Kulturë
Adem Zaplluzha: Bajraktarët e vatanit
E diele, 11.05.2014, 05:08 PM
Adem Zaplluzha
NË DASMËN E MADHE TË MOSKOVI
Ai i “shenjti” mbi mangall
Nëpër gazeta flet me muaj
Seç na bëri popullin përrallë
Duke mbaruar petulla me ujë
E ndan Ballkanin sipas qejfit
Me teorinë e Dimitrovit
Si cigane që i bie defit
Në dasmën e madhe të Moskovit
Qëndro burrë të kesh durim
Duro dajakun sa je gjallë
Kemi ekipin që merr shënim
Për këto krime në çdo mëhallë
Ja kështu vepron çdo trim
Thotë armikut mëshomë or burrë
E hap gjoksin me guxim
Se prej teje s’frikësohem kurrë
Ik në rrugë e shit duhan
Lakra, speca e sallata
Unë mendoj për këtë vatan
S’është për ty demonstrata
Ai që ul kokën e thotë “molim”
Vëllezërit në rrugë i respekton
Në atë dynja shkon me gëzim
Zoti Parajsën ia cakton
Gishtin në kokë , mendo si burrë
Ku na çon kapadaillëku
Këtë adet s’e patëm kurrë
Mes nesh të lindë maskarallëku
Mos paç shkollë mëso në bodrum
Se me shkencë s’bëhet mahi
Pastaj thuaj: O, i lumi unë,
Këndo e qaj me çifteli!
BAJRAKTARËT E VATANIT
Bajraktarët merakosen
Për të varfrit andej përroit
E nëpër mejhane po na krekosen
Duke i rënë thumbit e patkoit
Partia ime ka një qëllim
Me i dalë Zot Kosovës nënë
Mbushe gotën more Qerim
Kështu ne do bëjmë “famë”...!
Bluajnë grurin si t’ju do qejfi
Besa shpesh në disa gurë
Duke thënë :”kështu do mileti’’
Populli e ha këtë bullgur
Trimëri shesin si Halit Feta
Me dy grushte “bam” tavolinës
Për Kosovën tonë heroike
-“I këpusin telat violinës.”
Njëri-tjetrin duke e sharë
Mu si derrat pranë kasolles
Kur i nisin për në Pazar
Sa për vatan nuk qajnë kokën
Prej mejhaneve dirigjojnë
Të parëve tanë tua japësh botën
Ata kolltukët dot nuk i lëshojnë
Kur pushka krisi te hambari
Si strucët kokën e futën në zall
Ata veç në sofër dinë të ulën së mbari
U bënë përrallë për shtatë mëhallë