duke u dhënë gjithmonë përparësi atyre më të vegjëlve dhe atyre që janë më nevojtarë. Ua kemi dhënë besën publikisht, se kurrë nuk do të shmangemi nga udha e drejtësisë, që na e imponon besimi ynë i plotë në Zotin. Ua kemi dhënë besën publikisht, që vlerat e dashurisë do i shumëfishojmë nga dita në ditë dhe do i shpërndajmë anekënd botës – në mbarë gjithësinë, me të bekuarat rreze të mrekullisë.

Në të bekuarin çast të nisjes sonë për në të shenjtin mison të dashurisë, krahas besëlidhjes sonë kemi marrë edhe zotime e premtime nga të gjithë ata që na kanë përshëndetur. Pra, besëlidhja ka qenë e dyanshme – me zotime e me garanci reciproke, për suksese të plota dhe të patjetërsueshme. Me këtë reciprocitet janë vulosur të gjitha garancitë për sukseset tona të plota. Brenda këtij reciprociteti është vërejtur haptas vendimi i pakthyeshëm dhe gatishmëria për ta ndërruar këtë botë me dashuri, pa ma rrë parasysh rreziqet dhe çmimin e lartë që duhet paguar. Përpara dhe vetëm përpara! Gëzuar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora