E premte, 26.04.2024, 07:48 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Kosova pas 15 vjetësh - “Kur s’e ke shijuar lirinë, s’di as vlerën”!

E shtune, 14.06.2014, 12:29 PM


Kosova pas 15 vjetësh: “Kur s’e ke shijuar lirinë, s’di as vlerën” !

Nga Elvi Sidheri

Ky shkrim nuk kishte sesi të niste ndryshe pa frazën hyrëse të shqiptuar nga goja e bashkëudhëtarit tim në këtë udhëtim të gjatë memorie, sadoqë të përmbledhur vërtetë në disa orë bisedë, fjalë të cilat ishin këto saktësisht: ”Lufta është diçka që të imponohet, por që askush nuk e pranon me dëshirë”!

Mjaftojnë këto fjalë sa të mençura, aq dhe të urta, që neve si spektatorë që luftën dhe tmerret e përjetimet e saj ekstreme as i kemi parë (veçse në TV) apo aq më keq provuar, të realizojmë në trurin tonë të çlodhur e të mësuar me streset tona ditore...se për luftën nuk flitet lehtë qoftë edhe në një distancë kaq të madhe nga përfundimi i saj.

Sepse, duke cituar bashkëbiseduesin tonë: ”Vetëm kur hyn në luftë, njeriu, i riu, plaku, gruaja apo djali adoleshtent që është detyruar të shtrëngojë armën…e kupton se çfarë lufta është me të vërtetë”!

Sot në 15 vjetorin e çlirimit, Lufta e Kosovës e 1998-1999-ës duket larg, ajo është si një kujtim i zbehtë për të shumtët, si një ngjarje traumatike për ata që në Kosovë e jetuan atë në lëkurën e tyre, apo si një humbje të turpshme, të cilën përpiqen t’a mbulojnë ende me lavdi megallomane prej dështaku përsëritës, për ata që e shkaktuan atë masakër.

Por ajo luftë ndodhi!

Arsyet nuk duam t’ua sqarojmë me këtë shkrim, kjo është tej kufinjve të mundësisë tonë, pasi përballja historike serbo-shqiptare siç e dimë nuk ka nisur kurrësesi në vitin 1998, por shumë më parë se aq.

Ai vit, megjithë rrethanat e tij sa specifike, aq dhe unike, ishte thjesht momenti që fati apo Zoti, pati zgjedhur që vullkani të eruptonte e me vete të griste njëherë e përgjithmonë një rend të turpshëm botëror, i cili në emër të stabilitetit të paqenë, ruan kufij e zgjedha të zgjatura, vetëm sepse 2/3 e shteteve të planetit tonë, gëzojnë kufij të pamerituar!

Qëlloi që mjeti për të goditur këtë rend të mbrojtur fort nga një organizëm politik si OKB-ja, të ishin sulmet ajrore të NATO-s ndaj regjimit të Millosheviçit.

OKB-ja, një lidhje paqësore që nevojitet të shtyjë shtetet që të bisedojnë e negociojnë para se të luftojnë, por edhe njëkohësisht një monstër gjigande,e hapërdarë mes të drejtash Vetoje e prirjesh filo-terroriste e anti-perëndimore, por e bashkuar si përherë, rreth objektivit për të ruajtur me forcë, hapësirën territoriale të vendeve diktatoriale, siç qe ish-Jugosllavia

Në të vërtetë, situata në terren para shpërthimit të luftës, sipas fjalëve të matura të bashkëbiseduesit tonë shqiptar nga Kosova, por edhe duke gjykuar nga të dhënat e pavarura ndërkombëtare të kohës, ishte e mbushur me një pasiguri totale, me provokime të gjithëfarëllojshme dhe ku popullsia vendase shqiptare e Kosovës po shikonte t’I arrinte kulmi I durimit.

Zgjidhja në dukje e mençur e kosovarëve për t’i rezistuar paqësisht brutalitetit, shtypjes e represionit serb, në një kohë që të tjerët,kroatë e sllovenë, kishin rrëmbyer armët e sadoqë në kondita të pafavorshme, ishin përleshur për vdekje me ushtarët e çetnikët e Beogradit, kjo zgjedhje pra, për këtë popull, pati rezultuar pjesërisht e goditur, aq sa edhe kundërproduktive.

Kjo sepse gjaku shqiptar në Kosovë, nuk ishte derdhur lumë si ai kroat apo boshnjak, por sidoqoftë, çështja e popullit të kësaj ish-krahine autonome jugosllave, të aneksuar padrejtësisht nga Serbia në fillimshekullin e XX-të, kishte mbetur totalisht e pazgjidhur, duke kaluar në Kalendat Greke, përsa i përket axhendës ndërkombëtare lidhur me të.

Ndërkohë që frytet e kësaj toke, me pak përjashtime të periudhës 1968-1974-1990, vileshin ekskluzivisht nga kolonët serbë dhe nga regjimi Beogradas, i cili qysh në vitet 90-të pati instaluar një sistem “aparteidi” kundrejt shqiptarëve vendas, të cilët ishin larguar me forcë jashtë institucioneve publike, posteve shtetërore të punës dhe shkollave.

Kthehemi dhe njëherë tek biseda me mikun tonë, i cili zgjuarsisht, si një njeri që atë kohë e ka jetuar personalisht, na thotë përmbledhtazi se: ”Shqiptarët e Kosovës, në periudhën para shpërthimit të luftës, ishin vënë me shpatulla pas muri”.

Siç tregon i ftuari ynë, aspak metaforikisht, në realitetin e mënxyrshëm të atyre ditëve, në një nga postoblloqet e shumta serbe që gjendeshin edhe në fshatrat më të thellë të Kosovës, udhëtarët shqiptarë të një autobusi, qenë detyruar edhe të hanin me të vërtetë bar përpara syve të ngazëllyer të policëve serbë...

Bashkëbiseduesi ynë na shpjegon me maturi se rrënjët e urrejtjes së verbër kundrejt shqiptarëve, gjenden tek tek mëkimi që në moshë të mitur, i brezave serbë, me këtë lloj përçmimi antishqiptar.

Vepër kjo e realizuar falë një makinerie mirëfunksionuese, e cila ushqehet nga mite e legjenda fallso, që shohin përherë tek shqiptari armikun, njeriun e egër, indigjenin vendas, i cili ngahera përbën antagonistin përfaqësues të një rrace më të ulët, e cila në rastin më të mirë meriton nënshtrimin e në më të keqin për të, zhdukjen përfundimtare!

Lojë kjo e filluar shumë shekuj më parë kur paraardhësit e serbëve të sotëm, lanë pas trojet e tyre të origjinës dhe vërshuan në atë që sot quajmë Ballkan, ku takuan një popullsi vendase ilire, të cilën e panë menjëherë si të shfarosshme e me të cilën sot e kësaj dite sillen po njëlloj...

Pra si i ardhuri që ndihet përjetë i huaj në tokën që ka pushtuar, ndaj vendasit që deri në fund është i ndërgjegjshëm se truallin e tij mund t’a ndajë bujarisht me ardhacakun, por kurrësesi t’a falë atë që i takon nga Zoti.

Gjithësesi kjo shpëlarje trush e realizuar mizorisht aq sa edhe perfektësisht nga media e inteligjenca serbe ndaj popullit të vet, të kujton jo pak homologët e tyre nazistë në Gjermaninë e viteve 30-të të shekullit që lamë pas.

Hebreu me hundë të madhe, tregtar i pabesë, tradhëtar, shkaktar i çfarëdo të keqeje që i kanosej Gjermanisë, rraca e tyre inferiore, ishin të gjitha klishe që regjimi dhe përpunuesit e mendjeve të popullit gjerman, i njihnin mirë dhe ua përshpërisnin në vesh sa here mundeshin banorëve të Rajhut të Tretë.

E shtetasit e tyre,e mirëpritën aq shumë këtë teori, saqë 6 milion hebrenj e 500 mijë ciganë, si dhe dhjetëra milionë europianë të tjerë vdiqën e u shfarosën nga dora naziste.

Pra elita intelektuale serbe, këto “bëma” i kishte kryer vetë në kurrizin e shqiptarëve, shumë më parë se gjermanët nazistë t’u binin në qafë hebrenjve!

Kjo do të thotë që, jo aq Millosheviçi që mori me vete në varr fajet e tij, por mbi të gjitha bota akademike elitare serbe, është përgjegjësja numër 1, për mbi një shekull luftërash, masakrash, zjarrvënie e miliona të vdekurve si pasojë e bajonetave e plumbave serbë, por dhe si shkak i politikës agresive antinjerëzore të hierarkëve intelektualë të Beogradit.

Bashkëbiseduesi ynë, luftëtar lirie për popullin, familjen e vendin e tij tashmë të lirë, na thotë edhe tre fjalë lakonike si përshkrim I luftës: ”Tmerr-shkatërrim-vuajtje”.

Por pas tyre, ai shton edhe fjalët e tjera të dala nga goja e dikujt që luftën e njihte mire: ”Lufta për popullin e tij, është gjëja më sublime dhe fisnike që mund të bëjë njeriu në jetë”.

Ai është i bindur, tashmë që lufta ka nisur të harrohet e të përvijohet si një memorie e turbullt...që populli i kosovës luftën çlirimtare e nisi vetëm, por atë e fitoi me të drejtën njerëzore dhe ligjore që qëndronte në anën e vet, po aq sa edhe me ndihmën e pakursyer të armëve të NATO-s.

Sepse siç ai na thotë: ”Flaka në atë pikë mund të mbahej ndezur vetëm me pushkë”!

Kjo ndërkohë që në një terren ku ekzistonte vërtetë një vijë fronti, armiku ishte dukshëm shumë më i mirëpajisur me teknikë ushtarake dhe i mirëpregatitur e trainuar për betejë.

Një terren ku bashkëbiseduesi ynë, përballej çdo ditë, së bashku me shokët e tij të luftës, me mijëra trupa të rregullta e të çrregullta (çetnikë) armike, me qindra tanke, mjete të motorizuara e autoblinda armike.

Një armik që përherë sipas fjalëve të tij dhe tregimeve të kujtdo dëshmitari kosovar, të huaj, ushtarak apo civil të atyre ngjarjeve...kishte si synim kryesor vetëm civilët shqiptarë, të cilët i bombardonte pareshtur nga distanca e sigurisë që i lejonin mjetet e tij më të përparuara ushtarake.

Por mes vështirësive, pabarazive, armatimit më të dobët, objektivi kryesor i çlirimtarëve, ishte dhe mbetej mbrojtja e civilëve shqiptarë.

Fakti që numri i civilëve të vrarë e masakruar nga makineria ushtarake e Beogradit, nuk kapi shifra edhe më të tmerrshme se mbi 10 mijë zyrtarisht, i detyrohet veç ndërhyrjes ajrore të NATO-s... edhe sakrifikimit në fushëbetejë të mijëra heronjve të Kosovës, të cilët dhanë jetën për të mbrojtur njerëzit dhe vendin e tyre, në një luftë totalisht të pabarabartë, me një armik të pamëshirshëm, në kushte ekstreme luftimi.

Kur bashkëbiseduesin tone e pyesim se si qëndron motivimi përballë armatimit modern, ai na përgjigjet lakonikisht: ”Shkojnë bashkë, pasi kurajo para grykës së pushkës, dihet si përfundon”!

Por ky vetëmohim e kurajo e shqiptarëve, bënë që armët e Beogradit, të mos ia dilnin në përzënien e shfarosjen finale të një populli të tërë, siç ndodhi sidomos pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, (kujtojmë prapë domosdo “Zgjidhjen finale” naziste, aspak rastësisht).

