E hene, 16.12.2019, 12:48 PM (GMT)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Protestat politike me petk fetar

E premte, 01.08.2014, 07:55 PM


PROTESTAT POLITIKE ME PETK FETAR

QË I PRINË RASTIT “MONSTRA”

NGA KALOSH ÇELIKU

Ditën, kur e publikova në mjetet e informacionit një shkrim parashikues në lidhje me Protestat politike me petk fetar (13. 05. 2012), kur turma fundamentaliste rrugëve të Bit-Pazarit vërshoi me pankarta dhe parulla të shkruara me alfabetin arab, flamuj shtetëror të Arabisë Saudite, flamuj të zinj me shpatën e Aliut të Xhihadit islamik, “bajrakun” e Turqisë dhe me brohoritje “Allahu Akber” për një “Pranverë arabe” rrëzë Kalasë Dardane, pakushi ia vuri veshin atij paralajmërimi për rrezikun që i kërcnohej Shkupit shqiptar. Shkrimi tjetër, gjashtë ditë më vonë po i kësaj natyre rreth rastit “Monstra”: Përralla e përgjakshme maqedonase (19. 5. 2012), e tërboi Hoxhën e Allahut dhe mu turr me një shkrim qorr plot shpifje e etiketime në ato paçavuret e tij në Facebook me këmbët dhe trutë në legen, se: unë ende plasa pas poetes serbe Desanka Maksimoviç. Vetëm e vetëm, pse si autor në atë shkrim kisha bërë një krahasim mes poemës së autores serbe dhe rastit “Monstra”. Poemën, që dikur pa vullnetin e shqiptarëve e kishim nëpër librat e këndimit dhe planprogramet shkollore, të cilën në kohën komuniste e mësonim përmendësh me shumë vështirësi. Një Zot e di edhe sa nota të dobëta kemi marrë në ditar për atë poemë aq të gjatë patetike, të cilën kurrë nuk e mësum varg për varg deri në fund. Shkaku, se: sa herë na dilte te porta ndonjë qen duke na u turrur përmbrapa, gjysmën e harronim rrugës plot me gropa për në shkollë.

Poema, si poemë e ka historikun e vet të asaj kohe. Populli serb, kur nuk dilte me armë në dorë të luftonte kundër gjermanit. Serbët, historiksht të njohur për kësi montimesh të proceseve politike, vishen me uniformë ushtarake gjermane dhe i pushkatojnë më oborrin e shkollës nxënësit serb me gjithë profesorë, në Kragujevac. Ditën e nesërme, i gjithë populli serb çohet në kryengritje kundër gjermanëve. Procese të këtilla serbët kanë montuar edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në Bosnje e Kosovë. Rasti freskët politik, ai i Martinoviçit me shishen e birrës. Kohën e fundit, një proces të tillë për të ardhur në pushtet brenda një nate, forca të errëta kriminele e montuan edhe në Shkup. Përçudi, pas një kohe të Protestave politike me petk fetar, ndodhi rasti “Monstra”. Fajin e ekzekutimit duke ua hedhur shqiptarëve. Vallë, a nuk i prinin procesit të montuar “Monstra”, Protestat politike me petk fetar?! Ndoshta. Ngjarjet e këtij soji dhe karakterin e  montuar politik, patjetër duhet t’i analizojë Shteti juridik dhe partitë politike shqiptare ende në gjumë nëpër selitë e tyre partiake, në Tetovë.

Familjarët si “kundërpërgjigje, gjykimit të montuar politik, ku gjashtë shqiptarët u dënuan me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, iu përgjigjën me protesta qytetare. Protesta, që në fillim do të dalin pa këshill organizativ, të organizuara përmes Facebook -ut dhe do të nisen rrugës përmes Bit-Pazarit, pas faljes së “Xhumasë” nga Xhamia e Jahja Pashës. Protesta qytetare, që më vonë manifestuan edhe dhunë: përmbysën kontenierët e bërllokut, shkretuan parqet me lule, thyen xhamat e Gjygjit, selisë së BDI –së dhe Komunës së Çairit. Selinë e PDSH –ës në Shkup, nuk e prekën fare, nuk i hodhën asnjë gur, së paku t’ia thyenin një xham sa për sy e faqe. Barazojnë me xhamat e selisë së BDI –së dhe Komunës së Çairit, që i bënë copë-copë, xhama të cilët ende nuk i kanë vënë në dritare. Me siguri presin edhe gurë të tjerë dhe nuk duan të bëjnë kotnasikoti shpenzime materiale. Pakënaqësi qytetare, që më vonë do të përhapet edhe në Kumanovë, ku turmës me magafon në dorë do t’i pri në ballë Kim Mehmeti. Protestuesit me flamuj kuqezi e pankarta në gjuhën shqipe do të shpalosin edhe një flamur gjigant kuqezi kombëtar.

Protesta e radhës, përsëri do të niset pas faljes së “Xhumasë” nga oborri i xhamisë Jahja Pasha. Shtëpia e Zotit, ku Kim Mehmeti sipas pyetjeve të gazetarëve do të dalë edhe me deklarata teknefese, se: Rinisë shqiptare i është ngushtuar hapsira nga partitë politike, prandaj edhe ato dalin në protesta qytetare nga oborret e xhamive e jo nga Sheshi Skënderbeu, dyert e shkollave e Universiteteve në gjuhën shqipe. Deklarata trusakate, që më vonë do t’u bie ferexheja e zezë  me gjithë brekë në fund të këmbëve. Kim Mehmeti dhe Musa Lamallari do t’u prinë protestave në ballë krah për krahu duke u bërë “thirrje” që të jenë te qeta deri te kufiri shqiptaro-maqedonas (“26  korriku”), në Bit-Pazar. Përpak, edhe të vriten mes veti se cili t’i përvetsojë këto protesta për qëllimet e tyre të karrierës sëmurë politike. Themelimit, edhe të ndonjë Partie Politike Myslimane, në Shkup. Tashti, edhe do të fillojë rivaliteti mes tyre si kalorës të arratisur (njëri mbi kalin asht e lëkurë si Don Kishoti i Mançes me një gjysëm kungulli Stambolli në kokë, e tjetri mbi gomar si Sanço Pança) me “protesta paqësore”, intervista dhe shkrime publicistike. Familjarët, do të jenë ato që edhe do t’i qetësojnë gjakërat: Protestat paqësore, kësaj radhe do t’i marrin në duart e tyre dhe formojnë këshill organizativ. Trimat pas lufte si kalorës të arratisur, më në fund do t’i nxjerrin jashtë loje. Njëri nga ta, më i dalldisuri do të dalë edhe me një thirrje publike: Ditën e premte të mos dilet në protesta! Mendja i thotë dudumit se kjo ditë është e shqiptarëve, e në protesta “paqësore” duhet të dilet patjetër nga oborri i xhamisë, ditën e “Xhuma” (myslimane). Thirrje teknefese, të cilën nuk do ta dëgjojnë shqiptarët. Protestat i morën në dorë familjarët e të burgosurve “politik” dhe dolën me kërkesa qytetare.

Populli thotë: E drejta vonon, por një ditë fiton. Edhe rasti i montuar “Monstra”, ditët e fundit hedhë në dritë shenja pafajsie. Babai i peshkatarit të vrarë te liqeni në Smilkovë, Borçe Stevkovski, ka thënë se dihen autorët e vrasjes së djalit të tij, dhe se ato nuk janë shqiptarë. Publikisht, ai ka thënë se e dimë kush i ka vrarë djemtë tonë dhe do vijë koha e do të zbardhet rasti një ditë.

Parashikimi im i asaj kohe doli në sipërfaqe. Hoxha i Allahut që mu ndërsye si këlysh i tërbuar pas shpine, nuk e di si e ndjen sot veten në rolin e profetit të rrejshëm apo Rrufjanit?! I vetëquajturi “elvija” si “parashikues” i ngjarjeve politike. E, asnjë parashikim i tij deri më sot, nuk doli si ngjarje reale profetike. Jerm, ende vazhdon të dërdëllis e zvarritet këmbadoras në Facebook. Ëndrra të karrierës së tij të sëmurë politike sheh në mes të Ditës Madhe. Përpak, desh plasi deri sa doli t’u pri protestave politike, dje me petk fetar i fshehur në dimi të grave, sot në ballë si Don Kishoti i Mançes të veshura me “flamurin kombëtar kuqezi” për ta kthyer përmes rrugës një parti Neokomuniste “demokratike” në pushtet. “Fakiri” me nënshtetësi maqedonase i lagjes “problematike” pa nënshtetësi si lagje e “egër” në Shkup, që mbi pesëdhjetë vite lindin e vdesin në këtë shtet, dhe ende nuk e di dudumi i Dexhallit se, është me mijëra kilometra larg me tru t’i pri popullit shqiptar për liri me këmbët dhe trutë në legen. Vdiq pas pushtetit të argatit, e nuk e mori në dorë deri më sot asnjë parti politike shqiptare. Përmëkeq, i futën nga një shqelm të mirë bythëve duke e përzënë në xhami me këmbët dhe trutë në legen. “Vëllezërit” e Njerkës e marrin “revolucionarin” e vonuar, por jo në rolin e komitit, por të këlyshit me zgjebe me bishtin ndër këmbë të lehi pas porte.

Nastradin Hoxha, kur kanë dashur ta varin e ka lënë një porosi: I drejti më në fund shpëton, por i laget bytha. E ka fjalën për litarin, që i këputet nga dega dhe bie në ujë. Edhe, të akuzuarit e “Monstrës” do të shpëtojnë nga burgu, por u është lagur bytha. Përpak, falë këtyre kalorësve të arratisur, bytha t’i laget edhe popullit shqiptar.

“Revolucionarët” e vonuar, të cilët sot i dalin zot me protesta “paqësore” popullit shqiptar dhe thirren plot gojën në Rininë shqiptare, qëllimin e kanë për përfitime personale, familjare, klanore e partikake. Kurrë, këtyre viktimave të pafajshme nuk mund t’ua hapin derën e burgut, nxjerrin në liri. Fatkeqësisht, ato edhe punojnë për moszbardhjen e rastit “Monstra”. Dyshimi lind, mos edhe këto i kanë shti duart në këtë “qull” politik?! Aqmëpak, popullit shqiptar t’i sjellin ndryshime politike. Arsye: Dudumët, momentalisht, shfrutëzojnë përçarjen e partive politike dhe popullit shqiptar për të ardhur te qëllimi “patriotik”: rrëmbimi i pushtetit me dhunë, e nuk e kanë “gajlen” e popullit. Hë për hë, ujë dërgojnë në mullirin e armikut duke i dalldisur shqiptarët t’i fusin mes dy gurëve të mullirit, bluajnë krunde. Edhe atë, në Ditën historike, kur populli shqiptar për Liri më nuk e përdorë pushkën, por penën dhe votën e lirë si armë demokratike për t’i realizuar qëllimet e tij Rilindase.

Përsëri, do të kthehem tek një anekdotë e Nastradin Hoxhës. Plaku kthehej nga pazari me një jorgan të blerë në duar për në shtëpi. Rrugës i sheh disa të rinj sesi rrihen mes veti me grushta. E len jorganin anësh dhe u hy në mes që t’i ndajë trimat e kacafytur si gjelat majë plehit. Njëri nga ato, shkëputet dhe ia vjedhë jorganin. Burri i botës, pasi i ndau “belaxhinjtë”, u kthye ta marrë jorganin. Përçudi, jorganin sikur e kishte përbi toka. Plakut të mençur, tek tashti iu kujtua, belbëzoi plot inatë nëpër dhëmbë: e gjithë puna paska qenë për jorganin tim sesi të ma vjedhin hajdutët.

Edhe protestat e sotshme “paqësore”, gjoja për rastin “Monstra” dhe liri e të drejta të barabarta kombëtare për shqiptarët, i përngjajnë jorganit të Nastradin Hoxhës. Hajdutët e djeshëm, sot partizanë të shitur këmbekokë të partive politike, nuk e kanë gajlen e të burgosurve politik e as të popullit shqiptar, por të vetin, sesi të krijojnë huti dhe mjegull mes popullit shqiptar për të rrëmbyer ndojnë “jorgan” politik nga selitë e partive politike. Kokën duke e mbuluar me të në polici, por u ka mbetur jashtë bytha, truri dhe këmbët në legen. Që, vërtetë e kanë vështirë në Ditën e sotshme ta mashtrojnë një popull historik që është rritur me anekedotat e Nastradin Hoxhës dhe Xha Derallës, rrëzë Çukës.

Populli shqiptar, sot për sot është mbi nivelin e partive politike. Larg i sheh shpëtimtarët e Ditës së Nesërme: Burrat e pushkës dhe penës, që zbresin nga malet me kuaj të bardhë në Shkup. Vështirë e kanë këto hajdutë të “soçëm me tru të moçëm” e këmbët dhe trutë në legen, ta provokojnë, nxjerrin në rrugë me protesta “paqësore” pa organizatorë e “Pranvera arabe” nën sjetulla për “ndryshime” politike.

Dhe, pranë rrugës si hajdutë, tinëz t’ia vjedhin “jorganin” me pupëla…



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT