Kulturë
S. Guraziu: Dëbora e parë
E marte, 13.01.2015, 07:27 PM
DËBORA E PARË
Idilë e bardhë i buzëqeshë dritares,
ndërsa ajo të gjitha m'i fal;
klithmat e fëmijëve, buzëqeshjet
e së jashtmes, ecejaket e fqinjëve...
faqeve të saj, cepave të buzëve,
acari e puth me akujt, xhamat mërdhijnë
por s'e ndalin asnjë rreze ngrohtësie,
madje as nuancën imagjinare
të së kuqes - buzët e saj lëvizin
me shurdhësinë e puthjes,
një urnë e dritësisë e lidh zemrën
e saj me timen.
Pastaj mora frymë thellë, thua se
për të fundit herë doja t'a ushqeja
gjakun me oksigjenin e kujtimeve,
dhe renda si fëmijë mbi bardhësinë,
gjëja e parë qe buzëqeshja,
dhe një topth të brishtë bardhësie
ia hodha xhamit, m'u bë sikur
dhe dëborën time dritarja e priti
si puthje - buzët e saj lëvizën
me shurdhësinë... edhe në largësi,
sado larg, një urnë e dashurisë
e lidh zemrën e saj me timen.
S. Guraziu, 2015