Kjo gjë sepse, në bindjen e bashkëbiseduesit tonë, lufta do zgjaste, por ajo do të fitohej, qoftë edhe po të kishte qenë nevoja të luftohej deri në njeriun e fundit.

Ky moral i lartë e vetësakrifikim, vinte edhe në kohë urie e skamje, mungese armatimi e qënie dëshmitar në masakra nga më makabret e përfytyrueshme.

Aq sa bashkëbiseduesi ynë, vetë e ka kuptuar sipas tregimit të tij, mbylljen e luftës vetëm gjatë muajit të fundit të konfliktit.

Por nëse truri fikej e hynte në transin e gjendjes mes jetës e vdekjes që shoqëron çdo luftëtar, megjithëse ushqimi ishte kthyer në ndonjë gram sheqer e kripë, trupi ishte sfilitur e gjymtyrët qenë rraskapitur, sërish shpirti qëndronte vigan dhe bashkëbiseduesin tone e shokët e tij të luftës i bënte të vazhdonin përpara deri në çlirimin e tokës së tyre nga okupatori i vjetër shekullor.

Siç thotë ai vetë: ”Lufta është me keq se ç’ai kishte imagjinuar para se t’i hynte asaj, më vrasëse e traumatike për trupin, zemrën e shpirtin”!

Situatën e sotme pas 15 vitesh nga fundi i luftës dhe largimit të hordhive armike, ai e përshkruan me një fjalë lapidare, e cila e tregon gjithë mendimin e tij dhe të gjithë shqiptarëve të Kosovës...ajo është: ”LIRI”!

Si një largim përfundimtar nga pasiguria esenciale për jetën e gjithçka tjetër.

Ai na tregon se kohët e para pas çlirimit nga pushtimi, vetëm ideja se nuk do të kontrollohej nga ndonjë postobllok policor serb, qoftë edhe për të shkuar të blejë bukë, e bënte të ndjente habi e lehtësim.

Ajo e lirisë së fituar ishte një ndjesi e papërshkrueshme, të cilës ai as sot nuk është i aftë t’i japi një konotacion të formueshëm vetëm me fjalë, por ndjenja e lirisë atij i lexohet sidoqoftë në sy.

Kjo gjë ka bërë që në sytë e shqiptarëve të Kosovës, të mos vihen re shumë prej mangësive të pasluftës e kështu shpjegohen dhe mjaft prej prapambetjeve të vendit deri tani.

Por shqiptarët në këtë vend, ende po çmësohen me luftën dhe shtypjen e po ambientohen me lirinë.

Siç ky njeri, ky ish luftëtar na thotë: ”Kur s’e ke shijuar lirinë, s’ia di as vlerën”.

Ndërkohë ai na thotë i bindur, nga lartësia e eksperiencës së tij, se tashmë në Serbi edhe populli i thjeshtë nuk do t’ia dijë më për Kosovën.

Kjo ndërsa edhe vite më parë persona kyç në Beograd e kanë ditur që Kosovën e kishin humbur, por ata gjithësesi përpiqen që të përfitojnë sa më shumë nga bisedimet e procedurat e heqjes dorë tashmë dhe “de jure” përveçse “de facto” nga Kosova.

Pyetjes sonë, në kishte qenë lufta zgjidhja më e mirë, ai i përgjigjet se kjo ishte e vetmja zgjidhje e mundur në ato rrethana.

Kjo pasi vetëm në fillim të viteve 90-të, si pasojë e nivelit të papranueshëm të shtypjes serbe, nga Kosova qenë detyruar të largoheshin qindra-mijëra të rinj shqiptarë, gjë që kishte aktualizuar alternativën e rrezikshme që: ”Mos kishte më kush të kapte armën për luftë”!

E mbyllim këtë bisedë me frazën që bashkëbiseduesi ynë, na jep si përgjigje ndaj pyetjes sonë lidhur me mendimin e tij për realitetin e sotëm në vendin e tij.

Na përgjigjet kështu: ”Realiteti është ai që duhet të pranohet, jo ai që duhet të jetë”!



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora