E hene, 14.10.2019, 09:57 PM (GMT+1)

Aktualitet

Arrestohet Fullani dhe kryeinspektorja Golemi

E premte, 05.09.2014, 06:08 PM


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe inspektorja e përgjithshme e këtij institucioni, Elivar Golemi janë vënë në pranga mbrëmjen e së premtes nga agjentët e policisë së Tiranës.

Sipas informacioneve paraprake, guvernatori Fullani dhe Golemi janë arrestuar pas një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tyre nga Prokuroria e Qarkut Tiranë.

Mësohet se Fullani edhe bashkëpunëtorja e tij, Golemi, akuzohen për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” lidhur me vjedhjen e mbi 7 milionë dollarëve nga thesari i shtetit.

Motivet e arrestimit të Fullanit dhe Golemit

Prokuroria e Përgjithshme, në një komunikim me mediat mbrëmjen e së premtes ka dhënë detaje mbi arrestimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe inspektores së përgjithshme të këtij institucioni, Elivar Golemi.

Zëdhënësja e institucionit qëndror të akuzës ka sqaruar për mediat se, gjykata ka urdhëruar arrestimin e dy zyrtarëve pas një kërkese të Prokurorisë së Tiranës.

Kjo e fundit, sipas zëdhënëses, përmes hetimeve ka arritur në përfundimin se guvernatori dhe kryeinspektorja kanë vepruar në kundërshtim me ligjin duke neglizhuar me veprimet ligjore dhe masat e auditimit.

“Gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për shtetasit Ardian Fullani dhe Elivar Golemi, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në vijim të hetimeve për vjedhjen në BSH, prokuroria ka arritur në përfundimin se, për shkak të mosveprimeve të tyre dy zyrtarët kanë krijuar kushtet për realizimin e kësaj vjedhjeje”, ka deklaruar zëdhënësja.

Konkretisht, nga hetimet ka rezultuar se zoti Fullani ka shkelur ligjin sepse:

1-Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës zëvendësguvernatorin e dytë Bankës së Shqipërisë, që do të mund të bënte administrimin dhe mbikëqyrjen e financave;

2-Nuk ka ushtruar kompentencat dhe nuk ka ndërmarrë nismat juridike për mbarëvajtjen e BSH;

3-Nuk ka mundësuar funksionimin e Departamentit të Emisionit;

4-Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të BSH nuk ka marrë masat e nevojshme për zbatimin e vendimeve dhe rregullores së Këshillit Mbikëqyrës për qeverisjen dhe punën administrative të BSH;

5-Ndesh me rregulloren e BSH, guvernatori ka emëruar dy herë të njëjtin person.

Ndërsa për zonjën Elivar Golemi është konstatuar:

1-Nuk ka ushtruar auditimin konform ligjit dhe rregullores së BSH;

2-Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor për kontrolloin dhe administrimin e financave të BSH;

3-Nuk ka informuar Këshillin Mbikëqyrës për veprimet financiare; nuk ka ushtruar auditime në vitet 2012, 2013 dhe 2014, që është dhe periudha kur është kryer vjedhja;

4-Nuk ka kryer detyrën pasi nuk ka hartuar asnjë raport për arkën.

Avokati i Fullanit: Ende nuk i dimë motivet e arrestimit

Avokati i guvernatorit Ardian Fullani, Maks Haxhia ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të asistuar klientin e tij të arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Megjithatë, në një prononcim për mediat, Haxhia ka deklaruar se nuk është ende i mirinformuar mbi motivet e ndalimit të guvernatorit.

“Jam në terr informativ, thjesht jam informuar për ndalimin e Ardian Fullanit. Ende nuk kam informacion nëse është marrë ky vendim për arrestimin e tij nga prokuroria apo nga gjykata, por thjesht kam ardhur këtu për detyrën time. Nuk mund të them saktësisht nëse është ndalim për shoqërim apo arrestim, por kjo nuk është një marrëdhënie delikate mes autoriteteve të policisë dhe të ndaluarit. Mund të jetë edhe një vendim gjykatë i precizuar me arsye të përcaktuar”, ka thënë Haxhia.

Marrja në pyetje e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës

Arrestimi i dy zyrtarëve të lartë vjen pasi gjatë paradites në Prokurori u morën në pyetje zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bankës së Shqipërisë, konkretisht anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi, si dhe ish-kryeinspektorja Teuta Baleta.

Prokurori Ramadan Troçi e çeli këtë proces proçedurial me marrjen në pyetje të zonjës Baleta, ish-inspektore e pergjithshme përgjatë periudhës 2006-2011.

Ajo u pyet nga ora 8.30 deri në orën 10 dhe mësohet të ketë dhënë shpjegime për detyrat funksionale të inspektorit të përgjithshëm, e për t’i dhënë përgjigje pyetjes nëse është detyrë e tij për të audituar Departamentin e Emisionit, i cili rezulton se është lënë pa audit për dy vjet.

Pas saj u pyet anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës, Ermelinda Meksi, që foli para prokurorëve për mbi 2 orë. Në dalje nga prokuroria, zonja Meksi zgjodhi të heshtte për të respektuar sekretin hetimor. “Në respekt të sekretit hetimor nuk mund të flas”, tha ajo.

Por burime jozyrtare thonë se zonja Meksi shpjegoi nëse Departamenti i Emisionit ku ndodhi supervjedhja e 713 milionëve në fakt funksiononte me një rregullore, zbatimi i të cilës sipas saj nuk verifikohej nga Bordi Mbikëqyrës, por ishte detyrë e Departamentit të Kontrollit.

Meksi u shprehu se ka kërkuar shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani menjëherë pas skandalit të vjedhjes, ndërkohë që shtoi se guvernatori ka pushtet të pakufizuar. Të dhënat e tjera konsiderohen sekrete për publikun.

Anëtarja tjetër, Ela Golemi u pyet për aktet nënligjore dhe rregulloret e Departamentit të Emisionit, ndërkohë që edhe ajo heshti në dalje të prokurorisë.

Fusha: Hetimet drejt fundit

Gjithashtu, më herët gjatë ditës, kryeprokurori i qarkut të Tiranës, Petrit Fusha deklaroi për mediat se hetimet mbi vjedhjen në BSH do të shkojnë deri në fund.

“Për momentin nuk kemi persona nën hetim, por do thërrasim të gjithë personat që janë në dijeni. Hetimet po vazhdojnë dhe në përfundim do të vendosim. Ato do të përfundojnë së shpejti”, tha Fusha.

Ndërkohë, të hënën pritet të thirren katër anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, Ardian Civici, Petraq Milo, Elisabeta Gjoni dhe Dhori Kule, përmes të cilëve prokuroria shpreson të mësoje se cili është kuadri ligjor i nxjerrë nga bordi për Departamentin X në Linzë dhe cilët janë përgjegjësit për mos zbatimin e tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT