Kulturë
Fritz Radovani: Llavë e ngrohtë nga zemra e ftohtë
E shtune, 30.08.2014, 02:46 PM
Nga Fritz Radovani
I nderuem z. Adem,
U jam mirënjohës për besimin, kështu, thonë të gjithë, ndërsa, unë edhe u kënaqa!
Të gjithë ata që shkruejnë poezi, thonë se vargjet shpërthejnë nga zemra...
Ndërsa, ata, që i lexojnë mundohen me i kapërdij për me ushqye Shpirtin e vet.
Edhe unë kështu veprova! Nuk jam kritik i artit letrar, Ju kërkoj ndjesë për mangësitë!
Vargjet Tua janë një lavë e ngrohtë që të duket sikur shpërthen nga një zemër e ftohtë, po që merr me vete edhe landë, lisa e gur e zbret tue rroposë cilindo që guxon me pa me thikë në dorë, që mendon me coptue kjoftë edhe një lesker të Atdheut Tand.
Mbi të gjitha mendoj unë, asht poezia Zjarri i Mallit tim:
ZJARRI I MALLIT TIM
Nuk do të ndalemi askund,
E vetmja mënyrë se si të jetojmë vertikalisht
Është lëvizja,
Deri te ëndrra që kurrë nuk e pamë.
Në jemi për çdo ditë
Në rrugëtim e sipër nëpër një trajektore,
Ku asnjëherë nuk na mundon vetmia,
E kemi fshehur mallin tonë nëpër xhepa.
Lisat në mëhallë
Na përngjajnë si asnjëherë më parë,
Me varret e vjetra të gjyshërve,
Që na kanë mbetur peng nga fëmijëria...
Më kuptoni, ky rrugëtim i jonë
Nuk ka filluar sot
As, s’ka të ndalur asnjëherë,
Si fëmijë, i kemi shlyer të gjitha pengesat.
Kudo që të shkojmë, në trastën tonë
Kemi një grusht dhe nga atdheu i largët,
Kur na përvëlon malli i përqafojmë lisat,
Dhe çmallemi si kërthi në prehrin e nënës!
Kur na përvëlon malli i përqafojmë lisat,...
Shumë domethënëse, për atë që jeton!
Në faqe 44,
strofa për Shpirtin e urrejtjes, asht edhe aktuale që po zharitë gjithshka!
Faqe 43,
Frynë një erë nëpër zgavrrat
E lisave të shkulur.
Ti as vet nuk di se s’jeton mes njerëzve!
Të duket sikur ndigjon fishkullimën e erës nëpër zgavra, e rreshti i fundit plotëson idenë.
Fq. 36,
Pash më pash po i bie deteve të humbura... Një realitet...që po jetojmë.
Fq. 27.
Poezia
Lumi, në dukje ke përshtypjen se e ke lexue dikund...
A nuk i ngjet kujtdo që asht i zhytun ndër mendime të pafund?!
Në faqe 20,
Poezia:
Autori endet në ajër, det, pyje, shkretina e male të mbulueme me borë...Andrron dhe shpesh zgjohet i trembun nga realiteti i Atdheut vet...
Ka raste
që lodhet...Bie në njëfarë pesimizmi...
Fq. 77,
Përpara meje
Ecin rrugët pa kurrfarë trajte
Era në dorën e saj të thyer
Si për inati
E mbanë kafkën time të djegur
Përpara meje
Atje te shelgjishtet e pikëlluara
Me tërë dhembjen e ditës
Një zog i zi prej argjile
Ku Fishta
Si rruzaret e fatit i rendit këngët
Kur bie shi në këto anë
Çmendurish bymehen lumenjtë
lagjet i harrojnë këpucët
Dhe vrapojnë këmbëzbathur
Vrapojnë deri te kisha
Sepse një
i harruar
Ia ka
Këndojnë edhe përrenjtë
Piskamat e trishtuara dëgjohen
Si në kullën e Vraninës
S’pushojnë së kënduar
As shtojzovallet
Thonë se është koha të zbresin yjet
Dhe të këndojnë
Mbi librin e shenjtë të Fishtës
Që i këndonte Gjergji i jonë
Kur si një daulle shqyhej Atdheu!
Dhe, libri mbyllet:
***
Të shkosh në Atdhe
Është si të kesh
Një biletë për në Parajsë...
Gjithshkafja....Sigurisht: “No koment”!
Autorit i uroj jetë të gjatë në edukimin e Rinisë Shqiptare, detyra ma e madhe Atdhetare!
Përshëndetje prej zemret me shumë respekt