E shtune, 30.05.2020, 06:21 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Shkreli: Elez Biberaj - Shqipëria dhe shqiptarët

E hene, 10.11.2014, 09:00 PM


DR. ELEZ BIBERAJ: SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT

NË UDHËN E RIMËKËMBJES

Nga Frank Shkreli

Ditët e fundit më ra në dorë libri më i ri i Dr. Elez Biberajt, botuar kohët e fundit  nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë.  Libri i titulluar, “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”, është një përmbledhje e 15 shkrimeve, kumtesave ose fjalimeve më me rëndësi që Elezi ka botuar ose që ka paraqitur në seanca të ndryshme, në qarqet qeveritare ose akdemike mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët, gjatë tri dekadave të fundit.  Dr. Elez Biberaj është i njohur mirë si në botën perëndimore ashtu edhe në trojet shqiptare në Ballkan për veprimtarinë e tij të palodhshme në qarqet akademike amerikane dhe falë punës së tij të gazetarit prej më shumë se tri dekadash, filimisht si Shef i seksionit shqip të Zërit të Amerikës dhe tani si Drejtor i VOA-s për Euroazinë.   Elezi, siç ve në dukje edhe Profesor Nikolla Pano në parathënjen e librit të ri, ka gëzuar dhe gëzon, “një reputacion të merituar nga vëzhguesit dhe analistët më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe në Kosovë.”  Këtë reputacion Dr. Biberaj e ka fituar si përfundim i botimeve të tre librave dhe një numri të madh artikujsh dhe prezantimesh mbi zhvillimet në trojet shqiptare, përfshirë edhe 16 artikujt dhe kumtesat përfaqsuese më të rëndësishme të Dr. Biberajt, që pëmblidhen në librin që u botua kohët e fundit në Tiranë.

Artikujt dhe prezantimet e përmbledhura në këtë libër trajtojnë tema, çështje dhe lëvizje të zhvillimeve të tranzicionit paskomunist në trojet shqiptare,  një tranzicion ky që deri tani siç dihet është treguar tepër të vështirë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë – por edhe në trojet e tjera shqiptare -- probleme këto dhe sfida, kryesisht të shkaktuara nga konfliktet ndërpartiake të klasës politike.  Dr. Biberaj i cilëson këto vështirsi si probleme të rritjes, siç e thotë shpesh autori.  Elezi, megjithëse është realist mbi problemet e pa mohueshme dhe sfidat e mëdha të tranzicionit postkomunistm të cilat përballen shqiptarët, në shkrimet e tija, në kumtesat si dhe në bisedat private me të huajt, sidomos në qarqet e qeverisë amerikane dhe me akademikë dhe ekspertë të tjerë, ai mbetet përgjithmonë optimist për zhvillimet shqiptare në përgjithësi, ndaj siç duket edhe titulli i librit të tij të ri, “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”.

Meriton të vihet në dukje se kur Dr. Biberaj shkruante disa prej këtyre artikujve të botuar në këtë libër dhe kur ai ftohej të mbante referate mbi gjëndjen e shqiptarëve në Ballkan, duhet patur parasyshë se ai ishte ndër të pakët ekspertë të punëve shqiptare në përgjithësi, por në veçanti ishte ndër të rrallët, nodhat i vemti, që e paraqiste çështjen shqiptare nga një këndvështrim i trekëndshit Tiranë-Prishtinë-Shkup, shpesh duke shkaktuar edhe shqetsime tek dëgjuesit, të cilët ndodhte që disa prej tyre të cilësonin deklaratat e Elez Biberajt si nxitëse të nacionalizmit shqiptar. Por këto qëndrime nuk e shqetësuan kurrë shumë Elezin.   Këtë vlerësim bën edhe profesori i nderuar dhe gjithashtu një kontribues me merita të mëdha ndaj çështjeve shqiptare në botën akademike këtu në Shtetet e Bashkuara, Profesori shqiptaro-amerikan, Nikolla Pano, në parathënjen që i bën librit të posa botuar të Dr. Biberaj, kur thotë se, “Një nga karakteristikat dalluese të shkrimeve të Elez Biberajt është se ato përshkohen me atë që karakterizohet si një qasje panshqiptare, pa i dhënë ndonjë kuptim përçmues këtij termi.”  Me këtë dua të them”, vazhdon Profesor Pano, “se ai nuk i trajton zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë në një vakum. Përkundrazi,” pohon Nik Pano,  “Ai i sheh ato në kontekstin e evoluimit të situatave brenda bashkësisë ballkanike shqiptare, që është rezultat i faktorëve të tillë si rënia e sistemit komunist, shpërbërja e Federatës Jugosllave dhe vështirësitë e tranzicionit paskomunist”, shkruan Profesor Pano.

Ky pohim vërtetohet nga shkrimet dhe kumtesat e pëmbledhura në librin më të ri të Dr. Elez Biberaj, ndër të cilët dallohen titujt, siç janë:  “Kosova: beteja për njohje”, “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe çështja e Kosovës”, “Shqipëria pas Hoxhës: dilemat e ndryshimit”, “Shqipëria dhe shqiptarët në periudhën paskomuniste”, “Çështja kombëtare shqiptare: rruga e vështirë drejt autonomisë, shkëputjes dhe pavarësisë”, “Kosova: rasti për një zgjidhje jetë gjatë e të qëndrueshme”, “Kosova: lindja e një shteti të ri” e ashtu me radhë, duke e përmbyllur librin me kumtesën të cilën Dr. Biberaj e paraqiti para Kongresit amerikan në lidhje me sfidat demokratike dhe perspektivat politike të Shqipërisë para se të mbaheshin zgjedhjet parlamentare në Shqipëri  qershorin e vitit të kaluar, duke thënë se “Shqipëria është një vend në një udhëkryq të rëndësishëm, që vërtitet midis përplasjeve politike destabilizuese dhe aspiratave për mirëqenien kombëtare, konsolidimin e demokracisë dhe integrimin europian.”  Dr. Biberaj në këtë kumtesë para disa ligjvensve amerikanë tha në lidhje me zgjedhjet e vitit të kaluar se, “Zgjedhjet iu ofrojnë aktorëve të politikës shqiptare një mundësi për të tejkaluar qasjen e zakonshme që i sheh ato si një lojë ku ka vetëm fitues dhe të humbur, për të dëshmuar se ato synojnë konsolidimin e demokracisë dhe për të riinstitucionalizuar politikën demokratike.  Nëse i jepet fund paralizës politike dhe lojërave të rrezikshme, që kanë karakterizuar katër vitet e fundit”, shkruan ai, ”kjo do të çlironte potencialin e madh që kanë shqiptarët dhe do të hapte rrugën për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”

Ky është jo vetëm optimizmi  që e dallon Elezin për të ardhmen, por edhe shpresa  e tij  për Shqipërinë dhe për Shqiptarët, por nga ana tjetër ai shkruan zgjedhjet në vetevet nuk janë një zgjidhje. Në lidhje me këtë, ai shkruan se, “Vetëm zgjedhjet, edhe sikur të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, nuk janë shpëtim për demokratizmin e Shqipërisë.  Qeveria e re që do të dalë nga këto zgjedhje do të ballafaqohet me sfida të vështira dhe nuk mund të zhytet në debate të zgjatura paszgjedhore.”, ka shkruar ai duke iu referuar zgjedhjeve të vitit që kaloi në Shqipëri.

Kjo deklaratë e Elezit, ose më mirë të themi ky paralajmërim profetik mbi situatën politike në Shqipëri atëherë dhe sot, duket tani fatkeqsisht si një profeci  e realitetit për situatën e stërgjatur dhe të rrezikshme politike në Republikën e Kosovës, ku si rezultat i grindjeve dhe i mos bashkpunimit politik midis palëve, ende nuk janë krijuar inistitucionet e reja qeveritare madje edhe pesë muajë  pasi u mbajtën zgjedhjet,  ndonëse edhe në përgjithësi ato u mbajtën në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Edhe pse kushtet nuk kanë qenë të favorshme për lindjen e një brezi të ri udhëheqësish, Shqipëria ka një brez të ri, të arsimuar dhe dinamik, që priret të mendojë në një kontekst perëndimor e demokratik dhe është i gatshëm të ngrihet në pozita me ndikim.   Shqiptarët e zakonshëm kanë treguar një angazhim të thellë për integrimin në BE dhe e shohin demokracinë si formën e tyre të preferuar të qeverisjes”, ka kumtuar Dr. Elez Biberaj në Kongresin amerikan pak më shumë se një vit më parë, fjalim ky që përfshihet në librin “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimkëmbjes” të autorit  Biberaj.

Mesazhi i kësaj kumtese të Elezit para Kongresit amerikan një vit më parë, si dhe mesazhi i shkrimeve të tjera të përmbledhura në këtë libër mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët, madje mund të them i të gjitha shkrimeve, kumtesave dhe intervistave të Elez Biberaj, për të cilat unë kam njohuri, -- është se ai beson me gjithë qenjen e tij se Shqipëria, Kosova dhe të gjithë shqiptarët, kanë, “aftësinë për të thelluar reformat demokratike dhe për të rivendosur besimin e publikut te procesi politik. Por në mënyrë që të rigjallërojnë demokracinë dhe të shtyjnë përpara aspiratat demokratike të vendit, elitat politike shqiptare duhet të bëjnë shumë më tepër për të vendosur sundimin e ligjit, për të fuqizuar institucionet jo partiake, për të luftuar korrupsionin dhe për të larguar perceptimin e përhapur se politikanët janë pasuruar në kurriz të qytetarit të thjeshtë”, shkruan Dr. Elez Biberaj.

Jam i detyruar të rrëfej se me Elezin jemi njohur si studentë nga bankat e një kolegji të vogël në Bronks të Nju Jorkut që në vitin 1972 dhe kemi mbetur kolegë dhe miq të ngushtë pasi na ka lidhur puna dhe interesimi i përbashkët për fatin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve.  Fati e bëri që eventualisht të punonim së bashku pranë Zërit të Amerikës për vite me rradhë dhe si i tillë mund të them se kam   nderin të pohoj se kam lexuar pothuaj çdo gjë ka shkruar Elezi. Për më tepër, kam qenë i pranishëm në pothuaj të gjitha prezantimet e tija në qarqet e qeverisë amerikane, në Kongresin e SHBA-ave, në mjedise akademike dhe të atyre që në Amerikë i karakterizojnë si “think tanks”, jo vetëm në Washington por edhe në mbledhjet akdemike që mbaheshin anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, në kuadër të konferencave vjetore mbi çështjet e ish-vendeve komunsite të Europës Lindore dhe të Bashkimit Sovjetik.  Andaj mund të pohoj se në këtë libër dhe gjatë gjithë karierës së tij 30-vjeçare, Elez Biberaj i ka kushtuar jetën e vet profesionale dhe mund të them edhe jetën private, një misioni të trefishët, për realizimin e të cilit nuk pushojë kurrë: Shëmbjes së komunizmit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe më në fund integrimit të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike, aty ku e ka vendin e vet, në rresht me kombet e përparuara perëndimore.  Ndoshta, si kolegë dhe miq që jemi, dikush mund të më kritikojë për komentet e mia në lidhje me këtë vepër dhe për veprimtarinë e Elez Biberaj në përgjithësi, por megjithëkëtë, unë i bashkohem vlerësimit të Profesorit Nik Pano, i cili shkruan se, “Ekspertiza e Dr. Biberajt në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit është vlerësuar më tej brenda Zërit të Amerikës, nga agjencitë e tjera qeveritare, nga qendrat studimore, prestigjioze, joqeveritare në Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia akademike. Ai është intervistuar dhe konsultuar nga qendra kryesore mediatike në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë shtetit gjatë periudhave të krizës në Shqipëri dhe Kosovë”, shkruan Pano. “Këto lidhje të ndërsjellëta i kanë mundësuar Elezit të ngrejë lart vetëdijen e kolegëve në qeveri, akademi, media dhe publikun amerikan, në lidhje me sfidat me të cilat është përballur dhe përballet Shqipëria, Kosova dhe popullsia shqiptare në Ballkan, si dhe për të ndikuar mbi pikëpamjet e tyre”, thekson profesori shqiptaro-amerikan Nik Pano.  Pasi kam qenë dëshmitar i afërt i kësaj veprimtarie të Dr. Elez Biberaj për të cilën pohon profesori, unë jo vetëm që jam plotësisht dakort me vlersimin e punës së Elezit nga Profesori i nderuar dhe mik i përbashkët, Nik Pano, por dua të shtoj se në të gjithë këtë veprimtari Elezi ka treguar dashurinë e tij prej atdhetari për Shqipërinë dhe për Shqiptarët kudo, por edhe për vendin e adaptuar ku ne të gjithë gjetëm strehimin, lirinë dhe mbështetjen për të jetuar të lirë po se po, por edhe për të realizuar ëndërrat tona dhe në këtë proces për të ndihmuar sado pak drejtë të mires së përbashkët për shqiptarët kudo. Elez Biberaj, si ndoshta si ansjë tjetër, e ka realizuar këtë ëndërrë. Për më tepër, Elez Biberaj e ka zhvilluar dhe e vazhdon veprimtarinë e tij për të mirën e përbashkët duke iu shmangur shfaqjeve të bujshme dhe duke e treguar veten me vepra të mbara dhe të frutshme, siç është libri i fundit i tij, “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”.  Për këto dhe merita të tjera, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani i ka akorduar Dr. Biberajt Medaljen, Nderi i Kombit, duke iu shtuar Medaljes së Mirënjohjes që i akordoi atij një vit më parë edhe ish-Presidenti Bamir Topi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora