E premte, 26.04.2024, 04:40 PM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Thaçin s’e shpëton as “Baba”

E marte, 26.08.2014, 06:51 PM


Thaçin s’e shpëton as “Baba”

Nga Arbana Xharra

Nuk është më lajm fakti që kreu i Kushtetueses, Enver Hasani, është në shërbim të Hashim Thaçit. “Baba” është një figurë publike me epitet, jo rastësisht të një shërbyesi të denjë të pushtetit. Që nga fillimi është ditur, se Enver Hasani nuk “guxon të luajë bisht” kur bëhet fjalë për interesat e PDK-së.

Vitin e kaluar, Shaip Muja me fuqinë e tij prej zyrtari të lartë të PDK-së, kur e pa se po i rrezikoheshin goxha para të majme nga biznesi i tij familjar, arriti që në Gjykatën Kushtetuese të hedhë poshtë nenet e Ligjit për Shëndetësi, ato që obligonin mjekët të zgjedhin ose të punojnë në sektorin publik ose në atë privat. Edhe me Bajrush Xhemajlin i pati dalë rend të merrej Gjykata Kushtetuese, dy vjet më parë, e cila pati lejuar masën e përkohshme ndaj tij, pasi ishte gjetur fajtor për aksidentin rrugor ku pati gjetur vdekjen 21-vjeçari.

Kështu që vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese në favor të PDK-së, ka mundur të jetë befasues vetëm për injorantët e raportit mes pushtetit dhe “Babës”.

Hasani zyrtarisht është kryetar i Gjykatës Kushtetuese, por jozyrtarisht ai është një vegël- 24 orë në dispozicion të Hashim Thaçit. Fatkeqësia më e madhe është vetë degradimi i Gjykatës Kushtetuese nga një shërbëtor i gjunjëzuar karshi pushtetit, dhe mbi të gjitha funksionimi e saj si të tillë.

Heshtja e krerëve të PDK-së, kohëve të fundit ka dhënë sinjal të mjaftueshëm për verdiktin final të Kushtetueses. Madje disa herë është ripërsëritur nga zyrtarët e PDK-së, se “do ta respektojnë vendimin e Kushtetueses, çfarëdo që të jetë ai”.

Thaçi pasi arriti t’i integrojë në të gjitha strukturat e shtetit zhvatësit nga partia e tij, dhe kur futi nën kontroll çdo sektor kyç të shtetit dhe ekonomisë jo vetëm shtetërore, në krye të listës tashmë ka ripozicionuar edhe Gjykatën Kushtetuese në dispozicion të tij. Por si duket kjo do të mbetet edhe përpjekja finale e PDK-së për të ruajtur këto struktura.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese favorizon PDK-së, por nuk do të mund t’ia sigurojë votat në Kuvend. Sikur kjo parti të kishte numrat herën e parë, nuk do t’i kishte ardhur rendi Agim Aliut të kandidohej për kryetar të Kuvendit, kandidat ky i cili ka humbur keqas në Ferizaj. Thaçi ka qenë i vetëdijshëm për pozicionimin e dobët të partisë së tij karshi unitetit të Bllokut me mbështetje të “Vetëvendosjes”. Ai edhe tash shumë mirë e di, se nuk i ka numrat. Vetë propozimet e PDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse dhe gatishmëria e tyre për të negociuar me secilën parti, janë veprime nga pasiguria e tyre politike.

Madje as Gjykata Kushtetuese në krye me Enver Hasanin nuk mund të ndryshojnë realitetin aktual politik. Varet se çfarë do të ndodhë në raundin e dyte, pas dështimit të PDK-së për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. E vetmja mundësi u mbetet ta dërgojnë vendin sërish në zgjedhje nëse nuk i japin mundësinë Bllokut, duke e ditur se LAN i ka votat. Me këmbënguljen e Bllokut për unitet dhe mbështetjen e “Vetëvendosjes”, asnjë vendim i Gjykatës nuk mund t’i sigurojë PDK-së kryetarin e Kuvendit, edhe nëse Kushtetuesja i jep dy herë mundësinë PDK-së.

Gjykata Kushtetuese në krye me “Babën” zor se do të dalë me ndonjë opsion, i cili i jep mundësi Bllokut të marrë në duar institucionet. Kështu që shpresat e vetme për Thaçin mbeten të blejë kohë deri në shpalljen e zgjedhjeve në vjeshtë. Ai sigurisht se llogarit në gatishmërinë e Behgjet Pacollit dhe pakicave për koalicion parazgjedhor. Dhe sigurisht në strategjinë ku do të zërë vend “karta” e tij e fundit, për t’iu drejtuar elektoratit të Bllokut, se votat për LDK-në, Nismën dhe “Vetëvendosjen” do ta bëjnë kryeministër Ramush Haradinajn!

Për të ruajtur makinerinë e nëntokës, e cila kontrollon një sistem të tërë të veprimeve të tyre të paligjshme, do të bëhemi dëshmitarë të paradave manipuluese që do të plasohen në opinion nga mediet e tij shtetërore. Do të përdoret çdo mundësi që PDK-ja të “kacavirret” sërish në pushtet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora